| E shtune, 09.03.2024, 08:50 PM |
KOSOVA NËN ETHE NGA VEPRIMET E DYSHIMTA TË HARADINAJT
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Kryetari
i AAK, Ramush Haradinaj, ka shtuar dozën e retorikës me akuzat dyshuese për
sjelljet e Albin Kurtit, "në shërbim të Serbisë dhe të Rusisë!" Ka
përmendur një veturë, një vajzë, një batanije. Por, deri me sot asgjë e
faktuar.
Dhe,
kjo konsiderohet si një shpifje, në luftën rivale pushtetare. Ka vazhduar
akuzat për hezitimet, më saktë, kundërshtimet e Kurtit, për t`i aprovuar e
ligjësuar marrëveshjet e dëmshme, deri në tradhti, të nënshkruara nga Hashim
Thaçi e Isa Mustafa. Megjithatë, Albini ka mbështetjen e LVV dhe të shumicës
absolute të shqiptarëve.
Haradinaj
fitoi simpati, kur ngulmoi në refuzimin e Demarkacionit. Madje u përball me një
gjeodet pakurrizor të Hashimit, duke e fyer panatyrshëm atë. Ndonëse ishte në
kahjen e drejtë, njerëzit e justifikuan.
Papritmas
Ramushi ndryshoi mendje. Ndoca prokurorë amerikanë zbritën në Kosovë. Cak i
hetimit ishte Hashim Thaçi me komandantët e tij, për ca "të bëma",
gjatë dhe pas luftës, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Si mjeshtër i
intrigimeve, Hashimi, duke qenë edhe i shantazhuari i parë me dosje të
prgjakshme, i manipuloi edhe komandantët e tij, nga LPK, me bazë ideologjike
enveriste-staliniste. Në mesin e tyre ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili
ndryshoi mendje, u pajtua për votimin në Parlament të Demarkimit të kufirit,
duke i falur Malit të Zi 8.200 hektarë tokë.
Si
zbutje e amortizim të kësaj humbje të dhimbshme, Haradinaj mashtroi me krijimin
e një komisioni, kinse, dialogues, verifikues e ndryshues të vendimit. Shkak
ishte mbamendja e trashëguar dhe shfrytëzimi ndër shekuj nga banorët e trevës
të Rugovës dhe të fshatrave rrenzë, poshtë Zhlebit. Realisht, asgjë nuk arriti
të ndryshojë dhe Qeveria e Malit të Zi, e deklaroi të mbyllur çështjen e
Demarkimit të kufirit në mes të dy shteteve fqinjë.
Tandemi
Hashim Thaçi-Edita Tahiri mashrtonin popullin e Kosovës se "po bëjmë vetëm
dialog për çështje teknike. Por, rezultoi se ishte tërësisht politik, duke bërë
marrëveshjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, respektivisht,
"Zajednicën", të tipit "Republika Srpska" të Bosnjes.
Hashimi duke qenë i shantazhuar nga Serbia dhe i kontrolluar nga agjenti freng,
Arnaud Danjean, shef i Shërbimit sekret të DGSE, i mbështetur nga komandantët
qendrorë e lokalë të tij, këmbente poste të ndryshme, për të siguruar vota të
deputetëve, për ratifikimin e marrëveshjeve fatale për Kosovën.
Isa
Mustafa i katapultuar nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij, në krye të LDK-së, pa
e përfillur elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, grupin parlamentar,
madje as Kryesinë e partisë, vetëm me klanin e tij, rrethin vicioz brenda
Kryesisë, bëri tri kime radhazi, duke abuzuar votën e deputetëve, besimin e
elektoratit të LDK-së, me votimin aklamativ në grup:
1)
Demarkacionin me Malin e Zi;
2)
Asociacionin e komunave me shumicë serbe;
3)
Zgjedhjen e Hashimit president, edhe pse Presidenti Rugova kishte porositur
"të mos lejohet ngritja e Hashimit
në
poste të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!"
