| E premte, 12.04.2024, 07:59 PM |
Gjurmë të trashëgimisë kulturore në fshatrat Lladoc, Balloc e Herticës në komunën e Podujevës
Nga
Qazim Namani: Dr. Arkeologji
Trashëgimi Kulturore
Megjithëse gjurmë të vendbanimeve të lashta ka në tërë
rajonin e Llapit dhe Galabit, interesimi i arkeologëve shqiptar ishte fare i
vogël për të gjurmuar dhe konstatuar të vërteten e madhe, për autoktonin e shqiptarëve
me shekuj në këto treva. Ky rajon ka gjurmë me vlera të jashtëzakonshme për
studimin e lashtësisë së Kosovës së sotme, përkatësisht Dardanisë antike.
Fortifikimet që fillonin nga Fusha e Kosovës, e që
shkonin në drejtim të Fushës së Llapit, përgjatë anës së majtë të Lumit Llap.
Ishin të shumta dhe luanin rolë të rëndësishëm pranë rrugës që e lidhte qytetin
e Nishit me Detin Adriatik. Po ashtu prej Vendenisit, rrugët që shkonin në anën
e majtë përmes luginës së Batllavës, lidhnin shumë vendbanime të rëndësishme të
antikitetit e mesjetare minerare. Lidhja e këtyre minierave me Vendenisit dhe
rrugën Nishë-Lezhë, kishte ndikuar në ngritjen e një numri të vendbanimeve të
fortifikuara.
Në këtë drejtim është me rëndësi të përmendet edhe qyteti
mesjetar i Bervenikut, që u bë i njohur për përpunimin e metaleve dhe
zhvillimin e tregtisë.
Në këtë zonë të pasur me minerare, e tokë bujqësore, u
ngritën shume vendbanime dhe objekte të kultit, rrënojat e të cilave sot i
hasim në terren.
Prej fshatrave ndërmjet Prishtinës e Bervenikut, për
gjurmë të lashta veçohen: Vendenisi, Hertica, Berveniku, LLadoci, Balloci,
Braina, Baraina, Metergoci, Teneqdolli, Truda, Siçeva, Rimanishta, Koliqi,
Kalatica etj.
Kësaj radhe po i veçojmë disa nga gjurmët e qytetërimin
në fshatrat Lladoc, Balloc dhe Herticë. Gjurmë të civilizimit në këto fshatra
janë të dukshme më shumë se sa është pritur.
Vetë pozita gjeografike si ndër pikat e rëndësishme
strategjike për Kosovën e sotme kjo trevë ka një pozitë dhe shtrirje
gjeografike me kodrina dominuese mbi rrafshinën e Llapit.
Edhe pse këto fshatra kanë një relief të bukur, me burime
të bollshme uji të pijshëm, pyje të pasura me kullosa dhe lugina me tokë të
pasur pjellore, sot duken të braktisura. Rëndësinë historike të këtyre fshatrave
e shtojnë edhe pasuritë minerare që kanë lanë gjurmë edhe mbi tokë nga kohët e
lashta. Këto pika të rëndësishme strategjike ishin shënjestër e pushtuesve të
ndryshëm për të kontrolluar pasuritë minerare dhe rrugët që e lidhnin Kosovën e
sotme me minierat në Toplicë dhe luginën e Jabllanicës.
Fshati
Lladoc
Me interes për të kaluarën e vendit tonë, në fshatin
Lladoc ishin muret e gjata të punuara me gurë që rrethonin oborret e shumë
shtëpive, por që vërehej edhe zëvendësimi i tyre me mure të reja. Këto mure
përveç teknikes së punimit, dalloheshin edhe me dyer tradicionale që i përdorën
shqiptarët ndër shekuj.
Ballina e jashtme e murit rrethues, në oborrin e Sylejman
Zejnullahut, para dyerve tradicionale, nga ana e djathtë e mbante të murosur,
një gurë në lartësinë e murit afër 2 m, i cili e kishte të skalitur yllin
gjashtë cepash, dielli dhe hëna.
Foto
1. Guri me mbishkrim pranë themeleve të kishës së fshatit, ndërsa tre fotot
tjera janë nga kompleksi i lagjes së fshatit
Po ashtu në murin e Basri Rrahmanit, ka gurë të skalitur
dhe me mbishkrime të ndryshme, për të cilat mënojmë se janë sjell nga ndonjë
fortifikim i afërt.
Në anën e djathtë të kësaj lagje janë themelet e një
kishe të vjetër që ende i vërehen muret, vendi ku është kisha quhet rrafshina e
kishës.
Në themelet e kësaj kishe, e hasëm një guri të ngritur
vertikalisht, në të cilin kishte mbishkrim me disa shkronja të alfabetit cirilikë.
