| E enjte, 11.04.2024, 07:58 PM |
Çmimin e vizitave të Aleksandër Vuçiq e të Edi Ramës në Paris e paguan Kosova!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Presidenti
i Francës, Emmanuel Macron, mikpriti në fillim-javë presidentin e Serbisë,
Aleksandër Vuçiq. Fillimisht entuziazmi i kreut të shtetit serb ishte i madh.
Ai shpresoi se do të arrinte një fitore të pakthyeshme me përkrahjen e Macron
në përballjen e tij me Kosovën. Por fakti që shefi i Elizesë kërkoi dënimin e
terroristëve të Banjskës dëshmoi se Aleksi nuk mundi të marrë gjithçka çka
donte nga kjo vizitë.
Megjithatë
nuk duhet nxituar e të thuhet se kjo vizitë ishte e pasuksesshme për të. Ne nuk
e dimë se cila ishte formula që është diskutuar në atë takim. Nuk e dimë, nëse
nuk është bërë pazari sipas të cilit “Unë do të kritikoj publikisht, por ti
Aleks bën atë që di më mirë e që do”! Ato një miliardë euro që Franca i merr
nga Serbia për 12 avionët Rafale nuk kalojnë pa një shpërblim në aspektin
gjeopolitik e gjeostrategjik në favor të blerësit, Serbisë. Po të shtojmë dhe
dy miliardë euro të tjera për furnizime të tjera ushtarake, atëherë del se
Serbia po blen te Franca edhe influencën gjeostrategjike pro saj.
Interesant
është se Edi Rama, menjëherë pas Vuçiq, do ta vizitojë Shën Elizenë. Do pritet
me ceremoni ushtarake, njësoj si edhe Aleksandri. Këtë e mësuam prej lajmeve që
erdhën nga Parisi, por jo nga zyra e shtypit e kryeministrit. Ndoshta pas Ramës
Emmanuel Macron ka planifikuar ta presë në selinë e tij edhe kryeministrin e
Kosovës, Albin Kurti. Dhe të gjitha këto veprime presidenti francez i kryen në
emër të “ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”! E ndihmon shumë qëndrimi radikal
kundër Rusisë, një risi kjo në historinë e marrëdhënieve ruso-franceze. Në
opinionin publik ai mundet të hiqet si kampioni evropian i mbrojtjes së
perimetrit kufitar të Evropës.
Po
cila është kostoja dhe kush e paguan këtë kosto të iniciativave të presidentit
francez?
Se
diplomacia e Shën Elizesë e kohëve të sotme ka kosto, këtë na e dëshmon fakti
që shqiptarët informohen nga Parisi për faktin se kryeministri Rama do të
vizitojë kreun e shtetit francez. Kryeministri shqiptar, i njohur për etjen e
tij egoiste të shitmendjes nuk është nga ata që heziton të publikojë ftesa kaq
të rëndësishme. Pse e fshehu? Sepse tam-tamet e tij në takimet me kreun e
shtetit francez kanë kosto, të cilën e paguajmë ne, shqiptarët, sidomos Kosova.
Ne
e kemi parë karshillëkun e Ramës dhe Macron ndaj Kosovës gjatë vizitës së
vjeshtës së kaluar në Tiranë, kur ndodhi kërcënimi me bllokimin e liberalizimit
të vizave. E njohim faktin që Rama dhe Thaçi e ndoqën zotin Macron në vitin
2018 deri në Armeni, me qëllim të merrnin dakordësinë e tij për projektin e ndarjes
së Kosovës. E njohim gjithashtu eventin e Parisit pas Armenisë, në të cilin
Hashim Thaçi takoi presidentin rus, Vladimir Putin, me ndërmjetësinë e Macron
dhe të Vuçiq.
Qëllimi
ishte që të merrte nga Putin një lloj premtimi se “pas ndarjes dhe shkëmbimit
të territorit, Rusia nuk do ta pengonte pranimin e Kosovës në OKB”!
Të
gjitha lëvizjet Vuçiq-Macron-Rama kanë rezultuar si lëvizje, koston e të cilave
e paguan Kosova. Madje Kosova paguan jo vetëm koston e përfitimeve në miliarda
të Francës nga biznesi i saj me Serbinë. Ajo paguan edhe koston e përpjekjeve
të Aleksandër Vuçiq dhe të Edi Ramës për të ndenjur në pushtet derisa ata të
mërziten, gjithnjë me përkrahjen dhe mbështetjen e Francës dhe presidentit të
saj pro-serb.
Në
këtë mënyrë presidenti francez duhet konsideruar gjithashtu si ndërmjetës i
koordinimit midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë,
gjithnjë në dobi të partneritetit serb në tregti me avionë e armatime.
Por
asgjë nga ato që projektojnë këta tre liderë anti-Kosovë nuk kalon, nëse nuk
bashkohet me ta lidershipi i Kosovës. Ndaj shkrova më lart se ndoshta ftohet në
Shën Elize edhe Albin Kurti. Pra, Kosova paguan kosto shumë të ulët nëse nuk
gjenden brenda saj bashkëpunëtorë të Vuçiq, Ramës dhe Macron. Megjithatë kjo nuk
mjafton. Përpjekjet Rama-Vuçiq-Macron kundër Kosovës e pro-Serbisë duhen
neutralizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me kancelaritë e tjera
europiane dhe me SHBA-të. Macron duhet izoluar. Ndërsa Rama duhet refuzuar dhe
Aleksandër Vuçiq duhet luftuar me të gjitha mjetet, në varësi nga mjetet që
përdor edhe ai.