| E shtune, 10.02.2024, 03:38 PM |
Vdiq mbreti, rroftë mbreti!
(Steka
e lartë e servilizmit
të
dr. Bledar Kurtit ndaj Kadaresë)
Nga
Eshref Ymeri
Në gazetën “ExLibris” të datës 27 janar 2024,
lexova artikullin e dr. Bledar Kurtit, me titull “Kadareja është plotësia e
trinisë kombëtare”.
Artikulli hapet me deklaratën befasuese në vijim:
“Pa Ismail Kadarenë, letrat
ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort
intelektual”.
Pra, sipas “mendjebardhit” dr. Bledar Kurti, sikur
të mos kishte lindur Kadareja në tokën shqiptare, ne nuk do të kishim letërsi
artistike për së mbari. Sikur deklarata e mësipërme të ishte e mundur të
përcillej deri në botën e përtejme dhe të arrinte deri në veshin shkrimtarëve
dhe poetëve, si Naim Frashëri, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta,
Migjeni, Fan Noli, Jakov Xoxa, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Vedat Kokona,
Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, me siguri që ata do të rrotulloheshin në
vendprehjet e tyre të përjetshme dhe do të pyesnin me habi:
“Ç’po na dëgjojnë veshët? Apo jemi në ëndërr?”.
Më poshtë, autori i artikullit vazhdon:
“Askush tjetër nuk e ka patur e nuk e ka një pushtet të
tillë. Askush tjetër nuk ka frymëzuar kaq shumë njerëz të lexojnë apo të
shkruajnë, apo të dashurohen me letërsinë. Forca e Kadaresë është fjala... Të
tjerët, ata që janë larg fjalës, lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë. Ndaj
edhe thuhet: Në fillim ishte Fjala...”.
Autori kësisoj i ka veshur Kadaresë petkun e kryeshkrimtarit hyjnor, pa të cilin zor ta
mendoje se do të kishim letërsi shqipe, sepse vetëm ai na qenka kryeskalitësi i
Fjalës! Të tjerët autori i fyen rëndë, i poshtëron me fjalët “lindin e
ngordhin në shurdhi e shkretinë”. Me shprehjen “Në fillim ishte Fjala”, ai
ka hyrë në sinoret e fesë. Kjo shprehje me prejardhje biblike, e cila përdoret
edhe në variantin “E para ishte
fjala”, e bën lexuesin të bjerë në përsiatje. Gjuha është jo vetëm mjet
komunikimi, por edhe mjet i të menduarit dhe instrument i njohjes, pasqyrim i
tablosë së botës që na rrethon. Tabloja gjuhësore e botës është në njëfarë
mënyre kundrim i botës përmes prizmit të gjuhës. Në këtë mes kemi të bëjmë me
një sistem shoqërisht të kuptimshëm të shenjave gjuhësore që përmban
informacion për botën reale, kemi të bëjmë me pasqyrimin e realitetit me mjetet
e gjuhës. Realiteti pasqyrohet në vetëdijen tonë përmes nocioneve, të cilat
shprehen me fjalë. Kështu vjen e krijohet një lidhje treshe: realiteti -
nocioni - fjala. Në këtë lidhje, parësor është realiteti, kurse nocioni dhe
fjala janë dytësorë. Pra, fjala paraqitet si një barasvlerës gjuhësor i
nocionit përkatës dhe lind së bashku me nocionin. Si një tregues i kushtëzuar i
nocionit (si simbol, si shenjë e nocionit), fjala na nxit përfytyrimin për
sendin, për shenjën, për veprimin, për dukurinë. Pra, i pari është realiteti,
bota që kundrojmë rreth e qark dhe pastaj vjen fjala.
Ja dhe një tjetër xhevahir, të cilin mund ta nxjerrë nga
pena vetëm një servil i Kadaresë i kalibrit të lartë:
“Në periudhën e errët të regjimit komunist, nën dekadat e
mortit të shpresës, një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të
bëhen shkrimtarë e mendimtarë”.
Domethënë, vetëm falë Kadaresë paskan dalë në skenë
shkrimtarë dhe mendimtarë në periudhën e diktaturës komuniste. Në shqipen tonë
hyjnore përdoren shprehjet frazeologjike “çdo gjë me karar” ose “s’di
ç’është karari”. E, pra, me sa duket, dr. Bledar Kurti, me servilizmin e
skajshëm që ka manifestuar ndaj Kadaresë, nuk e paska ndjenjën e masës. Dhe
ndjenjën e masës, zakonisht, nuk e kanë ata që vuajnë nga pasionet e
pakontrolluara.
Në doktrinën filozofike të periudhës së lashtë
greko-romake, të quajtur stoicizëm, të krijuar rreth vitit 300 p.e.r.,
pasioni karakterizohej si një ndjenjë që mbizotëronte mbi të gjitha
ndjenjat e tjera të njeriut. Sipas filozofit të lashtë grek Zenon Elei
(490-430 p.e.r.), pasioni është impuls i pakontrolluar dhe i tepruar i
shpirtit. Kurse Ciceroni (106-43 p.e.r.) theksonte se të gjitha pasionet
janë sëmundje, viktimat e tyre, sipas tij, vuajnë nga çrregullime mendore. Për Platonin
(428-348 p.e.r.), pasioni është një dukuri negative, por e pashmangshme. Në
këndvështrimin e Aristotelit (384-322 p.e.r.), pasionet përfshijnë në
vetvete jo vetëm epshin dhe zemëratën, por edhe miqësinë, burrërinë dhe
gëzimin, domethënë ato nuk janë as të mira, as të këqija, pra, ato janë
neutrale dhe duhen përdorur me masë dhe në mënyrë të arsyeshme.
