Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nehat Jahiu: Letër e motrës dërguar vëllait të saj në front të luftës

| E merkure, 14.01.2009, 08:41 PM |


Nehat Jahiu
Nehat Jahiu
Letër e motrës dërguar vëllait të saj në front të luftës:

VELLAI I MOTRES...

Dita e parë e qershorit i lëshoi rrezet e diellit si çdo ditë pranvere. Atë ditë edhe familja jonë lëshoi rreze nga sytë prej gëzimit që e kishin për lindjen tënde. U rrite vëlla shumë shpejt, e u bëre shumë i bukur,e shumë i urtë. Dëshira yte për mbrojtjen e mëmëdheut ishte shumë e madhe,prandaj edhe zgjodhe mu këtë rrugë. Fillove shkollimin, mirëpo shkollimi yt shumë shpejt dështoi pasiqë dora sllavomaqedone e egërsuar të largoi shumë shpejt nga shkolla dhe dëshira yte mbeti e parealizuar për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm. Me këtë dështim u bëre pesimist nga jeta,por ne të ngushllonim me fjalët se zoti është i madh dhe fuqiplotë dhe të ndihmon, prandaj vendose të marrësh rrugën e kurbetit edhe pse asnjëherë nuk e doje.Edhe ne nuk e donim,por nuk kishte rrugë tjetër, duhej siguruar kafshata e bukës. Edhe kjo nuk ndodhi,sepse idaili yt dhe i shumë idealistve dhe atdhetarëve ishte penguar shumë më herët në synimet e atdhedashurisë... Çdo gjë mund të pengohet,por dashuria për atdhe dhe liri është ngulitur në zemrat e atdhetarëve,kështuqë edhe dashurinë tënde shpirtrore nuk mundi për ta shly nga zemra yte.Kishte ardhur kjo ditë e shumëpritur. UÇK-ja u paraqit në skenë,shpalli zonën e lirë për ti mbrojtur tokat tona stërgjyshërore dhe për të fituar të drejtat tona dhe...Edhe ti shpirtërisht dhe fizikisht ishe përkrahës i kësaj ideje dhe përkrahës i kësaj Ushtrie të lavdishme Kombëtare. Që nga dita e parë edhe ti iu bashkangjite radhëve të saj duke mos na treguar fare,por na e kishe lënë porosinë: ”Unë nuk mundem më të duroj, dua që edhe populli im të gëzoj të drejtat dhe të ketë lirinë në trojet e veta, nuk duam të jemi nën shtypjen sllave... Të pritëm vëlla se do të kthehesh, të të shohim,por ti nuk erdhe, sepse tani më kishe marrë emrin ushtar dhe ishe nën uniformën e një ushtrie të lavdishme shqiptare. U mërzitëm të gjithë. me lotë në sy i kalonim ditët, ishin lotë dhembje dhe lotë krenarie.
Të gjithë mërziteshin për ty, por nëna nuk ndalej dot së qari, vendi yt gjithkund mbeti i zbrazur, në çdo anë qetësi, prisnin se çdo të ndodhë me ty dhe me shokët, por përsëri ishin krenar me ty, o vëlla i dashur! Ishim krenar me ty dhe me bashkëluftëtarët tu.
Ditë e enjte e 3 majit, ora 14 e 30 minuta të pash vëlla kur u nise për në front, të pash sa i bukur ishe bërë, sa hije të kishin rrobat e ushtarit. E hodhe pushkën në krah, u nise, e neve na la me lot në sy duke shikuar...
Pushka e parë kur krisi na tronditi shumë, mendonim se plumbi së pari do të bie ty apo ndonjë shokut tënd, brenga ishte shumë e madhe sa që nuk largohej orë e çast. Dora e egër sllave granatonte pa pasur mëshirë se çfarë do të ndodhë me ju. Vëlla që ishit duke na mbrojtur në vijën e frontit nga gjakpirësit sllav. Granatat hudheshin pa ndërprerë e ju nuk e linit këmësorinë që të depërtojë nëpër fshatrat tonë, sepse në damarët e trupit tuaj qarkullonte gjak i nxehtë, gjak shqiptari që nuk dorëzohej lehtë dhe nuk lejonit që këmba e shkaut të shkelë në trojet tona, sepse porosia e fundit e bashkëfshatarit dhe komandantit tonë Ismet Jasharit ishte: “Nuk na duhen shtëpi të mëdha, por na duhet Liria, pasi shkjau kur të don mund të na i shkatërron shtëpitë, e Lirinë asnjëherë nuk mund të na e marrë”. Dhe ja amanetin e tij nuk e harruan as shokët e as vëllezërit e tij.. u ndamë vëlla të gjith, nëna e babai në një vend, ne të tjerët në një tjetër vend, e ty të lam në front. Ta dëgjonim zërin nëpër mes celularit, por shumë të përmalluar për të parë ty. Na thoje se je shëndosh e mirë së bashku me shokët dhe se këmba e shkjaut nuk do të mund të shkelë asnjëherë në trojet tona dhe ate duke qeshur na jepje kurajo edhe neve që të jemi krenarë me ty dhe me shokët e tu të frontit. Dhjetë qershori na tronditi shumë vëlla i dashur kur na erdhi lajmi  se ishe plagosur rëndë.Nuk e besonim këtë lajm të hidhur,mendonim se është diçka më tragjike ,prandaj lotët nuk na pushonin, sepse ishim larg teje e nuk të shihnim me sy. Ah, vëlla,i dashuri vëlla! A thua kur do të vijë ajo ditë e të kthehemi në vatrat tona!Të të përqafoj motra, e ta puthi pushkën e përgjakur me të cilën luftove!E tani të përqafoj motra me mall e dashuri  e të uroj lirinë për të cilën je duke luftuar ti me shokët e lirisë ballë për ballë me armikun! E mua motrës sate le të më rrjedhin  lotët e mallit,lotët e gëzimit,lotët e krenarisë... nga sytë e mi të përmalluar për ty.Ju ndihmoftë,vëlla Zoti,sepse ai është shumë i madh  dhe e ka fuqinë e tërë botës!Qofshi shëndosh e mirë,u kthefshi të gjithë së bshku me lirinë!E nëna është duke të pritur e përmalluar tek pragu i derës së shtëpisë.Eshtë ulur dhe është duke menduar për ty dhe për shokët.A e dinë vëlla i motrës sa është përmalluar nëna për ty...?! Për plagët tua...,por të gjitha plagët tua dhe të shokve ne sebashku do ti shërojmë me ujin e krojeve të trojeve tona të lashta,o trim i motrës,o Arbër i Shqipes,O Flamur i Kombit,O vëlla i motrës,i motrës, o vëlla...!

Nehat Jahiu - 26 qershor, 2001