| E premte, 15.03.2024, 09:00 PM |
SHQIPËRIA, VENDI KLASIK I HERONJVE
Dedë Gjon Ujka: Hero i fundit i heronjve të
Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës
Nga
Frank Shkreli
Disa
ditë më parë, më fort për arsye nostalgjike, isha duke shfletuar një numër të
vjetër të revistës së Ernest Koliqit, “Shëjzat” (1974 -1-10), kur më ra në sy
shkrimi me titullin “Shqipnija Vendi Klasik i Herojve” -- një artikull ky që
përkujtonte karakteristikat e burrave të dikurshëm të Malësisë së Madhe – duke
veçuar malësorin Dedë Gjon Ujka – që në moshën 103-vjeçare kishte ndërruar jetë
në vitin 1972, në Malësinë e Madhe.
Veçohej
burri i maleve tona, Dedë Gjon Ujka si përfaqësues i heronjve klasikë të
Shqipërisë – i fundit i tillë nga ata për të cilët shkruante At Gjergj Fishta
në epopenë kombëtare, “Lahuta e Malcisë” – të asaj Shqipërie, që sipas Felix
Julie, që “Në të gjitha kohërat ka qenë djepi klasik i heronjve”. Artikulli veçon gjithashtu karakteristikat e
Dedë Gjon Ujkës, që ndërroi jetë jetë në fillim të 1970-ave -- i fundit i
heronjve malësorë të Lahutës së Macisë të At Gjergj Fishtës -- edhe si
përfaqësues i vlerave dhe trimërisë së “Shqiptarit”, që sipas F. Pouqueville
ish-diplomatit dhe historianit francez, “me shtatin e tij vigan, me zërin e tij
sokëllim sit ë shqipes, paraqet luftarin e maleve…I gatshëm dhe i papërtueshëm
në betejë, i paepur dhe i patundur në fatkeqsi, i palodhur dhe i pakursyer në
mundime, ai i del përpara çdo rreziku”, sh[nohet në artikullin e revistës
“Shëjzat”.
Siç
e dinë lexuesit e Lahutës së Malcisë, kryevepra e Poetit Kombëtar At Gjergj
Fishtës është e mbushur me emra të heronjve të tillë, të cilët, siç
vjershëtonte Lordi Byron (Bajron), “Kur besa dhe nderi i thrret të derdhin
gjakun, ata si trima turren ku t’i çojë i pari i tyre.” Në Lahutën e Malcisë,
Fishta kujtoi luftërat e harruara, historinë e pashkruar, shënoi emrat e tyre
në altarin e Kombit – ashtu siç e meritonin! Marash Ucin, Oso Kukën e Abdyl
Frashërin, (“I la nam ai Toskënisë, Faqe të bardhë i la Shqypënisë”, ndër të
tjerë heronjë që përemdn Fishat në Lahutën e Malcisë.
Njëri
prej këtyre luftëtarve trima të maleve tona – që siç cilësohet në revistën
“Shëjzat” “si “Heroi i fundit i Lahutës së Macisë”, Dedë Gjon Ujka, “Duke
mundur turkun e sllavin me trimëri, ai mundi me vjetërsi edhe shekullin”. Ndërroi jetë në vendlindjen e tij në Malcinë
e Madhe në vitin 1972, në moshën 102-vjeçare, por jo pa parë dhe provuar
rreziqe dhe shumë vështërsi të tjera nën komunizëm, siç ka vuajtur mbarë
Malësia e Madhe nga diktatura sllavo-komuniste, envero-titiste.
“Një
besim popullor thotë se për ironi të fatit, disa heronj jetojnë gjatë për me pa
e provue më shumë rreziqe dhe vështirsi të ndryshme. Dedë Gjon Ujka, njëmend
pau mjaft fatkeqsi, pësoi shumë mundime
dhe përjetoi tragjedi familjare e
kombëtare. Në familjen e tij, pau komunistët kah i djegin shtëpinë, i marrin
pasurinë dhe i vrasin, nji prej bijve të tij, Pashkun. Në kombin mbarë ai pau
çka nuk kishte parë as në kohën e
turkut. N’ato male të Malcisë, të zbardhuna prej bore dhe të skuquna prej gjakut, Dedë Gjon Ujka, pau
burrat e dheut kah i hjedhnin prej
shkambit dhe kah i mbulojnë me gur e rroxga.
