| E hene, 25.03.2024, 08:50 PM |
Bilal
Hoxha dhe një fotografi...
Nga
Ndue Dedaj
Është
një mik i çmuar pukjan, që jeton në kryeqytet. I biri i hoxhës së famshëm të
Pukës, Elez Hoxha dhe i ati i oficerit të ndjerë të Policisë Sajmir Hoxha. Më
kishte telefonuar se donte të më jepte një fotografi, ku kishim dalë së bashku
në Pukë, në promovimin e librit kushtuar të Atit në qershor 2021. Vetëm tre
muaj më vonë, në shtator të atij viti, mu desh ta ngushëlloja, aty në
Bulevardin Dëshmorët e Kombit, këtë burrë të fisëm për humbjen e birit të vetëm
gjatë një operacioni policor në Lezhë. Është një çast që nuk do ta harroj
kurrë.
Bilali
kishte kryer Teknikun e Ndërtimit për topograf dhe e kishte nisur punën në
Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, me gjeologët sovjetikë. Me ta, më
1958-1959, gjatë verës kishte qenë për kërkime në Lëkundë të Selitës dhe më
vonë çadra e tyre ishte ngulur në Rubik, por dhe në Kalimash, deri në vitin
1961 kur dovjetikët u larguan. Pastaj kërkimet gjeologjike kishin vazhduar me
kinezët. 40 vitet e Bilalit si gjeolog, që nga viti 1963 i përkasin ndërmarrjes
gjeologjike të Pukës (në Tuç, Munellë, Porab etj.), ku ndër të tjerë kujton
inxhinierin gjeolog, profesor doktor Ismail Turkun, që sot jeton në moshë të
shtyrë në Kanada.
Kam
qendruar ndonjëherë para kutive metalike plot me raporte dhe harta gjeologjike
të arkivit të NGJ të Rubikut, pa e ditur se një ditë do të takoja njërin nga
kërkuesit e parë që kishte firmën në to. Kujtimet e gjalla të bashkëkohësve i
pasurojnë arkivat e heshtur me mbresat që nuk mund të futën nëpër raportet
teknike. Këtë ndjesi pata dhe nga takimi i sotëm me Bilalin në një nga
bar-kafetë afër Arkivit të Shtetit.
Edhe
pse kemi shkruar më herët për hoxhë Elezin, s'rrimë dot pa e sjellë sërish në
vëmendje të lexuesit. Migjeni në Pukë e mori si mësues të lëndëve të besimit. U
zgjodh kryetar i rrethit të Pukës për dy vjet 1944 - 1946, pastaj drejtuesi
ekzekutiv u dënua si "Armik i popullit" me 30 vite burg politik, për
sabotim të reformave të pushtetit popullor, ku bëri rreth 6 vjet, pasi përfitoi
nga amnistisë. Në vitet '60 qe kryemyfti për rrethet e Veriut, deri sa u ndalua
feja më 1967. Në vitin 1993 priti Nanë Terezën në Pukë, ku ajo i fali kryqin...
Koha
bën të veten, kujtimet mbetën. Është mirë kur ato ujitën si lulet...