| E hene, 05.02.2024, 08:58 PM |
Lufta
në Shadervan të Prizrenit e Prengë Ndrec Mollës me mirditorët e tjerë kundër
serbëve më 28 nëntor 1944
Nga
Nue Oroshi
Shqiptarët
nga Mirdita historikisht kanë qenë atdhetarë dhe kanë luftuar për mbrojtjen e
tokës arbnore pa u lakuar dhe pa i llogaritur veshtirësitë qofshin ato
familjare apo jetësore. Ata luftonin për këtë dhe, edhe e jepnin jetën si me
le. Njëri ndër ata atdhetarë që i shërbeu Shqipërisë Etnike pa u luhatur deri
në momentin e fundit të jetës është edhe Preng Ndrec Molla. Preng Ndrec Molla,
lindi më 2 shkurt 1901 në fshatin Malaj
të Mirditës. Nga viti 1926 deri në vitin 1928 mbaroi Shkollën Ushtarake
të N/Oficerave në Tiranë me rezultate të shkëlqyera me pas shërbeu në disa
pozicione në shtetin shqiptar ku mori pjesë edhe në luftën për mbrojtjen e
Shqipërisë nga pushtues të ndryshëm. Në këtë shkrim do të flasim për një
rezistencë të armatosur të mirditorëve në qytetin e Besëlidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Në kohën e bashkimit të trojeve shqiptare Preng Ndrec Molla me
familje ishte vendosur në Arbanë të
Prizrenit dhe për të mbijetuar ishin edhe pronar të një kafeje në Shadervan të
Prizrenit ku edhe ndodhi rezistenca e armatosur kundër forcave serbe. Për këtë
ngjarje historike ende nuk është shkruar asgjë nga historianët shqiptarë. Por
dëshminë e plotë të kësaj ngjarje e kemi nga djali i Preng Ndrec Mollës i
ndjeri Ndrecë Molla lënë në librin e tij te botuar në Prishtinë në vitin 2018
më titull: " Udha e Brezave ", që përgaditi për botim djali i tij
publicisti dhe historiani Leon Molla. Në dëshminë e Ndrec Mollës për luftën e
Mirditorëve kundër serbëve ne Shadërvan të Prizrenit shkruhet:
" Ishte dita e
Pamvarësisë së Shqipërisë, data 28 nëntor 1944. Unë ndodhësha mbrenda në kafën
e Shatervanit që ka qënë në qënder të qytetit të Prizrenit e cila ishte pronë e
familjes time dhe në këtë ditë të shënuar kombëtare, babai im Preng Ndrec Molla
bashkë me xhaxhain Mark Ndrec Molla që në mëngjes herët vendosën Flamurin
Kombëtar në një shtizë në hyrje të kafenesë. Gjatë gjithë ditës vinin dhe
shkonin shqiptarë në kafenenë tonë, por në mbrëmje duke perënduar dielli erdhi
Frrok Radaçi nga Përlati i Mirditës bashkë edhe me disa të tjerë hyrën në kafe.
Pas pak kohe filloi festa në nderim të ditës së Pamvarësisë. Gjithçka ishte
përgatitur siç duhej në këtë ditë të veçantë. Babai dhe xhaxhai im i kishin
mbushur muret e brendëshme të kafenesë me flamuj kombëtarë. Në tavolinat e shtruara
me të gjitha të mirat ishin ulur njerëzit grupe-grupe duke ngrënë e pirë. Në
njërën nga tavolinat që ndodhej afër banakut të kafenesë ishin ulur babai im,
xhaxhai si dhe Frrok Radaçi.Por ky gëzim u kthye në gjakderdhje. Ishte ora
rreth 22:00 ku një oficer serb i shoqëruar nga dy ushtarë, kur po kalonin
rrugës pranë Shatërvanit vurën re tek dera e kafenesë tonë që po valvitej
Flamuri Kombëtarë Shqiptarë dhe u ndalën për një çast. Oficeri serb hyri i
tencionuar mbrenda i cili bashkë me dy ushtarët e tjerë iu afruan banakut të
kafenesë. Me një shqipe të coptuar tha: "Kush e ka vendosur flamurin
shqiptarë aty jashtë?"Frrok Radaçi me ironi i përgjigjet: "Uluni e
festoni edhe ju me ne!"Oficeri serb për një moment shtangu në këmbë, vështroi
për rreth duke parë me habi muret të cilat ishin mbushur gjithandej me flamuj
shqiptarë.U kthye nga banaku dhe shtriu dorën duke e kapur një flamur i cili
ishte i vendosur mbi banak, e hoqi nga aty, e hodhi në dysheme dhe në kohën që
po shkilte flamurin me këmbë, oficeri serb nxori pistoletën dhe e vrau në vend