Në vazhdën e
arsyetimeve të veta serviliste, autori shkruan:
“Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të
vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e
dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur”.
Siç shihet, dr.
Bledar Kurti, i kapluar keq nga pasioni i një servilizmi të ndërkryer ndaj
Kadaresë, domosdo që do të jetë edhe i zhveshur tërësisht nga etika
intelektuale, prandaj edhe fyen, ofendon dhe madje poshtëron pjesën më të madhe
të krijuesve të atyre viteve, duke përdorur shprehje të pahijshme, për të mos
thënë të turpshme. Sipas tij, vetëm ata krijues na paskan qenë “fanatikë të
kuq apo oportunistë privilegjesh”, kurse Kadarea jo!!! Ç’është ajo fjalë!
Por diçka është interesante. Si është e mundur që Kadaresë nuk i qe zënë fryma
nga era e qelbur e “peshqve të ngordhur” të dr. Bledar Kurtit?
Përgjigjja është e thjeshtë: kishte menduar partia dhe kryediktatori, të cilët
i kishin hapur një portë drejt Perëndimit, ku shkonte të merrte ajër të pastër
sa herë të donte.
Më poshtë në
artikull lexojmë:
“Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar,
prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime
ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës, me një ton prej disidenti kolosal,
si te vepra Dimri i Vetmisë së Madhe, e cila fliste pikërisht për diktatorin
famëkeq, E. Hoxha”.
Më në fund, dr. Bledar Kurti del atje ku kanë synuar dhe
vazhdojnë të synojnë të gjithë servilë-kadareistët - për të dalë tek e
ashtuquajtura disidencë e Kadaresë ndaj diktaturës komuniste në vendin tonë,
pra, për ta pajisur me pasaportën e disidentit dhe për t’ia prezantuar botës si
kundërshtarë të rreptë të asaj diktature.
Por është puna se ato veprat e Kadaresë me metafora kundër diktaturës
komuniste, në radhët e së cilës, sipas dr. Bledar Kurtit, paska pasur edhe
budallenj që nuk e kuptonin nëntekstin e tyre, nuk i prishnin shumë punë
kryediktatorit. Sepse Kadarea kishte botuar dhe vazhdonte të botonte edhe poezi
dhe shkrime të tjera, në të cilat servilizmi i tij ndaj kryediktatorit kishte
një gravitacion shumë më të fuqishëm në mbështetje të diktaturës komuniste.
Me mungesën e përgjegjësisë minimale, dr. Bledar Kurti
shkruan se vepra “Dimri i Vetmisë së Madhe fliste pikërisht për diktatorin
famëkeq, E. Hoxha”. Si servil i regjur i Kadaresë, ai shtrembëron të
vërtetën historike. Asokohe, kur u botua ajo vepër, me sa më kujtohet, një grup
punëtorësh nga Kombinati metalurgjik në Elbasan, i patën dërguar një letër
kryediktatorit, në të cilën patën shprehur disa vërejtje për veprën në fjalë.
Vallë të mos ketë dijeni dr. Bledar Kurti për reagimin e kryediktatorit ndaj
asaj letre? Ja reagimi i tij:
“Pse merreni me cingërima. E rëndësishme është
që ai e ka trajtuar mirë luftën e partisë sonë ndaj revizionizmit… Këto janë
vogëlsira në letërsi, e rëndësishme është që Kadare e nxjerr mirë rolin e
Partisë”. (Citohet sipas deklaratës së
Agim Meros, në intervistën dhënë Leonard Veizit, me titull “Vizita te Kadare, Nexhmija doli pa dorëshkrimin e romanit”. Faqja
e internetit e gazetës “Shekulli”. 29
shtator 2012).
Për romanin “Dimri i Madh” vetë
Kadareja ka pasë shkruar dikur:
“Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më
të rëndësishme të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatiket, janë bazuar
në materialet e vëllimit të 19 të veprave të shokut Enver” (Citohet sipas:
Ismail Kadare. Vepra letrare, vëllimi 12, f. 329).
Është
me të vërtet e çuditshme se si ka mundësi që dr. Bledar Kurtit nuk i ka bërë
absolutisht pështypje servilizmi shembullor i Kadaresë ndaj kryediktatorit?
Ndoshta kjo shpjegohet me arsyen se servilizmi ndaj Kadaresë është rrënjosur
kaq thellë në vetëdijen e tij, saqë mund t’i ketë cenuar edhe psikikën sadopak.
Vallë të mos jetë në dijeni ai për korpusin poetik që Kadarea i pati kushtuar
kryediktatorit, një korpus ky, të cilin arkitekti, poeti dhe përkthyesi i
talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare mirë në përmbledhjen kritike me
titull “Autobiografia e Kadaresë në
vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002? Në atë libër dëshmohet në mënyrën më
të shkëlqyer se deri në ç’nivele të larta kishte arritur filozofia e
servilizmit të neveritshëm të Kadaresë ndaj diktatorit.
