| E marte, 30.01.2024, 09:05 PM |
Albert Habazaj në Ditën Ndërkombëtare të
Holokaustit, Vlorë, 27 janar 2024
VLORA DHE HOLOKAUSTI
Holokausti nazist, historia shqiptare e
Holokaustit dhe Ditari i Ana Frankut
Nga Albert HABAZAJ
Paraqitje
e përshpirtjes dhe veprimtarisë historiko - kulturore “Vlora dhe Holokausti”
Më
datën 27 janar 2024, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” së
bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve “Petro Marko”, në ambientet e
muzeut “Kosova” në Vlorë organizuan takimin përkujtimor në lidhje me ditën ndërkombëtare
të viktimave të Holokaustit.
Në fjalën
e tij përshëndetëse, dr. Bujar Leskaj, theksoi rëndësinë e përkujtimit të kësaj
dite dhe renditi disa nga arsyet përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin (shkrimi
i plotë është publikuar në faqen e tij të Facebook dhe në web: www.bujarleskaj.com).
Studiuesi
dhe poeti Albert Habazaj, Kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve
“Petro Marko”, organizator i këtij takimi, foli mbi historinë shqiptare të
Holokoaustit dhe Ditarin e Anna Frankut, si dhe për temën e Holokaustit në
letërsinë tonë. Sipas tij “Temën e Holokaustit e kanë trajtuar shumë nga
autorët vlonjatë”.
Në këtë
takim u lexua fjala përshëndetëse e Dr. Anna Kohen, “Qytetare Nderi e Vlorës” nga
poetja dhe përkthyesja vlonjate Laureta Petoshati, e cila moderoi takimin dhe
ishte bashkorganizatore e tij.
Profesor
Spiro Caushi, “Qytetar Nderi i Vlorës”, foli për jetesën e tij mes komunitetit
hebre të Vlorës dhe lexoi përshëndetjen e poetit dhe shkrimtarit hebre të
komunitetit të Vlorës, Jakov Solomon.
Poetja
Anila Toto foli mbi përjetimet e pasojave të Holokaustit dhe krimeve naziste në
disa familje vlonjate.
Kompozitori
Aulon Naçi, foli mbi muzikën makabër gjatë ekzekutive në kampet e përqëndrimit.
Poetja
Alma Ferruni përshëndeti me një poezi të saj kushtuar Anna Frankut dhe mesazhit
që përcolli ajo në botën mbarë, ndërsa poetja Lulëzime Malaj foli mbi
përjetimet mbi leximet nga shkrime të të mbijetuarve të Holokaustit.
27 Janari - Dita Ndërkombëtare e Holokaustit
Në kujtim të 27 Janarit, që në Europë dhe në Botë është
Dita Përkujtimore e Holokaustit dhe nga OKB nderohet si dita ndërkombëtare
Holokaustit nga OKB Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” drejtuar
nga dr. Bujar Leskaj, si dhe së bashku me intelektualë të qytetit tonë, më
datën 27.01.2024, ditën e shtunë, ora 18:00, në zonën e Vlorës historike, në
rrugën “Justin Godard” në mjediset e Muzeut “Kosova” organizuan veprimtarinë
historiko - kulturore “Vlora dhe Holokausti” nën kujdesin e bujarit të kulturës
dhe historisë, deputetit Bujar Leskaj.
Bujar Leskaj dhe Albert Habazaj në Ditën Ndërkombëtare të
Holokaustit, Vlorë, 27 janar 2024
Nga shoqëria jonë letraro - kulturore, në këtë veprimtari
u paraqitën kumtesa, vepra letrare, poezi dhe histori njerëzore mbi Holokaustin
dhe Kampet e Përqendrimit Nazist. Gjenocidi kundër popullit hebre dhe të
tjerëve është regjistruar në arkivat e historisë botërore ndër më tragjikët në
Europë e prandaj edhe ne këtu në Muzeun “Kosova” në Vlorë, çdo 27 janar e
përkujtojmë me dhembje e trishtim Holokaustin e asaj katastrofe shfarosëse.
Personalisht, kam shkruar dhe botuar disa herë tek gazeta
“Telegraf” për dëshmorët shqiptarë të Mat’hauzenit, si dhe për gjenocidin
nazist me famëkeqin Holokaust jo vetëm ndaj hebrenjve, por edhe shumë qytetarë
të tjerë të botës, njerëz të pafajshëm. Ata pak që shpëtuan nuk na lanë
shënime, as ditar, si vogëlushja legjendare Ana Otto Franku, e cila e filloi
ditarin epokal të premten e 12 qershorit 1942 dhe e la në mes të martën e 1
gushtit 1944... Pse e përmenda këtë
fakt? Sepse ne shqiptarët, ne vlonjatët kemi një trashëgimi fatkeqe shkrimore;
ata që ishin atje në Mat’hauzen, Aushvic a kampeve të tjera të tmerrshme të përqëndrimit u bënë sapun a nuk dihet ç’u bë me ta, ata
pak që u kthyen nuk na lanë ditar si Ana Franku, por kujtoj vetëm ca vargje të xha Xhebros, që
këndonte me vaj e ligjërime atë realitet famëkeq te Zoti: ndër të tjera
vjershëtori popullor dhe patriot thekson: “Këtë
vjershë kush e ka shkruar?/ Xhebro Gjika nga Tërbaçi/ që ka qenë i internuar në
kampet e Beligradit/ Çuditem, si kam shpëtuar/ m’u si nga thonjtë e lugatit...”
