Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Tahir Deda - Shqiptarët dolën në luftë për të Bashkuar Kosovën me Shqipërinë

| E merkure, 14.02.2024, 09:20 PM |


T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

TAHIR DEDA “UNË” -SHQIPTARET DOLËN NË LUFTË PËR TË BASHKUAR KOSOVËN ME SHQIPËRINË

(1910 - e pushkatuan më 5 shkurt 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Tahir Deda u lind më 1910, në qytetin e Gjakovës. Ishte i biri i Zejnelit dhe i Esmas. Në kohën kur u arrestua ishte 35 vjeç. Ishte administrator në Këshillin Krahinor në Prizren (pranë Departamentit për Tregti dhe Furnizim). I martuar, pa fëmijë, me gjendje ekonomike mesatare, dhe i padenuar deri atëherë.  Tahir Deda ishte intelektual dhe shokë i idealit i Halim Spahisë, Rifat Krasniqit, Kajtaz Ramadanit e shumë të tjerëve. Në Këshill e kishte punësuar Halim Spahia, menjëherë pas lufte, në muajin nëntor. Ai i kishte premtua se poqese  zgjidhet kryetar i Këshillit të Rrethit, atë do ta merrte pranë vetes. Dhe ashtu kishte ndodhur, me rastin e marrjes së detyrës në Këshill, Halimi e kishte marrë pranë vetes dhe i kishte dhënë për detyrë që të kontaktojë me njerëzit që të punojnë për organizatën e NDSH-s. Ai i kishte tregua se kishte kontakte me Abdullah Rexhepin, administrator në Drejtorinë për Tatime në Prizren, Rexhep Kabashin, sekretar të Komunës së Lubizhdës, Hasan Rrustemin (daktilograf ) që kishte punua me të në zyrën e Këshillit të rrethit dhe që të gjithë ishin pajtua që të punojnë për organizatën.

Tahiri dëshmon se para se të punësohej në Këshillin e Rrethit si administrator,  me askënd nuk kishte bërë fjalë për formimin e komiteteve, veçse me takimet e shpeshta që kishte me Fehim Ibrahimin, tregtar nga Prizreni, përndryshe iniciator  për formimin e Komitetit Qendror, ai ishte pajtuar që të jetë anëtar dhe të angazhohet në organizatë. Me zbulimin e veprimtarisë së organizatës ilegale dhe arrestimit të tyre, në bazë të aktgjykimit të Gjyqit Popullor Krahinor për Kosovë e Metohi me numër Gj.Nr. 17/ 45, ai u morr 16 herë në pyetje. Për herë të parë u morë më 3 korrik, 1945, për të vazhduar pastaj me 4, 8, 9, 10, 13, 24, 27 korrik 1945, më 3, 6, 8, 13, 25,  gusht, 3 shtator 1945. Në hetuesi Tahiri tregohet i patembur dhe i guximshëm dhe se në asnjë moment nuk hezitoi të tregonte për veprimtarin e vet ilegale. Haptas iu tha hetuesve se ndaj popullit shqiptarë po bëhen padrejtësi të mëdha. Se shqiptaret dolën në luftë për të bashkuar Kosovën me Shqipërin, e jo për të mbetur përsëri të okupuar nga Jugosllavia etj. Pranon se ishte anëtar dhe kishte veprua në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Pranon se u angazhua shumë që të formoi komitete anëekëndë Kosovës, dhe kishte arritur të formoi disa prej tyre. Ishte anëtar i Komitetit të Rrethit të NDSH-së në Prizren, dhe kishte pasur  lidhje me Feim Ademin, tregtar nga Prizreni. Se, nëpër mes atij kishte rënë në lidhje me Komitetin e NDSH-së. Direktivat dhe udhëzimet i kishte marrë nga Halim Spahia, i cili i kishte udhëzuar që menjëherë të fillojnë me formimin e komiteteve të rrethit në të gjitha rrethet e Kosovës e të Dukagjinit.