Në
vitin 1997, presidenti kriminel serb, Sllobodan Millosheviq, arbitrarisht, ia
dhuroi 24 hektarë tokë-park publike, shtetërore të Kosovës, Manastirit të
Deçanit. Më 2016, me porosinë-imponuese të Hashim Thaçit, Kolegji i gjyqtarëve
të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me kryetare Arta Rama-Hajrizi, ia barti në
pronësi kishës, duke e aprovuar dhe ligjësuar vendimin kriminal të
Millosheviqit.
Të
zellshëm dhe pa fije sensit të mases, në zbatimin e vendimit të kryekriminelit
Millosheviq ngulmojnë edhe emisari Escobar, ambasadori gjerman Röhde, shefi i
OSBE Michael Devenport dhe kolegë të tyre nga BE-ja, pavarësisht se ai ka
përgjakur Kosovë e Ballkan! Dhe, kjo është njësoj sikur t`i kërkohet Evropës
dhe botës, të aprovojnë planet pushtuese të Hitlerit të Luftës së Dytë Botërore!
Bartja
e pronësisë nga poseduesi dhe kadastrimi një tjetri, në këtë rast, përdhunshëm,
është kompetencë e pushtetit komunal. Ndërhyrja nuk i lejohet Prokurorisë dhe
as Qeverisë. As Gjykata Ndërkombëtare nuk e obligon, sepse Kosova nuk është
anëtare e saj. Të drejtën ekskluzive të bartjes të kadastrimit, nga një pronar
tek tjetri, e ka autoriteti komunal.
Andaj,
Kosova është në ethe, dyshon në ndërhyrjen e Ramushit tek komunarët, për ta
bartur kadastrimin e 24 hektarëve në pronësi të Manastirit të Deçanit, pra,
zbatimin e vendimit të Mollosheviqit, të vitit 1997. Sepse ka dhënë një provë
të mashtrimit të madh: "Për të gjallë nuk e jap Qafën e Çakorrit dhe
Kullën e Zhlebit". Por, ai dhe partia e tij nuk e mbajtën premtimin e
dhënë publikisht. Dhe, abuzoi me besimin e shqiptarëve, duke ia kontrabanduar,
arbitrarisht, të paktën, 8.200 hektarë tokë: kullota, male dhe bjeshkë me stane
verore, shtetit fqinjë, Malit të Zi!
Doajeni
i gazetarisë kosovare, Bajrush Morina, i cili po i mungon Kosovës, qoftë me
shkrime, qoftë me analizën e tij të pjekur e profesionale, duke përcjellur
pazaret e pista të tandemit Thaçi-Edita, një dekadë më parë, pati shkruar:
"Plaka Editë sa herë kthehet nga Brukseli, nga një gjëmë ia sjell
Kosovës".
Ramush
Haradinaj dhe opozita tjetër i pati premtuar Qeverisë dhe Kurtit, se do të jenë
të bashkuar, në përballjen me kërkesat alogjike e absurde të Serbisë, për
pretendimet e saj, për të qenë hisedare në Kosovë. Por, mashtroi. Nga Amerika,
afro tre vjet më parë, akuzoi Albinin për kryeneqësi e mosbindje, për të bërë
kompromise me Serbinë, qofshin ato edhe të dhimbshme!
Njëjtë
veproi edhe Avdullah Hoti, i cili, nga selia e "Zërit të Amerikës"
mori zotime se "ne, opozita e bëjmë Asociacionin edhe pa Kurtin dhe
Qeverinë e tij!" Kjo trimëroi Serbinë, për ta "ngritur pazarin"
e kërkesave dhe ndërkombëtarët - njëherësh, ndaj Kosovës si dhe për ta sulmuar
dhe linçuar Qeverinë dhe kreun e Vetëvendosjes. Ndërkohë që Vuçiqi u kërcënua,
më 15 gusht 2020, për cenim të tokës të Manastirit, Hoti, më 16 gusht 2020,
urdhëroi hapjen e "bypass", anashkalimin e rrugës ekzistuese,
shekullore. Dhe, bulldozherët hapën rrugën, të cilën e diktoi Vuçiq, duke
treguar në letër një vizatim rrugor të Hashimit, prapa 24 hektarëve të Manastirit!