Ditari i Ana Frankut (Anne Frank)
Përse po e kujtoj sot telegrafisht ditarin e Ana Frankut?
Kjo dëshmore emblematike e Holokaustit, kjo vajzë izraelito-holandeze me ideale
të larta humane (12 qershor 1929-... mars 1945), edhe pse pati fat tragjik e
nde paçelur na la një dokument historik me vlera njohëse të jashtëzakonshme në
formën e një ditari. Por vlera e “Ditarit të Ana Frankut” nuk është vetëm njohëse,
nuk qëndron vetëm në pasqyrimin e tragjizmit të fatit të viktimave të nazizmit
- dëshmorë të jetës. Në këtë libër të vogël, (sipas botimit të dytë në Tiranë,
1976, përkthyer nga i panjohuri i madh Pertef Kruja, 259 faqe), fshihen vlera të
mëdha ideore, meditative dhe artistike. Në libër vërejmë edhe një fillim shumë
të kujdesshëm drejt shkrimtarisë të një vajze të re në periudhën e formimit të
personalitetit të saj. Asaj, në gonxhe të jetës, i mungoi ushqimi, ajri, drita,
liria. Në disa pjesë të ditarit, ajo përpiqet për të shkruar me një ton më
letrar, nis komunikimin shkrimor me një person imagjinar, (shoqja e saj Kiti) të
cilës i tregon rreth një subjekti intim e krijon një lloj mjedisi letrar për të
shkruar. Dimë që prindërit e Anës Otto dhe Edit Frank, ishin hebrenj që
emigruan në Holandë në vitin 1942. Libri i Anës është një ditar personal, i
cili në faqet e tij shpreh te gjithë ndjenjat dhe ndodhitë e një vajze
trembëdhjetvjeçare dhe familjes së saj me prejardhje hebre. Në ditar vërshojnë
ndjenjat e zjarrta dhe mendimet e shqetësuara: dashuria për jetën, për të bukurën,
etja për të punuar e për të krijuar, dhembja për një jetë që s’është jetë, urrejtja
për ata që u kanë mohuar jetën miliona njerëzve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore
ashtu si dhe shumë familjeve të tjera me prejardhje hebreje edhe familja Frank
u prek nga Ligjet Anti-Hebraike. Ata vuajtën në kampe përqëndrimi ligjin barbar
që u mohonte çdo të drejtë jetese dhe ushtronte mbi ta vetëm dhunë dhe tortura
nga më të ndryshmet. Ky ditarë ka vlera të paçmueshme politike dhe sociale. Dënon
ideologjitë politike kriminale dhe regjimin nazist të Adolf Hitlerit. Tema e
librit është trajtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hebrenjtë nën
trysninë e ligjeve Anti-Hebraike. Nuk ka shumë personazhe kryesorë, tetë janë të
gjithë: Petronela (Augusta), Hans (Hermani), Alfred Van Dan (Peteri), Albert
Dusel (Fritz Pfeffer) Zonja Van Dan, Oto Frank, Margoja, Anne Frank. Përmbajtja
e librit, shkurtimisht është kjo: Më 1940
Gjermania naziste pushtoi Holandën dhe filloi menjëherë zbatimin e ligjeve
anti-hebraike. Babai i Ana Frankut, Otto, i frikësuar për familjen e tij me
prejardhje hebraike , ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta
vazhduar punën në një vend të fshehtë, derisa të përfundonte lufta. Ata
shpresonin se lufta do të përfundonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu. Iu desh të
qëndronin për më shumë se dy vjet radhazi në strehimin sekret. Disa muaj
përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje
një ditar. Në strehimore, ku qenë fshehur, Anne Frank filloi të shkruante në
ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942
deri më 1 gusht 1944. Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të
cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet
e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte
dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri
ne momentin kur u botua. Në këtë ditarë ajo shprehu të gjithë mendimet dhe
kritikat e saj për kohën në të cilën jetoi. Shkruante në të gjithçka që i
ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy
vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes
Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan
në një kamp përqendrimi. Vetëm babai i Anës fshehurazi shpëtoi kurse Ana dhe
familja saj vdiqën. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e
atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në
pranverën e vitit e 1944-ësh, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në
mërgim, tha në Radio Orinxh se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit
holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas
mbarimit të luftës. Mes të tjerash, ai përmendi dhe ditaret. E frymëzuar nga
kjo ligjëratë, Ana Franku vendosi që pas luftës të botonte një libër të bazuar
në ditarin e saj. Kështu nisi të rikopjojë dhe korrigjojë tekstin, e
përmirësoi, hoqi pjesët që iu dukën më pak interesante dhe shtoi të tjera në
bazë të asaj që i kujtohej. Ndërkaq, e ruajti kopjen e parë, që në botimin
kritik të plotë, i cili doli në qarkullim në vitin 1986, u quajt varianti A për
ta dalluar nga varianti B, që është teksti i korrigjuar. Shënimi i fundit është
bërënë datë 1 gusht 1944. Më 8 gusht, tetë klandestinët, u kapën nga Policia e
Gjelbër. Meip Geis (mikeshë e familjes Franku) dhe Bep Voskili i vunë në vend
të sigurt ditaret që ditën kur ndodhi arrestimi. Mipi i rujati në zyrën e saj
për t’ia dorëzuar, pa i shfletuar më parë, babait të Anës, Otto H. Frankt, kur
u mor vesh që Ana nuk jetonte më. Pas përjetimesh të gjata, Otto Franku vendosi
të respektojë dëshirën e së bijës dhe ta botojë ditarin në formën e një libri
në vitin 1947. Libri k anjë jehonë të madhe, saqë edhe pse kohët rrjedhin
shpejt, kujtesa e hidhur e Holokaustit nuk plaket, ajo është e gjallë dhe kërkon
syçeltësi. Ditari i Ana Frankut dhe historia shqiptare e Holokaustit pas 80 e
ca vjetësh flet shumë. Ndoshta për gjendjen që mbart dhe mesazhet që përcjell është
përkthyer në rreth 75 gjuhë deri sot. Ne nuk kemi histori të shkruar për këtë
tragjedi apokaliptike. Ky realitet nuk është thjesht trishtim, por humbje e
disa fletëve të rëndësihme të historisë sonë.
Vlora dhe hebrenjtë e “saj”
Meqenëse kemi
patur mundësinë e njohjes së disa familjeve vlonjate, që ndihmuan
hebrejtë gjatë asaj lufte të pashembullt gjakatare, po sjellim në këtë veprimtari
historiko-kulturore fragmente grimcëzash humane nga historia e këtyre njerëzve.
Ndoshta shprehemi sadopak mbi kontributin e Shqipërisë europiane në funksion të
lirisë, me krahët e përmasave humane universale.
Në Shqipëri e dinë
që Vlora është një nga ato qytete, ku Hebrenjtë gjetën
përkrahje e strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në Vlorë, prej shekujsh
ka jetuar një komunitet i konsoliduar hebrejsh, ndërsa gjatë LDB, asnjë prej
tyre nuk u dorëzua tek nazistët e Hitlerit, pasi qytetarët vlonjatë u kujdesën
për ta,e siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “i fshehu nën gjuhë”, që të mos
i kapte armiku. Për t’u futur sadopak në situatë të lëndës që po trajtojmë mund të
shprehemi, se gjatë pushtimit të Granadës, Ferdinandi i Napolit përzuri nga
territoret e reja, nga Kastilja, hebrejtë sefaradi, të cilët emigruan drejt
Ballkanit. Në këtë periudhë, ose më saktësisht në vitin 1526, Vlora u shndërrua
në një destinacion kryesor për hebrenjtë sefaradi. Nga 5000 banorë që
kishte qyteti në atë kohë, 3600 ishin hebrej dhe për këtë arsye, Vlora është
përfshirë në Enciklopedinë Hebreje, mes 13 qyteteve të tjera botërore. Ka një
cilësim biblik dhe kuranor për popullin izraelit, që ne e shikojmë në kufijtë e
legjendës. Në rrafshin e përafërsive gjeografike e antropologjike, çifutët i
përkasin të asaj popullate e rrace të emërtuar arabike. Për ata ende qarkullon
legjenda e “popullit të mallkuar”, që, gjithsesi, antropologjikisht nuk
qëndron, sepse nuk mund të themi “popull i keq” apo “popull i mirë”, por,
“njeri i keq” ose “njeri i mirë”. Ana
tjetër që na shtyn të thellohemi në këtë punim, është se përse Hitleri realizoi
atë platformë famëkeqe ndaj një popullate nga më emigrantet në botë, pothuaj
përherë në lëvizje, ndaj të cilëve qarkullon opinion si të ditur, të pasur e të
djallëzuar.
