Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kolonjari
E marte, 06.02.2024, 07:58 PM
Kolonjari
Nga
Edison Ypi
Nëse
po flet për një shkodran, pejan, gjakovar, tetovar, korçar, lab, dibran,
matjan, tropojan, kuptohesh menjëherë, nuk e ke të vështirë të bësh të qartë
për çfarë lloj njeriu e ke fjalën. Të mësipërmit, si dhe ca të tjerë, por jo të
gjithë, janë me tipare psiko-fizike të gjalla, të theksuara, janë pra me
identitet, dhe si të tillë, lehtësisht të dallueshëm.
Ama
nëse fjalën e ke për filanin apo fistekun nga disa nahie të tjera, që s'po i
emërtoj se na zemërohen, ke hyrë në mjegull, tiparet individuale nuk shquhen,
zor se arrin të përcjellësh ndonjë gjë, belaja të ka gjet'.
Ka
pra shqiptarë me identitet të fortë dhe me identitet të dobët.
Jashtë
çdo dyshimi, ai ndër shqiptarët që e ka identitetin më të fortë se gjithë të
tjerët, është Kolonjari.
Një
llaf i moçëm thotë:
"Kolonjar
festen mënjanë, Pilon gjetën, Pilon vranë".
Sepse
kolonjari është tepër serioz, tepër krenar, tepër kokëshkretë. Që në pamje. Që
nga mënyra si e mban festen. Ka pra identitet aq të fortë, sa po e nisi diçka,
nuk i ndahet. Do e çojë patjetër në fund. Me çdo kusht. Në çdo rrethanë. Me
shpirt ndër dhëmbë. Edhe kur gabon. Edhe kur vret.
Ja
një tjetër proverb kolonjar. Këtë herë me një ngarkesë mashështore autoironie
nga ajo që proverbin e bën Art:
"Hidh
një gur në një ferrë, të dalin dyzet bejlerë".
Po
pra. Sepse, sa i përket rangut shoqëror apo respektit reciprok, edhepse
fukarenj, kolonjarët kanë qënë dhe janë të gjithë të barabartë në nivel të
lartë.
Një
ditë një kolonjar 24 karat si gjithë kolonjarët, se kolonjar me më pak karat
nuk ka, më tregoi një kartolinë të vitit 1922. Në atë kartolinë ku tregohen
disa zonja dhe zojusha veshur e mbathur e krehur e ngrehur sipas modës
pariziene të atyre viteve në një event. Në faqen e pasme të kartolinës zverdhur
nga koha, shkruhet me gërma shtypi:
Ballo
në Starje 1922
Në
atë vit mund të jenë bërë Ballo në Korçë, Durrës, Tiranë. Ama, falë identitetit
të jashtzakonshëm kolonjar, zor se janë bërë Ballo dikund tjetër në katunde.
Kolonjari
është pjesë e një komuniteti me vetdijë qytetare të rrënjosur thellë gjatë
shekujve: nën lëkurë, në ind, në qelizë, në gjak, në gen.
Jashtë
çdo klisheje ofenduese dashakeqe, të qënët fshatar apo katundar, në Kolonjë
është përmasë e munguar, dukuri e panjohur.
Në
Kolonjë nuk ka as fshatarë as katundarë.
Në
Kolonjë ka vetëm Kolonjarë.
Me
Lis Gjeneralogjik, meselera, apo siç
quhen "kolonjarllëqe", debate
të zjarrta politike, ekonomike, gjeopolitike, gjeostrategjike, të gjitha me
përmasa ndërkontinentale, në Kolonjë njësoj si në Kembrixh apo Oksford ka vetëm
qytetarë të gdhendur, të shkolluar, të mirëinformuar që mund të flasin me
gjithkend dhe për gjithçka.
S'ka
Kolonjar të denjojë të flasi për çështje që ngërthejnë më pak se një milionë
kilometra katrore.
