| E shtune, 06.04.2024, 07:45 PM |
T R E P O E T Ë
Nga
Timo Mërkuri
1-Natasha Lako
I-Ajo
që bie në sy te poezia “Dashurinë tënde shkruaj” e Natasha Lakos është fakti
se: kjo poezi, ndërsa është një shprehje e dashurisë nga ana e
heroit poetik, në asnjë fjalë apo varg nuk le të nënkuptojmë se ky është hero
apo heroinë. Fakti që poetja nuk specifikon këtë detaj i jep poezisë një
dimension të gjerë dhe të përgjithshëm, duke e lejuar lexuesin të identifikohet
me ndjenjat dhe emocionet e shprehura në mënyrën universale, pasi e lejon atë
të përfytyrojë heroin poetik sipas përvojës apo dëshirës së tij personale duke
u ndjerë më i afërt. Specifikisht, kjo mungesë cilësimi e gjinisë së heroit
poetik mund të simbolizojë një përjetim të njejtë të dashurisë nga të gjithë,
pavarësisht nga gjinia apo orientimi seksual. Përpos kësaj, kjo mungesë mund të
paraqesë një shfaqje të barazisë gjinore dhe një synim për të theksuar
universalitetin e ndjenjave të dashurisë, duke treguar se ndjenjat dhe
emocionet nuk janë të kufizuara dhe as favorizohen nga identiteti gjinor, duke
krijuar kështu një përshtypjeje të gjerë për lexuesin, dhe duke e bërë poezinë
të përshtatshme për të gjithë ata që e lexojnë atë.
II-Qasja e vargjeve
"zogjtë me fluturimin e tyre shkruajnë, fjalë që vetëm ne i dimë", me
vargjet: "pemët, fjalët që i besojmë, vetëm ne të dy, pëshpërisin" si
dhe vargjet: "për të shkruar dashurinë tënde" me vargun : "dhe unë, dashurinë tënde
shkruaj" e cila përsëritet dy herë,
sigurisht nuk është rastësore në këtë poezi pasi nga sa kemi lexuar nga Natasha
Lako kemi mësuar se ajo është shumë e kursyer në fjalë, të cilën gjithmon e
përdor me një synim artristik. Qasja e frazave "fjalë që vetëm ne i
dimë" dhe "fjalë që vetëm ne i besojmë", si dhe përsëritja e
frazës "unë dashurinë tënde shkruaj" në këtë poezi të Lakos ka për
qëllim të theksojë shkallën e intimitetit dhe
lidhjen e veçantë midis heroit lirik dhe personit që i drejtohet, por
dhe indirekt midis dashurisë dhe fjalëve të shkruara që shfaqin këtë ndjenjë.
Kjo
përsëritje krijon efekt të përsosur dhe të qëndrueshëm në poezi, pasi nëpërmjet
kësaj përsëritjeje, poezia krijon një
ritëm dhe një melodicitet mahnitës, për lexuesin. Poetja përdor këtë teknikë
për të theksuar ndjenjën e thellë të intimitetit midis dy personave në lidhje.
Në një kuptim më të thellë, kjo përsëritje mund të paraqesë një përqafimi të
fjalëve dhe ndjenjave, të cilat në dashurinë e tyre janë të veçanta dhe të
pazëvendësueshme për ata. Përdorimi i fjalëve "vetëm ne" thekson një
lidhje sa të thellë dhe intime, aq dhe të fshehtë nga të tjerët, duke bërë
kështu paraqitjen e dashurisë dhe fjalëve për atë, më të veçantë, gati të
koduara (vetëm ne i dimë). Pasazhi “Vetëm ne i besojmë” shpreh thelbin e besmit
të dyanshëm te dashuria, ndërkohë që pasazhi:”vetëm ne i pëshpërisim” shpreh
ëmbëlsinë e ndjenjave gjer në atë shkallë, sa që asnjë fjalë tjetër nuk mund ta
shprehë këtë ndjenjë me melodicitetin e pëshpërimës. Po ashtu, përsëritja e
frazës "unë dashurinë tënde shkruaj" jo vetëm që ndihmon në theksimin
e rëndësisë së të shkruarit si mënyrë për të shprehur e përjetuar dashurinë,
por në këtë mënyrë e vendos dashurinë në qendër të mendimit dhe ndjenjave . Në
aspektin e ritmit, përsëritja e këtyre vargjeve krijon një melodi dhe një ritëm
në poezi, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin, pse ky ritëm përcakton një
lloj harmonie midis fjalëve dhe ndjenjave të shprehura, e bën atë të
qëndrueshme dhe të përshtatshme për të pranuar dhe përjetuar. Gjithashtu, kjo
përsëritje paraqet një rritje, shtesë afirmimi për lidhjen emocionale dhe
intime midis dy personave. Pra, përmes fjalëve të përsëritura, poezia përforcon
lidhjen e tyre dhe e bën atë të ndjehet edhe më e fortë dhe e më e thellë për
lexuesin.
