Kulturë
Blerim Rrecaj: Shtatë Tregimthe
E enjte, 01.02.2024, 07:44 PM
SHTATË TREGIMTHE
Nga
Blerim Rrecaj
Tregimth i përdredhur
Dikur.
Diku. Në një vend. Çfarë hyrje misteroze e enigmatike sikur të isha duke bërë
fjalë për ndonjë vend sekret, bazë ushtarake, seli anijeje kozmike, a dhomë
parapërgatitjeje për zbritje në ndonjë planet të panjohur, si p.sh., për hënë e
mars. E jam unë ai i cili mund të tregoj se për ç'mjedis bëhet fjalë, ose ta
"zhvendos" këtë diku tjetër, siç bëhet me emra personazhesh nëpër
libra, a ndërrime identitetesh nëpër filma. Po pse? Për qejf! Fjalën e kam për
një dhomë brenda një objekti, me madhësi aty rreth 4 metra me 3. Me tri
tavolina përreth, dollape pështetur në murin përballë, një dritare e madhe,
poashtu ballëpërballë derës. E në fund, pranë dritares me perde, e vendosur një
nxehmëse e tipit të vjetër që atëbotë njiheshin me emrin "termo" ,
ndërsa në pjesën lart, në cep të dritares rregulluesja e temperaturës, me kablo
që duken mbrenda e jashtë, pra kjo që njihet me emrin "klima" . Mbi
ata tela të jashtëm mjaft shpesh, vije e duket një trumcak, e më rrallë ndonjë
shpend tjetër. Është verë. Dhe duke u endur nëpër këtë ambient, afrohem te
dritarja, shoh e marr librin e titulluar "Tregime të zgjedhura" .
Mbase titulli mund të ishte dhe "Tregime të përzgjedhura" dhe për
këtë s'jam i sigurtë. I sigurt jam se kush e ka shkruar, një autor ose një
autore (ndonëse emrin ia kam harruar, e edhe po të më mbysni s'më kujtohet),
por s'do t'ua them gjininë. Pse t'i nxjerr vetes telashe duke u akuzuar për
maskulist a feminist, ndonëse veten e ndjej si njeri (njerizist, po të dua mund
ta quaj veten). E librin e pata marrë, e pata shfletuar, ia pata filluar për ta
lexuar. Nuk mund të them, asgjë as për mbresat, as për vlerat, pasi që ka
kaluar mjaft kohë, dhe s'mbaj ndonjë gjë të më këtë mbetur në mbamendje, veçse
diçka e turbullt, e as kapakët e tij nuk më kujtohen. Ndoshta, pasi vetë
kushedi se në ç'gjendje kam qenë, dhe mbasi ai libër, mund të gjendet aty ku e
kam lënë, dhe pa e patur përsëri në duar s'kam se çfarë them për të. Por pjesa
e titullit " ... të (për)zgjedhura" , më së shumti më pat bërë
(për)shtypje. E pata menduar, që mbase do filloj ndonjëherë dhe unë të shkruaj,
ndonjë tregim, a ca tregime, sa për një përmbledhje, të cilën do ta titulloja
"Tregime të (për)dredhura". Po, pse, pata filluar komunikimin me
veten. Paj, duket qartësisht turbull se ka kohë që jeta që bëjmë është e tillë.
Na ka rënë të përdredhemi jo vetëm shpirtërisht, por edhe trupërisht, edhe
ndonjë herë iu kemi besuar bestytnive, se nëse na ngjeshin (na bëjnë masazh)
ata që Zoti u ka falur fëmijë binjakë, përdredhja do të na kalojë së shpejti. Sidoqoftë,
vazhdojmë të përdredhemi qoftë nga frika e droja, nga qejfi e nga zori, por
ndonjëherë edhe nga mirësjellja. Kur? Tash. Ku? N'banesë. Në ç'vend? N'Kosovë,
jo fort larg kryeqytetit. Pas gati dy vjetësh, e lë këtë shënim. Kjo është kur
të shkruash diçka e kur ta merr mendja se ke thënë diçka. Ndoshta s'qenka keq
të mendoj të shkruaj nja shtatë-tetë tregimthe të tilla. Ose ta rrumbullaksoj
me një dhjetëshe. S'e di, ta shoh...
