| E premte, 29.03.2024, 08:50 PM |
O DALIP, Ç’I BËRE DHËNTË!
Nga
Mihal Gjergji
Dalip
Matukën e kisha njohur në mote të vështira. Kohë koperative. Ishte mesoburrë.
Thinjat e rralla i zbukuronin kryet, mbase për të shprehur brendinë e tij, ato
që s’mundej t’i thoshte me gojë. Njerëzit ishin të kursyer në fjalë, sepse era
mund t’i shpinte atje ku s’duhej. Të gjithë nxitonin dhe në shpinë mbanin nga
një barrë me halle. Edhe Dalipi. E nxirrte jetesën me duart të pastra dhe
duronte deri aty ku virtyti vendoste kufirin. Në çdo përballje, para se të
nxirrte fjalën të afronte një buzëqeshje. Tashmë është larguar në udhën pa
kthim. Kanë kaluar kaq vite qysh atëherë. Jo rrallë më ka ndodhur të më zgjojë
kujtesën. Mbase ka marrë me vete një brengë a një amanet që s’ka mundur ta përcjellë atje ku duhet.
Ç’të jetë vallë? Gjuha e vdekëtarëve është e mbushur me mistere. S’kam kë pyes
veç gurit të varrit, moshatarët e tij janë rralluar, dhe ndonjë që ka mbetur
është në fundin e udhës. -Më kanë ngordhur shumë shelegë sivjet, nga dimëri dhe
kullota e keqe. Jam moshatar dhe s’dua të turpërohem…Kështu më tha atë
fundmarsi në afërsi të Hotel Turizmit në Tepelenë. Mos u shqetëso, i thashë,
çdo problem e ka një zgjidhje…Më vështroi ngultas në sy dhe më shtrëngoi
dorën…Ishte përgjegjës tufe dhe i gëzohej kopesë së stolisur si ta kishte të vetën. Dalipi
ishte mik për ditë të keqe. Dhe ishte bujar, sikur ta dinte që çdo gjë e lindim
për t’ia dorëzuar vdekjes, gjersa përfundojmë edhe vetë në kthetrat e saj.
Erdhi dita që kooperativat u prishën, edhe ajo e Kurveleshit. Dalipi e ngriti
stanin e tij te Gropa e Shkallës, rrëzë malit të Këndrevicës. Mirëpo s’mundi që
ta gëzonte. Ishte 18 shtator 1994, një ditë e mbarsur me shtrëngatë. Bashke me
Dalipin ishte dhe djali i tij, Flamuri. Edhe Sami Shehu me të cilin ishin
përzitës. Atë mëngjes u nis pas dhënve
dhe s’u kthye më. Kopeja erdhi në stan pa të zotin. Nga lartësitë e Këndrevicës
ishte shkëputur një gur dhe e kishte goditur.
S’kishte mundur të ngrihej, as të kërkonte ndihmë, as të niste një
shenjë zallit që zbret për në Lugj.
Mbeti vetmitar nën çarçafin e natës.
Ditën tjetër e gjetën. Ora e tij shënonte 10.40’-mandej kishte pushuar
tik-taket, me siguri nga goditja që kishte marrë. Kështu ndodh edhe në praninë
e mjekut që mbush çertifikatën e vdekjes; shkruan orën, datën, vitin. Shumë
njerëz u ngjitën në lartësinë e malit për ta kërkuar. Edhe i vdekur u gjend
para miqëve të tij. Vëllezërit Kapo e
Fanol Muça nga Velça e Vlorës sosën të parët pranë trupit që lëngonte nga
dhimbjet e që ende s’ishte ftohur. Zemra bënte rrahjet e saj të fundit.
Breshëri kishte shtruar një brazimë të hollë mbi pallton e Dalipit. Atë që
s’mundet ta afrojë njeriu, ta jep natyra. Shumë njerëz u mbodhën, ndërtuan
vigun me drurë dhe e përcollën për në fshat, te shtëpia e tij, ndërsa të
nesërmen në banesën e fundit. Shpirti i
tij i mungon Lugjit dhe Gropës së Shkallës, familjes domosdo. Edhe miqve. Andaj
bëj një thirrje si në humbëtirë: O Dalip, ç’i bëre dhëntë! Sepse zilet dhe
këmborët e stolisura e kanë ndalur muzikën e tyre. Dalipi lindi në Maj dhe
mbylli sytë në Shtator. Ja, kaq është jeta e njeriut, sa një stinë behari.
Tiranë, Mars 2024.