| E enjte, 11.04.2024, 07:54 PM |
Jahja Drançolli:
Nga
historia e shkollave tona të moçme: Amza e Shkollës Arbërore të Venedikut
1442-1780 është një burim origjinal me një vëllim prej 132 fletësh, që ndodhet
në Arkivin Shtetëror të Venedikut. Një kopje e paplotë ruhet sot në Bibliotekën
Kombëtare Marciana gjithashtu në Venedik!
Dihet
se marrëdhëniet arbërore-veneciane janë të njohura të paktën që në shekullin
XI. Nga kjo kohë dhe veçanërisht nga fillimi i shekullit të 14-të, Republika e
Venedikut, duke pasur fuqi shtetërore dhe ekonomike dhe duke zotëruar pothuajse
të gjithë bregdetin lindor të Adriatikut dhe një pjesë të madhe të ishujve
bizantinë, duke përfshirë disa qytete bregdetare të Arbërisë, Venediku u bë
qendër jo vetëm si një vendtakim për shumë emigrantë, por edhe një mënyrë për
të afirmuar kulturën e tyre në kulturën e Rilindjes Europiane. Tani e tutje
rrugët e qytetit filluan të emërtohen me emrin e mërgimtarëve që u vendosën
këtu. Në këtë kuadër, sipas komunitetit të arbëroreve, i cili ishte i
shpërndarë në gjashtë rrugë, këto quheshin Calle degli Albanesi. Në zonën e San
Markos gjenden edhe toponime të lidhura me familjen bujare Zguri, e cila u
vendos këtu nga fillimi i shekullit të 14-të. Godina e tyre ndodhet në Campo
San Maurizio, shumë pranë godinës së Shkollës Arbërore. Përballë këtij pallati,
në të njëjtin shesh, ngjitur me shkollën në fjalë, ndodhet Palazzo Molin, në
pronësi të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili iu dhurua nga Republika me rastin
e shpalljes qytetar nderi të Venedikut!