III-Poetja shikon natyrën
dhe elementët natyrore si një mënyrë për të shprehur dhe për të përjetuar
ndjenjat e dashurisë në një mënyrë të lidhur me botën që e rrethon. Në poezinë
"Dashurinë tënde shkruaj", poetja përdor qasje mes elementeve
natyrore siç janë qielli, zogjtë, lumi me të dashuruarit për të shprehur
ndjenjat e dashurisë. Kjo qasje përcakton një lidhje midis natyrës dhe
ndjenjave njerëzore, duke i përzier ato në një mënyrë të harmonizuar dhe të
përputhur.
Për
shembull, duke përdorur imazhin e fletës së bardhë: “sa pak një fletë e
bardhë”, poetja e paraqet dashurinë si diçka të pastër, (bardhësia e
virgjërisë) të pazakontë, një hapësirë ku ndjenjat e shprehura mund të
shndërrohen në fjalë, por që gjithsesi është një hapësirë e vogël që nuk e nxe
dot gjithë dashurinë.
Ajo
që ka rëndësi te poetja Natasha Lako është fakti se simbolet dhe metaforat me
origjinë nga natyra nuk i “merr hua” për ti vendosur në poezi, por janë
ndjenjat e saj që shprehen me imazhin poetik të elementëve të natyrës, një
imazh i krijuar nga ndërveprimi i simboleve, metaforave dhe personifikimeve,
ndërveprim që gjithsesi ne e shohim. Psh: Vargu "Zogjtë shkruajnë fjalë që
vetëm ne i dimë" përdor disa elemente letrare si personifikim, metafora
dhe simbol për të krijuar një imazh poetik të pasur. Le të analizojmë këtë:
a)-Përdorimi i personifikimit është evident në paraqitjen e zogjve si shkrues
fjalësh, figurë e marur nga mënyra e fluturimit të tyre me forma që u ngjajnë
gërmave (patat ikin në formë V-je). Duke e atribuar këtë aftësi një krijese të
natyrës, si zogjtë, ata bëhen si njerëz që shkruajnë dhe përhapin fjalë. Kjo i
jep një cilësi njerëzore një elementi jo-njerëzor. b)-Në këtë kontekst, fraza
"zogjtë shkruajnë fjalë" mund të shihet si një metaforë për
komunikimin dhe shprehjen e ndjenjave në mënyrë të fshehtë (kush e kupton
gjuhën e zogjve veç dashnorëve). c)-Zogjtë shfaqen si një figurë simbolike që
komunikojnë mesazhet e fshehta të heroit nëpërmjet simboleve natyrore.ç)-Zogjtë
janë simbol i lirisë dhe shpirtit, ndërsa fjalët që ata shkruajnë përfaqësojnë
ndjenjat dhe emocionet të pranishme në natyrë, por shpesh mohohen ose injorohen nga njerëzit. Kjo
përbën një simbolizëm të hollë, fin për lidhjen mes natyrës dhe shpirtit
njerëzor. Pra ndërveprimi i simboleve, metaforave dhe pesonifikimeve krijojnë
imazhin poetik që ne e shohim te vargu"zogjët shkruajnë fjalë që vetëm ne
i dimë", imazh poetik që ndez imagjinatën dhe shfaq një ndjesi të thellë
simbolike..
Në
këtë imazh, zogjtë përfaqësojnë një element të natyrës që, në këtë poezi janë
të cilësuar si shkrues,(duke shkruar fjalë) në mënyrë të padukshme për
njerëzit, por të perceptueshme për heroin dhe personin që ai përmend (duhet të
jesh poet ose fëmijë që të lexosh fjalë në fluturimin e zogjve, kujtoni
fëmininë ju lutem). Kjo ndihmon në krijimin e një atmosfere misteri dhe
fshehtësie që e bën këtë imazh magjepsës e tërheqëse për lexuesin, pse
ato “fjalë që vetëm ne i dime” (pra heroi dhe personi që i drejtohet ai) i
shkruajnë dhe zogjtë.Të kuptohemi, fjala “shkruajnë” në këtë kontekst nuk përdoret në kuptimin literal të shkrimit me
dorë, por më shumë si një simbol i veprimit të zogjve, duke paraqitur mënyrën
se si fluturojnë duke formuar figura, gërma e fjalë në natyrë..
