| E hene, 26.02.2024, 09:00 PM |
ENO PEÇI
BALERINI
DHE KOREOGRAFI NË OPERAN SHTETËRORE TË VIENËS - AUSTRI
(PJESA
I)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Koncerti
i tradicional dhe madhështor në çdo fillimviti i Filarmonisë së Vienës,
orkestër e Teatrit të Operas Shtetërore vieneze, i transmetuar nga kanalet
televizive austriake ORF2 dhe Ö1, i ndjekur në mondovision nga 90 vende, më 1
janar 2024 përkoi me 151 vjetorin e koncertit të parë në Ekspozitën Universale
të Vienës në vitin 1873. Historikisht, koncerti i vitit të ri zhvillohet në
Sallën e Madhe, e quajtura Salla e Artë e Musikverein e Vienës. Kjo sallë
koncerti e ndërtuar në vitin 1870, konsiderohet një ndër më të bukurat e botës
dhe nga më të mirat në aspektin e akustikës. Këtyre vlerave historike dhe
arkitekturale i shtohen muzika mahnitëse e interpretuar nga orkestra e famëshme
e Filarmonisë Vienna State Opera und Volksoper, si dhe zbukurimet estetike me
vargje lulesh shumëngjyrëshe, që plotësojnë bukurinë e këtij mjedisi. Orkestra
filarmonike e Vienës, është në Olimpin e
orkestrave më të mira të botës, andaj dhe drejtuesit e orkestrës historikisht
kanë qenë dhe janë elita e dirigjentëve më të shquar të botës, duke i filluar
nga i pari Johannes Brahms e në vazhdim në shekullin XX nga Herbert von
Karajan, Mariss Janson, Rikardo Muti, Daniel Barenboim, deri tek Christian
Thielemann, i cili dirigjoi koncertin e vitit 2024.
Me
meloditë afashinante të kompozuara nga Johan Shtraus Ati (1825 – 1899), nga
pasardhësit e familjes Shtraus, si dhe të kompozitorëve të tjerë të mëvonshëm
dhe bashkëkohorë, të gjithë autorë elitar të muzikës europiane dhe botërore, ky
koncert festiv madhështor shpall fillimin gazmor, me entusiazëm dhe plot
optimizëm të vitit të ri. Valset, polkat, mazurkat, kuadriliet, muzika më
vieneze që është kompozuar, ashtu si dhe zhaneret e tjera të muzikës klasike,
ekzekutohen në mënyrë të shkëlqyer nga orkestra filarmonike e përbërë nga
muzikantë të nivelit më të lartë, ndër ata janë dhe pesë shqiptarë, balerini
Eno Peçi, tre instrumentista dhe një korist, që punojnë në Wiener Staatsoper.
Koncerti
i vitit të ri, tradicionalisht mbyllet me dy pjesë të famëshme të kompozuara
nga Johann Shtraus Ati, valsi Danubi Blu - valsi më i njohur dhe më i shquar në
botë dhe me Marshin e Radetzky, marsh triumfi, që implikon të gjithë
spektatorët në sallën madhështore, të cilët e shoqërojnë muzikën e marshit me
duartrokitje ritmike.
Pjesë
të spikatura të koncertit të viti të ri janë intermexot e baletit klasik, me
koreografi origjinale të koregografëve më të shquar, të interpretuar nga grupi
i balerinëve virtuozë, me kostume estetike shumëngjyrëshe, të realizuara nga
stilistët më të njohur të kohës. Pjesët e baletit klasik që shoqërojnë muzikën
e koncertit, vallëzohen në vende magjepse, në salla me bukuri mahnitëse të
pallateve të stilit barok dhe në sheshet e kopështeve madhështore perandorake
të Vjenës.
Prej
24 vitesh, në grupin e vallëtarëve intepretues të baleteve në koncertet e
Vjenës, ka spikatur talenti i balerinit virtuoz shqiptar Eno PEÇI, soliti i
parë, ylli i baletit vienez, elita e trupës të baletit të Operas Shtetërore të
Vienës dhe e baletit të Valleve Popullore të Vienës.