Mendojmë se ky guri, është vendosur në këtë vend, pas pushtimit të Kosovës nga
forcat ushtarake serbe. Një praktikë e tillë e falsifikimeve në objekte të
kultit është bartur edhe nga kohët e pushtimit të fshatrave shqiptare në
Sanxhakun e Nishit, ku kemi burime të shkruara për falsifikimin e mbishkrimeve
dhe vendosjen e personelit dhe klerikëve të sjellë nga Rusia.
Nga burimet e autorit serb Mita Rakic, i cili i vizitojë
këto fshatra pas krizës lindore nuk kemi të dhëna për popullatë serbe në këto
anë. Ai në librin “IZ NOVE SERBIJE”, shkruan se në fshatrat e Llapi jetonin
shqiptar të pastër etnik.
Po ashtu nga burimet e shekullit XIX, kuptojmë se në
Podujevë ishte vendosur vetëm një hanëgji serbë, për të cilin Mita Rakiç
shkruan se nuk kishte njohuri për viset e afërta për rreth Podujevës, ndërsa
shqiptarët i dinin të gjitha viset dhe rrugët e këtyre fshatrave.
Në themelet e mureve rrethuese të oborreve por edhe të
objekteve të banimit të këtij fshati hasëm mjaftë gurë të përpunuar, dhe me
mbishkrime të ndryshme, që për ne janë të panjohura. Mendojmë se mbi kishën e
fshatit, kishte një fortifikim të hershëm, nga u bartën gurët për tu përdorur në
ndërtimin e këtyre mureve.
Gurët në mure kryesisht janë të lidhur me llace balte,
por edhe me teknikë të thatë të murimit. Nuk
vërehet ndonjë teknikë e lartë e murimit, andaj kjo na shtynë të mendojmë
se këto mure janë punuar përgjatë shekullit XX, pasi që në disa oborre janë të
shënuara edhe datat e punimit të mureve.
Objektet e banimit dhe objektet tjera përcjellëse, ishin
të punuara me një arkitekturë mjaftë të avancuar për kohën e ndërtimit dhe zënin
vend si pas shijes dhe nevojës së shfrytëzimit funksional të tyre. Të gjitha këto
objekte e përbënin një kompleks brenda mureve rrethuese të oborrit urban mjaftë
të avancuar.
Në çdo objekt të banimit, në dyer të oborrit por edhe në
mure janë të shumta simbolet e kultit të gdhendura në dru dhe gurë.
Gurë
me mbishkrime e simbole të kultit në muret e oborreve të shtëpive në fshatin
LLadoc
Fshati
Balloc
Në fshatin Balloc janë varret e vjetra, themelet e një
kishe dhe Fortesa (Kështjella) e fshatit. Kështjella e këtij fshati zë një
pozitë dominuese në anën veriore mbi territorin e këtij fshati. Muret rrethuese
të kësaj kështjelle shtriheshin në një sipërfaqe mjaftë të madhe. Në piken më
të lartë vëreheshin muret e objekteve të cilat ishin të dukshme pasi që
fshatarët kishin marr gurë për nevojat e tyre. Muret e lidhura me gurë e llacë
shtriheshin deri te përroi, në anën
jugore me një largësi rreth 500 m. Nga kjo Kështjellë kishte vrojtim e tërë
fusha e Llapit.
Gërmadhat
e Kështjellës ne fshatin Balloc
Po ashtu në përrua ishin themelet e një kishe, që
rrethohej me mure të objekteve përcjellëse. Në këtë hapësirë kishte mjaftë
qeramike me plastikë të bëra me gishtërinj të cilat na shtynë të mendojmë se i përkasin
antikës së vonë. Rreth 50m, mbi themelin e kësaj kishe ishte kroi i fshatit.
Bazuar në qeramikën e hasur në rrënojat e kishës së
fshatit, kuptojmë se kemi të bëjmë me një objekt kulti të antikitetit të vonë,
andaj hulumtimet më të detajuara arkeologjike, do të ishin me interes për të
kuptuar rëndësinë që e kishte kjo fortifikatë në antikitetin e vonë.
Themelet
e kishës ne fshatin Balloc
Fshati
Herticë
Në fshati Herticë po ashtu hasëm në gjurmë të shumta të
civilizimit që nga periudha antike e deri në ditët e sotme. Në këtë fshat vlen
të veçohet Quka e Drazhnjës, fortifikatë kjo e njohur në këto anë e cila ngritët
në anën e djathtë mbi hyrjen e minierës. Zbulimet arkeologjike kanë dëshmuar për
një minierë që nga kohët e hershme të mbretërisë dardane, dhe periudhës pas
pushtimit romak.