Pra,
imazhi poetik i zogjve që shkruajnë fjalë përfaqëson një lloj lidhjeje të
fshehtë midis natyrës dhe heroit poetik, duke e bërë atë të ndjehet si një
pjesë e një bote më të madhe, misterioze dhe të magjishme. Ky imazh jep një
ndjenjë të mbushur me mister dhe pasuri simbolike, që përforcon thellësinë dhe
kompleksitetin e përvojës së protagonistit.
"Pemët,
fjalët që i besojmë, vetëm ne të dy, pëshpërisin" japin një imazh poetik
me origjinë një personifikim,pasi i është dhënë pemëve një cilësi njerëzore,
aftësia për të pëshpëritur. Përdorimi i fjalës "pëshpërisin" paraqet
një veprim që është tipik për njerëzit, por në këtë rast, i jepet edhe pemëve.
Ky personifikim shfaq një imazh poetik tërheqës, pse e bërë natyrën të duket
sikur ka një lidhje të ngushtë me heroin. Duke e paraqitur natyrën me cilësi të
tilla njerëzore, poetja përforcon idenë e një bashkveprimi të thellë dhe intim
me natyrën, duke e bërë atë të duket si një pjesë integrale e përvojës, e përjetimit
të heroit. Në këtë rast, pemët përfaqësojnë një partner në komunikimin dhe
përjetimin e ndjenjave të protagonistit. Sigurisht që “pëshpëritja” e pemëve ka
qasje me zhurmën që bëjnë fletët kur i lëviz flladi duke dhënë madje një
muzikalitet të këndshëm. Një legjendë e fshatit tim thotë se Zeusi i këndoi
Herës me pëshpërimën e gjetheve të lisave të Pilurit dhe e bëri atë për vete,
madje dhe në artet orale kjo pëshpërimë gjethesh përdoret si bashkëbisedim të
dashuruarish.
Vargu,
"kur lumenjtë gërryejnë tokën e lashtë për të gdhendur fjalën time të
pafundme për ty", paraqet një imazh poetik ku lumenjtë personifikohen si
një subjekt i gjallë që shfaq aktivitet duke "gdhendur fjalën time të
pafundmetë për ty” në token e lashtë.
Personifikimi
i lumit është një mjet poetik që i jep një cilësi njerëzore një entitetit
jo-jetësor, siç është lumi, duke e bërë lëvizjen dhe veprimin e tij të ndjehet
si një veprim që realizohet me qëllim e përkushtim të paracaktuar, si veprim
njerëzor. Duke e paraqitur lumit si një forcë krijuese që "gdhend"
fjalën në tokë, poezia shpreh një ndjenjë të fuqishme të komunikimit dhe
shprehjes së ndjenjave, duke i dhënë një dimension të thellë poezisë. Në këtë
kontekst, lumi përfaqëson një forcë të gjallë dhe krijuese, që ka aftësinë për
të vepruar dhe për të përshtatur mjedisin,duke formuar diçka të re. Gëryerja e
tokës së lashtë për të "gdhendur" fjalën për heroin përforcon idenë e
një lidhje mes natyrës dhe emocioneve njerëzore. Kjo pamje e personifikuar e
lumit krijon një atmosferë poetike të ngrohtë, pse e bën atë të ndjehet si
pjesë e rëndësishme e përjetimit të protagonistit, duke e foruar në këtë mënyrë
lidhjen mes natyrës dhe shpirtit njerëzor.
Imazhi
i lumit që gërryen paraqet një pamje simbolike, ku lumenjtë janë personifi-kuar
si një forcë krijuese që ndryshon tokën ku "gdhend" diçka të
përjetëshme, që i kushtohet personit të adresuar në poezi. Në fakt, gërryerja e
lumit është një veprim i natyrës që karakterizon një lloj lëvizjeje të vazhdueshme. Kur lumenjtë gërryejnë tokën,
ata formojnë një larmi peizazhi dhe krijojnë shtrat të ri rrjedhjeje. Ky proces
shpreh një evolucion dhe rilindje, që interpretohet si një simbol për
ndryshimet dhe përparimin në jetë. Për më tepër, përdorimi i fjalës
"gdhendur" paraqet një proces të ngjashëm me punën e një skulptori, i
cili punon për të krijuar diçka të re dhe të paharrueshme. Në këtë kontekst,
"fjala e pafundme për ty" përfaqëson një lloj shprehjeje të thellë të
ndjenjave që janë të destinuara për personin që i drejtohet poezia.
