| E diele, 17.03.2024, 08:54 PM |
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi dhe lufta hibride e boshtit Moskë-Beograd: mësimet për Kosovën në censusin e saj
Nga
Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues në
Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
Regjistrimi
i fundit i popullsisë në Mal të Zi, mund të sjellë dëme serioze për këtë vend.
Mospublikimi i rezultateve të plota si ajo për çështjen e etnisë, gjuhës dhe religjionit,
ngrit dyshimet se aktiviteti i Serbisë dhe Rusisë ka arritur që ta prish
balancën etnike duke e rritur artificialisht etninë serbe nëpërmjet nxitjes së
malazezëve që të deklarohen si serbë.
Kjo
çështje është pjesë e një kauze të fuqishme të rikthimit të ndikimit të Rusisë
dhe Serbisë në këtë vend i cili i ofron dalje në ujëra të ngrohta, gjegjësisht
në Detin Adriatik. Censusi i fundit përveç parregullsive që pati gjatë mbajtjes
së tij, pati edhe një fushatë të egër serbe nëpërmjet Kishës Serbe e cila bënte
thirrje për deklarim nga malazezë në serbë dhe thirrje tjera nëpërmjet
fushatave individuale dhe fushatave me billborde.
Rezultatet
e censusit mund të sjellin ndryshime serioze në strukturën shtetërore të Malit
të Zi. Hulumtimi i Institutit OCTOPUS gjen se janë pesë opsione në rast se
lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë ka sukses kundër Malit të Zi.
1. Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në
Maqedoninë e Veriut.
2. Federalizimi sikur i Bosnje dhe
Hercegovinës.
3. Asociacion i komunave me shumicë serbe
sikur ai që propozohet në Kosovë.
4. Referendum që i mundëson secesionim të
disa komunave apo rikthim nën Serbi.
5. Ndryshimi i rrethanave gjeopolitike dhe
raporti i forcave ku sjell një aneksimi potencial nga Serbia potencial nga
Serbia.
Deri
në realizimin e këtyre opsioneve Rusia dhe Serbia kanë përdorur shumë metoda të
luftës hibride që i kemi identifikuar më poshtë:
- kërcënimet me jetë si metodë e
indimidimit rasjet politike, siç ishte
tentimi i vrasjes së Gjukanoviçit për ndryshimin e qasjes së Malit të Zi
dhe ndalimin e anëtarësimit të saj në NATO.
- partitë politike, duke përkrahur
subjekte të ndryshme, kryesisht të krahut të djathtë ekstrem dhe duke
shfrytëzuar brishtësinë e demokracisë për të legalizuar çështjen etnike të
tyre.
- zgjedhjet elektorale, duke krijuar sa
më shumë subjekte të cilat pastaj arrijnë të copëzojnë votat e partive të mëdha
që nuk janë pro interesave ruse dhe serbe.
- ndikimi nëpërmjet propagandave të
ndryshime si ato që ishin para censusit që janë të përmendura në punim.
- ndikimi i ndryshimit të deklarimit të
shoqërisë për çështje etnike, në rastin konkret deklarimi nga malazez në serb,
inxhinieringut etnik.
- përdorimi i mediave televizive, të
shkruara dhe rrjeteve sociale për të shpërndarë propagandë, agjitacion dhe dezinformim.
Kosova
me datën 1 prill të këtij viti pret që ta mbaj censusin apo regjistrimin e
popullsisë. Instituti OCTOPUS duke marrë në konsideratë përvojën e Malit të Zi
dhe ndërhyrjet e mundshme të palëve të treta si Rusia dhe Serbia, Kosova duhet
të analizojë me kujdes çdo aspekt të procesit të censusit, duke përfshirë
teknikat e regjistrimit, sigurinë e të dhënave dhe përfshirjen e të gjitha
komuniteteve. Është thelbësore të ndërmerren masa për shmangien e ndërhyrjeve
të mundshme nga faktorë të jashtëm, duke shtuar aktivitetin diplomatik në
qendrat e vendimmarrjes dhe duke përforcuar rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Të
gjitha konkluzionet më lartë kanë një histori të bujshme politike dhe
strategjike. Ju inkurajojmë që të lexoni komplet punimin për ta kuptuar më mirë
gjithë procesin duke klikuar mbi titullin: Rreziqet dhe Rikonfigurimet
Gjeopolitike: Serbia dhe Sfida për Stabilitetin e Malit të Zi.
