| E diele, 11.02.2024, 08:54 PM |
STUDIM QË E NDRIÇON THELLËSISHT VEPRIMTARINË E MAKSIMILIAN LAMBERCIT PËR LETËRSINË SHQIPE
Anton
Nikë Berisha, Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe. Studim monografik.
Botoi Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve – Shkup
2021
Nga Mikel
Gojani
Një
varg studiuesish të huaj janë marrë me përkushtim me letërsinë shqipe dhe me
disa zhanre të saj, mirëpo me veprimtarinë e tyre studiuesit tanë nuk janë
marrë mirëfilli me to dhe nuk i kanë ndriçuar arritjet e tyre më të
rëndësishme, si fjala vjen, të Georg von Hahn-i, Bop-it, Gustaj Myjer-it, G.
Vajgand-it, Maksimlian Lamberc-it, Norbert Jokl-it, Franc Nopça-s etj.
Është
fakt se në disa vepra studimore të autorëve të huaj për kulturën dhe letërsinë
tonë kanë dëshmuar vlera të mirëfillta shkencore që kanë pasur jehonë jo vetëm
në rrafshin ndërkombëtar, por edhe në atë shqiptar. Studiuesit tanë shpesh janë
mbështetur në të arriturat e tyre. Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë në
gjuhësi.
Duhet
thënë se studiuesit e huaj i vështruan dukuritë albanologjike të bazuara në
fakte dhe argumente autentike shkencore, pa ngjyrime ideologjike, siç ndodhi në
botën tonë gjatë kohës së komunizmit, veçmas në Shqipëri.
Njëri
nga studiuesit evropian që me aftësinë dhe dijen e tij sa të gjerë aq dhe të
thellë, dha një ndihmesë të rëndësishme në studimin e disa fushave të
albanologjisë, është studiuesi me origjinë austriake Maksimilian Lamberci. Ai u
mor me mbledhjen e materialeve të letërsisë gojore shqipe, në mënyrë të veçantë
me epikën gojore e me përrallën. Këtë na e thotë autori i studimit: “Ndihmesën
kryesore në fushën e letërsisë gojore shqiptare M. Lamberci e dha në studimin e
dy llojeve: të këngëve kreshnike dhe të përrallës” (f. 83). Mirëpo, Lamberci iu
qas dhe disa veprave të letërsisë së shkruar dhe me mitologjinë shqiptare.
Botimi
i tij i parë albanologjik i Lambercit është ai bashkë me Gjergj Perkmezin
(1872-1938), doracaku për mësimin e gjuhës shqipe Lehr – und Lesebuch des
Albanischen (Vjenë 1913). Në maj dhe qershor të vitit 1916 Maksimilian Lamberci
për herë të parë udhëtoi në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të
Akademisë austriake të shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe
folklorike.
Gjatë
kohës së qëndrimit në Shqipëri ai vizitoi disa vendbanime si Grudën, Shkodrën,
Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, në veçanti Mirditën, ku qëndroi disa kohë,
duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material të letërsisë gojore. Gjatë
asaj kohe Lamberci bashkëpunoi me Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës “Posta
e Shqypnies” (1916-1918) në të cilën gjithashtu botoi artikuj. Në vitin 1958
botoi përkthimin e plotë në gjermanisht të “Lahutës së Malcís” (“Die Laute der
Berglandes), të pajisur me hyrje e me shënime të rëndësishme dhe me vlerë.
Për
të hedhur dritë në veprimtarinë e gjerë të këtij albanologu të rëndësishëm
studiuesi i letërsisë, prof. dr. Anton Nikë Berisha, i është qasur me
përkushtimin dhe seriozitet të madh analizimit dhe ndriçimit të veprave të
Lambercit. Dëshmi e kësaj është studimi i tij monografik “Maksimilian Lamberci
për letërsinë shqipe”, botuar nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe
kulturore të shqiptarëve në Shkup, i pari i këtij lloj në traditën tonë.
Studimi
i Berishës ndriçon sidomos kontributin e Lambercit në fushën e studimit të
poezisë gojore shqipe, të epikës gojore, të përrallës, po, siç u tha, dhe të
disa veprave të letërsisë së shkruar, si, fjala vjen, për veprën e Varibobës,
të Fishtës etj.
