| E premte, 15.03.2024, 08:57 PM |
GURI I CARANIT TË TIM ETI
Nga cikli: “Enciklopedi njerëzish të
thjeshtë”
NGA
NDUE DEDAJ
Po
e them që në krye të herës, mua do të më kishte pëlqyer të lexoja jetë
njerëzish, as të shquar e as të pashquar, jo se disa të paktë njerëz mbi këtë
tokë nuk kanë bërë vepra të mëdha në dobi të njerëzimit, për çka duhen
përmendur gjithmonë e jetës, por, ngaqë në “shëmbëllim” të tyre, janë të
pafundëm njerëzit që nuk kanë bërë asgjë të shquar, por zotërojnë mrekullisht
“artin” e të shtirurit si njerëz të mëdhenj. E kur qëllon që ata janë
udhëheqës, atëherë për famën e tyre punon një mori nëpunësish zyrtarë dhe
mjetesh informacioni, deri tek i fundit, Tik - Toku, në shumëfishim të zërit,
figurës dhe emrit të tyre të zakonshëm. Prandaj, në shenjë mospranimi të kësaj
kategorisë, që nuk u ka shkuar prapa historia, por janë përpjekur ata vetë ta
tërheqin pas tyre historinë si mushkën, kam vendosur të shkruaj enciklopedinë e
njerëzve të pashquar, me lejen dhe në nderin e tyre, kuptohet në kundërshti të
plotë me shkruesit “normativë” të librave për të shquarit e pashquar, siç po
ndodh me të gjithë drejtorucët dhe kryetarucët e djeshëm të provincës, një
pjesë e të cilëve “punëtorë partie” të devotshëm dhe servilë të përbetuar të
shefave më të lartë.
*
I
pari në këtë enciklopedinë e njerëzve të thjeshtë është im atë, Marku, jeta e
të cilit, sipas kërkesave standard të CV të sotme zyrtare nuk shënon asgjë të
veçantë, kishte lindur më 1923 te Rrasa e Zezë dhe dinte vetëm shkrim e këndim,
pa shkuar dhe një ditë të vetme në shkollë, por që pasi kishte vetëmundur
analfabetizmin, shkruante ngapak kur i nevojitej (nuk vinte gisht në letër si
gjyshi) dhe lexonte libra e gazeta. I binte çiftelisë për qejf ndonjëherë
mbrëmjeve në shtëpi, por pa ndonjë talent, dhe vetëm nëse nuk ishte dikush
tjetër që ia thoshte, ai mund të këndonte në sofrën e burrave në dasma sa për
të kaluar rendin.
Pas
Luftës kishte kryer ushtrinë në Himarë dhe vise të tjera të Bregut për tre
vjet, veshur me unformën ushtarake të rreshterit apo kapterit, që i shkonte;
kishte qenë deri në Shkodër e Tiranë, e mundet, kur ishte i ri, pa u mbyllur
kufijtë, dhe kah Kosova. Mbetur jetim 13 vjeç më 1936, nga i ati Deda, që
kishte qenë ndërtues kullash në Dheun e Dibrrit - Mirditë, i kishte rënë barra
të “mbartte” shtëpinë nga Rrasa e Zezë në Qafë-Vorrëz, pasi atje në breg të
Lumagjinit, kulla trekatshe në kodër ishte “zhytur” në tokë, çka zor të ketë
ndodhur tjetërkund. Këtu, pra, qendron dhe merita e tij, që mund të quhet vepra
e pashkruar, si krejt punët atërore të pashkruara të kësaj bote, që kanë
mbajtur gjallë shtëpinë e tyre me votrën ndezur e tymin lart. Se nuk ishte
fjala vetëm për t’i dalë çatisë në krye me tjegullat, por shtëpia ishte në
radhë të parë bashtina, gjaja e gjallë, mulliri, pazari, dalja në katund e
bajrak, ekzistenca e mbijetesa. E gjitha kjo mund të përmblidhej me
togfjalëshin: Guri i Caranit. Apo plang e shtëpi. Nëse do të guxonim në
rrafshin etnologjik, me termat e sotëm, shtëpia ishte institucion, që kishte
kreun e saj, të zotin e shtëpisë, emri i të cilit gdhendej në portën e saj dhe
po atij i thirrej në emër në oborr nga të njohur e të panjohur: “O Marka Deda:”
O i Zoti i Shpisë!”
