Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Bajram Sefaj, ky piktor i fjalëve

| E enjte, 14.03.2024, 09:00 PM |


BAJRAM SEFAJ, KY PIKTOR I FJALËVE

(Homazh për Bajram Sefajn, 5 janar 1941 – 12 mars 2024)

Nga Prend BUZHALA

Fjalët bredhin nëpër përjetësi.

Letrat tona humbin një pjesë të zemrës, por fjalët vazhdojnë të jetojnë përjetësisht në faqet e librit.

Vdekja e një prozatori dhe gazetari të njohur, siç është shkuarja në amshim e Bajram Sefajt (5 janar 1941 – 12 mars 2024), nuk ka se si të  mos përjetohet si ngjarje që shkakton ndjesinë e një humbjeje në botën e letrave. . Por siç thuhet, vdekja është vetëm një kapërcim, dhe trashëgimia letrare e prozatorit dhe gazetarit e publicistit, vazhdon të jetë një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ndodh si në një kapërcim nga e njëjta faqe e një libri në tjetrën. Ai mbaroi rrugëtimin e tij me sfida në këtë botë, por trashëgimia që lë pas, shihet si një bibliotekë e pasur e ndodhive, mendimeve dhe mbresave të leximit që ai i dhuronte. Lexuesit e gjeneratave të vjetra, dhe, gjithsesi, edhe këto të rejat, e mbajnë në mend për stilin e tij unik në të dy fushat e letrave, në letërsi e në gazetari.

1.

Në letërsi, kishte prirjen për të eksperimentuar me formën dhe strukturën e prozës. Ai qëmtonte teknika të reja, si në narracionet e rralla, si në perspektivat alternative, si në përzierjen e zhanreve të ndryshme. Kësisoj përjetohet edhe vdekja e tij: një humbje e ndjeshme për kreativitetin dhe risitë. "Shkrimtari është një dëshmitar i rrallë i të vërtetës", do të thoshte Milan Kundera.

Në prozë, në tregime, novela e romane, ai ka krijuar një pamje të pasur të realitetit dhe një dimension të ri në përjetimet e leximit.

Le të shpresojmë se trashëgimia e tij letrare vazhdon të jetë një oazë e bukur e frymëzimit, që nuk njeh kufij kohorë. Veprat e tij vazhdojnë të jetojnë nëpërmjet leximeve e shfletimeve nga të gjallët. Të gjallët e gjeneratat që vijnë, do të përballen me një fushë të pasur të hulumtimit dhe interpretimit, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm me prozatorin e gazetarin edhe pas vdekjes së tij. Mesazhet e tij, vizionet, dhe prirjet stilistike, të shqiptuara me talent dhe qartësi, do të vazhdojnë ta përforcojnë imagjinatën dhe do të vazhdojnë ta nxisin reflektimin. Humbja ndodhi, por gjithashtu është një shenjë e rëndësishme për të reflektuar mbi rëndësinë e krijimtarisë së tij, për të përjetuar trashëgiminë që ai na ka lënë, dhe për të vazhduar t’i shijojmë shkrimin e tij. E, pra, vdekja nuk është një përfundim i plotë, por një ndërrim dimensionesh.

Një nga veçoritë më të dallueshme të veprave të tij, është ndërthurja e fantazisë me realitetin. Për shkrimtarin e dalluar, kufiri midis realitetit dhe imagjinatës shpesh nuk është i qartë. Për këtë arsye, veprat e tij shpesh zbulojnë një botë paralele që reflekton dhe shpreh aspektet më të thella të realitetit. Me çdo roman dhe çdo tregim, ky prozator kishte prirjen për të krijuar një dimension të ri të përjetimeve. Këto prirje ai i kishte shfaqur që nga vitet ’70, kur i botonte tregimet e tij nëpër faqet e gazetave dhe revistave, ndërsa si prozator do të shquhet me librat që nis t’i botojë prej viteve ’80 e këndej:

librat me tregime:

‘Tri pika’ (1980),

‘Rruga deri në kallëzim’ (1983),

‘Java ka shtatë ditë’ (1983),

‘Blu dhe gri’ (1995),

librat me novela:

‘Shëtitje ëndrrash’ (1997),

‘Sa është ora’ (2006)

dhe romanet

‘Parisi kot’ (2003),

‘Terra nullius’ (2009),

‘Ani çka’ (2012).

