| E merkure, 10.04.2024, 07:53 PM |
Anton Marku
BIRI I HUMBUR
Një fytyrë
e pështyrë mijëra herë
u shtri mbi një dru të vdekur
Nëpër
trup i kishin mbetur
shenjat
e ëndrrave
Me
gishta të zverdhur
shtrydhi
sytë
derisa nisi t‘u ngjante
të vdekurve të vetë
Dëshirë të fundit pati
të lehë në botën
Biri
i saj i humbur.
BABA
Kur
vdekja thirri
emrin e
njërit prej nesh
unë nuk qëllova në shtëpi
Baba po
flinte
e nuk dëgjoi gjë
Fqinjët
kishin parë
një mace të
zezë
duke dalë
nga oborri ynë
Kur u
ktheva
nuk e
gjeta babën
E kishin
marrë me vete
ujërat e
asaj vjeshte.
SHITËSI
I FLAMUJVE
Me
lule të bardha
mbuloi
shkronjat e emrit
me
të cilin e patën pagëzuar
gjysmë
i vdekuri
i
lagjes sime
Në
qytetin ku lindi
asnjë
varr nuk pranoi
t’i
bënte vend arkivolit të tij
Gjithçka
kishte fituar
nuk
i mjaftoi
për
një këmishë njeriu.
LUFTA
Gjithçka
nis nga një përrallë
e treguar bukur
nga goja e një lahutari
Në luftë shkohet
duke u duartokitur fitoreve
që ende nuk kanë ndodhur
Gjokset mbështjellën me pëlhura
që u ngjajnë flamujve
të huazuar nga legjendat
Atë e humbasin
ata që të parët
ngrehën këmbëzën
Shumë pak prej tyre
mund të zgjedhin vetë
ngjyrën e fytyrës
me
të cilën do mbyllin sytë
Të
gjallët kthehen të vdekur
të
vdekurit i fusin në këngë
pa
ua matur trimërinë
apo
hapat që bënë
para
apo prapa.
Mjafton
të kenë rënë
fushëbetejave.
FAQJA E FUNDIT E BIBLËS
Dita e gjykimit të fundit
nuk
do të vijë
Toka
asnjëherë
nuk do të jetë
e denjë për qiellin.
Vjenë, 9 prill 2024