Në
Kolonjë, edhe kolonjari më i humbur i fshatit më të largët, as e shkon ndërment
se mund të jetë më pak se një europian i qytetëruar, sot e mot e përgjithmonë,
krejt njëlloj si parizien, milanez, apo londinez.
Ka
një shembull relativisht të freskët që e dëshmon vetëdijën qytetare të
kolonjarëve:
Kur
më 1997 anekënd vendit sharronte kalashnikovi, shpërthente tritoli, therte
thika, vidhnin bandat, dhe shteti u ç'thur e u ç'bë i tëri, edhe në fshatrat më
të thella të Kolonjës, sipas parimit të lartë kolonjaresk se "Shteti duhet
ndihmuar më tepër në kohë të vështira", kolonjarët paguan rregullisht
faturat e korentit, taksat, dhe krejt detyrimet.
Kolonjari
ësht shtetbërës i lindur.
Çdo
Kolonjar është shtetar.
Kolonjari
nuk idhnohet, nuk mërzitet, nuk revoltohet, edhe kur pret me vite rastin fatlum
për tu kyçur në sistem, për të dhënë ndihmesën e vet përmes një punësie në
administratë, ku do punojë me devotshmëri ekstreme, me seriozitet dhe
ndershmëri absolute.
Banorët
e zonave limitrofe kudo në botë nuk shquhen për ndonjë besnikëri kushedi se çë
ndaj vendit që i përkasin. Flirtojnë me fqinjët. Spiunojnë. Komplotojnë.
Sidomos kur besimi fetar është i njëjtë.
Kristianët
ortodoksë të Kolonjës, janë një përjashtim madhështor i këtij rregulli në dukje
të pathyeshëm. Kolonjari i atdhedashurisë së pakufishme është po aq i afërt sa
dhe vigjilent ndaj grekut të Kalit prej druri.
Ka
ca kokrra budallenj kokpalarë e trushpëlarë që thonë se kolonjari është
komunist i pandreqshëm.
Asgjë
nuk e provon këtë gënjeshtër. Por edhe nëse tek-tuk ka ndonjë, ai thjesht
është, nuk fshihet, nuk zvarritet, nuk qurravitet, demokrat, socialist,
komunist, ballist, anarkist, monarkist, ambjentalist, nuk e ka as turp as drojë
të shpallet.
Rilindasit
më të devotshëm, jo si këta të sotmit që shkatërrojnë Shqipërinë për të bërë
veten, por nga të pavdekshmit që shkatërruan veten për të bërë Shqipërinë,
ishin kolonjarë.
Sot
Botuesi më serioz, komunikatorët më në zë, intelektualët më të shquar,
atdhetarët më të spikatur, janë kolonjarë.
Hidhe
Kolonjarin në Fund të detit. Flake prapa Hënës. Mbylle në një bunker betoni me
mure dy metra të trashë. Lëshoje me parashutë në mes të Saharës ose në thellësi
të xhunglës. Kolonjari kolonjar se kolonjar mbetet. Edhe ta vrasësh. Edhe
mishin t'ja presësh. Edhe kockat t'ja bluash.
Çfarë
e bën kolonjarin kaq të dallueshëm ? Era ? Shiu ? Uji ? Yjet ? Toka ? Qielli ?
Nuk e di. Ndoshta të gjitha bashkë. Rëndësi ka që Kolonjari është njeri dhe
shqiptar i jashtzakonshëm. Është kryelartë. Hedh hapin i sigurtë. Nuk sheh as
majtas as djathtas por vetëm drejt, dhe kryesorja: Në duar nuk mban tas me
fasule, as filxhan kafeje, as gotë birre, por libra.
Nuk
u mburra.
Rrëfeva
ca të vërteta që të mos i mbulojë pluhuri i harresës, dhe të tjerët të marrin
shembull nga Kolonjari atdhetar i paepur, delirant i këndshëm, idealist i
pashërueshëm.