Petraq Kolevica shkruan:
“Kështu, në librin “Kohë barbare”, f.
17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që duket sikur kërkon ta ngacmojë
pak Kadarenë, thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…”, dhe Kadarea
përgjigjet:
“Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u
sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin
këtë” (Citohet sipas: Petraq Kolevica. “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002, f. 59).
Me fjalët e pakontrolluara që lëshonte
përmes kësaj deklarate, Kadarea i fyente rëndë dhe pa të drejtë kolegët e vet
shkrimtarë, duke anashkaluar servilizmin e vet shembullor ndaj kryediktatorit.
Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i Petraq Kolevicës, ka qenë vetë “qen
roje” i regjimit komunist.
Asokohe,
një intelektual shkodran shkruante:
“Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa
kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet
sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004.
Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).
Domosdo
që s’mund të ndodhte ndryshe, sepse servilët e Kadaresë, të cilët, ashtu si
fara e gramit dhe e egjrës që u zë frymën kulturave bujqësore, nuk ndenjën të
qetë para botimit të asaj përmbledhjeje. Kjo për arsye se, sipas psikologjisë
së tyre prej kurrizshtruarish para Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që
Petraq Kolevica shpaloste për servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj
kryediktatorit.
Dr. Bledar Kurti e ka lexuar poezinë e Kadaresë, me titull “Në mesditë
Byroja politike u mblodh”. Në këtë poezi Kadare shpërthen kundër pashallarëve
të kuq:
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Vallë nuk e kuptuaka dr. Bledar Kurti që në këtë poezi del në
pah servilizmi i Kadaresë, një servilizëm ky i përmasave skandaloze ndaj
kryediktatorit, çka bëri që edhe vetë kryediktatorit t’i ngjallej neveri kur e
lexoi? Prandaj edhe reagoi ndaj thelbit të asaj poezie:
“Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të
kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë
trupin e revolucionit në varr”. Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti
“Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë nuk
ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver
Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”… I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr
Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë” (Citohet
sipas: “Ditari i Enver Hoxhës: Si u
analizua poezia e Kadaresë”. Faqja e
internetit “Observatori i kujtesës”. 24 gusht 2017).
Profesor Anton Nikë Berisha (1946) ja si e ka vlerësuar poezinë në
fjalë të Kadaresë:
“Vjershën e tij “Pashallarët e kuq” në qenësi Kadare ia
kushtoi udhëheqësit ideologjik, Enver Hoxhës. Mirëpo, duke dashur t’ia ndreqte
në mënyrë të tepruar vetullat, ia kishte prekur sytë: diktatorit nuk i kishte
pëlqyer theksimi i tepruar i “fuqisë” së tij për të zgjidhur konfliktin me
“pashallarët e kuq”, bashkëpunëtorë të tij politikë, që nuk i shkonin si duhet
në linjën e përcaktuar ideologjike të pakurrizorëve. Dhe qëllimi i vjershës së
pabotuar të Kadaresë për “pashallarët e kuq”, kishte “rrëshqitur” për shkak të
lavdërimit të tepruar! Edhe lexuesi më i zakonshëm, që e lexon këtë krijim të
Ismailit, nuk e ka të vështirë të përcaktojë qenësinë e mesazhit të Kadaresë
(po jo dhe të mesazhit poetik; në të s’ka mesazh poetik; gjithë poezia është
një deklaratë e menduar për të stërlavdëruar diktatorin Hoxha). Vallë, e kishte
detyruar dikush Ismailin që ta shkruante ketë poezi patetike, që e hymnizonte
diktatorin, apo ai me vullnetin e vet e kishte shkruar dhe e kishte dërguar ta
botonte në një organ letrar, të mbikëqyrur rreptësisht nga regjimi, në “Drita”
- për të dëshmuar devotshmërinë përballë udhëheqësit komunist?” (Citohet sipas:
Anton Nikë Berisha. Sa Ismail Kadare ka brenda Ismail Kadaresë?!”. Faqja
e internetit “Syri”. 29 korrik 2019).
Shkrimtari, gazetari dhe publicisti anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell - 1903-1950), në veprën e vet me titull “1984” (Nineteen Eighty-Four), të botuar në
vitin 1949, një roman ky antiutopi (pasqyrim i një
rendi shoqëror ose i një bashkësie, që i përfytyrohet shkrimtarit ose kritikut
si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose frikësuese), shkruan:
“Çdo shkrimtar që
radhitet nën flamujt partiakë, herët ose vonë do të gjendet para alternativës:
ose të pranojë nënshtrimin, ose të pranojë heshtjen”.
Jemi të bindur
që askush nuk ka pasë dëshiruar që Kadarea t’i kundërvihej kryediktatorit, se
do të pësonte fatin e të gjithë atyre që u internuan, u burgosën ose u
pushkatuan. Heshtja atij nuk i pëlqente. Prandaj ai zgjodhi alternativën e
nënshtrimit. Megjithatë, ai nuk duhej t’i kishte lejuar vetes të ngjitej deri
në nivele aq të larta servilizmi ndaj kryediktatorit.
