| E shtune, 30.03.2024, 08:58 PM |
Vezët e Vetëvendosjes
Lëvizja
‘‘Vetvendosje!’’ shënoni përvjetorin e tretë të qeverisjes së shtetit që ende
nuk e njeh si të tillë por më shumë e sheh si krahinë të Shqipërisë. Dashuria e
saj për Kosovën është dashuri ‘‘vegane’’, pa yndyrë. Për më shumë, ajo i ngjan
rrëfimit para priftit të një ateisti. Për vdekatarët e zakonshëm, që mund të
kenë lindur e jenë rritur në Drenicë, Llap apo Dukagjin, të cilët, me gjithë
vullnetin dhe dëshirën e mirë, e duan Shqipërinë si Kosovën por jo dhe sa
Kosovën, do të vazhdojë të jetë e rezervuar stigma ‘‘pamjaftueshëm shqiptar’’.
Nga
Anton Marku
Veza e parë
Qeveria aktuale sukseset e veta nuk po
i matë me performancën e saj dhe projektet e realizuara por kryesisht me
dështimet e Serbisë. Në vend që të bëj thirrje për investorë të huaj ajo apelon
që të shtohen trupat e NATOs, ambient ky i përsosur për të mos qenë atraktiv për
investime të jashtme, pasi që krerët e shtetit diteenatë e natëeditë alarmojnë
opinionin vendas dhe ndërkombëtar për sulme të pritshme nga fqinji jugor.
Tjetër gjë as që mund të pritet nga një
establishment i cili shumëfishon buxhetin për armatim ndërsa arsimin dhe shëndetësinë
i ka më të dobëtit në Evropë. Rezultati i një qasje të tillë do të jetë: Shoqëri
e paditur dhe e pashëndoshë me nga një pistoletë për kokë të banorit.
Ideologjia është sëmundje ngjitëse por
jo dhe e pashërueshme. Por kur ajo vetë kërkon ilaç e jo edhe shërim mund të
bëhet e rrezikshme deri në shkallën që të fillojë të kafshojë, së pari të gjithë
përreth, e pastaj vetveten.
Në lëkurën e vendit tonë, këtij projekti jo të përkohshëm, secili armik la nga
një tatuazh. Turqia e la në sy. Komunizmi në tru.
Veza e dytë
Në përplasje të dy nacionalistëve,
njërit të djathtë në Beograd e tjetrit të majtë në Prishtinë, ka kohë që ky
realitet ka kaluar në tensionim i cili mund të kulmojë me konflikt. E atë
zakonisht e humb pala e cila e para e tërheq këmbëzën. Që ai të ndodhë janë
duke i kontribuar në mënyrë aktive që të dy duke i fryjnë këtyre erërave me sa
fuqi që kanë. Ata nuk janë të gatshëm për ballafaqim argumentesh por për
dyluftim. Në këtë promenadë ballkanike njëri prej tyre i mban këpucët në duar
derisa ecën këmbëzbathur.
Në lidhje me çështjen e asociacionit të
komunave me shumicë serbë kryeministri ynë ka dy përgjigje: Njëra nis me ‘‘jo’’
e tjetra me ‘‘po’’. Pra përgjigjet duke mos u përgjigjur. Disi si birra ‘‘coca cola’’. Mimika e tij mund të lexohet dhe interpretohet por jo dhe të
përkthehet. Duket se kjo çështje për të është po aq e parëndësishme sa dhe
fakti nëse Adami i ka dhënë Eves mollën me dorën e djathtë apo të majtë.
Fjala e Kosovës tek partnerët
ndërkombëtarë ka rënë në peshë, është devalvuar. E nëse është thënë në mënyrë të
gabuar atëherë ajo mbahet mend gjatë. Nuk vjetrohet. Nuk ka afat skadence. E
gjasat janë që, derisa ta kuptojë këtë, VV do të vazhdojë t’i bie tupanit në
vendin e gabuar, me çekiç, jo me shkop të hollë.
Shpesh e kaluara e ngadalëson të
tashmen dhe e ndalë të ardhmen. Një gur i hedhur në ujë është një gur i fundosur.
Veza e tretë
Në çerekshekullin e fundit bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në
Kosovë nuk ka qenë asnjëherë në nivel më të ulët. Kjo është një meritë e
pakontestuar e kësaj qeverie e cila ua kalon të gjithave në talentin për
mbyllur edhe ato pak kanale komunikim mes dy komuniteteve që kanë ekzistuar deri
më tash.
Se ‘‘demokratizimi i veriut’’ dhe mbajtja e tij në shtetrrethim me ndihmë
të forcave policore njëetnike dhe katër kryetarëve palaço përbën një dështim me
pasoja negative për imazhin e shtetit është më shumë se evident.
Po jetojmë në një botë ku kundërshtitë po dalin më shumë në pah se sa të
përbashkëtat. Sidoqoftë, deshëm apo nuk deshëm, sado të mëdha të jenë dallimet,
edhe më të mëdha do të jenë ngjashmëritë. Nëse jo si grupe etnike atëherë së
paku si bashkëqytetarë. Si bashkështetas. Si njerëz.
Anton Marku
Vjenë, 29 mars 2024