| E hene, 19.02.2024, 08:56 PM |
“Kanceri” Rama duhet “operuar” urgjent
Nga
Eshref Ymeri
Që
kur diktatura neokoministe e Ramës izoloi në shtëpi Kryetarin e opozitës,
Prof.dr. Sali Berisha, mbështetësit e tij, çdo pasdite, kanë organizuar tubime
proteste pranë pallatit ku ai banon, për të ngritur zërin kundër pushtetit të
Ramës, i cili, që prej shtatorit të vitit 2013 dhe deri tani, i ka bërë gjëmën
popullit shqiptar me politikën e varfërimit të pandalshëm nëpërmjet rritjes së
pandërprerë të taksave dhe të çmimeve, çka ka sjellë si pasojë shpopullimin
katastrofik të vendit tonë.
U
bënë disa ditë që organizatorët e atyre tubimeve, të gjithë anëtarëve dhe
smpatizantëve të Partisë Demokratike, u janë drejtuar me thirrjen për të marrë
pjesë në protestën madhështore të 20 shkurtit, ditës simbol të rrëzimit të
diktaturës komuniste, kur shtatorja e kryekriminelit Enver Hoxha në Sheshin
“Skënderbej” qe flakur në tokë 33 vjet më parë.
Duke
pasur parasysh këtë ditë simbol, çdo qytetar opozitar me vetëdije të lartë kombëtare,
ka krijuar bindjen se 20 shkurti do të jetë dita e fundit e sundimit të
diktaturës neokomuniste të Ramës, çka, normalisht, do të pasohet me krijimin e
një qeverie teknike dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme. Por kur qytetari
opozitar me vetëdije të lartë kombëtare, njihet me deklaratën e fundit të
kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ai
ndien një zhgënjim të thellë tronditës në qenien e vet.
Në
një njoftim, të botuar në një faqe interneti, thuhet:
“Kryetari
i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka mbledhur paraditen e kësaj të
diele, strukturat e PD-së në Devoll. Bardhi foli për rezultatin e dobët në
zgjedhjet vendore të opozitës, teksa u shpreh se nuk ishte ai që ne prisnim. Megjithatë,
ai shprehu bindjen se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 PD do të dalë
fituese” (Citohet sipas: “Bardhi: PD do të jetë fituese në
zgjedhjet e 2025-ës”. Faqja e internetit “CAN”. 18
shkurt 2024).
Në qoftë se me këtë deklaratë Gazment Bardhi shfaqet në
publik si përfaqësues i të gjithë Partisë Demokrtatike dhe i krejt simpatizantëve
të saj, atëherë duhet ardhur në përfundimin se organizatorët e tubimeve pranë
pallatit të Prof.dr. Sali Berishës po luakan një komedi të lezetshme para
elektoratit të djathtë, të cilin po e mashtruakan në një mënyrë sa të
pahijshme, aq edhe të pabesë. Atëherë rezultuaka se elektoratit të djathtë iu bëka
thirrje për t’u mbledhur thjesht për një teferiç në Bulevardin “Dëshmorët e
Kombit” , ku do t’u mbakan disa fjalime të ekzaltuara dhe mandej njerëzit do
t’u shpërndakan secili në shtëpinë e vet. Nëse Gazmendt Bardhi dhe drejtuesit e
tjerë të Partisë Demokratike menduakan për fitoren e zgjedhjeve në vitin 2025,
atëherë përse u organizuakan ato tubime pranë pallatit të Prof.dr. Sali Berishës?
Përse u dashka organizuar protesta e 20 shkurtit? A nuk do të ishte më mirë që
drejtuesit e partisë dhe organizatorët e tubimeve t’i futeshin punës në të
gjitha strukturat e partisë, që nga Tirana deri në zonat më të thella, duke
trokitur në çdo derë, në qytet dhe në fshat, për t’i zgjuar njerëzit nga
letargjia e skllavërisë, ku i ka zhytur gënjeshtari dhe mashtruesi i regjur Rama?
Përfundimisht, nëse protesta e 20 shkurtit nuk do të
shënojë përmbysjen e neokomunistit Rama dhe të bandës së tij nga pushteti, nëse
ajo protestë do të përfundojë ashtu si edhe protesta e 07 korrikut 2022, atëherë
duhet thënë me bindje të plotë se për demokratët e vërtetë dhe simpatizantët e
Partisë Demokratike, ajo “Rruga e Shpresës” do të shndërrohet një herë e mirë në
“Rrugën e Mashtrimit dhe të Zhgënjimit të Madh”. Dhe Partia Demokratike jo
vetëm që nuk do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2025, por do t’i duhet që të presë
fitoren e neokomunistëve të Ramës edhe në vitin 2041, me rastin e festës së
100-vjetorit të themelimit të prostitutës komuniste të Miladin Popoviçit dhe të
Dushan Mugoshës.
Feniks, Arizona, 18 shkurt 2024