Fatkeqësisht,
Kadarea, në përputhje të plotë me falsifikimet që politika zyrtare u ka pasë
bërë fakteve historike lidhur me “rolin” e Enver Hoxhës, si “themelues” i
partisë komuniste, në njërën nga veprat e veta poetike u ka mbajtur ison atyre
falsifikimeve me vargun “shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë”. Është
fjala për mbledhjen themeluese më 08 nëntor 1941. Pra, falë servilizmit
të tij të papërmbajtur ndaj kryediktatorit, Kadarea shtrembëron të
vërtetën historike. Në atë mbledhje
Enver Hoxha ishte vrima e fundit e kavallit, një figurant hesapi. Historiani i
njohur Kastriot Dervishi, mbi bazën e dokumenteve arkivore, shkruan:
“Miladin Popoviçi
dhe Dushan Mugosha do të bëheshin themeluesit e PKSH-së më 8 nëntor 1941. Ata
do ta bënin këtë parti një bishtuk terrorist serb, të gatshëm për çfarëdolloj
krimi që do të kishin nevojë. Qëllimi i tyre kryesor mbeti lufta civile dhe
sjellja në pushtet e një klase që do t’u shërbente vërbërisht interesave të
Jugosllavisë. Për këtë qëllim ata panë te Enver Hoxha personin e duhur që mund
të realizonte planet e tyre” (Citohet sipas: Kastriot Dervishi. “Flagranca e
marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave 1944-1948”. Faqja e internetit “Forumi
shqiptar”. 22 gusht 2010).
Pra, Miladini
dhe Dushani vepruan sipas orientimeve të Beogradit, në përputhje me
rekomandimet që i kishte dërguar konsulli jugosllav nw Korçë në vitet ’30,
Stanoje Simiç (1893-1970), i cili e njihte shumw mirw se kush ishte monstra
Enver Hoxha që në Liceun e Korçës. Prandaj edhe nw Konferencën e Labinotit
(16-22 mars 1943), ku kryesori ishte Bllazho Jovanoviçi, Enver Hoxhën, të cilit
Mustafa Kaçaçi iu drejtua me shprehjen “je një hiç”, misionarët jugosllavë e
vunë në krye të partisë.
Servilizmi i
shfrenuar i dr. Bledar Kurtit ka bërë që ai të mos e vërë re qëllimisht
rreshtimin e Kadaresë në krah të Enver Hoxhës në zhvillimin e luftës së
klasave. Sepse dihet shumë mirë që Kadarea ka mbajtur qëndrim fyes, deri në
përbuzje, ndaj të persekutuarve politikë dhe, përgjithësisht, ndaj klasës së
përmbysur. Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë me
qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky
qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të
kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja
politike u mblodh”. Aty Kadarea
shkruan:
Qielli është me re dhe dimri sjell
dëborë.
Mos levizën klasat e përmbysura,..
Ja kështu, atje në gjunjë
të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek nje yrt i shkretë, tek një
djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha.
Po ashtu, në poezinë“Terrori i bardhë” lexojmë:
Njerëzit,
pavarësisht nga klasat, buzëqeshin,
Dhe
duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë.
Por
veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur,
Mes
smaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. Vepra letrare, Shtëpia botuese “Naim
Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).
Në furinë e urrejtjes kundër të
përndjekurve politikë, Kadarea ka shpikur edhe shprehjen “terror i bardhë”, një
dukuri kjo krejtësisht e padëgjuar në realitetet shqiptare. Terrori i bardhë ka pasë qenë një dukuri karakteristike
në Rusi pas Revolucionit të tetorit. Me këtë shprehje nënkuptohej tërësia e
formave të një politike të forcave antibolshevike në kohën e luftë civile mes
viteve 1917-1922.
Kadarea i ka dalë krah
kryediktatorit edhe në rastet ku ky ka sulmuar dhe denigruar figura të shquara
të kombit shqiptar, si Gjergj Fishta, mbrojtësi i vendosur i dinjitetit dhe i
identitetit të kombit shqiptar nga shovinizmi serbomadh. Në një fjalim që ka
mbajtur rreth tre vjet pas nëntorit të vitit 1944, Enver Hoxha pati deklaruar:
“...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito
dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e
madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një
aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia... Këtë
miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit
italian, shovinisti At Gjergj Fishta...” (Citohet sipas: “Enver Hoxha për miqësinë me
sllavët, sulmon Fishtën. Pse u masakrua Gjergj Fishta. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë
në Pleniumin e IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).
Këtë vijë arsyetimi të kryediktatorit ka
ndjekur edhe Kadarea kundër Gjergj Fishtës, duke shpifur egërsisht kundër tij.
Ai ka deklaruar:
“Duke zbatuar tezën e shokut Enver në
terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është
vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të
shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori
më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i
letrave, por i gjithë kulturës sonë?
Përgjigjja është e qartë për të gjithë: ky konservator
ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues
i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi - ky është portreti i këtij
letrari prift” (Citohet sipas:
Ismail Kadare. “Realizmi socialist - arti i madh i revolucionit”. Gazeta “Zëri i Popullit”. 13 janar 1974, f. 3).
