| E shtune, 24.02.2024, 07:57 PM |
Pergatiti Fritz RADOVANI:
100 VJET PERPARA
FLET AT
GJERGJ FISHTA!
1924, AT GJERGJ FISHTA N’ AMERIKË,
dhe çeshtja e perparimit në Shqipni.
(Dokumenti i pabotuem origjinal asht në
Arkivin e Shtetit Tiranë.)
Janë tre muej që At
Gjergj Fishta O.F.M., Françeskan dhe Deputet në Këshillin Kombtar, gjindet
n’Amerikë, e shumë kush nder Shqiptarë të ktûshem, qi endé s’kanë pasë rasë me
u pjekë me Tê, janë interresue të dijnë qellimin e t’ardhunit të Tij në Botën e
rè – n’Amerikë.
At Fishta i trembej coptimit të trojeve shqiptare, simbas
interesave të grupeve politike, që lirinë e pamvarsinë e kishin kthye në një
“vlerë” për nevojat e tyne, dhe jo për të mirën e Shqiptarve.
Edhé né të redaksisë së
“Diellit” na ká rá me kênë të pvetun mbi ketë çeshtje; prandej, tue u ndollë në
këto ditë At Gjergj Fishta këtû në Boston: Mbasi edhè ndjesi miqsore të
kahershme e njëmori idealesh kulture e perparimi e lidhin me Kryetarin e
Federatës “Vatra”, z. Faik Konitzen: Muerme rasen, njëditë që edhe në Redaksinë
tonë, t’a pyesim familjarisht, se: Cili ishte qellimi, qi e kishte sjellë e
prue këtû në ket dhé?
•E qe se shka na u
pergjegjë Deputeti i Shkodrës, mbasi formalisht na deklaroj njëherë mâ perpara,
se s’kishte kurrnjë misjon zyrtar prej anës së Qeverisë s’onë Shqiptare:
“- Po m’vjen fort mirë,
na tha, që po ma lypni ketë fjalë, pse kështu tash po m’bjenë rasa t’ju flas
edhé mbi do çeshtje, që âsht mirë t’i dijnë Shqiptarët e Amerikës e sidomos, të
Federatës “Vatra”.”
Fjala e At Gjergj Fishtës:
“Shqipnija, si dihet,
sot âsht e lirë. Shka para këtyne pêsmëdhetë vjetve per né do t’ishte kênë
teper anderr me e pasë pa, sot po e shofim të realizueme. Na sot kemi një
Parlament t’onin, një Qeveri t’onen e një Këshill të Naltë Regjencet, që
pervetson në vedi sovranitetin dhe pamvarsinë e Popullit Shqiptar. E as nuk ká
mâ turqë në Shqipni, as grekë, as serbë, as italjânë: Ká vetëm Shqiptarë të
lirë! Triumfi i idealit t’onë – I Françeskânve të Shqipnisë. Të tanë kombi e
di, po, se me sa ndergjegje Françeskântë Shqiptarë janë mundue t’a kryejnë
detyrën e vet ndaj Atdheut, në daçi me mjete kulturale, në daçi tue marrë pjesë
aktive nder të gjitha levizjet kombtare per lirinë e Atdheut.
Endé qet avull gjaku i
Françeskanit Shqiptar atjé në Kosovë, qi nëper bajoneta të sllavit ju bâ flij
Atdheut! Por liria e pamvarsia e një shtetit nder kombe të qytetnueme nuk janë
per këta, që ndonjë njeri ase ndonjë kastë e shtetit mund të losë me fatin e
popullit si të duen, pa kontroll të tjerve; shka ndollë ndër shtete autokrate e
despotike sidomos kombet barbare: Por per t’i sjellë të maren popullit, tuj e
bâmë me perparue materjalisht e moralisht. Prandej, tue kênë se e mara e
perparimi i një populli rrjedhin prej gjêjes së tij ekonomike e prej shkalles
së zhvillimit të mendjes së tij, merret vesht mirë fillit, se prej një populli
të qytetnuem, posë se i lirë politikisht, lypet që ai të jetë i lirë edhe
ekonomikisht, e që qytetasit e tij të ndollin në një shkallë kulture të
mjaftuehsme, për me dijtë me krye detyrat me ndergjegje e me perdorue tagret me
kohë, me vend, me mënyrë; si edhé me pasë aq zotsi, sa me u bâ ballë si duhet e
sa duhet nevojave të reja të jetës, në të vuemit e të cilave rrin perparimi i
popujve të qytetnuem. Si shifet, prá, prej shkallës së kulturës së një populli mvaret
e gjithë jeta e tij politike e ekonomike, si edhe i gjithë perparimi i tij.
Tash unë po pyes Zotnin t’uej; Populli Shqiptar, që sot
politikisht âsht i lirë e i pamvarun, a ka një shkallë kulture aq të naltë sa
me i kuptue si duhet e sa duhet detyrat e veta?
