| E diele, 07.04.2024, 07:57 PM |
LUFTA E MBETJEVE DHE TURIZMI
Lufta
e epokës sonë nuk është më ajo “e yjeve”, por e mbetjeve
NGA
NDUE DEDAJ
Europa
ka kohë që përballet me luftën kundër ndotjes mjedisore, mbetjeve plastike dhe
riciklimit të tyre etj. Industrializimi i gjithanshëm i shekullit XX e në
vijim, krahas progresit teknologjik e ekonomik, krijoi dhe një mjedis të ndotur
rëndshëm, që do të prekte gjer ajrin e ujin, që për njeriun janë të shenjta dhe
jetike. Po aq kritike u bë situata planetare dhe nga mbetjet e konsumit të
tepërt të ushqimeve, shpërdorimi i tyre, thënë ndryshe konsumizmi. U pa se nuk
mjaftonin vetëm gropat e mbuluara me dhé për ta shpëtuar njerëzimin nga rreziku
i mbetjeve shtëpiake, industriale, agro - ushqimore, spitalore dhe radiokative.
Bashkimi Europian, SHBA etj. filluan të flasin, propozojnë, ndërmarrin nisma,
planifikojnë buxhete, si e si të mos na “mbulojnë” plehrat, ndotja dhe helmet.
Një fermer e pastron stallën e lopëve, pasi plehun organik e hedh në arë, kurse
një qytet nuk e ka aspak të lehtë, jo vetëm për volumin e mbetjeve, por dhe për
“ngurtësinë” e tyre teknologjike, çka do të thotë se ato nuk shpërbëhen për
vite e vite.
Deri
më sot jemi të humbur në këtë luftë, pasi veçsa kemi pastruar kazanët e
plehrave në qytete me makinat e bëra pis të bashkisë, por jo mbetjet në
kuptimin e plotë të fjalës. Edhe kur nisëm të përfshiheshim në modernizimin e
këtij procesi, njëzet vite e këndej, nuk i bëmë si duhet të ashtuquajturit
landfille në disa qytete, që ishin “gropat” e para septike të buxhetit të
shtetit, për të humbur vitet e fundit në mënyrë drastike në betejën e
inceneratorëve, që në vend që ta kryenin me përgjegjshmëri institucionale
bashkitë dhe ministritë, po e “përfundon” SPAK-u. Ne nuk e kemi kulturën e
rajtjes dhe administrimit të mjedisit, nga i madhi tek i vogli. Plehra
gjithkund, “në ara, fabrika, kantiere”, rrugë, pyje, lumenj, kudo ku shkel
këmba e njeriut. Mjafton të shihni serviset e ndryshme, janë më keq nga ana e
estetike se kovaçanet e dikurshme. Edhe pse asnjë predhë nuk ka rënë që nga
lufta e Dytë Botërore, dhe mos rëntë asnjëherë, peizazhi shqiptar është aq i
dërrmuar. Duam të gjejmë të bukurën, estetikën, normalen, por jo. Një katrahurë
urbane e rurale gjithandej. Por kësaj here nuk e kemi fjalën për ato ngrehinat
qytetëse që të zënë frymën ngjitur ballkoni me ballkon, por për bërllokun,
lyzhdrën, mbetjet, plehrat, ferrat, ujërat e zeza në sipërfaqe etj.
Mirëmbajtja
e mjedisit duket një gjë e huaj, diçka që nuk na përket neve, por të tjerëve,
si me thënë, komunales, ndërmarrjeve të pastrim - gjelbërimit, a thua se ato do
të krijojnë ndërgjegjen që na mungon si komunitet. Sipas psikologjisë tonë janë
vetëm disa që duhet të mbajnë në duar fshesat dhe karrocat, kurse ne të tjerët
mund të bëjmë sehir, nga maja e thanës. Nuk bëhet pastrimi vetëm me aksion,
duke nxjerrë punonjësit e bashkisë në plazhe me thasë në duar dhe nxënësit e
shkollave nëpër rrugë, pa dashur ta nënvleftësojmë as këtë formë pune. Çfarë
mund të thuash kur e kanë mbuluar ferrat, kallamishtet dhe kanalin e
supërstradës Tiranë-Durrës, në zemër të zonës industriale të kryeqytetit, që
përshkohet dhe nga Lana e ndotur. Nuk është e njëjta pastërti si në qendër si
në periferi, ku kjo e fundit është përherë e njerkës dhe banorët lusin Zotin që
diçka të ndryshojë me fushatat elektorale, si një pjesë e Astirit, sot për sot
gjysmë e urbanizuar. Pa bërë fjalë për pluhurin mbytës, a thua se ajo stuhia
“afrikane” është nderë mbi Tiranë për të mos u larguar kurrë. Më kot lodhën
sinoptikanët të na thonë se nesër do të jetë mot i kthjelltë, pastërtia e ajrit
të kryeqytetit duket se ka humbur njëherë e përgjithmonë.