Dihet që kryediktatori e mbante gjithmonë
të zhveshur pallën kundër imperializmit amerikan. Prandaj edhe Kadarea, si
kryeservil i tij, s’mund të vepronte ndryshe. Në vitin 1971, në Nju Jork u zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe
një delegacion i rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare
ishte edhe Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, Kadarea botoi një ese të gjatë
në tribunën e mashtrimit “Zëri i popullit”, në të cilën deklaronte:
“…Pas
pasurisë borgjezia kërkon pushtet dhe pas pushtetit kërkon lavdi. Një shekull
më parë Marksi e ka parashikuar edhe këtë… Shoqëria
e sëmurë amerikane e tregon veten e saj sidomos natën… Broduej është një lloj
ekspozite e Nju Jorkut. Këtu luksi dhe mizerja, bukuria dhe turpi, brutaliteti
dhe protesta, mençuria dhe degjenerimi, të ndriçuara në mënyrë të ethshme,
rrinë pranë e pranë… Kur bie nata, Broduej shfaqet lakuriq me gjithë
vulgaritetin e vet, i babëzitur, i paturpshëm… Në Broduej, në sfondin e shkëlqimit
të çmendur, mjerimi dhe degjenerimi shfaqen lakuriq… SHBA janë bërë vendi
klasik i shantazheve dhe vrasjeve politike. Përgatitja e atentateve ka arritur
këtu përfeksionimin më të lartë… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia
i ka ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Ka disa muaj që në ekranet
mund të shikosh gjëra më të shthurura që mund të sajojë imagjinata më e sëmurë
e maniakëve seksualë… Ky mit është një nga shfaqjet e shkallëzimit të
degjenerimit të shoqërisë së sëmurë amerikane… Asnjëherë dhe asgjëkundi nuk
mund të jetë poshtëruar femra në këtë mënyrë… Rinia amerikane është në kërkim
të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë
politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit,
Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë
është Lenini!” (Citohet sipas: Ismail Kadare. “Një botë në rënie”. Vepra
letrare. Shtëpia
botuese “Naim Frashëri”. Vëll. 12, f.
271-294).
Kadarea
ka harruar ta theksojë se ka qenë “mëkat i madh” që “veprat” e kryediktatorit
Enver Hoxha asokohe nuk figuronin ende të përkthyera dhe të ekspozuara nëpër
libraritë e letërsisë politike në Nju Jork, se të rinjtë amerikanë “do të bënin
njërën për t’i blerë”.
Në
dallim të theksuar nga skenat sa të frikshme, aq edhe neveritëse, që pati
shpikur nga mendja Kadarea, në kujtimet e një diplomati të njohur të karrierës,
Nju Jorku, përmes simbolit të tij “Broduei”,
shfaqet para lexuesve ashtu siç është në të vërtetë, i bukur, krenar dhe
madhështor. Ja çfarë shkruan diplomati i nderuar:
“...
Natën “Broduei” është fantastik me ato dritat e shumta dhe reklamat
marramendëse. Bukurinë ia shton edhe kalimi me kuaj shtatlartë i punonjësve të
shërbimit të policisë që duhet të mbajnë rendin. Megjithatë, deri më sot, edhe
pse dalim më këmbë aty, asnjëherë nuk kemi patur as më të voglin problem. “Radio Siti Holl”, ku zhvillohen shfaqje
madhështore, duket nga larg me dritat e tij shumëngjyrëshe. Më ka bërë
përshtypje edhe një shfaqje e komikut britanik Atkinson, i cili për dy orë na
bëri për të qeshur në atë teatrin në Broduej” (Citohet sipas: Alfred Papuçiu. “Ditari i një jete në diasporë (III)”. Faqja e internetit “Zemra
Shqiptare”. 13 qershor 2009).
Servilizmi i shfrenuar që dr. Bledar Kurti ushqen ndaj
Kadaresë, ia ka errësuar vetëdijen deri në atë shkallë, saqë nuk është në
gjendje ta kuptojë që Kadareja ka qenë i përkëdheluri i diktaturës komuniste
dhe i vetë kryediktatorit. Faktet flasin vetë. Kadarea ka shkruar:
“Kam patur dhe kam besim të
plotë te Partia, pa të cilën unë s’do të isha shkrimtar. Është Partia, është
kuptimi i gjerë e i thellë i çështjeve të letërsisë prej udhëheqësit të saj,
faktori kryesor, në saje të së cilit kam krijuar çdo gjë me vlerë dhe të cilit
i detyrohem për gjithçka. Jam krejtësisht i ndërgjegjshëm se pa këto unë nuk
mund të isha veçse një krijues mediokër. Ndaj mirënjohja ime mbetet përherë e
pandryshueshme”.
Me respekt
Ismail Kadare
Tiranë ,15
qershor 1982.
(Citohet sipas:
Kadare, Nexhmijes: Jam komunist, pa partinë do të isha mediokër”. Faqja e
internetit “KOHAnet”, 24 shtator 2012).