Interesantë janë
faktet që vijnë mbi praninë e vazhdueshme të hebrenjve në qytetin e
Vlorës, një nyjë nevralgjike e këtyre shtegtimeve sa me të drejtë besohet “se në një shesh të vogël në rrugën
Ceno Sharra kishte pas qenë një sinagogë” e pajisur me Libra të
Shenjtë të shkruar në hebraisht, madje në një burim shënohet, se “Bashkësia hebraike e Janinës,
që tani zyrtarisht i përket Greqisë, pjesë e Shqipërisë, ka një Sefer Tora shumë të vjetër që i
përket sinagogës së Vlorës, rreth 500 vjet më parë…”, gjë të cilën
e konfirmon dhe Enciklopedia e Përgjithshme Hebraike, duke njoftuar praninë e
hebrenjve në Vlorë rreth 500 vjet më parë, ku natyrisht ka pasur një mjedis
komunikues madje miqësor me popullsinë vendase, duke shkëmbyer miqësi dhe
bashkëpunim të ndërsjellë.
Studime të shumta
njoftojnë një lëvizje të vazhdueshme të grupe të caktuara hebrenjsh, të cilët
siç njihen në traditën e tyre të shtegtimit dhe të krijimit të jetesës në vende
dhe me popuj që mund të bashkëpunojnë, e reflektojnë në këto këndvështrime
historike dhe burime të rëndësishme Vlorën dhe bregdetin shqiptar një vend të
lakmueshëm, ndërsa popullsisë e tyre një popullsi të hershme me fizionomi
sociale të formuar dhe të qëndrueshme. Kronika e Vlorës, si e tillë është shumë
e pasur me historinë e shtegtimit të hebrenjve në qytetin lashtë të
Vlorës, por edhe të rrethinave përreth, jo vetëm në kohët e hershme, kur
hebrenjtë nuk përndiqeshin, por edhe më vonë, kur ata Lufta e Dytë Botërore i
vuri në shënjestër për t’i zhdukur nga faqja e dheut.
Gjatë kësaj kohe,
jo vetëm nga burimet shkrimore, por edhe të qytetarëve të Vlorës të shumta janë
familjet vlonjate që u erdhën në ndihmë familjeve hebreje që në momentet e para
ku heretizmi nazist u shfaq në të gjithë Evropën kundër tyre. Në kujtesën
qytetase përmenden ende Muhedin Haxhiu (djali i Osman Haxhiut), një familje me
tradita të njohura patriotike dhe atdhetare, kryetar i Bashkisë së Vlorës, i
cili bashkë me Qemal Xhuherin i pajisën çifutët me
pasaporta, ku shënohej emri i tyre si myslimanë apo i krishterë, siç ishin
Matheo Josefi, Mateo Matathia, Pepe Levin, Nesim Levin; rastin kur Shqipërinë e
pushtuan nazistët gjermanë, në ditët e Betejës së Drashovicës, në shtatorin e
vitit 1943, Fronti Antifashist Nacional - Çlirimtar i këshilloi hebrenjtë të
largoheshin nga Vora dhe të strehoheshin në fshatrat Trevllazën, Babicë,
Llakatund, Lubonjë Nartë, madje dhe në Bashaj e Vermik.
Në këtë situatë
tragjike për hebrenjtë kudo ku ata ishin, populli i Vlorës iu kthye në mbrojtje
jetës së tyre. Familja e Jakov Solomonit u strehua te Kasëm Koçerri në Vermik,
duke i siguruar jetën. Vajza e tij, Zhaneta, u vesh me çitjane, djali, Miosi, u
vesh me rroba fshati dhe me qylaf. Ndërsa mësuesi Nuro Hoxha nga Tërbaçi
strehoi familjen e Ilia Solomonit si dhe ata të Moise dhe Elizar Negrinit. Vite
më parë mësuesi im Zaim Nuro Hoxha, (i cili ishte dhe kushëri i babait tim
Rexhep Abazi, mësuesit tim kujdestar e dritë bëfshin të dy), më ka treguar shumë
ngjarje dhe episode të babait të tij dhe qytetarëve të tjerë autoktonë dhe
fisnikë të Vlorës, që kanë mbajtur qëndrime të virtytshme ndaj atyre hebrenjve
të rrezikuar në atë kohë të zezë pushtimi. Nuro Ahmeti ka qenë ndërkohë edhe një nga 10 mësuesit e
parë të Tërbaçit në kohën e ndritshme të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës me
Plakun e Bardhë të Flamurit Ismail Qemali dhe ministër Arsimi Viganin liberator
Luigj Gurakuqi. Ilia Solomoni u arrestua nga nazistët, por ai u shpëtua nga
vlonjatët, ashtu siç Qamil Xhyheri shpëtoi nga nazistët Vitori dhe Eftimi
Jakool, Jose Jakool, kurse familja Kohen u strehua në Trevllazër, te
familja Lazaj, një histori e cila zë një vend të rëndësishëm edhe në një libër
të rrallë me kujtime nga një vajzë hebreje, lindur dhe rritur në qytetin e
Vlorës. Edhe në kohën e luftës, edhe më vonë Vlonjatët janë rritur me hebrenjtë
si vëllezër, sepse ata ishin një komunitet i nderuar dhe i kulturuar, të shoqërueshëm,
zanatçinj, nikoqirë, po aq dhe me profesione që kërkonin dituri dhe përvojë.
