| E merkure, 13.03.2024, 08:55 PM |
FAN NOLI “RIKTHEHET” NË UNIVERSITETIN HARVARD
Nga
Frank Shkreli
Në një njoftim të Shoqatës së
Studentëve Shqiptarë të Universitetit Harvard, i njohur në Shtetet e Bashkuara
por edhe me famë botërore për vlerat akademike, thuhet se me rastin e
59-vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit, Dega Boston e Federatës
Pan-Shqiptare Vatra së bashku me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit
organizojnë promovimin e Librit më të fundit, “Fan Noli- Apostulli”, të autorit
Ilir Ikonomi, tanimë të mirënjohur për lexuesit shqiptarë kudo, ish gazetarit
dhe kolegut tim në Zërin e Amerikës. Një
rast ky shumë i mirë për tu paraqitur studentëve shqiptaro-amerikanë –
shqiptaro-amerikanin më të njohur të shekullit të kaluar, së bashku me Faik
Konicën – edhe si një frymëzim dhe shembëll për brezin më të ri të studentëve
shqiptaro-amerikanë të Harvardit sot.
Paraqitja e librit më të ri të Ilirit
do të bëhet ditën e shtunë, me 16 mars, 2024 nga ora 12PM deri në 2PM. Në ftesë
komunikohet se ky tubim do mbahet në hapësirën e Harvardit e quajtur Boylston
Hall, 103 Harvard Yard, Cambridge, MA
02138.
Kështuqë, në 59-vjetorin e kalimit të
tij në amshim, apostulli i shqiptarizmës dhe i Kishës Ortodokse Autoqefale
Shqiptare, Fan Noli – me veprën e autorit Ilir Ikonomi “rikthehet” të shtunën
që vjen, në Universitetin Harvard, pikërisht, aty ku kishte studiuar, nga
1909-1912, Fan S. Noli. “Emzot Noli nji ndër njerzit ma të mëdhej që ka
gjinikue fisi arbnuer. Poet, letrar,
fletorar, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ai
radhitet në rendin e breznis vigane të Rilindjes së kombit, për të cilën u
përpoq sa mujt me vepër e shkrim”, do të shkruante Ernest Koliqi, në revistën
Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit me 13 mars, 1965. Frank SHKRELI/ Fan Noli,
diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta
Telegraf
Duke njoftuar promovimin e radhës të
librit të tij më të fundit, autori Ilir Ikonomi shkruan në faqën e tij
“facebook”, se kushtet e rrethanat, nën të cilat ai frekventonte studimet në
Harvard, nuk ishin aspak të lehta, por mjaft sfiduese. Ndryshe nga studentët e
sotëm shqiptarë në Universitetin Harvard, që po organizojnë të shtunën që vjen
promovimin e vëllimit të parë të Ilir Ikonomit mbi jetën dhe veprimtarinë e Fan
Nolit, “Në atë kohë (Noli) jetonte me rrogën që i jepte Kisha Shqipe, rreth 60
dollarë në muaj (rreth 2000 dollarë sot) dhe me borxhe që merrte nga Kisha dhe
nga miqtë. Universiteti i dha një kredi vitin e parë, pastaj u kualifikua për
bursë. Kredinë nuk e ktheu kurrë dhe mund të thuhet se e bëri universitetin
falas”, shkruan ndër të tjera Ikonomi.
Natyrisht se për nga përgatitjet akademike
dhe të dijes, përfshir njohurinë e një numër gjuhësh të huaja, Fan Noli
qëndronte shumë më lart në krahasim me studentët e tjerë të kurseve të ndryshme
universitare. Ikonomi shkruan se Noli
është diplomuar me 20 qershor, 1912 me gradën “Bachelor of Arts”, me vlersimin
më të lart, “cum Laude”. Ikonomi sjell, ndër të tjera, një fakt interesant duke
shkruar se në të njëjtën ditë, të diplomimit të Nolit edhe Faik Konica mori
gradën “Master of Arts”, në fushën e gjuhëve romane, në një ceremoni të
përbashkët me Nolin dhe dhjetëra studentë të tjerë, atë ditë qershori të vitit
1912 në hapësirat e “Sanders Theatre”, shumë afër sallës ku do bëhet promovimi
– këtë të shtunë – i librit: Fan Noli-Apostulli, shënon autori, Ilir Ikonomi.
Jam i bindur se ky “takim”, i një brezi
të ri studentësh shqiptaro-amerikanë, do të jetë një përvojë e paharrueshme për
ta -- ndonëse do të mësojnë shumë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e një
shquptaro-amerikane që e filloi jetën si sudent, pikërisht aty në Harvard, më
shumë se një shekull më parë.
Me leximin e librit të Ilir Ikonomit
mbi Fan Nolin -- brezit të ri i studentëve shqiptarë të Harvardit, në atë
institucion të dijes me famë botërore por edhe të gjithë lexuesve -- autori
Ilir Ikonomi u paraqet të gjithëve “Nolin e pafiltruar”. “Ndonëse, e vërteta është e komplikuar dhe e
dhimbshme”, autori shprehet se, vëllimi i parë: Fan Noli -Apostulli, do ta
njohë lexuesin me Nolin e vërtetë: “Me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimet,
oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që nuk kanë vdekëtarët e kësaj bote”. Të
bazuara në fakte dhe dokumentacione, me shpresën për të “shuar dyshimet për
subjektivizëm”, me qëllim gjithashtu “që filmi të jetë i plotë dhe i paprerë”, i
saktë mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej patriotëve më të flakët të
Kombit, brenda dhe jasht trojeve shqiptare.
Promovimet e deritanishme të librit,
Fan Noli -Apostulli, të autorit Ilir Ikonomi – si në trojet shqiptare ashtu edhe
në mërgatë, janë dëshmi se ky botim, ashtu si edhe veprat e tjera të këtij
autori – është një botim për t’u shënuar në mënyrë të veçantë. Është një
kontribut i shënueshëm që autori i sjell historiografisë shqiptare por që,
njëkohësisht, kryen edhe një detyrë ndaj vet Fan Nolit – bazuar në fakte e
dokumentacion -- që dëshmojnë edhe për një periudhë plot lëvizje politike,
mendore dhe shoqërore ndër shqiptarët në trojet e veta por edhe këtu në
komunitetin e vjetër shqiptaro-amerikan, fillim shekullin e kaluar – me plot të
dhëna të panjohura deri më tani. Një
konsideratë e thellë për veprën e amdhe të Fan Nolit në shërbim të Shqipërisë
dhe Kombit shqiptar. Këtë ia detyrojmë
pendës – a po më mirë të themi – kompjuterit të ish-gazetarit të Zërit të
Amerikës, të palodhurit, Ilir Ikonomi.