Domëthënëse
është se në lutjet tradicionale amerikane, të fundit, ishin të ftuar,
pikërisht, Haradinaj dhe Hoti. U kthyen me sulme provokative e, ndoshta, edhe
shpifëse. Ramushi e pranoi Draft-statutin franko-gjerman, ashtu siç është dhe i
bëri thirrje Kurtit ta aprovojë. Dhe, kjo na kujton ato gjëmat e Editës, të
cilat i përmendë Bajrushi ynë.
Është
krijuar opinion i bazuar se Ramush Haradinaj po e mbanë peng Kosovën:
1)
Më 2019 ishin 46.300 veteranë, të vërtetë dhe të rrejshëm. Ky numër pas 8 vitesh
ka arritur në 53.500. Prej tyre, sipas statistikave të komandantëve të
përgjegjshëm, të paktën, 40.000 janë "veteranë" të rrejshëm. Edhe pse
prokurori i dinjitetshëm dhe me integritet, Elez Blakaj, me ekipin e tij
juridik, i seleksionoi 19.500 të rrejshëm, Haradinaj, atëherë kryeministër, i
ktheu përsëri në listat e veteranëve! Ishin tri kategori, Ramushi i barazoi të
gjithë në trajtim të njëjtë, me pagesë
të njëjtë, paushalle, duke i bashkuar kategoritë në një: "Veteran i
UÇK-së", duke shkelur ligjin e kategorizimit të veteranëve! Ky është
mashtrim i madh dhe i kushtueshëm financiar, por edhe falsifikim politik, me
dyshimin e krijimit të klientelës elektorale.
Sipas
Gjeneral Spiro Butka, kryetar i Shoqatës të OVL të UÇK-së, për Shqipëri, thotë
se ka dorëzuar listën emërore, komplete të 186 luftëtarëve pjesëmarrës nga
Shqipëria, në Luftën e Kosovës, përfshi edhe bartësit e armëve. Por, tani, janë
3.000 që marrin pensionin e veteranit! Dhe, ky numër vazhdon të rritet. Ai
përmend emra komandantësh matrapazë, shitës të "dëshmive të
veteranit", nga udhëheqja e OVL të UÇK-së (të Kosovës) dhe bizneset e tyre
nga Kukësi, Tropoja deri në Tiranë.
Kolonel
Dilaver Goxhaj, jep shifrën prej 129 luftëtarësh, duke shënuar emër e mbiemër,
fshatin apo qytetin në Shqipëri dhe zonën e njësinë ushtarake në Kosovë.
Kurse
oficerët nga Shqipëria, pjesëmarrës në luftën e Kosovës, fillim e mbarim, i
pranojnë të mundshme shifrat e kolegëve, por këto janë regjistrime fillestare.
Ndërsa shumë syrësh janë larguar shpejt dhe pa shprazë asnjë plumb. Ndërkohë
që, sot, u garantohen, falsifikueshëm,
pension i përjetshëm i "veteranit!" Realisht, numri u
luftëtarëve nga Shqipëria ka qenë sombolik,- rrëfejnë ata, si dëshmitar okular,
faktik.
Pra,
abuzimi është shumë milionësh, është hajnia më e madhe zyrtare, është turpi më
i madh i të gjithë atyre shitës-blerësve të "Dëshmive të veteranit",
i të gjitha qeverive dhe të qytetarëve të Kosovës, të cilët e heshtin këtë
makro-hajni!
Por,
i akuzuari i parë është Ramushi, i cili e ka favorizuar shumëzimin e veteranëve
të rrejshëm dhe e ka penguar seleksionimin, spastrimin e listave nga
"veteranët" e rremë. Pra, edhe këtu Ramushi mashtron.
Komisioni
Verifikues në gjykim, ka fajësinë e madhe, sepse i ka bërë shqiptarët mercenarë.
"Kush i ka dhënë ushtarit një gotë ujë, është veteran", - thotë
kryetari i këtij Komisioni, Gjeneral Agim Çeku. Mbrojtja e Atdheut nuk është as
honorar dhe as sakrificë. Por, është detyrë, obligim. Gjyqet për veteranët e
rrejshëm, janë marrëzi, sepse, nuk mjafton as shekulli, për t`i pastruar listat
falsifikuese kriminale!