Populli vlonjat ka treguar cilësitë më të mira njerëzore si besën dhe
humanizmin në kohë aq të vështira, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të
familjve të tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve (në rastin konkret të
komunitetit izraelit të Vlorës). Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të
reflektojmë dhe të mos zhvishemi nga këto virtyte të vlonjatëve, një këtyre
njerëzve të shkëlqyer të Vlorës së bukur; sepse sot më shumë se kurrë shoqëria
shqiptare ka nevojë për dashuri dhe altruizëm.
U bë nderimi shtetëror i dëshmorëve vlonjatë
të Mat’hauzenit, por i paplotë
Bazuar në ligjin
nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në mbështetje të neneve 78
dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi
i Republikës së Shqipërisë vendosi: Kreu I, neni 4 “Familje e Dëshmorit të
atdheut është familja që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të
shpallur “Dëshmor i atdheut”. Kreu II, neni 5 thotë: “Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet stausi, si i tillë…[pika] dh)
Shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe
kampet nazifashiste të përqëndrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo
sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945”. Me
rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të ish-kampit të përqëndrimit Mat’hauzen, në
Vlorë, u ngrit Memoriali i Kujtesës së Dëshmorëve të Mat’hauzenit përkarshi
bashkisë së qytetit të Vlorës, atje ku në vitet e LANÇ ishte burgu, nga i nisën
drejt kampit të përqendrimit Mat’hauzen djemtë e Vlorës pas fushatës së
arrestimeve nga nazistët dhe kolaboracionistët e tyre spiunë e lakej. Ky
monument nderimi, edhe pse i vendosur jo atje duhet, ndoshta nuk do të ishte
realizuar pa fjalën e urtë e të peshuar të shkrimtarit Andrea Petromilo, pa punën në bllok të pasardhësve të atyre dëshmorëve,
Gerion Gunbardhi, Kujtim Memaj, Denada Babe, Gudar Toto, Kristi Shametaj,
Edlira Hoxha, administrata e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Fjorda
Llukmani, përfaqësuese nga BE-ja për Shqipërinë
e sidomos pa këmbënguljen shembullore e të pakthyeshme të qytetarit
Polizoi Kosta, i biri i Jani Kostës, me numër personal 10050, vdekur në
ish-kampin e përqëndrimt Mat’hauzen më 15.12.1944. Sheshi historik para
bashkisë Vlorë do të mbetet në breza si sheshi i dëshmorëve të Mat’hauzenit, që
sfiduan torturat më të padëgjuara dhe bënë sakrificën më sublime për Atdheun e
të parëve, Atdheun e tyre, tonin e të brezave që vijnë.
Dita e 9 Majit nga
shumica e vendeve të tjera në Evropë, përfshi dhe Shqipërinë tonë kujtohet me
nderim e respektohet si simbol i Lirisë, si Dita e Fitores në Evropë.
Si një baladë e
mjeruar, e lodhur, e rraskapitur, besimhumbur endet Polizoi Kosta tek kërkon
një të drejtë njerëzore nderimi, atje ku e meriton babai i tij dhe gjithë ata
martirë të Vlorës....
Autorët vlonjatë për Holokaustin. Temën e
Holokaustit e kanë trajtuar shumë nga autorët vlonjatë. I pari që ka përjetuar
kampin e përqëndrimit në Vienë, ka qenë intelektuali, poeti dhe përkthyesi
Kudret Kokoshi, i cili ka përshkruar më nota thellësisht realiste vujaten e tij
në këtë kamp nëpërmjet poezisë “Vjena”. Poetë të tjerë që drejtpërsedrejti nuk
e kanë përjetuar Holokaustin, por kanë shkruar për dhimbjen e të afërmëve të
tyre në Janinë, që nuk u kthyen nga kampet e përqëndrimit si Rashel Solomon te
poezia “Në engjëll shndërruar”, apo Jakov Solomon në shumë poezi të tij. Këtë
temë e ka trajtuar shkrimtari Eqerem Canaj, po ashtu Çlirim Hoxha te romani “Sofia”,
shkrimtarja dhe përkthyesja Laureta Petoshati te romani “Rikthim në Ventotene”,
te poezia “Në Yad Vashem” dhe në shumë poezi e prozë përkthyer prej saj nga
Primo Levi, Illi Vizer, etj. Po ashtu, shkrimtari Andrea Petromilo me
librin “Kujtesë e hidhur - Mat'hauzen”, Albert Habazaj në poezinë “Përshpirtje
për ëndrrën” dhe shkrime për famëkeqin Holokaust etj.