Eno
Peçi është shquar jo vetëm si balerin në koncertet e Vienës, por ka
interpretuar si balerin i parë në rolet kryesore në 58 balete dhe koncerte
koreografike të shfaqura nga Opera e Vienës, ndërsa duke filluar nga vitit 2009, iu prezantua
publikut si koreograf i suksesshëm me mbi 40 krijime të tij, të mirpritura dhe
të vlerësuara nga kritika dhe publiku austriak dhe i vendeve të tjera të botës.
Emri
i Eno Peçit, është tejet i famshëm dhe i suksesshëm në Austri dhe në botë,
ndërsa në Shqipëri dhe në trojet e banuara nga shqiptarët njihet shumë pak.
Natyrisht njihet në rrethet artistike, por mediat shqiptare tepër të
indoktrinuara nga politika konfuze dhe agresive, kanë treguar verbëri të plotë
ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij artistik në përmasa botërore.
Ndërsa shtypi austriak dhe i shume vendeve europiane është i mbushur me mijëra
e mijëra komente, analiza dhe vlerësime për talentin e Eno Peçit, ylli i
baletit vienez, në shtypin shqiptar shkrimet dedikuar Enos janë të pakta e të
thata. Mbi indiferencën, vanitetin, mediokritetin dhe kotësinë e shtypit
shqiptar dhe të televizioneve të shumta shqiptare, ka spikatur gazetarja,
poetia dhe shkrimtaria Elida Buçpapaj, e cila në vitin 2014 botoi një
intervistë me Eno Peçin, një intervistë profesionale dhe dinjitoze, e ribotuar
në vitin 2023, me të cilën Elida evidencoi arritjet brilante të Enos, duke
theksuar me krenari se janë arritje edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, që
dëshmojnë për gjenialitetin e identitetit shqiptar.
Elida
me bashkëshortin Skender Buçpapaj, prej vitesh në Zvicër, drejtojnë portalin e
suksesshëm VOAL (Voice of Albania), portal i ndjekur me admirim nga
dhjetramijëra bashkëtdhetar, andaj prezantimi i talentit Eno Peçi në faqet e
këtij portali është pjesë e zërit të shqiptarëve në botë.
Eno
Peçi është lindur në Tiranë në një familje intelektuale. Pasi mbaroi shkollën 8
vjeçare, filloi studimet për balet në Liceun Artistik të Tiranës. Në një
intervistë me gazetaren austriake Ira Werbowsky, Eno tregon për fillimin e
studimeve në Lice: “Komisioni më vlerësoi për konstruktin trupor, tipi i gjatë
dhe me zhdërvjelltësi harmonike, andaj më pranuan në klasën e baletit. Dëshira
ime ishte të bëhesha breakdencer, dëshiroja të bëja rock dhe rap, por pedagogët
duke parë prirjet e mia, më drejtuan në baletin klasik”.
Në
moshën 13 vjeç, Eno hyri në botën e baletit, ku me pasion dhe vullnet kompletoi
formimin e tij arsimor dhe artistik. Impenjimet në lice e detyruan të braktisi
pasionin për futbollin me moshatarët si dhe stërvitjet në cirk, që kishte
frekuentuar gjatë një viti. Në lice Eno shquhej si nxënës i rregullt,
sistematik, duke i konkretzuar me rezulatate të larta lëndët e programit
mësimor.
Në
formimin e tij artistik shtoi dhe interpretimet në piano, që e ndihmuan në
ritmin muzikal të kërcimit të pjesëve të baletit, ashtu si shoqëronte dhe pjesë
nga muzika rock dhe rap. Në mësimet e baletit punoi me ngulm, i bindur se ajo
ishte e vetmja rrugë që e drejtonte të arrinte qëllimet e tij, për t’u bërë një
balerin i sukseshëm. Pas dy vite ushtrimesh sistematike, u mësua dhe me
pantallonat e shkurtra dhe do të shijonte gjithnjë e më shumë mësimet e
baletit.
Në
rastet kur ndodhen para talenteve si Eno Peçi, gazetarët të nxitur nga
kurjoziteti pyesin: Po ideja e kërcimit nga ju lindi? Vini nga një familje
artistësh? Kjo ishte dhe një ndër pyetjet e gazetares Elida Buçpapaj që i
drejtoi Enos dhe ai buzagaz iu përgjigj: “Une vij nga një familje që
tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshat e mi kanë qenë oficer madhorë,
babai im ka qenë oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, daja im ka qenë oficer,
mamaja është mjeke stomatologe dhe motra është mjeke. Pra,nuk vij nga familje
artistësh”.