‘Zemër : roman’, 2020.

Përmes gjuhës së tij të veçantë dhe vizionit të tij shkrimor, nxiste edhe mënyra të ndryshme të leximeve dhe interpretimeve: lexime që vazhdojnë të nxjerrin në pah thellësinë e qenies njerëzore që ai ka shpalosur. Janë ato përpjekje për t'i kuptuar mesazhet e fshehta të krijimeve dhe për t'i zbërthyer shpirtin dhe mendimet e autorit; ato lexim-interpretime tashmë bëhen një proces i thellë reflektimi dhe hulumtimi.

Në kuadrin e këtij vizioni unik artistik e stilistik, hyjnë edhe dy libra tjerë: si drama ‘(S’)ikin dritat’ (2011)” dhe “40 Gjyshër rrëfejnë”, tregime për fëmijë, ShB “Faik Konica”, Prishtinë, 2021.

2.

Kështu ngjet edhe në fushën e gazetarisë e publicistikës: edhe aty lexues gjente prirje për të eksperimentuar me formën e artikujve, duke përfshirë elemente të ndryshme si rrëfime personale, përdorimin e fotove ekspresive, ose përdorimin e metaforave dhe simboleve. Tashmë njerëz që qëmtojnë këso formash risimtare, i kemi tejet, tejet të paktë...  për shkak se ai krijonte e një shkrim tërheqës gazetaresk, një qëndrim të veçantë ndaj temave dhe ngjarjeve, një aftësi të jashtëzakonshme për të përcjellë informacionin në mënyrë të zgjuar dhe të mprehtë, siç janë veprat e tij publicistike:

“Shenjë kohe – signum temporis” (1998),

“Gazetaria ime” (2007),

“Plot Shqipëri”, (Rozafa, Prishtinë – 2008)

“Shpen’ udhëtar” (2014).

“Përballë kolosit”, Shtëpia Botuese "Faik Konica", 2021.

Lexuesit e njohin edhe për zhanrin e udhëpërshkrimeve, një lloj tejet i rrallë në letrat shqipe, por aq i shpeshtë në letrat europerëndimore. Kishte prirje të veçantë për të bërë përshkrime  vendesh, kulturash, qytetesh, ekspozitash, ngjarjesh të librave, takimesh me krijues, si dhe shpalosje përvojash,- në mënyrë të tillë që e joshte lexuesin ta përjetonte udhëtimin përmes fjalëve të tij, lexuesi e ndjente veten  si një pjesë e udhëtimit të tij. Gazetarët e udhëpërshkrimeve janë si udhëtarët e rrallë që përhapin dijen dhe kulturën përmes shkrimit dhe rrëfimit të përvojave nga rrugët e botës; na shkruajnë ngjarje e përjetime që na bëjnë të ndjehemi sikur jemi në një vend tjetër.

Një poet thotë: kur një prozator mbaron rrugën e tij, një rreze e dritës dhe e humbjes digjet, por trashëgimia e tij letrare mbetet si një yll që ndriçon në qiell. E po, vdekja është si një rrymë që ndalon e nuk lëviz, por fjalët dhe rrëfimet e tij vazhdojnë të rrjedhin si përmendore për lexuesit e ardhshëm.

Është forca e fjalës së shkruar, e cila është e përjetshme.

Frazat e tij të shkurta, nganjëherë me vetëm një fjalë, shpesh të prera në mes, ngjante në një piktor fjalësh. Në letrat tona, shkrimet e tilla na i kujtojnë ato të autprëve Gani Xhafolli e Musa Ramadani, tashmë në amshim që të dytë qe disa vite.