Servilizmi i
Kadaresë ka pasë qenë kaq i papërmbajtur, saqë inercia e tij u vu re edhe pas
vdekjes së kryediktatorit. Pikërisht dy javë pas vdekjes së tij, gazeta
franceze “Le Monde” e datës 26 prill 1985, në rubrikën e letrave që i kishin
dërguar gazetës, pati botuar edhe letrën e Ismail Kadaresë, në të cilën ky qe
shprehur plot
indinjatë dhe protestë, sepse gazeta kishte botuar shkrime kundër
kryediktatorit me rastin e largimit të tij për në botën e përtejme? Vallë a nuk
ishte i vetëdijshëm Kadarea që populli shqiptar, për arsye të politikës
tmerrësisht varfëruese që kishte ndjekur kryediktatori, kishte arritur në zgrip
të degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit? A nuk e kuptonte
vallë Kadarea se kishte ardhur koha ta kthente pllakën pas largimit të
kryediktatorit për në botën e amshuar dhe të hiqte dorë nga servilizmi ndaj
fantazmës së tij? Apo servilizmi i duhej për të pasur edhe mbështetjen e
fuqishme të Nexhmijes, si bashkëpunëtore e ngushtë në krimet e kryediktatorit?
Letra e plotë e Kadaresë, dërguar gazetës “Le Monde” është botuar në
faqen e internetit “Shkodra online” të datës 12 shtator 2007 dhe mban
titullin “Kush është në të vërtetë shkrimtari Ismail Kadare”.
Faktin
që Kadarea ka pasë qenë i përkëdheluri i diktaturës dhe i kryediktatorit, e
vërteton edhe eseja e tij me titull “Një pasdite me shokun Enver
Hoxha”, në të
cilën shkruan:
“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të
marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij
monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).
Pra, Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga
servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke e vlerësuar si “monumentale”
veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në koshin e mbeturinave, siç
edhe përfundoi faktikisht.
Për dijeninë e dr. Bledar Kurtit, të
marrosur kaq keq pas servilizmit të pështirë ndaj Kadaresë, vulën e të
përkëdhelurit të këtij të fundit nga ana e kryediktatorit, e ka vënë Ramiz
Alia. Në një faqe interneti është bërë e ditur se Ramiz Alia i paska dërguar
një letër të gjatë Ismail Kadaresë më 21 maj 1990. Letra është përgjigje ndaj
letrës që Kadarea i kishte dërguar më 03 maj 1990. Nga letra e Ramiz Alisë po
citojmë vetëm një fragment tepër domethënës:
“I dashur Ismail,
...“Mos harro as
atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile nëse të
shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore
që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka
treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam si shkrimtar të
madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të
popullit” (Citohet sipas: “Letra e plotë
e Ramiz Alisë drejtuar Ismail Kadaresë më 1990: Mos harro atë ç’ka bërë shoku
Enver për ty”. Faqja e internetit “Pamfleti”. 12
dhjetor 2022).
Po në këtë letër, Ramiz Alia shkruan:
“Përsa u përket lavdeve në
adresën time, mos harro një gjë shoku Ismail, se çdo gjë që bëjmë lidhet me
Partinë, me forcën e mençurinë e saj”.
Siç shihet, në epopenë e
servilizmit të vet, Kadarea është udhëhequr gjithmonë nga shprehja tradicionale e frëngjishtes “Le Roi est mort, vive le Roi!” (Vdiq mbreti, rroftë mbreti!) . Prandaj edhe e ka pasë të pamundur të mos i lëpihej edhe Ramiz Alisë me
lëvdata serviliste. Më e çuditshmja është se kur ia paska shprehur Ramiz Alisë
ato lavde? Më 03 maj 1990. Pra, kur nuk kishin kaluar as dy vjet nga ekzekutimi
i poetit martir Havzi Nela, i cili, me firmën e kryexhelatit Ramiz Alia,
Kristaq Rama dhe të tjerë, në mes të qytetit të Kukësit, qe ekzekutuar me varje
në litar më 10 gusht 1988.
Duke pasur gjithmonë si yll karvani shprehjen e
sipërcituar të frëngjishtes, Kadarea e ka pasuruar epopenë e servilizmit edhe
ndaj Ramës. Kur
ende s’kishte dalë rezultati i zgjedhjeve vendore të 08 majit 2011 për postin e
Kryetarit të Bashkisë për Tiranën, Kadarea i drejtohej me një letër të hapur Lulzim Bashës për të hequr
dorë nga kandidimi, paçka se Rama po kandidonte për të katërtën herë për atë
post. Ajo letër, e botuar në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 21 maj 2011, me titull “Kadare,
letër Bashës: Tërhiqu nga kandidimi”, ishte një përkrahje publike që Kadarea i bënte së majtës
shqiptare dhe kryesisht Edi Ramës, si servil i tij.
Gjatë më shumë se 10 vjetëve të Ramës në krye
të qeverisë, ka ndodhur një shpopullim katastrofik i vendit tonë. Në fund të
muajit tetor të vitit 2015, eurodeputetja Doris Pak (Pack) deklaronte:
“Pashë shifrat e azilkërkuesve
shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta
është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se
Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat?
Besoj se ka një lidhje me situatën politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është
Rama kryeministër?”. Faqja e internetit e “Gazetës Shqiptare”. 30 tetor 2015).