Tahiri kishte bashkëpunuar ngushtë me Halim Spahin dhe nga ai kishte marrë për detyrë që nëpërmes Komitetit të Rrethit në Prizren, se duhet t’i formojë edhe pesë komitetet të rretheve dhe atë në: Rahovec, Suharekë, Prishtinë Podujevë dhe në Ferizaj. Për formimin e Komitetit të Rrethit në Rahovec, i kishte dhënë për detyrë hoxhë Maliqit. Ndërsa për formimin e komitetit në Rahovec, kishte rënë në kontakt me Kadri Minushin, dhe atë e kishte informuar se në Rahovec ekziston komiteti i vjetër, por tani me këtë urdhër atë do ta përforcojnë me njerëz të rinj. Në Komitetin e Rahovecit u propozuan edhe tre veta, anëtarë të rinj që të hynë në Komitet si: Ahmet Dërguti, Ismail hoxhë Gashi dhe Sheh Mujedini. Edhe Komitetin në Suharekë e kishte formuar Tahir Deda. Ai ka qenë i përbërë nga: Muhamed Reçani, Ibrahim Avdyli, Sadik Peçani dhe Qamil Mushetishti. Komitetin në Podujevë po ashtu e kishte formuar ai-Tahir Deda. Ai kishte rënë në kontakt me Murat Ademin, duke i dhënë për detyrë, që t’i gjejë edhe disa njerëz të tjerë për themelimin e Komitetit në Podujev, por mbi të gjitha e kishte këshilluar që ata persona duhet të jenë njerëz të besës dhe të ndershëm. Ndërsa detyrën për formimin e Komitetit në Prishtinë ia kishte besuar Ramadan Kajtazit nga Prishtina. Kajtazi menjëherë kishte pranuar që të formojë komitetin në fjalë, por paraprakisht e kishte pyetur se a ekziston ndonjë komitet demokratik në Prishtinë. Tahir Deda e kishte njoftuar se kishte, dhe së shpejti do të lidhen edhe me ata. Ndërsa formimin e komitetit në Ferizaj ia kishte besuar hoxhës Ahmet Efendiut nga Ferizaj, duke i treguar se duhet menjëherë të formohet komiteti me njerëzit e zgjedhur nga këtu, dhe duhet lajmëruar në afatin sa më të shkurtër Tahirin. Hoxha kishte pranua që të formonte komitetin, dhe menjëherë kishte fillua me punën duke biseduar me personat me të cilët kishte besim dhe donin që të angazhoheshin.

Të gjitha këto organizime të komiteteve gjatë tërë kohës ishin bërë me konsultimin dhe urdhrin e Halim Spahiut. Komitete u formuan në gjashtë rrethe, duke e marrë parasysh edhe Prizrenin. Për formimin e komiteteve në rrethet e tjera kishin bërë plane porse nuk kishin arritur, për hir se ishin zbuluar dhe para hetuesve kishte thënë se i vinte keqe që nuk kishte arrit me i formua edhe komitetet e tjera. Qëllimet e kësaj organizate ishin: Me i organizua masat, popullin kundër pushtetit jugosllav, edhe këtë me arsye se shumica e pushtetarëve që ishin vendosur në Kosovë, kishin ardhur nga radhët e Drazha Mihajloviqit, dhe ishin futur në radhët e komunistëve, dhe nën 2. Për me grumbullua sa më shumë ndihma për organizatën.

Detyrat që i parashtruan anëtarët e NDSH-së, për punën e komiteteve kanë qenë: Menjëherë të formohen komitetet e vendeve dhe komunave dhe në bazë të mundësive edhe ato nëpër fshatra;  Me formimin e komitetit  të caktohet një person përgjegjës për të grumbulluar ndihma; Çdo komitet duhet të ketë lidhje me komitetin më të afërt (kjo vlente vetëm për komitetet e rretheve); Korrierët për bartjen e postës dhe lidhjeve duhet të caktohen personat e besueshëm dhe të sigurt. Në mungesë të tyre, munden me u angazhua edhe gratë; Nuk duhet me pas asnjë lidhje me organizatën e D.M. (Drazha Mihajlloviqit); Duhet shikuar që sa më shumë njerëz të Organizatës, të futen dhe të punësohen në pushtetin popullor dhe në institucione tjera; Pas formimit të Komitetit Qendror, komitetet do të marrin direktiva dhe udhëzime të kompletuara për punët në çdo komitet të rrethit; Nuk duhet me nxit asnjë incident, të cilat do të shkojnë në dëm të popullit shqiptar. Është theksuar edhe kjo se në komitete duhet pranuar njerëzit e besueshëm dhe deri në fund të jenë të besueshmit e lëvizjes patriotike ilegale shqiptare. Për punët e komitetit, Tahiri gjithashtu kishte qenë i angazhuar që t’i informojë dhe atë me anën e korrierëve apo me ardhjen e ndonjë anëtari  të komitetit. Veç kësaj organizata e NDSH-së, kishte edhe dy korrier të besueshëm që punoni për bartjen e informatave.

