Kulturë
Albert Vataj: Albri Brahusha, një frymë që këputet për të dëshmuar se sa i hollë është filli jetës
E marte, 06.02.2024, 07:59 PM
HOMAZH
Albri
Brahusha, një frymë që këputet për të dëshmuar se sa i hollë është filli jetës
Nga
Albert Vataj
E
mora lajmin e trisht të ndarjes nga jeta të Albi Brahushës, mikut të vlertë dhe
zelltarit të përkushtimeve të cilësishme krijuese, përmes Facebook. Mu desh ta
lexoja dhe ta rilexoja njoftimin e Bashkisë Shkodër që ta besoja se nuk është
më mes nesh “Sokrati” i atyre viteve të pështjellimta, kohë ku ne kërkonim
vetveten dhe rolin tonë në këtë qytet përmes idealizmave dhe ambicies për të
bërë edhe ne çfarë i detyroheshim këtij qyteti që nuk ishte vetëm vendlindja
jonë, por edhe përfaqësim dhe përgjegjësi. I pata vënë nofkë “Sokrati”, për
mendimin e pasur filozofik që pasuroi bisedat dhe takimet tona. Dhe ashtu e
thërrisja sa herë takoheshim dhe shkëmbeheshim.
Edhe
pse mbeti kohë e gjatë në mes që nuk u takuam, ai ishte një mik, me të cilin më
lidh koha kur rrekeshim të thurnim ëndrra të idealizuara, në një përpjekje për
të qenë një brez që zgjatonte në historinë e Shkodrës, këtij qyteti që lindte
dhe përtërinte gjeneratat, si një shërbesë e shenjtë e mbajtjes së ndezur të
flakadanit të lavdishmërisë së këtij qyteti, dhe gjithë atyre që erdhën dhe
ikën, atyre që lanë në themelet e këtij caku të qenësishëm qytetërimi, emrin
dhe veprën e tyre si dëshmi.
Dhe
Albi Brahushua ishte njëri prej atyre, që u përpoq dhe bëri më të mirën, që të
jetë një gjurmë inkandeshentë në rrugëtimin e dritshëm të Shkodrës.
Duke
kthyer kohën pas dhe shfletuar ndërmendjet që më lidhin me Albin, kujtoj se
është marsi i vitit 1994, kur deli numri i parë i gazetës “Thyerje”, një
përpjekje modeste e promovimit të pikëpamjeve dhe krijimeve, mundësive dhe
përçapjeve tona rinore. Kjo gazetë ishte zëri i fillimtë i Shoqata Rinore,
Kulturore, “Kristal”, ku Albi Brahusha qe ndër themeltarët dhe kontribuesit.
Nuk
mund të mos kishte Shkodra një përçapje të ëndërrtarëve për të besuar se ajo
meritonte të ishte në aradhën e lavdishme të së shkuarës, së tashmes dhe
ardhmërisë. Pavarësisht mundësive minimale dhe vështirësive për të
implementuar, projekte kulturore dhe evidentuar vlera që ky qytet mbarështonte,
ne besuam dhe ngulmimet tona i formalizuam në vepra, bëmë më të mirën. Bashkë
me Albin, i cili, që sot ka marrë udhën e përjetësisë, ata që i mblodhi
“Kristal” në kthjellësinë e zërit të vet, ishin Blendi Kraja, Irhan Jubica,
Anila Zhugri, Albert Vataj, Gilmana Bushati, Kujtim Kraja, Bardhyl Ulqinaku,
Almir Haxhia, Aferdita Isufi, Brikena Smaja, për të vazhduar me ata që ju
bashkuan kësaj lëvizje t’përtrimjes së qytetit; Eduart Grishaj, Arben Prendi,
Brikena Smajli, Bujana Hoti, Entela Tabaku, Ilda Toska, Ledia Dushi, Niketa
Stefa, Vjollca Osja, Siana Elezi, Valbona Karakaçi, Meritan Spahija, Silvana
Lahi, Blerti Delia, Marjan Shkreli, Ledri Kurti, Ermira Juka, Mimoza Muça,
Blerinda Çarçani, etj., etj. Veç aktiviteteve të shumta për letërsinë,
pikturën, teatrin, artin në përgjithësi, kulmoi kjo përpjekje ku një rol të
veçantë luajti edhe Albi Brahusha, me publikimin e përtremuajshems “Orana”, për
të vijuar me revistën “ARS” të Irhan Jubicës, periodik letrar, numri i parë i
të cillës doli më 31 mars 2002 dhe i fundit 26 gusht 2006.
Dhe
ja ku jemi sot, sot kur Albi ka marrë rrugën e amshimit, për të lënë pas
kujtimet dhe vlerat e një vepre. Ngulmimet në një rrekje për të ribërë të
shkuarën dhe ngucur dhimbjen e kësaj ndarjeje të beftë, na tregojnë se sa i
hollë është filli i jetës dhe sa e pabesueshme dhe e trisht është një ikje si
kjo e mikut të mirë dhe të talentuar, Albi Brahusha.
Kujtojmë
se Albri Brahusha u lind në Shkodër në vitin 1973. Në vitin 1996 kreu studimet
e larta për drejtësi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ai ka qënë
jurist pranë Insitucionit të Prefektit në vitin 1997-1999, shef i zyrës
juridike të Prefekturës në vitin 2000, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit te
Politikave Rinore pranë Ministrisë së Kulturës nga viti 2000-2003.
Në
vitin 2014 – 2015 emërohet përgjegjës i zyrës së programeve të zhvillimit pranë
Drejtorisë Arsimore Shkodër. Në fushën artistike ai ështe autor i disa librave
dhe botues i revistës " G&G", ndërkohë që është autor i veprave
teatrale të vëna në skenën e Teatrit “Migjeni” : “Përrallat gënjejnë”, me regji
të Serafin Fankos, “Vizita e fundit”, “Ishulli i Shitenit”, “Drejt
perëndimit”,” Përtej kufijve të pushtetit”, “Eldorado” me regji nga Fatbardh
Smaja e Spiro Duni, të cilat u vlerësuan me shumë çmime kombëtare dhe
ndërkombëtare.
E
megjithatë Albi nuk është më prej sot 6 shkurt 2024. Ai do t’i mungojë
Shkodrës, siç do të mbetet një dhembje për familjen dhe të afërmit, kolegët dhe
miqtë. Sepse vdekja është e tillë tinëzare dhe e pamëshirshme. Ajo nuk pyet për
moshën, për arritjet tuaja, për ëndrrat dhe projektet. Ajo, vjen të të thotë,
ndalo, deri këtu ishte rruga jote, çfarë ke synuar dhe ke përmbushur ato
mbeten, shpirti yt dhe të tjerat i përkasin përjetësisë.
Lamtumirë
miku im, Albi Brahusha!