Ndërsa intelektualja vlonjato-izraelite dr. Anna Kohen te
libri i saj autobiografik “Lulja e Vlorës” flet për të afërt të saj, por dhe të
bashkëshortit të saj me një realizëm sublim.
Mesazhi që merr rinia, popujt për liri e dritë, bota mbarë nga ky libër i
famshëm i 16- vjeçares së përjetshme Anna Frank është “Atje ku ka shpresë, ka edhe jetë. Ajo
na mbush me guxim të freskët dhe na bën përsëri të fortë”.
Dr. Bujar Leskaj duke folur për Holokaustin, Vlorë,
27.01.2024
PËRSE
VLORA DUHET TA KUJTOJË HOLOKAUSTIN?!
Bujar LESKAJ
Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar
gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati
shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga
përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të
thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet
famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një
tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të
mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta
kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj
hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e
paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj kombeve jo hebrenj, duke përfshirë
këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e
burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më
konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor
Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe
mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por
Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka
pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë
hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si
një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së
miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm
mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit më të mëdhenj të
hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për
dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut
Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim
të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u
ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë
me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se
çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë
ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi... Duke filluar që nga viti
1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u
trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt
të këtyre tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre
krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është
poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë
vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot
personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në
antologjinë prestigjoze "Stars and Sand" krahas njerëzve vullnetmirë,
sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De
Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Ëilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj,
edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht
nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive
që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos
harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe
kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë
emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin
e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të
mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria
dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.
Gjatë veprimtarisë historiko-kulturore për Ditën
Ndërkombëtare të Holokaustit në muzeun Kosova, Vlorë, 27.01.204
VUAJTJET NË AUSHVIC TË PRIMO LEVIT
Lela QEJVANI
Sot në ditën e Holokaustit
që mori shumë jetë të pafajshme nga e
gjithë Evropa, ku shkeli këmba naziste gjithashtu edhe nga vendi ynë por edhe
40 djemtë vlonjatë.
Unë do flas për Primo
Levin Italo - Ebre i mbijetuari i kampit shfarosës që çdo ditë në 10 veta 8
eliminoheshin në furra. Në librin e tij A
është Vallë Njeri ai ka hedhur vuajtjet dhe torturat që u bëheshin në kamp.
Primo Levi u kap nga milicia fashiste italiane në 13 dhjetor të 1943 që
bashkëpunonte me nazistët në moshën 24 vjeçe, Primo Levi kishte mbaruar shkollën
e lartë për kimist në Itali. Qysh në fillim deklaroi prejardhjen e tij tek
nazistët.
Pasi i grumbullojnë
në një kamp të rrethuar me tela me gjemba më pas i pajisin me numër në krahun e
majtë në formë tatuazhi në lëkurë. Duke mbledhur edhe shumë burra, gra edhe
familje të tëra u grumbulluan rreth 650 veta midis tyre edhe nëna me fëmijë në
gji.
Pasi na numëruan na
hypën në tren dhe na nisën për në Mat’hauzen, gjatë udhëtimit askush nuk e
kuptonte ku po na çonin. Qysh në tren u duk që po na çonin drejtë vdekjes thotë
autori, sepse në vagonat e mbyllur pa asnjë dritare ishim aq të ngjeshur me
njeri tjetrin si mall për mbeturina. Treni u nis për në Aushvic por askush nuk
u interesua për ne që të gjithë ishim vuanim për ushqim ujë dhe nevoja të tjera.
Disa nëna me fëmijë
në gji qanin pa rreshtur duke kërkuar ujë dhe ushqim. Por askush nuk i
dëgjonte. Treni përshkoi shtete me radhë dhe më në fund në Gjermani. Aty na
ndanë dhe nga 650
mbërritëm në kamp
vetëm 96 burra dhe 28 gra kurse fati i të tjerëve nuk u mor vesh kurrë se ku
përfunduan.
“Në kamp puna ishte
jashtë mase e vështirë në rrethana jo njerëzore, na torturonin dhe na linin pa
mjekuar” - thotë autori. U përhaën sëmundje nga më të ndryshmet por sado të sëmurë
dhe të uritur kronikë ishim të detyruar të shtynim vagona të regjur në shi,
dridhem nga lagështia dhe era e ftohtë. Trupi im nuk ishte më imi, me barkun e
fryrë dhe kockë e lëkurë, jo vetëm unë por të gjithë të tjerët që lëviznin si
hije nën kostumet e holla me vija. Pastërtia në kamp ishte një ndjenjë e
harruar dhe pothuajse e zhdukur fare. Nuk na bënte më përshtypje kur edhe
morrat kishin mbuluar qenien tonë. Ne nuk kishim të ardhme dhe as e shkonim në
mendje, mendonim vetëm vdekjen që mund të na vinte nga çasti në çast, sepse ne
çdo ditë pakësoheshim në numër. Në këtë kamp shfarosës nuk ka vetëm ebrej por
nga të gjitha kombet evropiane ku kishte shkelur këmba naziste, gjithashtu edhe
shumë shqiptarë që nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre.