Tahir Deda pas arrestimit dhe gjatë hetuesisë akuzohej se ai kishte formua edhe Komitetin Qëndruar, i cili kishte për qëllim me udhëheqë me të gjitha Komitetet. Dihej se Komiteti Qendror ishte udhëhequr dhe drejtua nga antarët e ngushtë të tij si: Fehim Ibrahimi, Abdyl Regjepi, Hasan Rrustemi, Maliq Balia dhe Basri Salkoviqi etj. Si mbas deklaratës së Tahirit, thuhej se ai në një anë ka mbajtur lidhje të ngushta me njerëzit e ilegales dhe në anën tjetër ka ndikua që sa më shumë shqiptar të futen në organet e pushtetit dhe të njohtojn komitetet për detyrat dhe politikën e tyre. Këtë rrugë e kan ndjekur edhe: Abdyl Regjepi, nënpunës i Fi¬nancavet në Prizren, Hasan Rrustemi, nënpunsi i Këshillit Populluer të Prizrenit e të tjerët. Gjyqi Popullor Krahinor i Kosovës e Metohisë, që kishte organizua procesin gjyqësor nga 20 -27 shtator 1945, me aktgjykimin Gj.nr. 17/45, e akuzonte Tahir Dedën se gjatë muajit qershor 1945, kishte formuar organizatën ilegale  Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar, dhe me vetëdije të lartë është bërë anëtar i Komitetit Qendror me qendër në Prizren. Komitet ky, i cili kishte për qëllim udhëheqjen kryesore politike e ushtarake për Kosovën. E akuzonin se ai kishte formua shumë komitete të rretheve dhe komitete në fshatra të shumta në Dukagjin e Kosovë. Në mënyrë që më vonë të gjitha ato ti nënshtrohen Komitetit Qendror, dhe me përpikëri ti zbatojnë instruksionet dhe urdhëratë që vinin nga lartë, e në momentin e duhur të rrënojnë pushtetin popullor që është ndërtuar në Jugosllavi. Po ashtu këto komitete të bëhen me pushtet me karakter anti-jugosllav, ndërsa komitete e rrethit kanë pasur për detyrë të bëhen komanda ushtarake, të cilat do të ishin nën kontrollin e rreptë të Komitetit Qendror.

Andaj, me këtë qëllim, përveç formimit të Komitetit Qendror, kanë formuar komitetin e rrethit në Suharekë, ku kanë dhënë instruksione dhe kanë dërguar Basri Sallkun për të formuar dhe për ti lidhë komitetet në Ferizaj, Gjilan, dhe Kaçanik. Po ashtu, i kanë dhënë instruksione Murat Ademit për formimin e komitetit në Podujevë, Ramadan Ajvazit për formimin e komitetit në Prishtinë.

Veç kësaj, Tahir Deda s bashku me shokët e organizatës ka mbajtur kontakte me organizata të tjera të ngjashme nacionaliste ku ato vepronin. Qëllimi ishte që ato ti riorganizonin dhe ti futnin nën udhëheqjen e Komitetit Qendror me qëllim që të  bashkohen anëtarët e tyre në luftën dhe punën e përbashkët, për rrëzimin e pushtetit ekzistues.