Në anën perëndimore të kësaj Quke, në proçkën e fshatit,
por dhe te kulla ka shumë zgjyrë metalesh që kanë mbetur nga eksploatimi i
xeheve në kohë më të lashta. Në këtë lokalitet ruhen themelet e vendbanimit të hershëm
dhe kishave në disa lagje. Në përroin e fshatit në anën e majtë
nga hyrja e sotme e minierës, ruhen disa themele të objekteve të banimit dhe
objekteve të kultit.
Në lagjen e Pllomëve
janë themelet e kishës katolike, po ashtu ruhen toponimet përroi i kishës në
lagjen e Dervishëve. Në Herticë kishte edhe tyrbe dhe xhami që ishin ndërtuar
gjatë sundimit osman. Gjurmë nga periudha osmane kanë mbetur të shumta por ne
po veçojmë: Kodrën e Nizamit në të cilën gjenden gërmadhat e Karollit në të
cilin vend ka edhe burim uji. Nëpër territorin e këtij fshati, kishte pasur
rrugë të rëndësishme që i lidhnin fshatrat malore të kësaj ane me qytetin e
Vendenisit dhe vendbanimeve tjera në fushën e Llapit.
Në këtë fshat kishte disa shtëpi të banimit që në popull
quheshin kulla, pasi që kishin dritare vrojtuese apo frëngji. Në fshat kulla e
Xhemajl Haxhiut që është ruajtur kohëve të fundit ka pësuar ndryshime, pasi që frëngjitë
janë zëvendësuar me dritare. Kjo shtëpi ishte ndërtuar mjeshtrit dibran. Kjo
kullë ishte një prej fortifikatave themelore dhe bazave ushtarake gjatë luftërave
në këto anë të Malësisë së Galabit. Kohët e fundit nga faktori kohor, kushteve të vështira për mirëmbajtje
kulla kishte pësuar dëme nga ana perëndimore.
Për mendimin tonë kjo shtëpi është ndërmjet shtëpisë
përdhese dhe kullës tradicionale që zakonisht janë ndërtuar në fshatrat e kësaj
ane brenda një kompleksi banesor të hapur. Këto objekte përdoreshin për anëtarët
e ngushtë të familjes, pasi që për miq e kishin odën e cila zakonisht ndërtohej
pranë dyerve të oborrit.
Shtëpia
e Xhemajl Haxhisë në fshatin Herticë
Nga burimet dhe kujtimet e banorëve të kësaj ane kuptojmë
se banorët e këtij fshati deri në mesin e shekullit të XIX, ishin të besimit të
krishterë të ritit katolik roman. Gjatë përnjohjes në këtë fshat, ne veçuam
disa nga toponime karakteristike të këtij fshati si: Bregu i Laknave, Kryet e Myjës, Dafina, Prroni i Torishtave, Prroni i
Shpilit, Kroni i Golisë, Ara te Kunga, Arat matan Ligate, Ara e Medës, Ara e
Batës, Arat te boka e Melit, Arat e Komajt, Arat e Hanit, Ara te Vidhat, Ara te
Gantat, Livadhi i Musli Gegës, Livadhi i Kuks, Livadhi i Pelollit, Livadhi i
Makës, Bregu i Qejs, Bregu i Lamës, Bregu i Lkenit, Bregu i Kuq, Bregu i Fshisave,
Lugu i Marpapës, Lugu i Shtogjeve, Lugu i Pojatave, Lugu i Tepës, Lugu i
Stanit, Lugu i Rrgallave, Te Gantat, Gurrat e Meks, Gjallet, Te Xhuxhi, Te
Humza, Hurdha, Kapercelli, Kaculi i Durs, Kodra e Qokthit, Kodra e Hanit, Quka
e Vogël, Qestaja, Qajr, Rrafshi i Prrojshpilit, Rrezja e Bërduks, Rrezja e
Gjarrpijve, Rrezja e Zhareve, Rrezja e Pojillave, Sojishtat, Shurrjegu, Shpati
i Shullanit, Shpati i Lotollve, Te shpia e Inxhilerit, Prroni i Shplaks, Prroni
i Shniergjit, Pusat e Kanopit, Kroni i Shah Dodës, Kroni i Shpardhicës, Kroni i
Rrahit, Kroni i Kelbtë, Kroni i Pylls Gjyherit, Vau, Vrella, Udha e Pylls, Udha
kah Maxhupt, Udha kah Vau, Vorret e Batatinës, Vorret e Murtajs, Vorret e
Grave, Balltaku, Laku i Bjeshkës, Kodra e Zezë, këtu vërehen grumbuj të gurëve
që dëshmojnë se ka pasur objekte banimi, Kodra e Staneve, Kodra e Nizamit etj.