Kaosi urban i shkaktuar
nga ndërtimet
Kaosi
urban është shkaktuar më së shumti nga ndërtimet, sipërmarrësit që nuk i heqin
inertet dhe nuk e sistemojnë vendin pasi kanë ndërtuar objektet, nuk e kthejnë
në normalitet peizazhin e dëmtuar nga kantierët e punimeve, nuk mbjellin pemë
apo bar, sidomos në skarpatat e rrugëve, pasi shteti nuk është kërkues në këtë
pikë. Pa bërë fjalë për hedhjen e mbeturinave nga xhami e makinës drejt e në
rrugë, apo nga kati i gjashtë i pallatit në lulishte! Siç nuk u afrohesh dot
oborreve të shkollave në pushimin e gjatë, pasi lodrojnë gjithandej letrat me të
cilat ishin mbështjellur petullat dhe byrekët. Askush nuk u kërkon bizneseve
buzë rrugëve që të mirëmbajnë mjedisin rretheqark tyre, le pastaj ngrehinat e
shëmtuara të pafundme të kapitalizmit, servise, tregtore, punishte etj. Zonat e
ashtuquajtura industriale janë një xhungël e vërtetë hekurishtesh, hedhurinash,
papastërtish. Deri aty sa ende sheh ndërtesa të suvatuara vetëm në anën nga
rruga, për sytë e të tjerëve (!?) dhe jo dhe nga mbrapa. Apo, rikonstruktohet
një qytet i tërë, bëhet dritë si i thonë fjalës, por ujërat e zeza të tij
vazhdojnë si para pesëdhjetë vitesh të derdhën në natyrë, diku poshtë
varrezave. E keqja ndonjëhërë ka arritur deri aty sa janë përzier ujërat e
bardha me ato të zeza. Shihni ndërkohë pazaret publike, gjithë “kasolle” mesjetare.
Të vjen ndot të hysh në disa nga tregjet ambulante të qyteteve, ku tregtarët
shesin gjithçfarë mallrash, mes baltës, pluhurit, bërllokut, mbeturinave,
mizave që “këndellen” ushqimet tona, derisa i fusim nëpër plastmase. Shumë prej
tyre ta hapura, si djathi, gjiza, ullinjtë etj. Ku ta gjesh Pazarin e Milotit
që ngrifet e shkrifet çdo javë. Na rrofshin kullat deri në qiell e ushqimet i
kemi përtokë! Kjo është një kontradiktë që kapërcen çdo kufi. Shembulli se si
duhet të jetë është mbase Pazari i Roskovecit...
Edhe
në zonën rurale e njëjta pamje e rëndë, pyje të prera masivisht, përrenj malorë
ku bashkë me troftat cikaloshe “notojnë” dhe ndotjet plastike, hedhur nga
kalimtarët me mendjelehtësi, një dukuri alla shqiptarçe. Kaq do të ishte “lule”
krahasuar me ndotjet teknologjike nga industria minerare etj., ku dëmtohet jo
vetëm ekologjia e mjedisi, por në radhë të parë shëndeti i njerëzve në përmsa
dramatike, lëngjet minerale që na vijnë në gotë dhe në pjatë, me ujin që pimë
dhe ushqimin që hamë, pastaj kërkojmë të gjejmë shkaqet pse po na shtohen
fëmijët që lindin me anomali të natyrave të ndryshme. Edhe në kohën e kaluar
është folur për shirat acidë që binin mbi qytete industriale. Disa zona janë
mjaft të rrezikuara, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe pse vëmendja e mediave ka
qenë e shtuar ndaj tyre, si minierat e Kukësit, Mirditës e Shkodrës, apo kimiku
i Laçit, metalurgjiku i Elbasanit, azotiku i Fierit, soda kaustike e Vlorës
etj. Toka shqiptare më shumë se me bimë është e “mbjellur” me pesticide, e
kontaminuar nga kimikatet, ushqimet e prishura, gjer mbetjet readioaktive.
Gërdeci, që prodhoi tragjedinë njerëzore të marsit 2008, ishte sa një “fabrikë”
e krimit shtetëror, aq dhe një tokë e kontaminuar. Nga e gjitha kjo nuk kemi
besim te uji i çezmave, ujësjellësit, tubacionet, prandaj rrasim bidonat në
makinë dhe mbushim ujë në krojet buzë rrugëve, sa herë na krijohet mundësia.
Nuk kanë qenë të rastit epidemitë në të kaluarën, por nga ndotja masive dhe
niveli i ulët i higjienës. Edhe sot në kohën moderne njerëzimi nuk ka shpëtuar
prej tyre, pavarësisht nga natyra e pasojave, siç ishte dhe pandemia e
coranavirusit. Edhe në këtë kontekst, pa dashur të shprehemi me fjalë të mëdha,
lufta ndaj mbetjeve urbane, mjedisore është shndërruar në një luftë
ekzistenciale për njeriun e sotëm.