Ndërkohë
që, verifikimi dhe spastrimi i listave, mund të bëhet brenda ditës, ose, së
shumti, brenda javës. Renditja emërore alfabetike në nivel Kosove, është e
qëllimshme, fshehje e gjurmëve të falsifikimit. Listat duhet të jenë për çdo
lagje, për çdo fshat, për çdo komunë ndaras. Luftëtarët e lirisë i njeh lagja,
fshati, komuna. Shteti ka strukturën, Shërbimin e Informativ, gjithçka hetohet
e mësohet gratis, sepse shteti paguan jo pak për këto struktura.
Shkurt
e trup, "komandantët" falsifikatorë vazhdojnë ta pengojnë spastrimin
e listave.
2)
Ramush Haradinaj ka bërë mashtrimin e madh kur thotë për 200 hektarët tokë
shtetërore, "janë të babës tim?!" Reforma agrare është bërë me
themelimin e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, më 1918. Ndërsa komunizmi ka
filluar konfiskimin e tokave, pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht, familjeve
të deklasuara nacionaliste, më së shumti deri në 12 hektarë. E mbaj mend
goditjen tonë familjare në vitet `50-a, konfiskimin e tokës dhe burgosjet
politike, të filluara në vitin 1945, dhe anëtari i fundit të familjes tonë të
madhe është liruar nga burgu në vitin 1992!
Babai
i Ramushit nuk ka qenë as i pasur dhe as i politikës. Do të ishte në nderin e
Ramushit dhe të gjithë të tjerëve, që përfituan privatizime enorme, të japin
shembullin personal dhe gruporë, duke ia dorëzuar shtetit të Kosovës,
përkatësisht, - Fondit Sovran -. Pavarësisht se si janë privatizuar këto toka,
shteti obligohet të kompensojë, kthejë paratë dhe investimet e bëra në këto
toka nga blerësit.
Këto
toka do të administroheshin nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht,
Drejtoria e Burgjeve, duke lehtësuar shpenzimet për të burgosurit. Tokat do të
punoheshin nga të burgosurit. Përvoja amerikane është funksionale, në
shfrytëzimin, angazhimin në punët bujqësore të burgaxhinjve. Në njërin nga
librat e tij, Balzaku thotë: " Burgu është sintezë e të gjitha
poshtërsive". Kjo nuk vlen për të burgosurit politikë, të cilët,
fatmirësisht, nuk ekzistojnë në sistemin demokratik të mirëfilltë.
3)
Vettingu vazhdon të pengohet nga partitë e koalicionuara në PAN. Në vend që t`i
kërkojnë ndjesë popullit të Kosovës, për rrënimin, me fund, të Sistemit të
Drejtësisë, PAN-i vazhdon ta pengojë Vettingun. Kjo dëshmon se diçka fshehin
"komandantët". Pjesë e kësaj fajësie është edhe Ramush Haradinaj, në
mos për asgjë tjetër, për heshtjen hiç fisnike. Borxhi i parë ndaj dëshmorëve
të Atdheut, është ndërtimi i shtetit ligjor, luftim i i krimit dhe
korrupsionit, më saktë, hajnisë zyrtare.
Vrojtuesit
e vëmendshëm të jetës sociale e politike në Kosovë, kur është fjala për
Sistemin e Drejtësisë, lakojnë dy emra të përveçëm: Hashim Thaçin dhe Ramush
Haradinaj, për kapjen e Drejtësisë, duke i punësuar militantët e tyre partiakë
në Prokuroritë dhe Gjykatat qendrore e lokale, madje pa kurrfarë kriteri
profesional! Prandaj, edhe rezistenca e mbrojtjes së tyre nga PAN-it, është e
sforcuar dhe kriminale. Një shembull domëthënës është Gjykata Kushtetuese,
kolegji i gjyqtarëve, të prirë nga Arta Rama-Hajrizi, me porosinë-imponuese të
drejtëpërdrejtë nga Hashim Thaçit, i shantazhuar me dosje kriminale, zbatoi
vendimin e kryekriminelit Millosheviç, për t`ia kontrabanduar në pronësi 24
hektarë tokë, me një Fabrikë dhe një Hotel, me 10 objekte shoqëruese,
Manastirit të Deçanit.