Puna e tij a prodhon aq sa lypet per me jetue mirë e pa u
bâ ky robi i huej ekonomikisht? N’ atë shkallë kulture, n’të cilën gjindet sot
shqiptari a âsht pernjimend i zoti të perparojë? Kur të vemë oroe, se sot
per sot në Shqipni, pa kênë caktue endé kufijtë e sajë e tue u dijtë, se pa një
Qeveri të vendasve shteti s’mund të ketë kredi perjashta e me vue oroe, po
tham, se në pêsë javë mund të ndrrohen pesë Ministri: se shqiptarët, të cilët
perpara u vritshin kokrra-kokrra, sot vriten çeta – çeta e jo, si motit, per
pikë nderit a erzit, por per katër kamë të “kolltukut” të njanit a të tjetrit
Minister a Deputet të kombit: Bakajt, hamajt, matrapazat, teneqexhi, kallajxhi,
analfabetë gjithfarësh, mund të vênë s?nin me u ngjitë nder zyret edhé ma të naltat
e Shtetit: se ushtria e jonë – mbrojtja e jetës kombtare – mund të lëshohet
nder duer oficierash, qi, para këtyne dhetë vjetve kanë vra e pre, e vjerrë, e
djegë, e pjekë shqiptarët, për arsye qi këta lypshin lirin’ e jetën kombtare;
se nder zyre të financave tona mund t’u jepet punë edhe atyne mehmurve, qi
kohen e kalueme kanë mujtë të jenë têja, a ma mirë me thanë, rrenimi i financave
të një Shteti të huej: Kështu edhe kur të merret parasyshë, se edhe sot
Shqiptari, me gjithë liri e pamvarsi të veten, han bukë thatë e bishta
purrijsh, si perpara: Se Qeverija s’ka kenë e zoja as me çilë kund një pash
rrugë të re, as me meremetue kund një pash aso rrugash, që na i lanë ushtritë e
hueja: se taksa daganore mund të mos vehet mbas interresave të gjalla të kombit,
due me thânë, mbas peprarimit të bujqësisë, të tregtisë, t’indrustrisë e mbas
natyret të perpjekunave tona me Shtete të hueja, por mbas nevojës së kashës së
Financave, sa per të mbajtë në kamë zyret me rroga àr, të cilat zyre, masandej,
mund do të jenë të hapuna, ndoshta jo aq mbas nevojave të Shtetit, sa mbas
numurit të kushrijve, miqve e të dashamirve të ministrave e të nëpunsave të
naltë të tyne, mjerisht duhet me thânë, se Populli Shqiptar s’ká as kuptimin e
as ndergjegjen e vertetë të lirisë politike individuale e kolektive; s’ká
zotsinë e mjaftueshme, per me mbajtë pamvarsinë ekonomike të veten, e se
prandej, as gjindet në një shkallë kulture aq të naltë, sa me sigurue
perparimin e vet, pa të cilat veti një popull as mund të jetojë e as s’duhet të
jetojë si shtet i pamvarun.
•Atëherë, mbas fjalve të Zotnisë s’Uej, i thame
Deputetit të Shkodres, Populli Shqiptar as mujka me jetue, as u dashka që të
jetojë i pamvarun?
- Un nuk e thashë ketë fjalë, na u pergjegjë; por fundi
aty del.
Si janë njerzit e punët në Shqipni, sot per sot kurrkush
s’ja shef hajrin pamvarsisë së Shtetit Shqiptar, perposë zyrtarësh e
parlamentarësh. E po, a per të mbajtë me rroga àr nja tri a katërmijë zyrtarë,
të cilët, jo se janë, por mbas mentalitetit, qi frymzon njerzit e punët në
Shqipni, mund do t’ ishin edhe asish, që kanë mujtë me vra njerëz me pare: që
kanë mujtë me vra bujqit per t’ju pushtue tokën: që kanë pushtue tokët “miris”;
që per interresa të veta, per një “qifllik”, per një “titull”, do t’ishin gati
të pshtyejnë n’Atdhé e n’ndijesitë mâ shêjta të jetës: vetëm për me mbrojtë, po
thom, me rroga àr këta tri a katër mijë zyrtarë, Populli Shqiptar do të livroj
tokën, do të bâjnë tregun, do të punojnë zanatin, do të marrë shtegun e të
kalojë mal e dèt’ e të vijë n’Amerikë, të rreshket me natë e ditë në zjarm të
fabrikave!
Një pamvarësi këso dore mund të hyjnë në punë, ndoshta,
në Zanzibar, në Marok, në Turki, por jo në Shqipni!