Po Kadarea ç’qëndrim mbante ndaj largimit masiv të njerëzve
nga vendi? Le të njihemi me një deklaratë të tij të vitit 2016:
“Është e natyrshme që pas një periudhe jashtëzakonisht të
egër të izolimit, të vinte ky pasion, shpesh me arsye, pasi nuk është pa arsye
sigurisht, por edhe pakëz e kthyer në modë” (Citohet sipas: “Kadare:
Dekriminalizimi proces jetësor, e pafalshme nëse s’kryhet”. Faqja e internetit e gazetës “Shqip”. 14 maj 2016).
Me këtë deklaratë, Kadarea i vinte në osh qeverisjes
socialiste të Ramës, sepse arsyet e largimit të njerëzve drejt vendeve perëndimore ai i shikonte jo te mjerimi që i
kishte pllakosur për shkak të politikës varfëruese antikombëtare që ndiqte
kryeministri Rama, por tek izolimi i egër, i cili ishte kapëcyer 26 vjet më
parë. Madje, sipas tij, largimi i njerëzve na qenkej kthyer pakëz në modë!!! Ky
ishte shërbimi më domethënës që Kadarea, si servil me stazh tepër të gjatë në
shërbim të krerëve majtistë, i bënte politikës zyrtare dhe Ramës personalisht.
Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, Kadarea
u ngrit e shkoi në Vlorë. Në një skicë me nota shpotitëse në adresë të
Kadaresë, analisti i njohur Adriatik Dosti shkruante asokohe:
“Po hë ç’u bëre, do kenë thënë vlonjatët kur të panë sot diku
pranë asaj zone, ku Rama po bënte fushatën e tij e po ju mbushte mendjen atyre
edhe për një mandat të tretë… ku ke qenë …pse s’ke ardhur më parë e pse na ke
munguar...” (Citohet sipas: Adriatik Dosti. “Po në Vlorë ç’deshe në këtë mes-prilli, o Kadare?” Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12 prill 2021).
Për
fatkeqësinë tonë kombëtare, zejen e servilizmit Kadarea e ka manifestuar edhe
ndaj Perëndimit Evropian. Në vitin 2001 ai sulmoi rëndë djelmoshat trima
të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, duke i etiketuar ata si “banditë”, “klyshë të
Enverit”, “aventurierë”, “të papërgjegjshëm”, “naivë”, mendjelehtë”, “me
qëllime të dyshimta”, “në shërbim të një loje antishqiptare”, “pseudopatriotë”,
“mafiozë” (Citohet
sipas faqes së internetit të gazetës “Shekulli”. 10 mars 2001, f.
3).
Koha
vërtetoi se këto epitete ishin sa të pahijshme, aq edhe të turpshme, për të
cilat Kadarea nuk kërkoi ndjesë kurrë.
Pikërisht
filozofia e servilizmit ndaj Perëndimit evropian ishte ajo që e bëri Kadarenë
të shprehte gatishmërinë të binte në gjunjë para ambasadores së Bashkimit
Evropian në Tiranë Romana Vlahutin, për kritikën që asokohe i pati bërë asaj
një analist shqiptar, një diplomate kjo
pa kurrfarë autoriteti, që i bënte fresk kryeministrit Rama, duke mos e thënë
as edhe një fjalë të vetme për parcelat e drogës në mbarë Shqipërinë.
Më
20 qershor 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, i Madhi Gjergj Fishta shtroi
kërkesën në vijim:
“Prandej,
po kje se përnjëmend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës
së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të
tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të
vet etnikë e gjeografikë” (Citohet sipas: “Baltë komuniste mbi Madhështinë Fishtiane. Dokumenti i vitit 1949, zbardhet se pse u
dënua Gjergj Fishta”. Gazeta
“Koha Jonë”. 12 mars 2016).
A
ka menduar ndonjëherë Kadarea se për mbarë kombin shqiptar do të kishte qenë
një mrekulli e vërtetë, sikur ai, ashtu si edhe Fishta i Madh para një shekulli
në Paris, ta kishte thënë një fjalë me peshë për domosdoshmërinë e rishikimit
të krimit që Perëndimi evropian kreu me copëtimin e trojeve tona etnike dhe për
vënien në vend të drejtësisë, duke shtruar kërkesën për ribashkimin e tyre në
një shtet të vetëm, me një stemë dhe një flamur? A nuk ishte rasti më i mirë
gjatë këtyre më shumë se 30 vjetëve që Kadarea, ashtu si edhe Fishta, për një
kërkesë të tillë, të vishte petkun e politikanit dhe të dilte burrërisht në
skenën e Perëndimit evropian me autoritetin e një shkrimtari, të njohur në
mbarë botën, duke sfiduar klasën politike shqiptare, mercenare të grekosllavizmit
dhe të brukselizmit, për të kërkuar takim me krerët e pushtetit në Paris,
Berlin, Londër, deri edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Nisur nga autoriteti i tij në mbarë botën, me siguri që portat do t’i hapeshin
kat e kat, sikur ai të kishte menduar për organizimin e takimeve të tilla. Aq
më tepër që, në krahasim me lepuj-politikanët e Tiranës pa dinjitet dhe pa
vetëdije kombëtare, fjala e tij do të kishte shumë më tepër peshë në ato takime
me krerë kryesor të politikës evropiane dhe amerikane.