Dhe,
sot, Kosova është pykuar nga ndërkombëtarët, e ndihmuar nga hafijet shqipfolës
të Serbisë, këlyshër të Hashimit dhe opozita skandaloze, e cila, si dhelpra,
pret "rënien e Boleve të Dashit", për ta rimarrë pushtetin e humbur
meritueshëm, më 14 shkurt 2021!
Zbatimi
i vendimit të kriminelit Millosheviq, nga Hashim Thaçi, duhet të bëhet mësim i
madh për shqiptarët, që politikanët e shantazhuar të mos kenë kurrë pozita
vendim-marrëse, pozita shtetërore apo pushtetare.
4)
Parlamenti i Kosovës, respektivisht, deputetët e zgjedhur, duhet të bashkohen
për çështje kruciale, shtetërore. Edhe pse shumë i vonuar, Parlamenti i Kosovës
duhet t`i shpallë jo valide vendimet e Sllobodan Millosheviqit, ashtu siç thotë
edhe OKB-ja "nga viti 1990-1999", madje i dublon, duke i quajtur
"nul-zero". Pra, kur OKB-ja e thotë këtë, atëherë pse Parlamenti i
Kosovës i heshtë, madje, janë shtuar zëra, sidomos nga kuadro të PAN-it, se
duhet zbatuar vendimi i vitit 1997 i Millosheviqit, për t`ia dhënë 24 hektarë
tokë Manastirit të Deçanit, përfshi edhe mbylljen e rrugës klasike, "prej
se ka mbi lisi", - siç thotë populli. Aq më keq se ajo po bëhet rrugë
rajonale, që lidhë tre shtetet fqinjë: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri.
5)
Po ashtu duhet të shpallën jo valide të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga
Hashim Thaçi, pasi, tashmë, dihet se ai ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ
francez, natyrisht, për interesa të Serbisë, sepse rekrutuesi, agjenti Arnaud
Danjean, është dhëndër i Serbisë.
6)
Kushtetuta e Kosovës e ndalon Asociacionin njëetnik, sepse Kosova, sipas
Kushtetutës, është multietnike. Dhe, për këtë këmbëngulës kanë qenë
ndërkombëtarët. Kjo mjafton për t`i stopuar SHBA dhe BE, që të heqin dorë nga
kjo kërkesë joligjore, madje shumë provokative, duke e ditur, paraprakisht,
qëllimet e errëta, kriminale aneksuese të Serbisë.
Fundja,
lë të bëhet një Asociacion i komunave me shumicë të minoriteteve, përfshi edhe
Mamushën, me dominim të komunitetit turk dhe Dragashin, me komunitetin e
përzier boshnjako-goranë. Dhe, Draft-statuti është i gatshëm, njësoj si
Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare, me të vetmin ndryshim: Asociacioni
nr. 2, i komunave me shumicë të minoriteteve në Kosovë. Lë të këtë monitorim
nga OSBE, si organizatë vëzhguese e përhershme në Kosovë.
Për
fund, përdorimi pa kriter i shprehjes bajate "Albini është - mashtrues
-", nga Ramushi dhe opozita e çoroditur PAN-iste, është bumerang për vetë
ata. Sepse faktet po dëshmojnë ndryshe. Vërtet, Albini ka premtuar, por nuk ka
realizuar një duzinë çerdhesh dhe ndoca pallate për çiftet e reja martesore.
Por, milionat i ka të deponuara, të gatshme në Arkën e Shtetit. Dhe, nëse është
prioritet ndërtimi i tyre, edhe ato mund t`i realizon. Bilëz, teprojnë edhe për
ndërtimin e Autostradës të Dukagjinit, e cila, gjithsesi, ka parësinë e asaj të
Prizren-Tetovë.
Por
mashtrimet e Ramushit me aleatët e opozitës janë miliona shumë-shifrorë, të
cilat jo dekadat, por as shekulli nuk mund t`i kompensojë! Kësaj i thonë
"ta humbasësh rrugën në oborr"!