| E shtune, 03.02.2024, 09:00 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
NEXHAT
AGOLLI-MARTIR I BASHKIMIT KOMBËTAR SHQIPTARË
(1914-
e vranë me 28 prill 1949)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
i madh Nexhat Agolli, ishte i lindur në Dibër të Madhe më 09 qershor 1914 në
Dibër të Madhe. U lind në një familje me tradita të lashta patriotike. Babai i
tij duke e ditur se vetëm i ditur je i vlefshëm për atdheun, andaj menjëherë
Nexhatin e vogël e dërgon në shkollë. Shkollën fillore e mbaron me sukses në
Krumë të Kukësit në vitin 1928, për të vazhduar shkollën e mesme- gjimnazin në
Tiranë. Edhe në gjimnaz nuk mungoi suksesi i shkëlqyeshëm dhe dashuria e madhe
për të vazhduar shkollimin e mëtejshëm. Nexhat Agollin gjithmonë e kishin
tërhequr lëndët juridike dhe çdoherë kishte mendua se kishte qenë mirë sa më
shumë shqiptarë të mbaronin për gjykatës. Pas një kohe regjistrohet në
Fakultetin Juridik në Romë. Angazhimi i tij në mësime tani ishte edhe më i madh
dhe mu nga kjo nuk mungoi suksesi i shkëlqyeshëm i tij. Profesorët e tij duke e
parë edukimin qytetar dhe angazhimin e madh në studime i propozojnë që të
mbetet asistent në këtë fakultet.
Me
fillimin e Luftës së Dytë Botërore, më vitin 1942, kthehej në Shqipëri dhe
aktivizohet në aradhet partizane. Në Maqedoni kthehet më 1943, po edhe këtu
angazhohet në Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte anëtar i Zonës
së Parë Operative dhe në muajin tetor të vitit 1944 u kooptua në ASNOM-in. Mbas
mbarimit të luftës kthehet në Shkup dhe zgjidhet ministër për Punë Sociale në
Qeverinë e Parë të Maqedonisë. Nexhat Agolli jo më kot e kishte përfundua
juridikun dhe në jetën e tij private e shoqërore assesi nuk e duronte
padrejtësinë, andaj më 1945, kur shumë pjesë të tokave shqiptare okupohen e
ndahen në mes republikave jugosllave, ai nuk mundi ta kapërdij këtë. Ishte i
dëshpëruar dhe në të njëjtën kohë edhe i
gatshëm që mos të rrijë duarkryq, por të veproi dhe të realizojë ëndrrën e
shumë gjeneratave.
Derisa
ishte deputet në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë, kishte rënë në kontakt me
shumë figura patriotike të jetës politike shqiptare. U takua dendur me Xheladin
Hanën, Rifat Berishën, Omer Çerkezin, Qemal Agollin (vëllain), Haqif Lleshin,
Sali Lisin etj. Aty edhe zënë fill reagimet e para të organizuara për të veprua
për shkëputjen e Kosovës e të trevave tjera shqiptare me Shqipërinë. Vendimi
ishte marr : duhet formuar një organizatë ilegale që do të veprojë në të gjitha
trevat shqiptare që kishin ngelur nën okupimin jugosllav. Ishte bisedua se
organizata duhet të ketë krahun e armatosur; duhet të ketë vetëm karakter
kombëtar; të shtrihej në të gjitha trevat shqiptare në Jugosllavi, dhe
gjithsesi të vendosin kontakte me Republikën e Shqipërisë si nëpër mes kanaleve
diplomatike si dhe nëpër mjet kufirit shtetëror.