Nëpër dallgë internetike
La
laptopin pasi kishte bredhur mjaft kohë nëpër internet. Dhe mori telefonin, për
andej ku ishte, valles internetikishte. Dhe kalimi i kohës nëpër valët e tij,
ecja, vrapimi, bjerrakoha, mjegullnaja po e bënin të plogësht e të ftohtë, ditë
për ditë. Edhe atëherë kur duke kërkuar
diç, gëzohej se në njëfarë mënyre po i shmangej ndonjë bllokade informative,
ndonjë kufiri artificial, diç të shpërfillur, e diç që mundoheshin ta mbulonin
me shoshë. E kërkonte me një lloj këmbëngultësie e kokëfortësie të gjente diç
të dobishme e me vlerë, duke bredh e duke bredh, nga njëra tek tjetra adresë.
Shpeshherë i trullosur e i mpirë, ja, ku po shoh edhe këtë, ja, këtu po lexoj
edhe këtë, bile ndonjëherë duke lexuar një libër të tërë prej shumë e shumë
faqeve. Pastaj kërkonte e gjente edhe ato që (s')i priste, një sokak e hidhte
në një rrugë, një tjetër në qorrsokak,
një tjetër e dërgonte në hyrje të një fshati e tjetra para dyerve të një
pallati. Dhe dashtë e padashtë ndërronte udhë ose hynte brenda këtyre botërave.
Diku vërente dashamirët që i vënin në pah ndonjë element të vlefshëm, ia
tërhiqnin vërejtjen për ndonjë lëshim a pasaktësi, ndërsa kishte edhe të tillë
që i therrte diç nga ndonjë postim që bënte, kushedi se ç'mizë pas veshëve a
nën kapela mbanin. Ishte i matur, i drojtur, melankolik. Përpiqej ta kishte më lehtë
pasi përcaktohej kah faqet e gjelbërta që bëjnë thirrje për mbrojtje të
natyrës, kah faqet kulturore që përzgjedhin një mozaik me informacione, kah
faqet ku nuk kanë edhe aq(ose s'mund të kishin)vend, zallogat e rraqet
përçarëse. Sytë skuqeshin e shpeshherë ia rikujtonte vetes se kjo gjendje në të
cilën ndodhej s'ishte aq e dëshiruar aq sa ishte e imponuar.
Fletë harrese
Filloi.
Çfarë? Filloi të mendonte? Për çfarë? Për një ditë të jetës së tij. Për cilën
ditë? Për atë që sapo e kishte lënë pas, për atë që sapo kishte perënduar.
S'dinte se ku të niste të rrëfente për ditën, kur akrepi i orës kaloi sekondën
e parë të mesnatës, kur i doli gjumi papritur pasi kishte rënë të flinte diku
pas orës dy e gjysmë, a të niste me zgjimin nga shtrati, diku në orën shtatë të
mëngjesit me orën në telefon që ishte vetëkthyer për një orë mbrapa. S'po
vendoste lehtë. Rrinte hamendshëm e përhumbshëm, e ndoshta dielli që kishte
zënë vend në qoshkun e njërës prej tri dritareve të dhomës së gjumit, që të
tria me dy perde të mbuluara, e para prej pëlhure të rëndë e e dyta prej të
lehtës, njëra pas tjetrës, të blera kushedi para sa vjetësh. Dhe mendonte,
ndoshta kot mendonte se a do të duhej të vijonte këtë që nisi. E la për një
çast këtë mendim, sikur e ndërpreu një valë jete që shpiu deri në një tjetër
breg, duke parë herë-herë valët e bardha mbi sipërfaqen ujore, herë-herë
qiellin me re, e herë-herë, duke vështruar çdo gjë që mund të vështronte
përreth. Herë-herë i jepej ambientit real, herë atij përfytyrues, ëndërrues e
imagjinar. Donte të gjitha t'i shndrronte në një, në një koktej frutash.
Kushedi, do ta sheh një ditë këtë shkresurinë dhe do të mund ta vazhdonte aty
ku e la, o do të mjaftohej që të sillte dikça turbull nëpër mend, nëpër
degëzimet e damarëve të kujtesës. Ndoshta s'do të thur më asgjë, ndoshta
herë-herë do të përpiqet, e këtë që i pëlqen ta quaj si një lloj loje të
imponuar do ta harroj krejtësisht. Ashtu si ditën për të cilën nisi të
rrëfente, e për të cilën nuk tha dot asgjë. Dhe vetëm diç iu vërtit nëpër kokë.