Shkrimi gazetaresk është si një udhëtim të përhershëm për të zbërthyer historitë, gjarjet, përjetimet dhe për të ndikuar në perceptimin tonë të botës; gazetarët janë si eksploratorë të botës së njohur dhe pjesëtarë të rëndësishëm të shoqërisë në kuptimin e saj më të gjerë; gazetarët janë krijues të historive dhe rrëfimeve që nxisin ndjesi dhe imagjinatë të pasur te lexuesit. Kah do që ia shkonte e udhëtonte, me lexuesit ndante përjetimet e shtegtimeve të tij.

4.

Ka edhe një vëllim tjetër të veçantë që mban titullin “N’dorë të zotit” (2022), në të cilin përfshin shkrime të tipit miscellanea, një term i përdorur për të përshkruar materiale, informacione ose tema të ndryshme, të cilat nuk mund të kategorizohen në një kategori specifike. Për shkrimtarët, shkrimet miscellanea përfshijnë një gamë të gjerë të temave, si ese, shënime personale, mendime të lira, dhe të tjera. Ky lloj shkrimesh përmban refleksione personale, analiza të ndryshme, informacione të përgjithshme, apo çfarëdo teme që nuk përkon me një temë specifike. Kështu që, shkrimet miscellanea janë shpesh të lira dhe të ndryshueshme në natyrë. Në letrat shqipe është Moikom Zeqo që ka krijuar e botuar një projekt të madh me titullin “MISCELLANEA” në rreth njëzet vëllime. Ndërsa në letërsinë botërore përmenden autorë si Mark Twain: "Letërsi nga Toka” (“Letters from the Earth”, Franz Kafka: "Ditarët" (Diaries) apo Umberto Eco:  "Udhëtime në Hiperrealtësi" (Travels in Hyperreality) etj.

5.

(INTERMEXO: disa herë qesh takuar me të. Bashkëbisedonim lirshëm. Kishe të bëje me një bashkëbisedues aspak autoritar, por të sinqertë, shpesh hokatar, me hoka ku ndër vetvetes. Një komunikues i qartë dhe i bindshëm. Kuptonte përvojat e larmishme krijuese, shqetësimet e kohës... Kishte dëshirë të flitnim për vepra e autorë të veçantë në prozë posaçërisht. Dhe, në këtë drejtim, ai dëshmonte se ishte lexues pasionant. ...

Diku, në një takim me të, para dhjetë vjetësh, pata shënuar:

“Takim me prozatorin modern Bajram Sefaj, i afirmuar si tregimtar që në vitet '70, me poetikën e tregimit pa fabul, pa një rrjedhë suksesive ngjarjesh e me fakturë risimtare, si "Rruga deri në kallëzim" 1983, "Java ka shtatë ditë" 1985, "blu e gri" 1995, vëllimet e novelave "Shëtitje ëndrrash" 1997 dhe "Sa është ora" 2006, si dhe romanet që do t'i botojë më vonë, si "Parisi kot" 2003, "Terra nullius" 2007 dhe, së fundi, edhe me romanin "Ani çka' 2012. Meqë ka qenë gazetar dhe ka jetuar një kohë të gjatë në Paris, ai ka botuar dhe disa vëllime nga zhanri i publicistikës.”

Më 15 nëntor 2016, mora kujtim librin “Kronikë në letër”, botim i Rozafës, 2026, në të cilin përfshihen punime kritiko-letrare, recensione, kronika etj. për veprimtarinë letrare e gazetareske të tij.

Fotot me të, janë nga takimet më 2013 dhe më 2018,...

6.