Në
Parathënien me titull “Vepër që vendos një standard vlerësimi në interpretimin
e teksteve të autorëve të huaj”, studiuesi i letërsisë shqipe, njëherësh edhe
redaktor i këtij libri, Emin Azemi, shkruan se “Maksimilian Lamberci për
letërsinë shqipe” është një vepër kapitale e Anton Nikë Berishës që e lidh një
traditë studimi të albanologjisë evropianë, sidomos, të albanologëve gjermanë e
austriakë, me lexuesin shqiptar, i cili pak ka qenë i njoftuar mbi kontributin
e tyre. Kjo vepër është një përpjekje serioze, jo vetëm për ta ndriçuar një
veprimtari pak të njohur të Maksimilian Lambercit, por edhe për të vendosur një
standard vlerësimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj mbi
letërsinë dhe kulturën shqiptare. Nga hulumtimet e prof. Berishës, pohon
studiuesi Azemi, rrjedh që Lamberci ka dhënë një ndihmesë të madhe, përpos në
mbledhjen dhe në studimin e thesarit tonë gojor, edhe në prezantimin e
specifikave etno - psikologjike e kulturologjike të shqiptarëve para një
lexuesi të gjerë. Përmes studimeve të tij, sidomos të hulumtimeve të epikës
sonë gojore dhe përrallës, Lamberci kishte arritur ta ndriçojë pasurinë dhe karakterin
shpirtëror e psikologjikë të shqiptarëve përmes një “rëntgeni” të vendosur diku
në malet e Shqipërisë”.
Ndërkaq
autori, Anton Nikë Berisha, në Fjalën e tij paraprake thekson se kërkimet e
fillimit i kishte përqendruar në veprimtarinë e Lambercit në fushën e letërsisë
gojore: “Veprova në këtë mënyrë për arsye se Lamberci rezultatet më të shënuara
e më të qëndrueshme i ka mbërritur në studimin e epikës gojore dhe të përrallës
sonë gojore”. Në vazhdim Berisha vë në dukje se puna e Lambercit është e rëndësishme
jo vetëm për albanologjinë po dhe më gjerë, për Evropën Juglindore nga se “Për
herë të parë epika jonë gojore dhe përrallat tona u sunduan nga rrafshe dhe
aspekte të ndryshme dhe u krahasuan edhe me llojet e ngjashme të traditave të
tjera. Disa mendime të tij nuk e kanë humbur vlerën dhe rëndësinë e tyre as sot
e gjithë ditën”.
Librin
“Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe” autori e ka konceptuar në katër
pjesë: Lamberci njëri ndër albanologët më të shquar; Lamberci për letërsinë e
shkruar shqipe; Lamberci për letërsinë gojore shqipe dhe Autor librash
gjuhësorë – mësimorë dhe përkthyes letrar i përkushtuar.
Në
pjesën e parë të librit Berisha sjell dhe një varg vlerësimesh të rëndësishme
të studiuesve të shquar për veprimtarinë e Lambercit, si, fjale vjen, të Eqrem
Çabejt, i cili e vlerëson lart veprimtarinë e studiuesit austriak: Lamberci me
një shumësi tematike kapërthen kompleksin e studimeve shqiptare në tërësinë e
tij, sidomos duke i kushtuar një vëmendje të veçantë e të pandërprerë literaturës
popullore dhe artistike, gjuhësisë dhe etnografisë e të folklorit në kuptimin
më të gjerë. Berisha sjell edhe vlerësime të autorëve të tjerë si Wilfried
Fiedler, Karl Gurakuqi, Claus Haebler, Qemal Haxhihasani, Koço Bihiku, Emil
Lafe etj.
Në
pjesën e dytë të studimit autori i shpalos mendimet dhe vlerësimet e Lambercit
për letërsinë e shkruar shqipe. Fillimisht ai u mor me “Lahutën e Malcis” të
Gjergj Fishtës si dhe me veprën e Jul Varibobës, “Gjella e Shën Mërisë
Virgjër”, pjesë nga e cila përktheu në gjermanisht disa pjesë të saj. Lamberci
prej gjithë këtyre shkrimtarëve me admirimin më të madh shkruan për Fishtën –
Homerin shqiptar: “Kjo na tregon (krahasimet e Fishtës me Homerin – A.N.B.) se
Fishta nuk ishte vetëm homerist, por, në kujtimin e mrekullueshëm për veprën e
tij të pavdekshme, do t’ia jepnim me plot të drejtë kurorën e lartë të Homerit
shqiptar” (f. 63). Rreth “Lahutë së Malcis”, Lamberci thekson: “është vepra më
e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Epi është ngritur nga poezia popullore. Nëpërmjet
teknikës epike të baladave dhe të rapsodive popullore, të cilat edhe sot
jetojnë në malësitë shqiptare, poeti paraqet tridhjetë këngë, qenësinë dhe
zhvillimin e popullit shqiptar” (f. 65).
