Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu Arkeologjik i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës

| E shtune, 06.04.2024, 07:59 PM |


Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995  nga Muzeu Arkeologjik i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji Trashëgimi Kulturore

Në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit XX, u bënë gërmime arkeologjike në kompleksin e Shën arkangjelit në Prizren. Materialin arkeologjik që e zbuloi prof. Milinkovic, u publikua në revistën e shoqatës së arkeologëve të Serbisë “Glasnik”, nr. 11 me titull “Kërkimet e reja arkeologjike në kompleksin e Shën Arangjelit në Prizren”. Në këtë rast u zbuluan 22 eksponate me vlera të jashtëzakonshme për kulturën materiale të Kosovës. Nga materiali i zbuluar ka dhe material të periudhës së Eneolitit (rreth 3000 vjet para erës së re). Në këto gërmime asistoi dhe Luan Koçbashliu, arkeolog[1].

Disa nga eksponatet arkeologjike që ishin në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, i cili në atë kohë ndodhej në ndërtesën e hamamit të Ahmed-Shemsedin Beut i ndërtuar në fund të shekullit XV, u bartën në Prishtinë, për tu dërguar në Muzeun e Beogradit.

Në vijim ofrojmë disa nga dokumentet, që dëshmojnë bartjen e materialit arkeologjik nga Muzeu i Prizrenit, së pari në Muzeun e Prishtinës për tu ekspozuar më vonë në Muzeun e Beogradit.

Muzeu i Prishtinës, në vitin 1995 e kishte autorizuar kustosin e këtij muzeu Kemajl Lucin, për ti sjellë eksponatet nga Muzeu i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës.

Në vijim ofrojmë disa nga dokumentet që dëshmojnë për bartjen e thesarit arkeologjik nga Muzeu i Prizrenit.

Ky dokumentacion është i dobishëm sepse për dallim nga periudhat tjera historike, kemi dokumentacion zyrtar, që e dëshmojnë marrjen e çdo eksponati, dhe përshkrimin e eksponateve, fal kustosëve shqiptar që në atë periudhë ishin të punësuar në Muzeun e Prishtinës.

Burimet historike dëshmojnë se nga trojet shqiptare të pushtuara nga ushtritë sllave, por edhe administrata, para kësaj periudhe, janë bartur shumë artefakte arkeologjike, të cilat sot gjenden në të gjitha muzetë e ish Jugosllavisë, por në mungesë të punonjësve shqiptar në periudhat e më hershme, nuk posedojmë dokumentacion zyrtar për fatin e tyre.

Përveç dokumentacionit të kompletuar që e posedojmë për eksponatet e dërguara në Beograd, janë botuar edhe dy katalogë, me të dhëna burimore shkencore, duke u shoqëruar çdo eksponat edhe me fotografi, ku padyshim kontribut të madh dhe shumë të vlefshëm, për dokumentimin e këtyre artefakteve, kanë dhënë dy kustosët shqiptar të Muzeut të Prishtinës, Fatmir Peja dhe Kemajl Luci.

Rezultatet e publikuara në revistën “Glasnik” nr. 11 pas, gërmimeve arkeologjike në kompleksin e Shën Arangjelit në Prizren

Muzeu i Prishtinës kërkon materialin arkeologjik nga Muzeu i Prizrenit

Dokumenti për bartjen e thesarit muzeor nga Muzeu i Prizrenit në Muzeun e Prishtinës



[1] Muhamed Shukriu, Udhëheqës i Shoqatës Kulturore “Ura”, ishte aktive deri në vitin 2005, me seli në Prizren