Në ato fusha të Arbnisë, të njomura me djersën e ballit dhe të lagura me
lotët e zemrës, pau njerëz që pushkatoheshin në rreshta dhe të varroseshin në
grumbuj neper kanale e gropa, që ata vet kishin hapur. Pau bashk me bijtë e
vet, qinda e mijëra shqiptarë kah rrahen e mundohen nepër kampe e burgje.”
Trimi
i Lahutës së Malcisë, sipas artikullit në Shëjzat, “Pau kah fiken konaqe, kah digjen katunde e bajraqe, kah
rrënohen kisha e xhamija, kah mbyllen kuvende e teqe, kah prishen fé e zakone
pa të cilat nuk jeton nji popull; pau kah thehen lahuta e qytelija me të cilat
përjetohen dhe unjisohen në fushën e luftës për liri, të gjallë e të vdekun:
heronj të largët e t’afërt, në kohë e brezni”.
Po
e sjell këtë shkrim modest bazuar në artikullin e botuar në vitin 1974 në
revistën “Shëjzat” të Ernest Koliqit, kushtuar Dedë Gjon Ujkës, njërit prej
heronjve të Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, duke besuar me autorin se
të jetuarit gjatë të këtyre stërgjyshërve të Kombit, dëshmitarë trima dhe
bujarë, të jetë thenë nga “Ora e bardhë e Shqiptarisë”, që jeta e vështirë plot
vuajtje e sakrifica si dhe verpimtaria e tyre kombëtare e denjë të përmendet në
Lahutën e Malcisë -- të përcjelli ndër shekuj e brez pas brezi, “verbin
kombëtar, trimërinë e së kaluarës heroike dhe fisnike të popullit tonë” dhe të
trimave të tij, si Dedë Gjon Ujka e Marsh Doka, luftëtarë të maleve kreshnike,
sipas Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës:
“Dedë Gjon Ujka e Marash
Daka
Burra lé për çark
t’martinës,
Fjalën fjalë, besën
çelikut,
Ballë për ballë e jo
mbas shpinës,
Msue me i rà në luftë
anmikut...”
Lahuta
e Malcisë dhe vlerat e karakteristikat e heronjve të saj, mbeten edhe sot një
gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që
nuk shteret kurrë. Në Lahutën e Malcisë dhe në autorin e saj At Gjergj Fishtën,
Kombi shqiptar ka dhe duhet të ketë sot dhe gjithmonë një burim të pashtershëm
vlerash që mbeten për t’u zbuluar nga brezat, me gjithë përpjekjet mizore për
ta minimizuar duke e anashkaluar— për të mos thënë për ta zhdukur veprën dhe
influencën e tij në Atdhe.
Duhet
thenë edhe njëherë, se indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike
ndaj At Gjergj Fishtës në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, si trashëgimi e
pashpjegueshme ndaj trajtimit të Fishtës gjysëm shekullor nga komunizmi
sllavo-aziatik i regjimit të Enver Hoxhës – pothuaj 35-vjet “post-komunizëm”,
është një dhunim ndaj historisë së kombit dhe shkelje brutale e kujtimit të
heronjve të saj si -- ndër të tjerë – protagonistit të këtij artikulli modest,
Dedë Gjon Ujkës, por edhe trimërisë së Oso Kukës dhe urtësisë së Marash Ucit,
të vlerave të Ali Pashës, Dedë Gjon Lulit, Abdyl Frashërit dhe Bashkimit të
Lidhjes së Prizrenit – simbole të heroizmit, urtësisë dhe bashkimit, vlera këto
që, për fat të keq, sot nuk shihen askund në horizontin politik e kombëtar ndër
shqiptarët!
Dedë
Gjon Ujka, Heroi i fundit i Lahutës së Malcisë