| E enjte, 11.04.2024, 07:59 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Kam
qenë vetëm gjashtë vjeç, por kujtesa fotografike e atyre ditëve vazhdon të
mbetet ende shumë e gjallë tek unë. Në shtëpinë tonë kishte rënë një hije e
zisë. Nana ime endej nëpër shtëpi dhe në oborr duke kryer punët e përditshme të
amvisërisë dhe herë pas here vinte në odë, aty ku e kishim televizorin, dhe
shikonte pamjet që transmetonte RTSH-ja.
E
vetmja gjë që arrita të kuptoja ato ditë ishte se ata lotë që pashë në sytë e
saj dhe mërzia e përgjithshme që kishte pllakosur shtëpinë tonë, lidhej disi me
ato pamje televizive. Kishte vdekur një njeri që e kishte emrin Enver Hoxha.
Çdo bisedë ato ditë vërtitej rreth këtij emri.
Vite
më vonë do ta kuptoja atë që nuk mund ta kuptoja si gjashtë vjeçar. Ndikimi
televizionit shqiptar në familjen tonë kishte qenë total. Përmes tij ne e
kishim krijuar përfytyrimin për Shqipërinë komuniste si një vend i lulëzuar në
çdo pikëpamje. Shqipërinë e përfytyronim si
një parajsë të vërtetë mbi tokë, krijimi i të cilës ishte vepër e një
njeriu, Enver Hoxhës. Në familjen time, si në mijëra e mijëra familje tjera
kosovare, dashuria e pafundme për Shqipërinë dhe udhëheqësin e saj
bashkëjetonte me bindjen e palëkundur se edhe Shqipëria dhe udhëheqësi i saj na
donin njësoj dhe mendonin e angazhoheshin për ne. Këtë bindje na e ushqenin
këngët për Kosovën, që këndoheshin me aq pasion nga rapsodët e Shqipërisë dhe
filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” ku përmendej Kosova dhe heronjtë e saj.
Mbi këtë dashuri të imagjinuar në Kosovë do të ngrishin shumë grupe ilegale, të
cilat kishin për synim kundërshtimin e regjimit jugosllav. Më e shquara në
mesin e tyre do të ishte LPK-ja, prej të cilës, gjatë viteve ’90-të, do dilte
vetë UÇK-ja, guerilja më e suksesshme në historinë moderne ( T.Judah), e cila
do ta bënte luftën e saj kundër Serbisë me armët e prodhura në uzinat ushtarake
të Enver Hoxhës. Për të qenë e plotë
ironia e historisë: ato armë ishin menduar për t’u përdorur kundër agresionit
NATO-s mbi Shqipërinë dhe ja tani ato ishin në duart e një guerilje shqiptare
të mbështetur nga vetë NATO-ja.
Më
rënien e komunizmit në Shqipëri, doli në dritë Shqipëria e vërtetë e 45 viteve
të sundimit të tij. Enveri ynë imagjinar do të shembej bashkë me të. Sot vetëm
aty-këtu ndonjë nostalgjik i grupeve ilegale të viteve ’80-të, vazhdon ende të
besojë se Enveri ynë imagjinar ishte Enveri i vërtetë. Ky në fakt është thelbi i nostalgjisë :
zbukurimi i imazhit të së kaluarës edhe kur ajo në realitet ka qenë e hidhur.
39
vjet pas vdekjes së diktatorit të saj, Shqipëria po hedh hapat e fundit në
lënien pas të trashëgimisë së tij totalitare, bashkë me periudhën e gjatë plot
dhimbje të tranzicionit postkomunist. Dhe kjo më së miri shihet në një fakt
fort të dukshëm : në rrugët nga dikur Shqipëria e bunkerizuar priste ushtritë
pushtuese të imperializmit amerikan apo të social-imperializmit sovjetik, tani
vijnë ushtritë e miliona turistëve nga e gjithë bota për të shijuar mrekullitë
e detit shqiptar, mrekullitë e natyrës shqiptare dhe gjurmët e lëna nga
përplasjet e vazhdueshme midis civilizimeve në tokën e shqiponjave.
___________
Disi
e kam të vështirë t'i përshkruaj ndjesitë e asaj dite kur bashkë me batalionin
tim kemi zbritur kësaj rruge në drejtim të Botushës. Gjuha më duket e varfër
disi. Lufta kishte përfunduar. Kosova ishte çliruar. Gëzim më të madh nuk mund
të kishte. Por me gëzimin përziheshin ndjesi të tjera. Ndjesia e dhimbjes për
shokët që kishim lënë prapa. Për dy muaj e kishim parë nga lartësitë Rrafshin e
Dukagjinit, i cili me të ardhur pranvera dukej edhe më i bukur. Dhe të gjithë
veç një dëshirë e kishim: të zbrisnim atje sa më parë. 114 prej nesh mbeten
atje në lartësitë e Kosharës. Heronj të lirisë së saj dhe gjithë Kosovës.
Heronj që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë emri e vepra u lartësohen.
Sepse gjithçka e mbulon pluhuri e harresa, përjashto kujtimin e atyre që vdesin
për lirinë.
___________
Është
shumë i përhapur një mendim-klishe që 1 Prilli, Dita e rrenave, duhet të
shpallet dita e politikanëve, nisur nga fakti se këta rrejnë shumë. Por ky
mendim e ka një problem konceptual.
1
Prilli është dita e rrenave gazmore, rrenave që konsumohen mes miqëve dhe që,
në thelb, shpreh shpirtin e miqësisë.
Ndërkaq,
rrenat e politikanëve nuk jane gazmore, as miqësore. Ato janë rrena të dëmshme,
rrena që e tradhtojnë besimin demokratik, kontratën demokratike midis
zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Janë rrena që në rastet më të lehta përfundojnë
në farsa politike, e në rastet më të rënda në tragjedi shoqnore.
___________
Roma
e cezarëve e kryqëzoi. Pastaj pasuesit e tij i ndoqi, i persekutoi, i
poshtëroi, i talli, i vrau e të gjallë ua hodhi bishave nëpër sheshet e
qyteteve dhe arenat e koloseumeve. Plot 300 vjet me radhë. Dhe pas 300 vjetësh,
e njëjta Romë, fuqia ma e madhe e kohës, i ra në gjunj figurës së tij dhe
dishepujve të tij të paarmatosur.
Dhe
bota ndryshoi përgjithmonë.
Dhe
bota u bë ajo që është sot.