Në
mbyllje duhet theksuar se servilizmi është një dukuri tepër e dukshme në
marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në shoqëri të paemancipuara për shkak të varfërisë
ekonomike, servilizmi merr përmasa të shëmtuara. Në vendin tonë servilizmi e ka
burimin te politika. Politika majtiste, si trashëgimtare e diktaturës
komuniste, e ka polarizuar skajshëm shoqërinë shqiptare në tejet të pasur dhe
në tejet të varfër. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë, thotë:
“Kur
të majtët janë në pushtet, historia përfundon në varfëri dhe kriza”.
Në
radhët e politikanëve hasen edhe individë të tillë pa kurrfarë dinjiteti
personal, të cilët, me servilizmin e tyre të neveritshëm, i lëpihen kreut të
pushtetit për poste dhe për përfitime të tjera materiale. Një servile e tillë
është deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila e ka krahasuar Ramën me
Skënderbeun, duke e fyer rëndë figurën e shquar dhe të nderuar të Heroit tonë
Kombëtar. Me shpopullimin që i ka bërë vendit deri tani, Rama përfaqëson faqen
më të zezë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të mbarë trojeve tona etnike.
Politika
majtiste në vendin tonë ka bërë ç’është e mundur për lulëzimin e servilizmit në
mjetet e informimit masiv. Një pjesë jo e paktë e analistëve nëpër studiot
televizive janë shndërruar në kope servilësh të pështirë të Ramës, të cilët të
kujtojnë kopenë e servilëve të Putinit në kanalin televiziv shtetëror rus “Rusia
1”.
Megjithatë,
ka edhe një burim tjetër servilizmi në radhët e intelektualëve, çka është
pasojë e mungesës së respektit ndaj vetvetes. Shkrimtari i shquar francez,
Montenji (Michel de Montaigne - 1533-1592) u ka lënë brezave
pasardhës një aforizëm me domethënie të thellë:
“Mungesa e respektit ndaj vetvetes sjell si
pasojë po kaq mëkate, sa edhe respekti i tepruar ndaj vetvetes”.
Një
burim i tretë i servilizmit vihet re edhe në marrëdhëniet e njerëzve me figura
të shquara të arteve. Me sa duket, nga ky lloj servilizmi është infektuar rëndë
dr. Bledar Kurti. Servilizmi i tij ndaj
Kadaresë të kujton pikërisht atë servilizmin që Balzaku e fshikullon aq
mrekullisht me fjalët e tij të arta:
“Servilizmi nuk buron asnjëherë nga shpirtra të
mëdhenj, ai është risk i shpirtrave të vegjël, që kanë aftësinë të bëhen edhe
më të vegjël, vetëm e vetëm që të përfshihen në sferën e jetës së një personi
të rëndësishëm, të cilit kanë qejf t’i lëpihen”.
Për shkak të servilizmit të tij marramendës ndaj
Kadaresë, dr. Bledar Kurti deklaron:
“Të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë
të shekullit të njëzetë, por edhe më herët, pa asnjë përjashtim, e hapën
kompasin e mendjes, talentit dhe ndikimit deri në kufijtë e këtij shteti të
vogël. Fatkeqësisht, shkrimtarët vendas të këtij shekulli të ri e kanë
shtrirjen e kompasit edhe më të ngushtë”!!!
Në të vërtetë, shkrimtarët dhe poetët e
shekullit të njëzet, kanë trajtuar ato tema që lidheshin me problemet e këtij
shteti të vogël, sepse po të trajtonin tema jashtë “kompasit të mendjes”, ndër
më kryesoret e të cilave ishte tema e copëtimit të trojeve tona etnike nga
ujqit evropianë, me përçor kryeujkun rus, do të përplaseshin me kryediktatorin,
i cili, bashkë me bandën rreth tij, nuk kuturisi kurrë ta ngrinte në forumet
ndërkombëtre padrejtësinë e rëndë që i qe bërë kombit shqiptar. Po si e
shpjegon dr. Bledar Kurti faktin që Kadarea, në krejt krijimtarinë e vet
artistike, nuk zgjodhi kurrë për subjekt pikërisht copëtimin e trojeve tona
etnike dhe demaskimin artistikisht të ujqve evropianë dhe të kryeujkut rus? Por
meqenëse, sipas filozofimeve serviliste të Bledar Kurtit, Kadarea na paska qenë
disident në kohën e kryediktatorit, si
shpjegohet që figurën e këtij të fundit, si kryekriminel i vendit tonë, pas
largimit të tij për në botën e amshuar, nuk e bëri subjekt të ndonjë romani të
tij?
Si shpjegohet që dr. Bledar Kurtit s’i paska
rënë në sy fakti që mes shkrimtarëve vendës të këtij shekulli të ri, ka edhe
nga ata, të cilët, paçkase, sipas tij, “e kanë shtrirjen e kompasit edhe më
të ngushtë”, kanë trajtuar bukur artistikisht temën e dashurive të vrara në
kohën e dhunës terroriste të kryediktatorit ose që e kanë çmitizuar
artistikisht vetë diktatorin?
Me servilizmin e vet shpërthyes, dr. Bledar Kurti
ka ulur figurën e vet, ka fyer krejt shkrimtarët dhe poetët e shekullit të
kaluar dhe ata bashkëkohorë, por, si njeri-pakurrizor, tërthorazi, ka cenuar
edhe autoritetin e Kadaresë.
Feniks,
Arizona
31
janar 2024