Po s’perparoj Populli Shqiptar moralisht e materjalisht,
né pamvarsija s’na duhet asgjâ. Lirim, Pamvarsi, Qeveri, Parlament, Këshill’ i
Naltë e s’di shka tjeter s’mund të kenë farë kuptimit per né, déri që populli
mos të vêhet n’at shêj vendit që të perparojë; janë një lojë fjalësh, per të
mbajtë popullin n’errsinë per dobi të do njerzve që kuptojnë Qeveri, por jo
Atdhé.
E ndoshta, shi per ketë punë i ngrati Populli Shqyptar,
megjithse paguen tash dy vjet shtadhetenandë Deputetë, s’ka endé një statut,
s’ka endé një formë politike të caktueme të shtetit të vet, e âsht i ngushtuem
të mbahet per një ligjë ibride qi s’ âsht ekspresjoni i shpirtit të tij e që
kurrsesi s’mund të perkojnë me nevojat t’jetës së qytetnueme të sotme.
Por, në tjeter anë, kur të vêmë oroe ushtarët Shqiptar,
të cilltë, per kah dishiplina, per kah shpirti marcial e sjellje n’ushtrime,
mund të percaktohen me ushtar t’ushtrive mâ të para t’ Europës:
Kur të vêmë oroe oficerat e rìj të tonët (pa)nderlikim
besimit që, janë rritë me ndijesi kombtare e ushtrue nên dishiplinë të
shkollave ushtarake të do kombeve qi trimnin e burrnin i kanë zanat, janë gati
të bajnë flij per të mirën e Atdheut, jo vetëm vedin, por edhe shtëpijat e
fshatet e veta: kur të vênë n’oroe prap zyrtarët e rìj tonë, që edhé këta rritë
me ndijesi kombtare e frymzue me dashtni Atdhetare, jo vetëm që kanë kompetencen
e punës, por edhé kuptojnë në të gjithë hapsinën e vet detyrën e nderen e
zyreve adminstrative: e sidomos, kur të marrin parasyshë ndigjesen e popullit,
që bân, sado që dron se djersa e tij derdhet kot nepër mejhana sidomos, të
Tiranës, e nep djelmët e vet ushtarë, sado që shef se s’po i mbesin perballë
t’anmikut në kufi t’Atdheut, por ferrave e shkurreve mbrenda Shqipnijet
perballë të vllazenve të vet, tue luftue per shkas t’ambicjoneve të poshtme të
do zyrtarve, që janë bâ “shqiptar” qyshëse kanë dalë rrogat àr e që kanë kênë,
janë e kanë me kênë gjithmonë ekspresjoni i regresit e i barbarisë azjatike:
pse ujku ndron qymen, por jo vesin: tuj marrë parasyshë, po thonë këto fakte,
do të thonë edhe që Populli Shqiptar jo veç, se mund të jetojë, por se do të
jetojë i Pamvarun.Gjallnija e shpirtit Shqiptar âsht veshkë e jo tha: e kanë
veshkë mentalitetet e hueja, që, si bimë parasite në një landë, janë shartue në
tê perdhuni; prandej, po mujtem na me i krekcue me kohë këto mentalitete t’hueja–këto
gallica parasite t’shpirtit Shqiptar, pamvarsija, sovraniteti e jeta kombtare e
Popullit Shqiptar janë të sigurueme pergjithmonë.
•Jemi kryekput një mendimit me Ju “Uratë”; por si
thoni Ju, se mund të pastrohet psikja e Popullit Shqiptar prej mentaliteteve të
hueja, para se të na i pertrihet ndonjë rrezik jetës sonë kombtare e politike?
E pvetem atëherë At Gjergj Fishtën, i cili na u pergjegjë këso dore:
- Mbas mendimit tem kishe me thânë, se puna ma e parë që
do të bajnë Shqiptarët, per me pshtue kombin prej rrezikut, qi i kercnohet per
shkak të ndryshimit të mentaliteteve âsht ky: Mos me lanë të kenë dorë në
Qeveri e n’adminstratë të gjithë ata Shqiptarë qi kanë kenë edukue mbas
mentalitetit sidomos të Stambollit, t’Athinës e të Venedikut; pse, tue kenë
këto tre qytete tri qendra të daluna mifshliz, këto s’kanë zotsinë t’a rrisin
menden e nierit mbas ekzigjencave të kohve e të vendit, por vetem mbas
andrravet të një lumnisë së kalueme: prandej kultura e këtyne qytetasve s’ká
mujtë të formoj qytetas me ndijesi si e lypë nevoja e Atdheut, por kanë
trajtue, individë të dhanun me mish e me shpirt mbas atyne popujsh, qi motit
paten krijue këto tri kultura, aq sa me mrrijtë me u quejtë me emna të tyne e
me lakmue me u bâ robt’ e tyne.”
Shenim
F.R.: Dokumenti origjinal i perket vitit 1924. Plot 100 vjet perpara!
Pyetni
veten: Po sot, në 2024, ku jemi?!
Melbourne, 24 Shkurt 2024.