Meqë kam shkruar disa herë për veprat e tij, kësaj radhe po shkëpus një fragment nga një punim imi kushtuar romanit të tij “Terra nullius” (botoi “Rozafa “Prishtinë 2009). Ky punim është botuar te gazetat e kohës më 2009, i përfshirë edhe në vëllimin tim “Amëza e rrëfimit” (me 504 faqe, botim i “Rozafës”, Prishtinë, 2012):

“Romani "Terra nullius", të duket sikur është një thurje e kompozuar detajesh, vetërrëfimesh, vetëkomentimesh romanore e metaromanore, situata observimesh të pafund, personazhesh e identifikimesh personazh-autor; por, në të vërtetë, kemi të bëjmë me një roman të tipit antiroman që heq një traditë të tillë që nga romansierët Alain Robbe-Grillet, Samuel Becket, Nathalie Sarraute, Claude Simon, Marguerite Duras, Michelom Butor të viteve ’50 e këndej, në Francë etj (e njohur si lëvizje artistike frënge me emërtimin “Romani i ri”, “Nouveau roman”) e ku rrëfimi, veprimi, ideja dhe karakteri fokusohen tek objektet, tek gjërat që të rrethojnë...). Madje, ndonjëri prej këtyre autorëve bëhet edhe pjesë e rrëfimit vetëkomentues dhe eksplikues të këtij romani. Duke qenë vetë në kontakt me letërsinë e tillë frënge dhe me prirjet gjithnjë e më të reja të risive romanore; edhe Bajram Sefaj, ashtu sikundër autorët e tillë, do të kërkojë, procedojë dhe shtrojë kërkesën për një transformim radikal të modeleve tradicionale narrative dhe syzheore. Zaten, në prozën shqipe të Kosovës gjatë atyre viteve, autorë si Anton Pashku, Beqir Musliu, Musa Ramadani etj tashmë e kishin provuar edh praktikisht kërkesën e tillë, secili sipas individualitetit vetjak krijues. Nuk është e habitshme, prandaj, përse lexuesi i asaj periudhe, por edhe ky i sotmi, krijimtarinë e tillë do ta konsiderojë si "letërsi të rëndë", "letërsi të stilit eksperimental". Shëmbëllyeshëm këtyre autorëve, Bajram Sefaj do ta krijojë modelin e tij personal stilistik dhe të "shuarjes" së karakterit, ku theksi bie tek paraqaitja sa më besnike e fenomeneve psikike, kurse rrëfimi strukturohet si "rrjedhë e ndërdijes", si psiko-narracion i përvojave të brendshme, ashtu sikundër edhe i përvojave jetësore, e, kund e kund, edhe me poetikën e fragmentarizmit të rrëfimit. Romani i tillë, i quajtur edhe anti-roman, përveç thyerjes e teksteve-kolazh të rrëfimit, bën edhe një thyerje tjetër: atë të kohës, sidomos me përdorimin e analepsës dhe prolepsës (ku ligjërimi rrëfimor kthehet mbrapa e para dhe ndër-këmbehen) dhe format e tilla, sigurisht, shkaktojnë edhe huti edhe konfuzion, po edhe çorientim të ndjekjes së rrjedhës narrative, pikërisht me situatat e diskontinuitetit kronologjik a të mosvazhdimësisë së rrëfimit. Në këtë frymë thuren edhe fjalitë dhe blloqet e teksteve. Madje, duke e bërë të tijën atë mënyrë procedimore të (anti)romanit (post)modernist, Sefaj e përligj tipin e romanit pa ngjarje, pa lëvizje, ku nuk ndodh asgjë:

"Prozës, në të cilën nuk ka as të vrarë, as të plagosur, në të cilën nuk ka as mjegull, as tym, as shpërthime, a s alarme ambulancash të ndihmës së shpejtë, as sirena, as uniforma, as minahedhës, as minazbulues, as helikopterë, që, me panik për t'u mbuluar me ndjenjën e heroizmit e të viktimizimit, raportojnë nga vendgjarja" (fq.76).

