| E hene, 25.03.2024, 07:56 PM |
Elvi Sidheri:
Gjatë
Revolucionit Grek, që përkujtohet sot, si përherë, më 25 Mars, për të kremtuar
fillimin e tij, më 25 Mars 1821, krahas shumë e shumë kapedanëve dhe
udhëheqësve të tjerë arvanitas, që dhanë jetën e derdhën gjakun për lirinë nga
robëria osmane, gjithmonë më ka grishur njëri syresh, Odysseas Androutsos,
trimi guximtar arvanitas, i lindur në Itakën e Odiseut mitologjik, me
prejardhje nga Greqia Qendrore (Livanates, ngulim i moçëm arvanitas), në viset
që në lashtësi njiheshin si vendlindja e Akilit të pamposhtur, dhe Preveza.
Ndër
ushtarakët më besnikë të Ali Pashë Tepelenës, ky kleft arvanitas, do të shquhej
veçanërisht për qëndresën heroike në Betejën e Hanit Gravia, ku 120
kryengritës, të prirë nga kapedanët arvanitas, Odysseas Androutsos, Yannis
Gouras dhe Angelis Govios, do të përballonin heroikisht mësymjet e 9000
ushtarëve osmanë, (300 prej të cilëve do të vriten në këtë betejë). Kjo është
nga betejat më vendimtare të këtij revolucioni, ku, siç shpesh ndodh me
shqiptarët, në anë të ndryshme të luftës, ata gjendeshin njëri kundër tjetrit,
sepse forcat osmane udhëhiqen nga Omer Vrioni ndërkaq, (të dy patën qenë në
shërbim të Ali Pashë Tepelenës). Pas Betejës së Hanit Gravia, Odysseas
Androutsos, do të ballafaqohet me përçarjet e revolucionarëve dhe smirën e
bashkëluftëtarëve, të nxitur nga bashkëpunimi i tij me shqiptarët, edhe kur ata
luftonin për osmanët. Androutsos do të vritet pabesisht duke u flakur nga
Akropoli i Athinës në humnerë në vitin 1825.
Edhe
karriera e Omer Vrionit do të marrë të tatëpjetën gjithsesi, dhe Porta e Lartë
do ta largojë nga Peloponezi në vitin 1824, duke e cilësuar fajtor për
dështimet në luftë me kryengritësit arvanitas kryesisht.