Nga
kjo përgjigjie e Enos kuptohet se talent bëhesh kur studion dhe kur impenjohesh
intensivisht
në
profesionin që ke zgjedhur në jetë. Këto objektiva Eno i arrijti me forcat e
veta, me vullnet, me përpjekje intensive duke i konkretizuar me talentin e
balerinit. Prindërit e mbështetën në të gjitha përpjekjet e tij për t’u formuar
si balerin, pasi shpresonin se një edukim me baza dhe i specializuar, do t'i
ofronte djalit perspektivat më të mira për të ardhmen.
Nga
familja, Eno Peçi mori vlerat më të mira, që çdo fëmijë dëshiron të trashëgoi
nga prindërit. Nga baba Fatmiri mori disiplinën, rregullin dhe serjozitetin,
nga nëna Vjollca mori ndjeshmërinë, pasionin, impenjimin shembullor dhe këto
vlera familjare të fituara gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, kontribuan në
kompletimin e edukimit, në pjekurinë dhe rritjen e përgjegjësisë në studimet në
lice dhe për të ardhmen në rrugët e jetës.
Në
vitet kur frekuentonte liceun, Eno filloi të ndiqte koncertet e vitit të ri të
Filarmonisë të Operas së Vienës dhe i magjepsur nga valset e Strauss-it dhe
interpretimet virtuoze të grupit të balerinëve, filloi të ëndërroi të ishte
pjestar i baletit, madje me vehte theksonte: “Sa do të doja ta provoja dhe
unë!” Kështu gradualisht nga një dëshirë, Vienna u shndërrua në një objektiv.
Vitet
e frekuentimit të Liceut Artistik në Tiranë, Eno i kujton me mall me shoqërinë
e sinqertë dhe gazmore të moshatarëve, ashtu shpreh respekte dhe nderim për
pedagogët e tij, që kontribuan në edukimin dhe formimin si balerin i
suksesshëm, çka e shpreh në intervistën me Elida Buçpapaj, kur ajo e pyeti:
“Edukimin si balerin e keni marrë në shkollën shqiptare, si është Liceu ynë
Artsistik? Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas të Vjenës,
çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare? Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të
cilët i kujtoni me nderim.”
Eno
iu përgjigj me sinqeritet dhe me kompetenca: “Shkolla e baletit shqiptar është
trashëguese e shkollës të baletit rus, kurse shkolla e baletit të Vjenës është
shkollë europiane e përzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe të
metodës franceze. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë të
shquar si Luan Shtino dhe me profesor Agron Aliaj, të cilët më kanë ndihmuar
shumë në formimin tim si balerin”.
Vlerësimet
për nivelin e lartë të shkollës shqiptare të baletit, Eno i ka shprehur në disa
intervista me gazetarë të shumtë austriake, duke theksuar: “Formimi në shkollën
e baletit në Tiranë, më ndihmoi të integrohem shpejt në shkollën e famëshme të
baletit vienez”.
Vitet
e rinisë së brishtë të liceistit Eno Peçi u tronditën nga trazirat e viteve
1997 – 1998, nga ato vite të mbrapshta të marrëzisë së madhe shqiptare.
Megjithë tensionet sociale dhe politike, Eno nuk i ndërpreu studimet dhe provat
në sallën e baletit me shokët dhe shoqet e klasës. Prindërit të shqetësuar e me
ankth prisnin kthimin në shtëpi të Enos. Rrëmujat, tensionet dhe krismat e
armëve nuk e trembën Enon, përkundrazi çdo ditë studionte dhe ushtrohej në
pjesë baleti, madje duke parë aftësitë e tij, filluan ta aktivojnë dhe në grupe
artistike. Në vitin 1998 u organizua një turne në Itali, me një grup artistësh
të këngëve dhe valleve popullor, ku bënte pjesë dhe Eno Peçi. Ky turne shembi
pasiguritë e Enos, i cili mori një vendim të rëndësishëm dhe në mëdyshjet të
kthehej në Tiranë të prindërit, apo të shkonte ne Vienë te motra e tij Elisa
Arapi Peçi, me bashkëshortin Taulant Godaj dhe fëmijët.
