Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Vuajtja e ka heshtjen e gjatë

| E hene, 12.02.2024, 08:50 PM |


Tahir Bezhani:

VUAJTJA E KA HESHTJEN E GJATË...

Ecin ditët  ngadalë

Zvarriten ngricave të dimrit

Të heshtura mes peshës së vetmisë

Si akujt strehëve të shtëpisë

E  shpirti  psherëtinë

Asnjë fjalë nuk klithë goja

Në këtë zbrazësi jete

Frymëmarrja gërhanë lëshon në qetësi

Gjithandej përplasen dëshirat

Të rrjepura therrnajave të trishta

E, ec e folë

Edhe  nëse guxon

Shtrembër rrëshqet tehu i fjalës

E në shtrat merimangash varet kuptimi

Mendimet bëhen çues çerepi

E fjala si  gacë prushi

Tenton për ngrohje shpirti

Në këtë zbehtësi kohe që lëngon

Nuk dëgjohet kënga e as hareja

Janë ndry telat e çiftelisë odave

Qyteteve dëgjohet zhurmë e autobusëve

Lartësive shikojmë qiellin

Aeroplanët kur fluturojnë

Zgjue bletësh pistave të aeroporteve

Metropoleve të botës

Me dy gishta përshëndetemi

Me njëri tjetri si puthje

E një Zot e din se ku takohemi tjetër

Në tryezë buke apo në rreth një  sofre,

Fare lehtë ndodhë,

Edhe në lamtumirë te një varr

Vuajtja e ka heshtjen e gjatë

E dënesjës

Me shekuj nuk i mbaron rrugëtimi

Kjo  dëshmi loti si lapidarë

25 janar 2024