| E merkure, 20.03.2024, 08:50 PM |
Mjegull
në pragpranverë
Nga
Blerim Rrecaj
Doli
në ballkon. Ishte freskët e ftohtë. Mjegulla që dukej në mëngjesin e sotëm
kishte rënë që nga nata e mbrëmshme. Ajo vazhdonte të rrinte shtrirë në kokërr
të shpinës. Pëlhura e saj e bardhëllimtë kishte atë shijen e vet kur dihej se
pas një ore ose më së shumti dy do të kthehej andej kah erdhi, për të ardhur
përsëri për ndonjë vizitë, pa paralajmërim. Sidoqoftë, mjegulla kjo mysafire e
(pa)ftuar kishte mbështjellë njerëz, ishte përzier me objekte, rrugë, hidhte
valle te drunjtë mes shiritave rrugorë, e velloja e saj rrinte bukur mbi kokat
e tyre flokëbardhë e flokëpurpurtë të shpeshtë, të dendur, të kaqurrelltë. Pa
paksa përreth. Lëvizje të zakonshme. Vetura, autobusë, kamionë, kushedi më vonë
pritej të kalonte edhe ndonjë traktor, ndonjë multikultivator me rimorkio,
ndonjë kampshtëpizë, ndonjë ngasës biçiklete a motori. Kalimtarë po vazhdonin të ecnin, që e do
kalonin rrugën te semaforët, pranë tabelave që tregonin drejtime, për aeroport
e vendbanime, a truponin rrugën për të
dalur andej a këndej, dhe në dy stacionet njëri matanë e tjetri këndej rrugës
ku prisnin udhëtarë si në një tymnajë gjithëpërfshirëse, krijuar prej një
hamulloreje të djegur. Në mesin e atyre, që ngarendnin pas punëve të veta, pas
oraresh, afatesh e terminesh, edhe policë e ushtarakë me uniformë. Para se të
hynte brenda në dhomë pa edhe njëherë kah xhamat e avullt të ballkonit dhe
njerëzit, dyfishoi pamjen e turbullt e automjetet e shpendët shndrroheshin në
silueta të deformuara, të mezidukshme. Ishe ditë e hënë dhe u kthye tek e diela
që sapo kishte lënë pas, që për një çast iu duk e largët. Kështu i ndodhte
ndonjëherë, kthehej pas, të kujtonte më qartë një mbresë, një detaj. Ishte një
e dielë e zakonshme. Mesdita e saj pas një kohe të gjatë e kishte gjetur në
tregun e automjeteve, ku pas një ecjeje rreth gjysmë orëshe nëpër të pa njerëz
që në qese bartnin gjërat që kishin blerë si
pemë, domate, pula të sapotherura, në thasë penjëkuq mbushur me patate,
e në duar fidane drunjsh të pemëve e ndonjë dru a bredh dekorativ. Në një vend
u ndal, pranë ca gjërave të shtrira përtokë mori e pagoi një libër dhe pakëz më
vonë u gjend në një qendër të madhe tregtare, edhe këtu hyri në një librari, u
end mjaft nëpër të, ia tërhoqi vëmendjen një titull, e mori e doli. Endej nëpër
ambientin e këtij kompleksi biznesesh, për pak kohë u gjend në hapësirën e
jashtme si një lloj pushimoreje, ku shfrytëzohej edhe nga duhanpirësit,
ndërkohë retë u mërrollën e u nxijnë mbi ara e parkingje, e mbi kodrat
rretheqark, si t'i kishte lënduar a fyer kush, e filluan të një vaji me
psherëtimë erërash e me pika shiu, që ngrehën këmbën zhag duke tërhequr pas
vetes me mijëra e mijëra të tjera. Më pas pasi do të ulej përballë fontanës në
katin e poshtëm për të dëgjuar zhurmërimën e saj, mund t'i mbyllte sytë e të
ëndërronte se gjendej para një ujëvare diku në Valbonë a në Niagarë. Para se të
dilte do të gjendej para makinës ku do të bënte një selfie dhe do fuste monedha
metalike për të marrë dy foto të printuara që kishte dalë me libër të hapur në
duar. Pastaj do gjendej në strehën e tij, të përbashktën strehë dhe disi po
kalonte dhe kjo ditë, për të cilën nuk dinte çfarë të thoshte, veç iu kujtuan
fjalë që dilnin nga ai e nga gojë tjera njerëzish që thonin se po u shkon jeta
pa ditur e pa pasur se çfarë me treguar. Duke ecur u thanë edhe fjalët se
tregëtia është pjesë e jetës, por jeta nuk duhet të jetë tregti. Përziu e bëri
lëmsh ngjarje, ndodhi, (mos)pajtime, grindje e thashetheme jetësore, politike,
kulturore, ekonomike, sociale. Dhe la pas të dielën për t'u kthyer ku ishte,
përballë mjegullës. Në mendje kujtoi dhe ca pragje e fillime pranverash të
kaluara, disa prej të cilave stolisira me borë. More, tha duke qeshur, pasi
shkundja e plakave sjell borën në kohën e lulëzimit të fushës, malit, drunjëve
e luleve, mund që mjegullat që bijnë në këtë kohë po i sjell shkundja e pleqve.
Pastaj la këtë shënim. Nuk e dinte se a
mundi t'ia lidhte kokën, në të cilën kishte kohë që çapitej mjegulla.