Pushtetarët e dinin se të gjitha këto komitete ishin kundër pushtetit okupues jugosllav dhe e luftonin okupimin nga ana e saj. Po ashtu edhe pas përfundimit të luftës, 1945, komitetet vazhduan me punën e tyre edhe pas okupimit të Kosovës, dhe anëtarët e Komitetit Qendror për këtë gjë ishin lidhur me anën e Maliq Balisë me Komitetin e rrethit të NDSH-es në Rahovec, duke bërë riorganizimin e tij, si dhe me anën e Fehmi Ibrahimit janë lidhur me Komitetin e rrethit të NDSH-së në Prizren dhe po ashtu e kishin bërë riorganizimin e tij.

Tahir Deda gjithashtu ishte në kontakt të vazhdueshëm me grupet e armatosura në mal, në mes të cilave mbante lidhje me atdhetaret siç ishin: kapiteni Riza Alija, Njazi Alishani, Salih Zhuri, Sadik Rama e shumë atdhetar të tjerë. Kontakte me ta kishin për qëllim bashkimin e të gjitha grupeve që të kryenin aksione kundër partizanëve dhe ushtrisë jugosllave dhe të gjitha këta persona të organizuar të kenë një plan dhe një udhëheqje të përbashkët - Komitetin Qendror të NDSH-së. Anëtarët e Komitetit Qendror për këtë qëllim përmes Tahir Dedës, jepnin udhëzime për grupet në pikëpamje të veprimit ushtarak me plan, dhe me kusht që në shenjën e parë të dhënë nga ata, të bllokohen të gjitha rrugët që mos të ikë asnjë partizanë.

Përmes komiteteve të NDSH-es, ishte e këshilluar që anëtarët e tyre në teren të përhapin propagandën  kundër pushtetit popullor, dhe t’iu tregojnë popullit shqiptarë se në Jugosllavinë e re, nuk kanë kurrfarë të drejtash duke filluar që nga ajo nacionale, e deri te ato politike. Populli shqiptar ishte i pakënaqur me të gjitha këto që vinin nga premtimet e pushtetarëve dhe asnjë nga këto premtime nuk realizohej në realitet. Andaj ishte krejt e natyrshme që populli të shpreh pakënaqësinë e vet duke formuar grupime  të ndryshme ilegale patriotike e politike, që do luftonin shtetin dhe pushtetin e saj okupues- Jugosllavinë e “Re”.

Me tu zbuluar organizata ilegale e NDSH-së, pushtetarët reaguan hapur duke trumbetuar  që populli shqiptarë në Jugosllavinë e re, demokratike e federative i ka të gjitha të drejtat e veta nacionale dhe të drejtat e barabarta me popujt tjerë që në pushtetin popullor të shtetit, në Kosovë e Metohi, gjendet numri më i madh i të punësuarve shqiptarë. Sipas tyre- pushtetarëve thuhej se  shqiptarët janë të shkolluar dhe shkollohen në gjuhën amtare të tyre dhe e përdorin gjuhën e vet si gjuhë zyrtare në institucionet shtetërore, dhe lirisht e mbajnë dhe e paraqesin flamurin e vet kombëtar. E, se sa ishte i kënaqur populli shqiptar më së miri e tregon angazhimi i madh i popullatës shqiptare në organizata ilegale, që e luftonin okupuesin-shtetin jugosllav.

Gjithashtu, anëtarët e KNDSH-së, që punonin në terren, kishin për obligim të mblidhnin të dhëna e shënime në territorin e Kosovës për padrejtësit e shumta që bëheshin ndaj tyre, dhe për numrin e madh të të vrarëve nga bandat partizano-çetnike dhe këtë të dhëna ti dorëzohen Halim Spahisë, dhe me anën e tij, ti dorëzonin shteteve mike të perëndimit, me qëllim që të kuptonin që në Kosovë bëhet terror mbi popullin shqiptar. Gjithashtu një rëndësi e veçantë iu kushtua evidencimit të krimeve të bëra në Drenicë gjatë luftës së Shaban Polluzhës. Me dërgimin e informatave atdhetaret e kishin për qëllim që opinioni i gjerë ta kuptoi dhe të ketë njohuri për gjendjen dhe kërkonin ndërhyrjen e aleatëve në Jugosllavi.

