Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Stancë e vjetër për dashninë e re

| E enjte, 21.03.2024, 08:50 PM |


Agron Tufa

Zogu më tha: "sot është dita e përbotshme e poezisë, ke gjë në xhep?" "Po", thashë, "një të vjetër, kur isha i ri.. Dhe ja:

STANCË E VJETËR PËR DASHNINË E RE

-Elvanës-

Kur të biem në fashë, tembrama, pa bzâ,

Ti do t’jesh bâ Lumë, unë do t’jem bâ Tra

Dhe memzi do mundesh, me buzë duke prekur,

Në drithma e ashkla ta ndash trupin tim…

Po ti nuk do derdhesh askund, asnjë grimë,

Dhe unë s’do lakmoj as të gjallë, as të vdekur.

Pa do na pagëzojnë… Kurse ti pa prâ

Në rrjedhë… Do jesh Lumi që bart atë Tra:

Njëheri premtuar në pesë oqeane –

Bajrak do të jem për fiset e atjeshme,

Dhe në s’u gjetshin emra të hareshëm,

Ndofta do mund të të quaj Anna...

Si të marra hua – vitet që nuk kthehen,

Nga dimri në dimër në fat rrëkëllehen.

E lehtë dhe e gjatë rruga jonë e filluar,

Ashtu si çdo mjet që qëllimin përhumb

Do të na duket sinori në fund

Kinse veç gjysmën kemi përshkuar.

Do jem lakuriq, do jesh ti cullake,

Të dy duke ndërruar lugina e shpate

Nën ligjet e rrjedhës do lëmë pa u mërzitë,

Atë vis, ku nuk patëm armiq asnjëherë,

Dhe duar të forta brigjesh të tjerë –

Do puqen në shtratin e tharë një ditë.

(Nga vëllimi "Rrethinat e Atlantidës", Aleph, 2002)