| E shtune, 09.03.2024, 08:53 PM |
Semantikat e Ibrahim Rugovës!
Nga
Enver Bytyçi
Ambasadori
austriak, Albert Rohan, ishte përfaqësuesi tipik i shtetit miqësor të
shqiptarëve që për gati dy dekada u mor me Kosovën. Ai kujtonte gjatë një
interviste të vitit 2008 se në dhjetor të vitit 1995 kishte patur pakënaqësi
ndaj Ibrahim Rugovës dhe politikës paqësore të tij në Kosovë. I pakënaqur me
vendimet e Konferencës së DAYTON-it ai shkoi në zyrën e presidentit historik në
Velani dhe e pyeti për atë se “Çfarë kishte fituar Kosova me këtë lloj politike
të lëvizjes paqësore të tij”? Presidenti Rugova i përgjigjet thjesht dhe
shkurt: “Po ne jemi këtu zoti Ambasador”!
Nëse
rrimë dhe kundrojmë Kosovën e kohës së Rugovës, shohim se filozofia e tij e
ruajtjes së elementit shqiptar ishte thelbi i lëvizjes paqësore që ai zbatoi.
Rohan thotë se këtë mesazh të Rugovës e kuptova vetëm në pranverën e vitit
1999, kur pashë se çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës, kur ata rezistuan me
armë kundër Milosheviçit. Kosova u boshatis prej tyre. Nëse nuk do të kishin ndodhur
bombardimet e NATO-s, sot Kosova do të kishte humbur edhe emrin e saj, ngaqë
shqiptarët nuk do të ishin më në vendin e tyre. Arsyetimi semantik është: “Ta
ruajmë elementin etnik, ta ruajmë popullsinë, sepse pa popullsinë nuk ka
territor”! Historiani i shquar gjerman lidhur me këtë shkruan se “Të pushtuar
ose jo të pushtuar nuk janë territoret, por njerëzit që jetojnë në ato
territore”! Që do të thotë se një Kosovë pa popullsinë shqiptare, pra e banuar
me serbë, nuk do të konsiderohej e pushtuar”!
E
ndërkohë kjo filozofi nuk është aq origjinale dhe e pandikuar nga krijimtaria
artistike. Mitrush Kuteli kishte shkruar prej kohësh poezinë e famshme “Unë jam
këtu den baba den” dhe kjo poezi ka fuqinë e saj të magjishme të mdezë mijëra e
qindramijë zemra shqiptarësh. Rugova e adaptoi idenë e Kutelit dhe e zbatoi në
veprimtarinë e tij politike. Sinteza ishte ruajtja e elementit shqiptar në
Kosovë. Semantika është lidhja midis elementit njeri (shqiptarëve) dhe
territorit.
Ndërkohë
këtë qëllim politik të tij e diktonte edhe njohja nga ana e tij të programeve
politike serbe për shpërnguljen e shqiptarëve. Rugova ishte racional. Nuk
humbiste në xhunglën e llafollogjive shterpë për “drejtësi”, “barazi” e “liri”,
terma këto që shpesh dëgjohen me bezdi edhe nga ata që betohen për këto parime.
Por gjeti gjithnjë çelësin e hapjes së dyerve të drejtësisë, lirisë dhe
barazisë. Në rastin konkret ishte
pikërisht lëvizja paqësore si mjet për ta ruajtur Kosovën në kushtet e
aparteidit serb dhe denoncimi i dhunës e terrorit të Serbisë kundër shqiptarëve
në Kosovë.
Semantika
që Ibrahim Rugova krijoi midis realitetit në Kosovë e në hapësirat shqiptare
duket në sa e sa biseda, deklarata në konferenca shtypi e intervista të tij.
Por më ka mbetur në mendje një artikull i gazetës gjermane “Die Welt” e fundit
të prillit 2001. E gjeta në arkivën e Institutit Gjerman të Kërkimeve për Paqen
pranë Universitetit të Kaselit. Ishte koha kur shqiptarët e Maqedonisë nën
siglën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare luftonin për të drejta të barabarta me
maqedonasit. Pikërisht në kulmin e kësaj lufte presidenti Rugova vizitoi
Berlinin dhe u prit nga kancelari i asaj kohe, Gerhard Schroeder. Gazeta
shkruante për këtë takim dhe gazetari shpjegonte se Kancelari i kishte folur 30
minuta zotit Rugova me pakënaqësi për revoltën e shqiptarëve në Maqedoni
Zoti
Schroeder i kishte thënë presidentit të Kosovës se “Ne vepruam dhe ju çliruam
nga regjimi serb i Milosheviçit, ndërsa ju po na krijoni probleme në Maqedoni”,
se “Tani problemi jeni ju shqiptarët” etj. Po cila ishte përgjigja e Ibrahim
Rugovës. Do të habiteni nga ajo që Rugova thotë në sy të kancelarit gjerman:
“Zoti Kancelar mos u mërzisni se do të bëhet mirë”! Semantika e një fjalie me
të cilën përmblidhen sa e sa domethënie. Një përgjigje me njëmijë kuptime.
Duhej të kishe mendjen dhe guximin e Rugovës të flisje me këtë gjuhë para një
kancelari gjerman. Megjiithatë Ibrahim Rugovën askush nuk guxoi ta tregojë me
gisht si “anti-gjerman”!
Edhe
një shembull tjetër: Diku nga viti 2005 erdhi në Prishtinë një diplomat i
njohur amerikan dhe takoi lidershipin e Kosovës për t’i bindur ata se
“Pavarësia e Kosovës është alternativë e pamundëshme, pasiqë ka shumë vende, të
cilat e kundërshtojnë atë”! Kur u pa se pjesmarrësit në atë takim, të gjithë
njerëz të rëndësishëm në politikën kosovare, gati po pajtoheshin me
parashtrimin e diplomatit amerikan, ndërhyn Ibrahim Rugova: “Ne do të jemi të
kënaqur dhe mirënjohës sikur vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta njohin
shtetin e pavarur të Kosovës”! Dhe me kaq ai e mbylli diskutimin e tij, duke
nxitur të dërguarin e Uashingtonit që të mbyllë edhe takimin në fjalë. Një
fjali me disa kuptime. Semantika e saj është shumë e kuptueshme.
Nga
të tre këta shembuj ne mund të konkludojmë se mendja e Ibrahim Rugovës prodhoi
gjithmonë sintezën e mendimit politik shqiptar në Kosovë. Gjykimi dhe arsyetimi
i tij i tejkalojnë kufijtë e një lideri të zakonshëm. Në fjalët e tij ne gjejmë
jo vetëm mendim, arsyetim, filozofi dhe lidhje kuptimësie në semantikë me
kohën, ngjarjet, vullnetet, dëshirat, të drejtën dhe të vërtetën e Kosovës e
për Kosovën. Ne gjejmë aty artikulimin e një ligjërimi të pa
kundërshtueshtueshëm, të pa kontestueshëm dhe të papërballueshëm. Ligjërimi i
Ibrahim Rugovës dhe semantika e tij në përballje edhe me kancelaritë e mëdha të
Europës na e shfaqin presidentin historik të Kosovës si një personalitet të
guximshëm dhe njëkohësisht të urtë e të matur.
Vetëm
ai dinte si askush tjetër ta mbyllte debatin me një ose dy fjali pa lënë vend
pët debat, diskutime dhe aq më pak për kundërshti! Kjo ndodhi, sepse semantika që ai përdori në
ligjërimin politik ishte e bazuar te mençuria e popullit, të cilit Rugova i
përkiste!