| E merkure, 03.04.2024, 07:54 PM |
BILBIL MATOHITI, QË S’TË SHOH ME SY
Nga
Mihal Gjergji
Kohë
pas kohe kam menduar të shkruaj disa rreshta për Mustafa Matohitin, i kam
ardhur rreth me penë dhe përsëri kam heshtur. Syri mat trupin e njeriut për ti
qepur kostumin, jo fatin. Dhe s’dija nga ta filloja. Jetën e pati tragjike,
edhe vdekjen të tillë. Po më shumë se kaq, më ka befasuar emëri i tij i
përmenduar aq shumë mes banorëve të Kurveleshit dhe Labërisë, fjalë admirimi
dhe dashurie. Dhe dashuria merr formën e zemrës që e mban brenda. Populli e
donte Mustafain dhe e ruante me fanatizëm në kujtesën e tij. Mandej i ka dhënë
përjetësinë në këngët e kënduara. “S’le katund pa vajtur, kasolle, shtëpi/
Bilbil Matohiti, që s'të shoh me sy”. Po kush ishte Mustafai, njeriu orator dhe
luftëtari idealist? Janë dekada që e bëjnë të largët në kohë dhe unë e
përfytyroj të veshur me një xhaketë ushtarake, krahëqafë mban çantën me
shënime, në këmbë opingat e ngrëna dhe kalcat e bardha, në zemër idealin për të
cilin luftoi. Fundin e udhës ja shkroi një plumb pabesie. Ishte Komisar çete.
Nuk di çfarë urdhërash ka nënshkruar, a ka urdhëruar vrasje, a ka pajtuar
kundërshtarët e përballur në kushte egërsie? Kam dëgjuar nga njerëzit e mi
shumë të afërt ato se çfarë ka biseduar me ta Mustafai kur u shkonte në stane.
Dhe kjo më ka mjaftuar, sepse nën dritën e diellit s’ka ç’më duhet feneri. Kam
mësuar se ishte dyshues për ditët që do vinin pas çlirimit. “Sa të marrim
pushtetin dhe do të vrasim njëri-tjetrin”. Janë fjalët e tij të përcjella deri
te unë nga bashkëkohësit. Përse vallë? E parandjente tradhëtinë që do ngjitej
në fronet e larta? Dhe nuk e di se çfarë do të ndodhte me Mustafain nëse do
mbetej gjallë, s’mund ta mendoj se me cilin grup armiqësor do ishte gjykuar. Po
Mustafai vazhdon të jetojë, gjersa kujtohet nga të gjallët. Dhe ata janë të
shumtë. Jo rrallë ka ndodhur që ta akuzojnë pas kaq vitesh, ta gjykojnë, t’i
vendosin emërtime të çuditshme. S’e kam fjalën për zengjinët e rinj që mbledhin
floririn me thasë, atyre s’ka ç’iu duhet Atdheu, martirët, historia. Por ata
kanë ushtrinë e ndjekësve të verbër që bëjnë punën e tellallit. Ishte fundi i
viteve ’90. Lëvizja e quajtur demokratike trumbetonte parajsën që do ndërtohej
në vendin tonë me çekun e bardhë të miqve perëndimorë e që mbeti vetëm një
ëndërr. Shoqëria shqiptare ishte përçarë për dekada me radhë dhe mbarsur me
urrejtje, e fatkeqësisht e tillë vazhdon të jetë. Të përkëdhelurit s’mund të
hiqnin dorë vullnetarisht nga privilegjet e tyre, kurse ata që jetonin në
mjerim dhe përbënin shumicën e popullsisë, besuan vërtet se fituan lirinë dhe
zëri i tyre do dëgjohej nga Zoti. Shtresat shoqërore (pro dhe kundër pushtetit)
jetonin armiqësinë hakmarrëse të luftës së klasave. Humnera ndarëse ishte
thelluar. Në këto rrethana u pretenduan ndryshimet e mëdha. Filluan rrënimet e
orientuara nga lart, shkatërrimi i gjithçkaje të krijuar me djersën e
shqiptarëve. Dhe populli im i leshtë i shkon prapa çdo dashi që tund këmborën
dhe çdo bariu që e shpie në thertore. Filluan përplasjet e mëdha mes turmave të
dehura nga anarshia e pakontrolluar. Paturpësisht hidhej baltë mbi familjet e
nderuara, u lënduan eshtrat e të rënve, gjaku i martirëve doli në ankand për
gjykim kolektiv, paçka se vdekjet e ndritura s’mund të poshtërohen. I kam
përjetuar këto ngjarje të pazakonta. Sa keq dhe sa turp! Ata që janë vrarë
s’mund të vriten sërish. Ndërsa shkruaj këto rreshta, përfytyroj Mustafain 32
vjeçar duke ecur me kalë te Kalaja e Margëlliçit. Misteret e asaj vrasje i kanë
marrë me vete ata që s’jetojnë, por ishte pikëlluese për ata që e njihnin
komisarin. Ishte 29 Mars 1944. Një shtatore ia ngritën në qytetin e Patosit,
doemos edhe në vendlindje. Emërin e tij e mbajnë rrugë dhe shkolla, sepse
Mustafain e duan.
Tiranë, Mars 2024.