Ato
ditë që ndodhej në Itali, iu telefonoi prindërve për t’i informuar për këtë
vendim, si kuptohet u ndodh para lutjeve të nënës Vjollca dhe kërkesave të baba
Fatmirit të kthehej në Tiranë pranë familjes. Në zgjidhjen e kësaj dileme të
vështirë, duhej një vendim i guximshëm dhe më së fundi me dhimbje iu komunikoi
prindërve se do të shkonte në Vienë. Natyrisht ata me zemër të lënduar ia dhanë
lejen, të bindur së në Vienë jeta e tij do të ishte e sigurtë dhe me perspektivat
profesionale. Atë ditë familja u nda në dy pjesë Eno dhe Elisa në Vienë, mama
Vjollca dhe baba Fatmiri në Tiranë, të rënduar nga dhimbja dhe lotët e mallit
përvilimtar për fëmijët.
Eno
Peçi 16 vjeçar udhëtoi nga Italia në Austri dhe arrijti në Vienë ne fund të
gushtit 1998, ku e
pritën
motra Elisa e cila asi kohe punonte mjeke në një klinikë private në Styria dhe
kunati Taulant
Godaj,
i cili kishte përfunduar studimet në Danube Business School – Universtät Krems.
Djaloshi
Eno Peçi i gëzohej Vienës së bukur, kryeqytetit të kulturës europiane, por
ishte dhe i ndrojtur se nuk e njihte gjuhën gjermane dhe natyrisht nuk njihte
jetën vieneze. Menjëherë u regjistrua në kursin e gjuhës gjermane dhe me
vullnet admirues, shpejt e përvehtësoi e filloi të flasi rrjedhshëm, si e
manifestoi në konkursin për të ndjekur Shkollën Shtetërore të Operas dhe
Baletit të Vienës.
Në
testin e pranimit anëtarët e komisionit i bënë shumë pyetje dhe Eno me
gjakftohtësi iu përgjigj të gjithave saktësisht. Kur doli nga konkursi mendoi
se nuk do ta pranonin, andaj u largua menjëherë pa pritur rezultatin. Motra
Elisa që e priste, donte të dinte rezultatin, por ai nuk mund t'i thoshte
asgjë: kishte bërë më të mirën, por mendoi se kishte dështuar. Me vështirësi,
Elisa e bindi të kthehej dhe të pyeste për rezultatin. Ndërkohë, ata të
komisionit po e kërkonin, t’i komunikonin vendimin e pranimit në shkollën e
baletit të Operas të Vienës. Komisioni e kishin njohur dhe vlerësuar talentin e
tij të madh andaj e pranuan në shkollën e famëshme të baletit. Atë ditë, Enos
iu realizuar ëndërra, dy vjet do të studionte balet në Vienë!
Në
intervistën me Elida Buçpapaj, Eno me sinqeritet djaloshar i konfidon: “Ato dy
vitet e para ishin shumë të vështira për mua, sepse më mungonte vendi im dhe më
mungonin shumë prindërit. Por ato vite ishin tejet të rëndësishme për moshën
dhe për të kurorzuar me sukses studimet. Fillova të mësoja se çfarë ishte
përgjegjësia për jetën, se isha vetëm në një qytet të madh, por ndjeja dhe përgjegjësi profesionale, sepse ishin dy vitet
ku unë mund të merrja një formim të fortë në shkollën e baletit të Vjenës, që
do të më garantonte të ardhmen time si balerin profesionist”.
Ky
sukses i Enos i gëzoi prindërit, që u lumturuan që i vogli i tyre tani do të
studionte në Vienë, por nga ana tjetër, kjo ndarje ishte po aq e dhimbëshme,
sepse e ndjenin shumë mungesën e tij. Për të ndjekur shkollën e baletit dhe
sistemimin ne konviktin në Boerhavegasse, baba Fatmiri dhe nëna Vjollca shitën
apartamentin e tyre në Tiranë, për ta mbështetut finaciarisht Enon dhe Ai iu
është pafundësisht mirënjohës për këtë sakrificë të rrallë të prindërve. Më
nënën dhe babanë, Eno flet shpesh në telefon, madje i fton shpesh në Vienë dhe
gëzohen së bashku familjarisht.
Vijon në numërin e
ardhshëm ...