Frrok Radaçin.Sa hap e mbyll sytë e kam parë oficerin serb bashkë me dy
ushtarët e tij të vdekur në vend kokë për kokë mbi flamurin shqiptarë.Babai dhe
xhaxhai bashkë me disa shqiptarë të tjerë i morën tre trupat e pajetë serb dhe
i rreshtuan në oborr të kafenesë që ishte dhe sheshi i Shatervanit, kurse
trupin e pajetë të Frrok Radaçit ashtu siç ishte me të shpejtë e çuan tek
varrezat e Prizrenit dhe e varrosën afër një Selvie ku tre vjet më parë xhaxhai
im Mark Ndrec Molla kishte varrosur bijën e tij 4 vjeçare e quajtur Prenë. Pasi
e varrosën trupin e pajetë të Frrok Radaçit, babai dhe xhaxhai mbyllën banesat,
po ashtu dhe kafen e Shatervanin e u larguam të gjithë në drejtim të
Shqipërisë.Ne na përcollën dy italianë të mbetur nga lufta me makinat e tyre
deri afër Drinit.Në Dri na ndihmoi Llesh Gjomarkaj, djali i Kapedanit të
Mirditës Gjon Marka Gjonit dhe forcat e tij për të kaluar Drinin gjatë rrugës
për tu kthyer në Mirditë.Më vonë babai im mori vesh se forcat serbe në orët e
para të datës 29 nëntor 1944 kishin shkuar për kontroll tek kafeneja, po ashtu
dhe tek shtëpia jonë që ndodhej në Dushanovë që sot quhet Arbana dhe tek
shtëpia e xhaxhait në qytetin e Prizrenit.Që nga ajo kohë ne nuk u kthyem më në
Dushanovë (Arbanë) sepse në Shqipëri ndaj familjes tonë do të fillonte përndjekja
nga regjimi komunist."
Hakmarrja e komunistve
shqiptar kundër familjes Molla
Duke
ditur luftën që kishin bërë kundër serbëve familja Molla komunistët nuk mundën
ta kapërdinë asesi për luftën e nacionalistëve kundër vëllezërve te tyre
idologjik komunist. Kjo familje ishte përkrahëse e familjes se Kapidaneve të
Mirditës dhe e përkrahnin luftën e Kapidan Mark Gjon Markut por që u ndeshkuan
rend. Në këtë familje u vranë apo u mbytën në mënyra të ndryshme Preng Ndrec
Molla , Bibë Preng Molla, Zef Bibë Molla, Pashk Mark Molla,Ndue Preng Molla dhe
Mark Ndue Molla. Më 15 maj 1947 helmohet nga segmentet e Sigurimit të Shtetit
dhe vdes edhe atdhetari i Shqipërisë Etnike Preng Ndrec Molla. Edhe pse familja
Molla u vra, u burgos dhe u maltretue rëndë nga komunistët pansllavist
shqiptarë ajo qëndroi e pa lekundur. Dy pinjoll të kësaj familje që po japin
kontribut të madhë kombëtar janë edhe Avokati dhe atdhetari i njohur Ndre
Molla, si dhe kusheriri i ti nipi i Preng Ndrec Mollës publicisti dhe
historiani Leon Molla. Derisa avokati i njohur
Ndre Molla jep kontribut në luftën antikomuniste,duke u përballur me
neokomunistët shqiptar qe nuk janë të pakët, dhe jep kontribut të çmuar për
zbardhjen e masakrave te komunistëve në të gjitha trojet shqiptare e në veçanti
në Mirditë, nipi i Preng Ndrec Mollës, historiani Leon Molla po e vazhdon
aktivitetin kombëtar të gjyshit të ti. Leoni ju bëri thirrje mirditorëve që të
hiqen simbolet turke nga Mirdita ku thirrjes së tij ju përgjigjën shumë
mirditor dhe hodhën në ujë simbolet turke. Për këtë Leoni edhe u dënua nga një
gjykatë proturke në Lezhë, pastaj Turqia dhe Serbia i ndaluan me dekret hyrjen
në këto shtete kurse vendi i lindjes Shqipëria e dënoj me burg në mungesë.
Në
përfundim të këtij shkrimi për kontributin e Preng Ndrec Mollës dhe familjes së
gjerë Molla dhënë tokës Arbnore vij në përfundim se familjet e mëdha atdhetare
e kanë mbajtur të gjallë luftën e nacionalizmës shqiptare për ta mbajtur dhe
për ta bërë Shqiperinë. E njëra nga këto familje është edhe familja atdhetare
Molla nga Malaj e Mirditës e cila u sakrifikua per ta bërë Shqipërinë-Shqipëri.
Nue
Oroshi, i ndjeri Pjeter Bisaku dhe Leon Molla