Ishte porosi nga udhëheqësit e ilegales, që sa më shumë njerëz të ilegales të futen në zyra dhe vende me përgjegjësi në pushtetin popullor dhe në institucione ushtarake, si dhe të prapagojën dhe të bëjnë për vete njerëzit  të cilët gjendeshin në pushtet, dhe me anën e këtyre njerëzve të zbulonin fshehtësitë shtetërore të pushtetit të vendosur me dhunë në Kosovë, dhe njëherë me anë të tyre me i zbulua sekretet zyrtare të përditshme, me qëllim që të përfitojnë për veprimin e tyre nga brenda.

Një ndihmës të madhe për ilegalen kishte dhen Halim Spahia me angazhimin e tij, i cili në realitet kishte përkrahjen e disa të huajve dhe ndihmes të madhe jepte ngase ishte i punësuar në organet e pushtetit dhe shumë më lehtë vinte deri te të dhënat dhe i zbulonte sekretet shtetërore.

Tahir Deda, i quajtur “Unë”, akuzohej se ishte fajtor edhe për atë që me qëllim e kishte ndihmuar luftën e armatosur kundër UNÇ të Jugosllavisë, në muajin shkurt e mars 1945, dhe ka hyrë në lidhje me të arratisurit dhe kryetarët e grupeve të armatosura, të cilët kanë marr pjesë në luftën e Drenicë kundër UNÇ-së të Jugosllavisë dhe pushtetit popullor, me profesor Ymer Berishën e të tjerë duke shkruar direktivat me letra informative dhe përmes Muhamet Veselit ka mbajtur lidhje dhe ka rënë në kontakt me kryetarin e grupeve të armatosura Ismail Goranin.

Po ashtu, në muajin qershor të vitit 1945, kishte organizua përmes lidhjeve të veta nga Prizreni dërgimin me grupet e arratisura në mal Ejup Binakun dhe pjesëtarë tjerë të Armatës Jugosllave, me qëllim që në këtë mënyrë ti ndihmojnë dhe forcojnë grupet e armatosura, dhe në këtë mënyrë pushteti jugosllav e ngarkonte se kishte  kryer faj të paraparë dhe të ndëshkuar sipas nenit 11 të Ligjit mbi fajet kundër popullit dhe shtetit.

Në bazë të aktgjykimit të Gjyqit Popullor Krahinor për Kosovë e Metohi me numër Gj.Nr. 17/ 45, ai u morr 16 herë në pyetje. Për herë të parë u morë më 3, 4, 8, 9, 10, 13, 24, 27 korrik 1945, më 3, 6, 8, 13, 25,  gusht, 3 shtator 1945. iu shqiptoi dënimin me vdekje- pushkatim: Halim Spahiut, Tahir Dedës, Rifat Krasniqit, Sefedin Ahmetit, Rexhep Avdullah Kabashit dhe Kajtaz Ramadanit, dhe dënimin e humbjes së përhershme të të gjitha të drejtave  politike e qytetare dhe me konfiskimin e tërë  pasurisë së tyre. Ata gjashtë patriot u ekzekutuan me 5 shkurtit 1946, në Prishtinë.  Pushkatimi u bë në orën 06:00 (gjashtë) të mëngjesit, pa praninë e publikut në vendin e quajtur “Kiseli bunar” në Prishtinë.

Literatura:

Sabile Keçmezi-Basha, Procesi i Prizrenit, Prishtinë 1918

Nuri Bashota, Halim Spahija, Halim Spahia : personalitet i ndritur i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Prishtinë, 2012

Hysen Azemi, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, Vëllimi III, 1945-1947, Prishtinë 2017

https://www.epokaere.com/tahir-deda-bashkepunetori-me-i-ngushte-i-halim-spahise/

https://www.epokaere.com/ja-per-cfare-akuzoheshin-qamilj-jemini-sadik-mehmet-peqani-ibrahim-abdyli-dhe-muhamet-vejseli/

https://pashtriku.org/formimi-i-organizates-ilegale-komiteti-nacional-demokratike-shqiptare-ne-kosove-1943/