Mirëpo
ky imazh është krijuar falë ndërveprimit të simboleve të lumenjve, të cilët
përfaqësojnë rrjedhën e kohës, rrymën e jetës dhe pasojat që shkaktojnë (Po
vjen lumi turbullo/Bjen një bej të mbyturo). Në
kontekstin e poezisë, ata simbolizojnë rrjedhën e dashurisë, e cila
është e pafundme dhe e pakontrollueshme.-Simboli i “tokës së lashtë”
përfaqësojë thellësinë e ndjenjave dhe historinë e qëndrueshme të dashurisë,
pasi ajo është baza mbi të cilën ndërtohet dashuria dhe shprehja e saj. Fjala
"gërryejnë" shpreh një veprim të fortë, të ndryshueshëm, të
pakontrollueshëm. Ky veprim mund të interpretohet si metaforë për forcën dhe ndikimin e ndjenjave
të forta të dashurisë. Ndërsa fraza “fjalën time të pafundme për ty” shpreh metafo-rikisht një ndjenjë të pafundme dhe të
pamatë, është një përpjekje për të shprehur se sa e madhe është dashuria, e
cila përkundet me vargjet e pafundme në këtë poezi.
Simbolet,
metaforat dhe personifikimet e kanë bazën te elementët natyrorë, gjë që na
shpie në përfundimin se edhe përmes këtij imazhi, (të përfituar nga ndërveprimi
i simboleve, metaforave dhe personifikimeve) poetja paraqet një lidhje të
ngushtë midis natyrës, veprimtarisë krijuese dhe shprehjes së ndjenjave të
dashurisë për një person të dashur. “Unë vërtet besoj se çfarë shkruan natyra
është shumë më e fuqishme se çfarë ne, si vazhdues të natyrës shkruajmë,
veçanëriht për dashurinë”- është shprehur Natasha Lako në një bashkbisedim, por
le të vazhdojmë.
Vargu
"Sa pak dinim të thoshnim në një fletë të vogël"paraqet një ndjenjë
trishtimi për mosdijen e heroit poetik, ”si mundësi njerëzore e kufizuar,
ndoshta në planin shoqëror,dhe për dashurinë” (N.Lako), për mungesën e përvojës
për të shprehur gjithë botën e ndjenjave të dashurisë dhe sidomos kur tentohej
që kjo të bëhej nëpërmjet një cope letre, e cila gjithsesi nuk mund ti
përmbante brenda hapësirës së saj “të vogë” gjithë atë shumësi ndjenjash. Kjo
frazë mund të interpretohet edhe si thirrje për më shumë kohë, hapësirë, ose
mundësi për të shprehur ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë të plotësuar, dhe
të gjithë këtë poetja e shpreh nëpërmjet një imazhi të thjeshtë, një
"fletë të vogël", për të shprehur një trishtim të madh shpirtëror.
Pra,
në poezinë e Lakos personifikimet, simbolet e metaforat shfaqen si “rastësisht”
, tek ato nuk ndalet shikimi dhe mendimi, gjithë vëmëndja jonë përqëndrohet te
imazhet, të cilat Lako i ka menduar me shpirt, i ka ndjerë shpirtërisht
fillimisht pastaj ka thirrur në “ndihmë” simbolet, metaforat dhe personifikimet
që të shprehë poezinë që ka menduar. Kjo mënyrë e të menduarit të imazheve mund
të quhet “të menduarit poetik” dhe është niveli më i lartë i përsosjes së
talentit te poetët. Është e ngjashme me të mësuarit e një gjuhe të huaj,
fillimisht mëson të lexosh, të shkruash e përkthesh, me apo pa ndihmën e
fjalorëve, por pas kësaj duhet të nisësh
të “mendosh”në atë gjuhë të huaj, ndryshe e harron shumë shpejt. Lako jo vetëm
që nuk ka “harruar” të shkruajë poezi, por na befason me kuotën gjithmon në
rritje të poezisë së saj, për këtë
rritje kemi folur dhe më parë.
IV-Poezia "Dashurinë
tënde shkruaj" e Natasha Lakos është shembull i një poezie moderne që
përfaqëson shumë nga cilësitë e rrymës së modernitetit të një epoke të caktuar.