Nuk mjafton vetëm heqja
e “varrezave të makinave”
Na
duhet në radhë të parë një debat i gjërë publik për rrezikun dhe mbrojtjen nga
mbetjet, si dhe një aksion i përgjithshëm për ta pastruar jo me fshesë, por me
strategji mjedisin. Por mbase turizmi do të na ndihmojë dhe në ndërgjegjësimin
kundër ndotjeve. Ministri i Brendshëm Balla ka urdhëruar kohët e fundit që të
hiqen të gjitha “varrezat e makinave”, të pastrohen mbetjet, pasi kanë shëmtuar
natyrën, mjedisin etj. Një nismë me vend, ndonëse në formën e aksionit, që
turistët të mos na e gjejnë “oborrin” pa pastruar! Të ishte për banorët, zor se
do të ishte dhënë një urdhër i tillë, pasi ka tridhjetë vjet që na kanë mbytur
plehrat e s’është dëgjuar ndokush nga qeveria të thotë një fjalë, le tastaj të
merret ndonjë masë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka nisma të veçanta për t’u
lavdëruar, duke nisur nga përiferia e Shkodrës e Lezhës gjer në Vlorë e
Elbasan, ku në këtë të fundit, njerëzit që kujdesën për monumentet e kulturës,
siç pamë nga ekrani i një televizioni, kishin organizuar punën për pastrimin e
ferrave dhe hapjen e shtigjeve për në kalanë e Mengelit, vetëm 4 kilometra larg
qytetit, që turistët të mund ta vizitojnë dhe këtë objekt. Një pastrim të tillë
rretheqark siteve arkeologjike të njohura, por dhe disa objekteve të “fshehura”
në male, larg rrugës së makinës, mund ta bëjë çdo njësi vendore, pasi nuk
kushton kushedi.
Lufta
kundër mbetjeve nis nga njeriu i thjeshtë tek shteti. Ti ke në dorë të mos e
hedhësh në rrugë qesen e plastmasit, tjetri ka në dorë të mos e prodhojë
plastikën dhe një i tretë ta përpunojë e riciklojë atë. Se njëra anë është
grumbullimi, tjetra është përpunimi. Doemos që nuk ka asgjë sot që nuk dihet se
si duhet bërë, specialistët, organizmat e specializura, shoqatat e ndryshme e
kanë thënë fjalën e tyre në tribuna, media, protesta, duke sensibilizuar,
rekomanduar e propozuar zgjidhje. Por fuqia e katedrave universitare dhe
shoqërisë civile kaq është. Dihet që vendimet i merr politika dhe deri aty
është vështirë të “ngjisësh”, edhe pse politikanët, ministrat, deputetët,
kryebashkiakët thithin të njëjtin ajër me pluhur si ne të tjerët. Një ministër
vuri dorë mbi varrezat e makinave, por kjo nuk mjafton. Puna është që dhe sy të
tjerë shtetarësh të shohin të tjera “varreza” mjedisore që e kanë helmuar
vendin. Ka ligje për mbrojtjen mjedisore, mirëpo kultura e ligjit është po aq e
munguar sa ajo e mjedisit.
Ringjallja e natyrës,
“armik” i ndotjeve
Duhet
parë si fatkeqësi kombëtare, që toka jonë sot gjelbëron nga ferrat më shumë
sesa nga bimët dhe pemët. Është koha e mbjelljeve të pranverës e fushat në
masën më të madhe janë djerr. Traktorët janë të vetmet mjete që nuk shihen më
në rrugë dhe në fusha, pasi Shqipëria tashmë është vendi i makinave luksoze për
“salltanet”, më pak i autobusëve dhe aspak i trenave. Çudia është se dhe disa
punë të mira, si mbjellja e pemëve frutore apo pyjore, nuk kanë vëmendjen e
mediave, vetëm nëse aty gjendet kryebashkiaku i Tiranës për të thënë dy fjalë
para mikrofonit me lopatë në dorë. Gjatë muajt mars, siç bën me dije Angjesia
Kombëtare e Pyjeve, u mbollën pisha, akacie etj. në Divjakë, Fier, Gramsh,
Voskopojë, Delvinë Mirditë, Dibër, Dajt etj., në njëzet bashki, por kjo si
duket nuk përbën lajm për mediat. Mund të mos ishte vërtet lajm në kushtet e
normalitetit, po kur pas një bjerrje të kësaj tradite të vyer, ndodh një
rikthim në kodra e male i punëtorëve të ndërmarrjeve të gjelbërimit, nxënësve
dhe studentëve etj. për të mbjellë fidane, kjo meriton të thuhet publikisht,
pasi njerëzit shohin se qenkan ca institucione shtetërore, organizata
mjedisore, të mbrojtjes së faunës, donatorë të huaj etj. që thonë me punë se
Shqipëria bëhet, çka njëherësh do të vlente dhe si kritikë për bashkitë ku nuk
është bërë asgjë për pyllzimet e reja, që të përfshihen dhe ato në të ardhmen.
Ringjallja
e natyrës së shkatërruar nga prerjet e paligjshme dhe zjarret e verës në pyje,
ullishta, vreshta, gërryerja e lumenjve për marrjen e inerteve etj. pos të
tjerash është dhe një “armik” i ndotjeve.