Në një qoshe të
kampit ishin disa dhoma të ndara me tela që shërbenin për vizitat e të
sëmurëve. Disa merrnin ndonjë fasho disa ndonjë qetësues por disave u shkruhej
vdekja në fytyrë dhe nuk i kthenin më në baraka por i çonin në dhoma gazi dhe
më pas në furra. Kështu vinte çfarosja e shumicës, por edhe ne të tjerët jemi
kthyer si krimba pa shpirt” - citon autori. Primo Levi në këtë libër nga jeta
në Mat’hauzen ka nxjerrë përfundimin se midis njerëzve jetojnë dy kategori: të mbijetuarit
dhe të mbyturit. Në jetën reale, sado të vuajë njeriu, do të dalë dikush që të
të shtrijë dorën. Këtu në Lager lufta për të jetuar nuk ka zbutje sepse çdokush
është tmerrësisht i vetëm, askujt nuk i intereson më jo jeta e tjetrit por as e
tij. Këtu në Aushvic pothuajse të gjithë në këtë kamp shfarosës kujtojnë dhe
bisedojnë në heshtje kujtime nga e shkuara por në asnjë moment nuk mendonin për
të ardhmen sepse e kishin kuptuar që po shkonin drejt vdekjes. Të gjitha
vuajtjet në Aushvic Primo Levi i thotë në vargjet që ka marrë edhe titullin
libri A Është Vallë Njeri...? Gjendja
në kamp ishte tragjike, sëmundjet dhe vdekjet ishin të përditshme. Në afërsi të
kampit filloi lufta me rusët po bombardojnë kudo. Në këtë çast gjermanët
filluan të largohen pothuajse të gjithë nga kampi. “Ne mbetëm në mëshirë të
fatit dhe shpresat për të jetuar ishin të pakta por fal rusëve unë sot jam
gjallë” - thotë Levi. Këtë tragjedi ne nuk duhet ta harrojmë sepse historia na
njeh si popull human, sidomos me ebrejtë që i kemi mbrojtur dhe respektuar. Ne
si komb nuk kemi bërë luftë me asnjë komb tjetër veçse kemi mbrojtur trojet
tona!
NË ENGJËLL SHNDËRRUAR
Poezi nga Rashel SOLOMON
Nisa të shkruaj për
ne një libër
të ta shpreh mallin
më mirë nuk dija
emrat tanë shkruhen
në Bibël,
mbesat e Judës jemi
që të dyja.
Më largon dita, më
afron nata,
te ty e shtrenjta
jonë Fortunata.
Stemën e Davidit ...
në trup e mbi rroba
ta qepën
mbi shpirtin tënd me
këmbë të shkelën,
por harruan se numrat
asgjë nuk dinë
për vellon e bardhë
që le në Janinë.
Qepur e qëndisur nga
e jotja dorë
viteve kur rriteshe,
ku linde, në Vlorë.
U nise në agim
mbërrite aty nga nata,
të priti krejt
Janina, Fortunata.
Ti ike në Janinë në
tëndin fat,
halla jonë e dashur
Fortunat’
derisa derën bishat
ta shqyen
me burrin e fëmijët
mizorisht të rrëmbyen.
Në kampin e vdekjes
kur jeni ndarë
me fëmijët dhe qielli
ka qarë,
po ty Fortunata pranë
kush të qëndroi,
kur qarjen e fëmijëve
dheu e qetësoi.
Nëna jote kulloi dhe
u shkri
bashkë me qirinjtë
për çdo Shabat,
e rrinte te dera se
mos vije ti
halla jonë e
shtrenjtë Fortunat’.
Ngadalë ikte dita, në
vend rrinte nata,
ylli që nuk shfaqej
Fortunata.
Ndoshta shumë ke
shpresuar në geto
me Shabat në zemër
moj e mira teto,
të shkriu, të përpiu,
të gëlltiti nata
me familjen engjëll,
Fortunata.
Në engjëj për ne jeni
shndërruar
na vini në ëndrra
përherë të bashkuar,
ti me sy na ndjek në
çdo Shabat
e dorën na jep të
ngrihemi lart.
Ti dritë na bëhesh
kur afrohet nata
halla jonë prej drite
Fortunata.