Në
Pjesën e tretë autori Berisha e ndriçon kontributin e Lambercin në fushën e
letërsisë gojore shqipe. Interesimi i tij për lirikën tonë gojore dëshmohet
qysh në vitin 1913 në librin për mësimin e shqipes bashkë me Gj. Pekmezin, ku
janë përfshirë tri lirika të marra nga përmbledhja e njohur e V. Prennushit “Kangë
popullore gegnishte” (1911). Po ashtu, në punimin “Dialektet shqiptare në
Itali” (1914) dhe në Raportin e studimeve gjuhësore në Shqipëri, botoi Akademia
mbretërore e shkencave të Vjenës, Lamberci jep të dhëna për disa nga botimet më
të rëndësishme të letërsisë gojore shqiptare duke filluar nga vepra e Hahnit
|Studime shqiptare” (1853/1954 e deri te ajo e A. Skurës “Shqiptarët në Itali
dhe këngët e tyre tradicionale” (1912). Mendimet më të rëndësishme për lirikën
gojore shqiptare Lamberci shprehu në studimin e tij “Poezia popullore e
shqiptarëve. Një studim hyrës”.
Duke
u marrë me epikën gojore Lamberci vlerëson se epika gojore e traditës shqiptare
është një pasur e madhe që begaton epikën e këtij populli.
“Sot
për sot po e jap fjalën e shpresës, që nëse edhe një herë bota do ta fitojë
lirinë, nga qenësia e popullit shqiptar, ku ruhen aq thesare të lashta e të
bukura, në këngë dhe në përralla, në gojëdhëna dhe besime popullore, shkenca do
të nxjerrë po ashtu njohuri të çmueshme edhe mbi doke e zakone të popujve të
tjerë indogjermanë” (f. 3).
M.
Lamberci po ashtu është një studiues i thellë i përrallave dhe pothuajse kësaj
fushe i është qasur me përkushtimin më të madh, me ç’rast edhe rezultatet
karakterizojnë suksesin që ka arritur në këtë fushë të letërsisë gojore:
“Përrallat
janë në një farë mënyrë Bibla e besimit popullor shqiptar, shprehje që dikur i
moçmi i besonte, trembej, e donte, e çmonte të shenjtë” (f. 121).
Sipas
autorit Berisha, puna e Lambercit me përrallën shqipe shtrihet në tri rrafshe
kryesore: në mbledhjen e teksteve të përrallave shqiptare nga subjekte të
ndryshëm Lamberci e nisi gjatë qëndrimit studimor në disa ngulime arbëreshe të
Italisë në vitet 1913-1914, ndërsa nga viti 1916 vazhdoi mbledhjen e përrallave
në Shqipërinë e veriut dhe në Shqipërinë e mesme (f. 121). Rreth këtij lloji
letrar Lambercit boti: “Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit
shqiptar, Vjenë 1922, “Përralla nga Shqipëria”, Lajcig 1922 dhe “Motra me krahë
dhe errësira e tokës”, Eisenach 1952.
Në
kapitullin e katërt autori i flet për rëndësinë e librave gjuhësorë – mësimorë
të shqipes të hartuara nga Lamberci, si dhe disa aspekte rreth përkthimeve të
Lambercit nga shqipja në gjermanisht, ku veçon përkthimin e 20 këngëve
kreshnike, përkthimi i plotë i “Lahutës së Malcis”, përkthimi i një varg
përrallash, kallëzimesh dhe anekdotash, si dhe pjesë të veprës së Jul Varibobës
dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës etj.
Studimi
“Maksimilian Lamberci për letërsinë shqipe” i prof. dr. Anton Berishës është
një vepër me vlera të veçanta për ndriçimin e thellë të veprimtarisë së gjerë
të M. Lamberci në fushën e letërsisë shqipe. Ky libër është një vepër me vlerë
që t’u hyjë në punë ligjëruese në fakultet, për studiuesit që synojnë të merren
me albanologë të huaj që i dhanë një kontribut të madh studimeve albanistike.
Shkurt, 2024