E pra, vendngjarje e “raportimit” krijues-narrativ, apo medium meditativ, janë: vetvetja, krijimi, vogëlsirat... janë dhoma e banimit, tavolina e punës, kafeneja, libraria, spitali, udha... Ndryshe nga autorët e anti-romanit, që pikësynojnë blloqe tekstesh hipo-sintaksore të gjata, të "shtrira" në disa faqe; Bajram Sefaj e dendëson fjalinë, thënien tekstore në maksimum. Madje, të duket sikur ajo është një anti-fjali, që zëvendëson gjymtyrët kryesore të saj apo qoftë edhe pjesë të tjera të ligjëratës tradicionale, ku format ekstreme të ligjërimit të lirë jo-të-drejtpërdrejtë, indirekt, ndërthuren me zërat narrativë e me rrjedhat e ndërdijes. Përdorimi i tillë i analepsës dhe prolepsës, sikur e përligj pohimin e Brian McHaleit ("Postmodernist Fiction"), se postmodernizmi është modernizëm me një fytyrë të re: "termi nuk ka, madje, as kuptim. Sepse, në qoftë se 'moderne' do të thotë që 'ka të bëjë me të tashmen, ' atëherë ajo 'postmoderne' mund të thotë vetëm 'ka të bëjë me të ardhmen", dhe, në këtë rast, çfarë mund të jetë fikcion postmodernist, përveçse një fkcion letrar që ende nuk është shkruar?" McHale nënvizon se “postmodernizmi nuk paska ardhur pas ‘të tashmes', "; dmth postmodernizmi vjen "pas lëvizjes moderniste." Nëse mendohet që 'citatësia", trajta fikcionale dokumentare, e të ngjashme, përbëjnë vlerën postmoderne, të re, të këtij romani, atëherë çfarë mund të themi, bie fjala, për romanin "Pse" të Sterjo Spasses që i ka të gjitha këto karakteristika, i shkruar e i botuar që në vitet ’30 të shekullit që e lamë pas?! Ndërkaq, te romani i Sefajt, në radhë të parë, ka imagjinatë krijuese dhe strukturim që ndërlidh 'të pastrukturuarën": të gjitha fijet i mban në dorë një bartës i rrjedhave të tilla ndërdijesore e të ndërgjegjshme e që është Ndreu, një emigrant në botën e jashtme (nuk përmendet qyteti, pos në ndonjë rast asocionohet parisi, si vendqëndrim ku paska qëndruar më parë narratori), i identifikuar si zë autorial, auto-fikcional; një personazh që vuan nga diabeti vazhdimisht, vazhdimisht i frikësohet sëmundjes, por, si me eufemizëm, e quan sëmundje aristokratike, ngjashëm me metaforën e Suzan Zontag, filozofe e shquar amerikano-hebreje (shih librin e saj edhe në shqip "Sëmundja si metaforë"). Kjo përbën mbizotëruesen artistike (metaforë e njohur teorike-letrare e Roman Jakobsonit): “Mbizotëruesja ose dimonanta sundon, përcakton dhe transformon komponentët e mbetur. Kjo është mbizotëruesja që garanton integritetin e strukturës ... një sajim poetik, një sistem të strukturuar...". Por McHale na vërteton (dhe pohon) se një tekst mund të përmbajë më shumë se një mbizotëruese... saktësisht dominante është ajo që mund të ndryshojë sipas lexuesve që e lexojnë tekstin "nga teksti i njëjtë japin mbizotëruese të ndryshme, në varësi se çfarë aspekti të tekstit shikojnë...". Më parë, gjatë viteve '70, këtu në Kosovë, thuhej: sa lexues, aq lexime! Kjo do të thotë se vetë lexuesi është pjesë e romanit të Sefajt. Nga ana tjetër, vetë autori përkujdeset që ky lexues të jetë pjesë aktive e veprës: duke e ndjerë praninë shpirtërore të këtij lexuesi, narratori (që rrëfen në veten e tretë), shpesh jep sqarime, ik drejtohet lexuesit, ia sqaron të paqartën, e udhëzon për t’i kapërcyer labirintet e tekstit, nganjëherë tallet e përtallet me këtë ndërkomunikim, ... “

Ngushëllime famljarëve, të afërmve dhe miqve krijues!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

(13 mars 2024)