Kthesa
Pro-Ruse dhe Pro-Serbe në Mali i Zi dhe Sfidat e Orientimit Gjeopolitik
Mali
i Zi rrugëtimin e vet pro-perëndimor mund ta konsiderojmë që e ka filluar në
vitin 1995, menjëherë pas marrëveshjes së Dejtonit. Në atë vit Millo Gjukanoviç
bashkë me Svetozvar Maroviç vizituan Pentagonin në SHBA, ku ofruan qasje për
trupat paqeruajtëse ndërkombëtare në Portin e Barit. Gjatë bombardimeve të
NATO-së, Gjukanoviç kishte arritur të bindte NATO-në të kufizonte bombardimet
në territorin malazias.
Mali
i Zi e shpalli pavarësinë e saj me 2006 pas një referendumi ku pjesë e
rëndësishme ishin edhe shqiptarët. Vuçiq në atë kohë kishte deklaruar se do të
angazhoheshin për ta rikthyer prapë Malin e Zi pas 10-20 vitesh. Angazhimi i
Serbisë ka qenë në bashkëpunim të plotë me Rusinë, pasi përveç interesave të
zgjerimit të territorit dhe interesave sllavo-ortodokse, interes të rëndësishëm
strategjik përbën edhe dalja në ujëra të ngrohta, gjegjësisht në Detin
Adriatik. Me 2013 dhe 2015 Rusia kishte kërkuar nga Mali i Zi që t’i jepte
Portin e Bar-it për ndërtimin e një baze ushtarake, por që ishte refuzuar nga
Mali i Zi duke dërguar në tensionim marrëdhëniesh deri sa me 2017 ishte provuar
një grusht shtet duke dashur ta vrasin Millo Gjukanoviçin gjatë zgjedhjeve. Ky
tentim atentat ishte zbuluar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe kishte
informuar organet e sigurisë së Malit të Zi, ku për pasojë ishin arrestuar
rreth 20 persona duke përfshi edhe ish-oficerë të xhandarmërisë serbe.
E
gjithë kjo sipas prokurorit të rastit ishte me qëllime politike për ta
ndryshuar pushtetin në Mal të Zi dhe ta ndaloj anëtarësimin e këtij vendi në
NATO.
Gjërat
në Mal të Zi prapë filluan të lëvizin drejt orientimit pro-serb dhe pro-rus pas
zgjedhjeve të vitit 2020, ku humbi partia e Gjukanoviçit dhe zgjedhjet i fitoi
një grupacion i partive politike kryesisht me orientim pro-rus dhe pro-serb.
Qeveria e dalë nga këto zgjedhje me në krye Zdravko Krivokapiç nuk zgjati më
shumë se 14 muaj për t’ia lëshuar vendin qeverisë së Dritan Abazoviçit. Ky i
fundi me aq bujë sa u bë kryeministër, me po të njëjtën dramë udhëhoqi
shkurtazi dhe u rrëzua po ashtu nga pushteti, Kjo për arsye se bëri marrëveshje
me Kishën Ortodokse Serbe të cilës i ofronte eksterritorialitet dhe shumë
benifite tjera dhe Kuvendi vendosi mocion votë-besimi ndaj tij.
Sipas
një hulumtimi të gazetës Pobjeda, gjatë mandatit të Abazoviçit ishin ndryshuar
policët kufitarë duke u zëvendësuar me joprofesionistë dhe lojal partiakë gjë
që e kishte bërë jofunksional kufirin me Bosnjë dhe Hercegovinën.
As
zgjedhjet e vitit 2023 nuk prodhuan diçka më ndryshe veçse forcim të partive
pro-ruse dhe pro-serbe, duke sjellë në pushtet në tri pozitat më të larta dhe
pozita tjera njerëz që kanë orientime pro-serbe dhe pro-ruse ku argumentimet më
gjerësisht i gjeni në punim.
Duke
përfshirë ndryshimet politike dhe censusin e fundit, ku kishte qëllime
inxhinieringut etnik, çështjen se Serbia është pa dalje në det dhe kjo dalje
është e rëndësishme për Serbinë dhe Rusinë atëherë pas rezultateve të censusit,
pa një reagim adekuat ndaj Serbisë dhe Rusisë nga aleatët perëndimor opsionet
për Malin e Zi mund të jenë ogurzeza.
Kjo
pasi mund të krijohet një krizë e re artificiale e gërryerjes nga brenda të
institucioneve, zgjedhje të reja nën parullat për ndaljen e rikthimit të
nacionalistëve në pushtet, secesion nëpërmjet referendumit të disa komunave si
Pljevelija, Nikshiqi dhe Berana, pastaj gjitha këto veprime mundësohen nga
bllokimet që mund t’i bëjë Andrija Mandiç nga pozita e kryeparlamentarit dhe
anëtarit në Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes që mban Komandën e Forcave të
Armatosura ku vendimet merren me unanimitet.
Opsioni
i fundit mbetet ai i një invazioni klasik në ndryshimin e rrethanave
gjeopolitike dhe raportit të forcave globale.