Dhe koka i dhimbte. Ndashtë se ka diç në të, tha, siç thonë. Mbase asgjë përveç
dhimbjes, siç thonë, tha. Dhe rrinte përhumbshëm. I dukej se shkruante me ajër,
si për piktorin që thonin se pikturonte me dritë, herë në një faqe muri e herë edhe në qiell.
Dhe nuk filloi. Mëdyshja e ndaloi. Një ditë kaloi si një fletë pothuajse e
zbrazët.
Udhë dhe takime
Njëzet
e katër minuta pas mesnatës kaluan. Tashmë jemi në datën e pragdimrit. Duke
hyrë në të. I lëmë këta rreshta të nisur. Për të vazhduar përsëri. Ky muaj
fundviti vazhdon. I ngjajmë një kohe të ftohtë, herë të mjegullt, herë të
kthjellët, e një bore që përton të bie. Dembele, bre. Heziton, kushedi se pse.
E para saj vije shiu. Një shi i prajshëm. Që bije deri dikur vonë pasmesnate.
Dita agon e lagur, e larë. E mbasi del në takimin e radhës, paracaktuar me
shokë, ke fat të ndjesh lagështinë e ajrit, të shohësh një gjethe që endet
nëpër qiell para se të bije në tokë, me një gjethe të zverdhur si limoni të
shelgjes lotuese që bije, e mbështetet për murin e gjallë gjelbërosh me gjethe
të kafta tek-tuk nëpër të, sigurisht që kanë ndërruar ngjyrë nga temperaturat e
ftohta. Derisa pret në stacion autobusësh, vazhdon të hedhësh hapa, trëndafilat
papetale, tashmë kokëqethur e tullacë rrijnë në vend, e një pëllumb ecën me
këmbë për asfaltin e gjerë pak para vendit ku fillojnë peronët me numrat 1, 2,
3, e kështu me radhë...Hajde për...përmend emrin e një qyteti njëri nga
punonjësit e ndonjëres prej agjencive të udhëtimeve. Vjen ai që është nisur,
dhe ndeja me të, në një kafene vazhdon. Na u bashkohet edhe i treti. Biseda të
zakonshme. Ecejake duke ndërruar vende. Ndonjë çast e ndodhi që lë më shumë
tërheq vëmendjen duke lënë më tepër gjurmë. Edhe nja dy vende pranë tavolinave.
Pranim-dorëzimi i ca dhuratave: libra e diç tjetër. Çasti me u nda vije. Në
stacion autobusësh afrohet dikush që në anglishte thotë: I'm marokien. It's
Kosova, no Serbia, kërkon merr e largohet me ca monedha. Dhe humb ai e humbim
ne nëpër këtë natë. Për të vazhduar me ditën që vije. Për ta kaluar edhe këtë,
duke u bërë pjesëtar i ditës së re që vije. Që sjell një takim tjetër në
kryeqytet. Dhe ca përpjekje për ta përmbyllur këtë vit me sa më shumë sukses.
Rezultatin po e presim, e nuk po bëjmë "hopa" pa e kapërcyer gardhin
a murin. Si duke pritur ta befasojmë edhe veten.
Shënime të mëparshme
Nuk
e dinte mirë se çfarë do të bënte. I dolën para sysh një grumbull shënimesh të
mëparshme, që i kishte lënë në një dokument 'wordi'. Ashtu siç ndodh ndonjëherë
kur diç e papritur të bën të ndërrosh rrjedhën e lëvizjeve, veprimeve. Filloi
të i lexonte herë shpejt e shpejt e herë pa u ngutur. Iu dukën naive, pa ndonjë
vlerë, por të sinqerta deri në njëfarë mase, dhe që i sollën vargmale me
kujtime nga kjo jetë e kaluar deri më tash. Përplot gjëra kishin ndodhur, sa e
sa ngjarja e sa sa detaji, shumë prej tyre i ruanin këto shënime që i ngacmonin
kujtesën për t'u kthyer kah e djeshmja nëpër të cilën kishte kaluar. Dhe mendoi
se kanë të drejtë atë që e kishin thënë të tjerët se nuk ka jetë pa kujtesë e
histori. Mendoi edhe për të tashmen e afërt, për të sotmen dhe sikur vërejti ca
ngjashmëri dhe dallime, dhe iu duk vetja larg asaj që donte të ishte, larg asaj
që synonte, dhe mendoi se ndoshta rrugëtimi do të vazhdonte të ishte i vështirë
e i pasigurtë si më parë. Dhe kjo e lodhi në njëfarë mase, e plogështoi në
njëfarë mënyre e zbehu me ngjyrë limoni në fytyrë, e as që lëvizi të shikohej
në pasqyrë. Mbase kushdo që ta takonte i pari mund ta vërente e ndoshta edhe do
e pyeste se çfarë kishte që nëpër sytë e tij hidhte valle një trishtim i
çuditshëm.