Në
kushtet që u ndodh im atë, pas shembjes “apokaliptike” të Kullës, i ra që
gjithçka shtëpijare të ngrihej nga hiçi. Hapi me krahët e tij krej tokat e reja
në vendngulimin e ri, Livadhi i Karricës, blerë nga gjyshi, për ta bërë atë
prodhues e të jetueshëm. Shkuli aq shumë rrënjë lisash për të mbjellë misër e
hardhi, sa vetëm traktori mund t’ia kishte dalë. E, pra, nuk ishte me ndonjë
shtat të bëshëm Herkuli, por krejt i hajthëm, thua se era mund ta shtynte
tutje. Ndryshe kishte qenë nga shtati i bëshëm dhe temperamenti vetmitar Nika i
novelës “Pishtarët e natës” të Martin Camajt, i lidhur ngusht me tokën e tij
dhe ai, por si njëri, si tjetri, nuk ia gjenin kurrë fundin rropatjes së
përjetshme me bashtinën, për t’i bërë pjellore malet, ashtu si dhe fushat, që
nuk bëheshin dot të tilla me parullat e Partisë, por mbeteshin rrakuke pa
krahët e tyre të fortë.
Shkonim
shpesh bashkë me tim Atë te Vija e Madhe, nëpër korijet e lisave të bungës e
shpardhit, që e kishte rezën në krye të Lumagjinit, nja tre mijë metra larg
shtëpisë. I binim mbrapa ujit, pasi vija herë thyhej tek shembja (që ishte një
shkrrelë e frikshme, që po të të rrëshqiste këmba përfundoje humnerës në
përrua), apo në nja dy përroska të vogla, herë se vija mbushej me gjeshkë e
ujët derdhej anash. Dimrit vija thuajse nuk sillte ujë, kurse në pranverë
mblidheshim gjithë burrat e lagjes dhe e hapnim atë për ta bërë gati për stinën
e verës. Thuhej se Vija e Madhe që hapur me pagesë nga disa ushtarë italianë ,
që ishin gjendur atypari, gjatë Luftës së Parë Botërore. E vetmja vepër arti e
saj mund të quhet Laku i Pré, nëpër të cilin kalonte uji nga njëra anë e një
kodërze në tjetrën. Nuk dihet nëse mes atyre ushtarëve kishte ndonjë teknik apo
inxhinier, megjithatë vija si objekt ujësjellës i vështirë e dëshmonte përvojën
italiane.
Me
tim atë shkonim dhe tek dy mullinjtë e shtëpisë sonë të vjetër te Rrasa e Zezë,
“Mullini i Madh” e Mullini i Vogël” ku bluanin kallamoqin banorë nga
Shëngjergji, Kalori e Bukmira. Flisnim për gjëra të përditshme, të moralshme,
sa i përket famijes, shoqnisë së fshatit dhe miqve të shtëpisë, shkollimit etj.
Ajo ishte bota jonë asokohe, në fëmijërinë time. Pataj erdhën sondat,
gjeologjia dhe miniera me punëtorinë e saj, rruga - ura, sektori pyjor etj.
Deri në vitin 1973 ishte gjallë dhe gjyshja flokëbardhë Dilë, e cila herë më
dukej se kishte dalë nga bota e miteve dhe legjendave, herë nga kronika e
luftërave për Pavarësi, që i kishte ngulur topat te “Boka e Dryshkut” e gjuante
armikun. Si çdo Nënë e Bir, ata të dy plotësonin njëri - tjetrin për bukuri. Në
familjen tonë, kurrë nuk u mor nëpër gojë askush, prandaj ne fëmijët, falë
edukatës që kishim marrë nga të mëdhenjtë, nuk dinim asgje të keqe për askënd
që na rrethonte.
Im
atë ishte njerëzor, i buzëqeshur, bujar, kurrë s’e pata dëgjuar të thoshte
“unë”. Bile ky ka qenë një stil i burrave të maleve, që thëniet e mençura të
tyre i vinin në gojën e dikujt tjetër, bie fjala, “siç ka pas thënë një plak
andej kah Oroshi a Kashnjeti”, prandaj dhe fjala e tyre e peshuar zinte vend.
Me fjalë të tjera, im atë nuk ishte një burrë i kombit, bile as i Krahinës, në
kuptimin e parisë së vendit, ai nuk e pati ndonjëherë as vulën e katundit.
Kooperativa ia prishi oazin që kishte krijuar për njëzet vjet me krahët e tij,
refuzoi fillimisht të hynte në bashkësinë fshatare me këtë emër, por pas
njëfarë presioni politik u fut. Në gjeologji e minierë ku punoi më vonë e
hidhte ndonjë gotë fernet me shokët, por nuk e tepronte. I donte njerëzit dhe
përpiqej të bënte për ta sa mundej. Nuk fliste kurrë keq për askënd dhe mbi të
gjitha nuk urrente. Nuk kishte armiq, kishte vetëm miq.
Di
të them që im Atë ishte i rëndësishëm për ne si familje, si një zot shtëpie
model, që ringriti shtëpinë tonë nga “hiri”, me zdatk e mure, pemë të
llojllojshme, kopshtnaje - përfshi dhe kopshtin e duhanit, ara me gjërize, gjë
të gjallë, koshere bletësh, dhe mbi të gjitha se ishte njeri!
Nuk
ka një fjalë, më të madhërishme, më të bukur, më të shquar se ajo.