Pas
takimeve të shumta që patën në mes veti, u mor qëndrimi që të bëhej konstituimi
i grupit. Anëtarët e saj u angazhuan që kjo organizatë fillimisht të formohej
në Prishtinë, duke e quajtur “Fronti Kombëtar”, të legalizuar në kuadrin e
Frontit Popullor, i cili shërbente si maskim i të parit, për tu mos u cilësuar
si antishtetëror dhe qëllimi i së cilës ishte sendërtimi i Programit të
Lëvizjes Popullore për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Po ashtu, u morë qëndrimi
që sa më shumë e sa më shpejt anëtarët e saj të angazhohen të punohet me masat
që në një mënyrë të bëhej sensibilizimi i tyre për luftë për bashkimin e
trojeve shqiptare. Po ashtu u mor qëndrimi që në aspektin politik dhe në
objektivat strategjike do të ishte lufta për bashkimin e të gjitha viseve
shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë. Në planin organizativ, do të punohej në
ndërtimin e Frontit Kombëtar Shqiptar; si organizatë politike do të ketë
karakter kombëtar dhe do të shtrihej në të gjitha viset shqiptare, do të
bashkëpunoi me organizata më të vogla por që ishin shumë të besueshme. Në krye
të organizatës do të formohej një komitet i quajtur “Shpëtimi Kombëtar” me
qendër në Shkup, dhe të rretheve në përbërje të qarqeve. Por, organizimi më i
rëndësishëm ishte organizimi ushtarak, i
cili do të punoi për një lëvizje të armatosur me njësit, me çeta të vogla e me
reparte po ashtu të vogla, në të gjitha viset shqiptare që ishin nën okupimin
jugosllav. Fillimisht, do të punohet me një shtab të përgjithshëm, me numër të
vogël komanduesishë, por që do të jenë të përgatitur mirë dhe me përgjegjësi do
i kryenin punët në misionin e tyre. Njësitet do të ngritën në të gjitha rrethet
dhe qytetet dhe çetat do t’i mbulojnë qarqet. U tha se të gjitha këto njësite
në fillim do të kenë karakter gueril dhe më vonë këto grupe do të quhen Ushtrua
Guerile Shqiptare. Fillimisht do të kishte vetëm dy reparte ose batalione me
nga 50-60 veta, me nga tri çeta prej 15-20 luftëtarëve, me komandantin dhe dy
zëvendës. Çetat do të vepronin në qarqe, kurse njësitet do të vepronin në
rrethe me nga 3-4 grupe. Si në çdo organizatë ilegale, rol kryesor kishte
konspiracioni dhe çdo dekonspirim i tyre quhej tradhti. Anëtarëve të grupeve do
tu caktohen pseudonimet dhe me ato pseudonime do të vepronin. Ndërsa,
informatat nga grupi në grup do të bëheshin me takime fizike ose nëpër mes
letrave.
Pjesëmarrësit
e këtyre mbledhjeje nuk e dinin se ishin të përcjell në çdo lëvizje dhe në çdo
hap nga udbashët, andaj, nuk ishte aspak e papritur kur edhe u bë arrestimi i
disave nga ata. Duhet theksuar se edhe aktiviteti i Nexhat Agollit përcillej me
kujdesin më të madh dhe në konspiracion të thellë nga udbashët. Sidomos, ata i pengonte transparenca e tij që
e bënte në mbrojtje të shqiptarëve. Angazhimi i tij për avancimin e shqiptarëve
në Republikën e Maqedonisë. Ai sa ishte në vende udhëheqëse ndikoi që të hapte
kurse pedagogjike, ishte themelues i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, po ashtu
me ndihmën e tij u hap radio-Shkupi në gjuhën shqipe. Njëherë, hapi edhe
shkollën fillore “Liria”, në Shkup, ku për drejtor të saj u caktua mësuesi-
patriot Azem Marana. Nexhati me shokë aktivitetin ilegal e kishte fillua para
se të prisheshin marrëdhëniet në mes Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik.
Por, në ndërkohë, me shokët e idealit,
kishin mendua që ta shfrytëzonin prishjen e marrëdhënieve në mes Jugosllavisë e
Rusisë në dobi të çështjes të bashkimit të Kosovës e të viseve tjera shqiptare
me Shqipërinë. Por, dita ditës rrethi ngushtohej ndaj atdhetarit të madh-
Nexhat Agollit.
Gjatë
kësaj periudhe pushteti jugosllav në
Kosovë kishte instaluar në masa “komplotin” se në Kosovë po përgaditej
kryengritje, krejt me qëllim që gjatë dimrit 1956 të ndërmerret aksioni për
çarmatimin e shqiptarëve. Gjithnjë për ta mbajtur çështjen shqiptare “nën hije”
për ta mënjanuar përgjithmonë Lidhur me
këtë në Kosovë, për gjashtë muaj (dhjetor 1948-fillim i qershorit 1949 do të
mbahen 385 mbledhje.