Historizë e shkrepjeve
Përsëri
nuk po dinte më se të merrej. Një erë hamendjeje po fryente. U hodh te një fill
e një fije historie e jetës së tij. Dhe as vetë s'e dinte mirë pse e si kishte
nisur. Mbase i nxitur nga teknologjia e vetë aparati fotografik mbrenda
telefonit shumëfunksional që e barte me vete e e bart ngado që shkon. Nuk i
kujtohet e e nuk e di se si filloi, e cila qe shkrepja e parë, por mund të
flasë duke filluar nga shkrepjet e para. Për shembull për ca lule të vockëla e
të bardha në një gjelbërim të harlisur derisa ecte një shtegu Gërmie, pastaj
një vazo filxhani që qëndronte para një kafeneje përballë konvikteve, të bërë
nga goma automjetesh në hapësirën e së cilës ngrinin krye ca lule të kuqe, më
tej në një natë, dy trëndafila me pika vese të shiut që sapo ishte ndalur diku
në një qoshk të blertë, pastaj zogj, lule, flutura, breshka, ketra që ka takuar
rrugës. Lindje, rrugëtime e përendime dielli, hënën që ka ëmbëlsuar netët, që
ka dalë për të hequr trishtime, për të qëndruar në qiellin pa re a mes reve të
mjegulluara, duke shijuar aromë bliresh e duke tërhequr vështrime fëmijësh.
Mangut s'i ke lënë as të reshurat që kanë zbritur prej mërgimit për në tokën e
tyre herë si shi e herë si borë, brymë e edhe si breshër ndonjëherë. Ka
shkrepur edhe për gjëra jo aq të këndshme si tymtarë termocentralesh e kanale
ujërash të zeza që kanë ndotur lumenjtë. Për t'u kthyer përsëri te ajo që të ka
zënë pritë qoftë për keq e qoftë për mirë. Dhe tash kur po e sheh që po zgjatet
, në shpjegime e përshkrime, lojën e shkrepjeve e ka rralluar shumë, e sheh
ndonjëherë në to pemët e shtëpitë që nuk ekzistojnë, ndryshimet që flasin, si
për shembull një fëmijë pranë një qershie, në atë hapësirë...Dhe të tjera dhe
të tjera... Pa harruar dhe selfitë si për të dëshmuar sikurse reporterët me
pamje nga vendi i ngjarjes.
Kalendar me fjalë
I
pa edhe ca shënime që kishte lënë. Ishin në vargje. I erdhi një ide. Mendoi t'i
rendiste. Renditja e përzgjedhja punë mjeshtrie e durimi, mendoi. "Fajin"
e kishte shkrimi me titull "Janar lozonjar", e njëri nga vargjet
vinte re se si janari herë ishte i ftohtë e herë i ngrohtë dhe që ndërroi
mimikat në fytyrë, herë duke qenë i qeshur e herë i mrrollur. Dhe u rrokullis
për t'u kthyer përsëri, kur t'i vije radha. Pastaj vazhdoi pasardhësi i tij
shkurti i bukur me një "Ndejë epiko-lirike", kafe duke pirë në një
verandë, pasi treni tashmë ka ikur, me sirenën e tij kumbuese e paralajmëruese.
Marsi
vije me një re të varur në degët e një peme, duke i uruar qëndrim të këndshëm e
në trungun e saj, por qeset tashmë i ka shpallur non-grata(të padëshiruara), me
të drejtë qëndrimin ua ka ndaluar. Prilli vije me borë që bie mbi fije bari,
mbi degë e gjethe drunjësh, e e kështu dimri "hakmerret" për kohën kur
pranvera e vera shkelin në territorin e tij. Le te provojnë tash të kundërtën e
shprehjes "Verë në dimër" sikur thotë, për të vazhduar, se asgjë s'po
mbetka pa u kthy në këtë jetë. Pastaj vazhdojnë muajt tjerë, secili me një
shenjë dalluese, të veçantë. Dhe iu kujtuan kalendarët e këndshëm e të ndryshëm
të ngjitur për muresh a të vënë mbi tavolina e mbi komodina.