Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Vaj i ndryshkur moteve

| E hene, 26.02.2024, 06:42 PM |


Tahir Bezhani

VAJ I NDRYSHKUR MOTEVE...

(Refleksion pas emisionit në TV Syri, 14.shkurt, 2024)

Një fotokujtim të nënës shpalosa sot

Më shumë se gjysmë shekulli kaluar

Më erdhi e gjallë si dikur

Kur fëmijë më la, pa lamtumirë

Nuk bëzante, e mallëngjyer më shikonte

Nuk rrëfeja brishtësinë e jetës

As vuajtjet nuk ia tregoja

Me sy akulli në dhomën e mërdhirë

Tregoja në emision mallin e djegur

Dhimbjen  e  përjetshme në foto

Ndërsa gazetarja më pyeti:

“A mund të deklamosh  vargje për nënën?...”

Jo!- i fola!

Nuk e marr me vete zjarrin kurrë

E ruaj në dhomë, në palë librash

Lapidar kujtimi ndër mote

E ngroh shpirtin në vetminë e përmalluar

Kur valët e mallit avullojnë  dënesje

Laj sytë me lotin e ndryshkur erë dheu

Në dyshekllak kulle djegur

Për Zogaj, Bytyçin, Tropojën

Zjarrit nëse flaka i shuhet

Rindizet shkëndijave të mallit....

Gjakovë, 15 shkurt, 2024