Megjithatë, duke identifikuar më saktësisht
rrymën e modernitetit që kjo poezi i
përqaset më së miri, duke shqyrtuar disa nga cilësitë e poezisë, si faktin që:
Duke
marrë parasysh elementët poetikë, krijimi "Dashurinë tënde shkruaj"
është një poezi moderne, pasi fokusohet në shprehjen e ndjenjave personale,
eksplorimin e thellësisë emocionale dhe përdorimin e imazheve simbolike për të
shprehur e shfaqur përjetimet njerëzore. Duke marrë parasysh cilësitë dhe temat
e përmendura më lart, mund ta cilësojmë si një poezi moderne e shkruar në
mënyrë subjektive me një theks të fortë në emocione dhe përjetime personale..
Poetët
modernë shpesh përdorin subjektivizmin si një mënyrë për të shprehur ndjenjat
dhe përjetimet personale në poezinë e tyre. Subjektivizmi në poezi përfshin
fokusimin në përjetimin, emocionet dhe ndjenjat e individit, duke i lënë
mënjanë normat e përgjithshme të objektivitetit dhe duke e bërë poezinë një
shprehje të drejtpërdrejtë dhe intime të
përvojës së poetit.
Në
poezinë moderne, subjektivizmi shfaqet nëpërmjet përdorimit të një gjuhe të
ndjeshme dhe emocionante, përdorimit të imazheve dhe simboleve që përfaqësojnë
përjetimet personale të poetit, dhe fokusimin në temat dhe ndjenjat që janë të
veçanta për atë individ. Poetët modernë shpesh përdorin një lloj
autorefleksioni dhe introspektivizmi në poezi, duke shprehur ndjenjat dhe
mendimet e tyre në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Një shembull i mirë i
subjektivizmit në poezinë moderne është poezia "Dashurinë tënde
shkruaj"e Natasha Lakos, e cila fokusohet në ndjenjat dhe përjetimet
individuale të dashurisë dhe përmbledh një eksplorim të thellë dhe të ndjeshëm
të emocioneve të dashurisë nga perspektiva e individit. Kjo poezi shfaq
një intimitet dhe transparencë në
shprehjen e ndjenjave individuale, duke forcuar idenë e subjektivizmit në
poezinë moderne.
V- Karakteristikë e kësaj
poezie është fakti se”megjithëse është një poezi moderne ajo përdor një shumësi
elementësh tradicionalë si: letra,
zogjtë, pemët dhe lumenjtë të cilët realisht shërbejnë si një sfond poetik
tradicional i kësaj poezie moderne, edhe pse ato përdoren në një kontekst
aktual dhe të freskët. Këto elementë tradicionalë japin dimension shtesë në
përmbajtjen e poezisë moderne, duke i dhënë asaj një lidhje me trashëgiminë
letrare dhe një kuptim të thellë historik.
Për
shembull, në poezinë moderne "Dashurinë tënde shkruaj" të Natasha
Lakos, zogjtë, pemët dhe lumenjtë shërbejnë si një sfond poetik tradicional që
përforcon emocionet dhe ndjenjat e përjetuara në lidhjen e dy personave.
Përdorimi i tyre nuk është vetëm një reflektim i një tradite të hershme
letrare, por gjithashtu shërben për të thelluar përvojën e dashurisë dhe
lidhjes së dy të rinjve në kontekstin e sotëm.
Po
ashtu, lumenjtë në poezinë "Dashurinë tënde shkruaj" mund të
interpretohen si simbol i rrjedhës së
kohës dhe pafundësisë së ndjenjave të dashurisë, duke u përdorur për të
përforcuar përjetësinë e lidhjes së dy personave në një mënyrë të freskët dhe
origjinale.
Pra,
përdorimi i elementeve tradicionalë si sfond poetik në një poezi moderne mund
të kontribuojë në ndjeshmërinë e përmbajtjes së saj, duke i dhënë një lidhje të
fortë me traditën letrare dhe një kuptim të gjerë historik dhe kulturor.
Mjafton të lexojmë poezinë "Dashurinë tënde shkruaj" të Natasha Lakos
për ta ndjerë dhe kuptuar këtë.
Sarandë, prill 2024
Natasha Lako
DASHURINË
TËNDE SHKRUAJ
Sa
pak, sa pak një fletë e bardhë
për
të shkruar dashurinë tënde,
kur
në qiellin e hapur, parreshtur
zogjtë
me fluturimin e tyre shkruajnë,
fjalë
që vetëm ne i dimë,
dhe
unë, dashurinë tënde shkruaj
kur
pemët, fjalët që i besojmë,
vetëm
ne të dy, pëshpërisin
dhe
unë dashurinë tënde shkruaj,
kur
lumenjtë gërtyejnë tokën e lashtë
për
të gdhendur fjalën time të pafundme për ty.
Sa
pak dinim të thoshnim në një fletë të vogël.
“Natyrë e qetë”. f.55