Komunistët
shiptarë dhe IB, në pjesën dermuese nuk kishin rreshtim as pro Stalinit, e as
pro Titos, por thjeshtë qëndrimi i tyre ishte pro Shqipërisë (kurse spjegohej
se ata që ishin pro Shqipërisë janë kundër Jugosllavisë), sepse konsideronin se
Kosova është pjesë private e saj. Çështja pra kishte dalur jashtë kontestit
politik. Lidhur me këtë Nexhat Agolli, Xhafer Vokshi, Rifat Berisha, Xheladin
Hana, ishin prononcuar pro Shqipërisë dhe qëndrimi jo vetëm i këtyre ishte
interpretuar si qëndrim “armiqsor”.
Arrestimet
gjatë kohës së informbyros në Kosovë e në trevat tjera shqiptare që ishin nën
Jugosllavi bëheshin pa gjyq. Të burgosurit torturoheshin e masakroheshin, bile
për disa humbnin pa gjurmë. Po gjatë viti 1948, në Guci u arrestuan 25
shqiptar, në Junik të Gjakovës u arrestuan shumë njerëz, u rrahën nga udbashët
në mënyrën më çnjerzore dhe 8 prej tyre u mbajtën në burg. Nga të dhënat e
verifikuara, në Kosovë vetëm në vitet 1948-1950 u arrestuan mbi 2000 shqiptarë.
Në këto rrethana komunistët shqiptarë nuk e kishin hallin as te Satlini e as te
Tito, por prishja e marrdhënjeve Shqipëri-Jugosllavi spejgohej me faktin se për
shqiptarët e robëruar nën Jugosllavinë titiste po fillonte “një dimër i gjatë
plotë pasiguri personale dhe kombëtare”.
Në
vitin 1949, me 15 prill, arrestohet nga axhentët e UDB-es. Fillimisht Nexhati
donë të rezistojë, por duke e parë se tërë anëtarët e familjes ishin të
rrezikuar, ai vendos që të dorëzohej.
Pas
arrestimit, hetuesit fillojnë torturat e gjata e të pafundme ndaj patriotit 33
vjeçar. Kërkonin të tregonte bashkëveprimtaret, të flasë për organizatën e
formuar, për çdo gjë që ishte kundër tyre. Nexhat Agolli iu kishte thënë haptas
se ishte i pakënaqur jo vetëm ai por e tërë popullata shqiptare që pa dashjen e
tyre kishin ngelur nën okupim. Iu kishte thënë se nuk kishte dal në luftë për
të mbetur nën Jugosllavi e shumë fjalë të tjera. Këto fjalë të Nexhatit i tmerronin hetuesit, andaj në mënyrën më
barbare e çnjerëzore e torturonin dhe e
rrihnin trimin e Dibrës së Madhe. Në mes të natës 27 e 28 prill të vitit
1949, pas torturave makabre që kishin zgjatur me orë e ditë të tëra, ata e
vrasin në qelin e burgut të Shkupit, duke lënë mbrapa një pellg të madh gjaku.
Për të humbur gjurmë, ata shpikën se Nexhati kishte dashur të ikte, dhe
inskenuan tërë procesin e vrasjes së tij. Kufomën e Nexhatit e morën pas mesnate,
në ora 2, dhe e dërguan në qendër të sheshit të Shkupit para shtëpisë së
oficerëve, në fillim duke e nxjerrë nga makina me të cilën e transportuan,
pastaj nja 10-15 metra e largojnë nga vetura dhe nga kjo distancë, shtënë me
plumba në kufomën e atdhetarit. Më pas i kanë thirrur njerëzit e Prokurorisë
dhe të Gjykatës së Lartë për të bërë procesverbalin e vrasjes, gjoja se ai ka
dashur të arratiset nga burgu, por në ndërkohë, këta e kanë zënë dhe e kanë
futur në makinë dhe se ai nga makina përsëri ka tentuar për t’u arratisur, me
çka kinse ka shkatërruar edhe dorezën e makinës. Pas torturave brutale në
burgun e Idrizovës, dhe ekzekutimit të kufomës në Sheshin e Shkupit, trupi i
pajetë i Nexhat Agollit në konspiracion të plotë nga personat e UDB-së varroset
në atarin e fshatit Matkë të Shkupit.