MESAZHI I INTELEKTUALES SHQIPTARO-IZRAELITE ANNA KOHEN DHE
NJË POEZI E SAJ
Anna KOHEN
Të nderuar
Bashkatdhetarë!
Të dashur vlonjatë të
mij!
Ju dua shumë edhe Ju
falënderoj nga zemra që keni filluar të kujtoni këtë aktivitet me shumë vlera,
jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për vlonjatët, për motrat edhe vëllezërit tanë
që i morën nazistët dhe nuk u kthyen më.
Kërkon kurajo dhe
humanizëm të thellë një nismë e tillë, sepse është fuqia e madhe shpirtërore,
ajo që të nxit të rikujtosh dhimbjen. Kam jetuar për 48 vite me radhë me burrin
tim, Markusin, që ishte i mbijetuari i Holokaustit. Për vite të tëra nuk fliste
për të. Por një ditë filloi të flasë duke treguar vuajtjet gjatë luftës kur
ishte ende një fëmijë. Ai në moshën shtatë vjeçare pa vëllanë e tij 5 vjeç të
pushkatohet nga gjermanët. Filloi ti
godiste me gurë. Por e humbi vëllanë. Ai tërë jetën e tij jetoi bashkë me
dhimbjen. Këtë histori e kam përshkruar me detaje te libri im “Lulja e Vlorës”,
që është përkthyer në shqip nga Mjeshtri i Madh, Edëin Shvarc. Historia e
Holokaustit do të futet për tu mësuar në shkolla në Shqipëri dhe shpresoj që
brezat e rinj, të mësojnë më shumë mbi Holokaustin dhe për diktaturat e të
gjitha ngjyrave, si dhe për kampet e
burgjet gjatë komunizmit në Shqipëri.
Faleminderit organizuesve dhe pjesëmarrësve një për një. E
di që aty të gjithë jeni njerëz të penës dhe dashamirës të librit dhe nuk ka si
të jetë ndryshe. Ata që e treguan duke e përjetësuar dhimbjen për ta njohur
brezat janë shkrimtarët dhe artistët, sidomos Primo Levi e Illi Uizer, që ishin
të mbijetuar të Holokaustit. Ndaj dhe unë me rastin e ditës së Holokaustit po
ju përshëndes nga Florida, me një poezi të shkruar në Geto nga poeti Pavel
Friedmann.
Laureta Petoshati në muzeun Kosova, Vlorë për Ditën
Ndërkombëtare të Holokaustit
Poema titullohet
“Flutura” dhe ruhet në kopje të shtypur në letër të hollë në koleksionin e
Pavel Friedmann-it, i cili iu dhurua Muzeut Kombëtar Hebre gjatë fushatës së
dokumentimit të tij. Mban datën 4 qershor 1942, shkruar në cepin e majtë. Pavel
Friedmann lindi më 7 janar 1921 në Pragë dhe u deportua në Terezin më 26 prill
1942. Vdiq në Aushvic më 29 shtator 1944. Këtë poezi për përkthim dhe këtë
përshëndetje po ia lë në mirëbesim poetes dhe përkthyeses Laureta PETOSHATI.
Me Shumë dashuri
Anna Kohen
Flutura
E fundit, e fundit
fare,
E verdhë kaq e
ndezur, e ndritshme, verbuese.
Ndoshta po kështu do
të gjëmonin lotët e diellit
mbi një gur të
bardhë. . .
E tillë, një e verdhë
e tillë
Është bartur butësisht
shumë lart.
jam i sigurt që u
largua se donte
t’i jepte botës
puthjen e lamtumirës.
Prej shtatë javësh
kam jetuar këtu,
I burgosur brenda
kësaj getoje.
Por unë këtu kam
gjetur njerëzit e mi.
Më thërrasin
luleradhiqet
Dhe degët shandan të
gështenjës në oborr.
Veçse unë nuk pashë
më kurrë një flutur tjetër.
Ajo flutur ishte e
fundit.
Fluturat nuk jetojnë
këtu,
në geto.
[recitoi Laureta Petoshati]
HOLOKAUSTI DHE SHQIPTARËT
Anila TOTO
Holokausti ishte gjenocidi i hebrenjve evropianë gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe
bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milion hebrenj në të
gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë
hebraike të Evropës.
Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte krijuar shumë
burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940.
Ndër kampet më të njohura ishin; Kampi i Aushvicit, Dahaut, Mauthausenit dhe
Belsenit. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara
nga blloku nazi-fashist.Para nisjes së luftës, qëndrimi i Mbretit Zog ndaj
hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimit në
Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, me qëllim që të
fitonte përkrahjen e komunitetit të fuqishëm ndërkombëtar hebre.
Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth
3.000 hebrenjve për shkak të guximit të shqiptarëve që treguan solidaritet duke
rrezikuar jetën e tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që arratiseshin
nga vendet fqinje.
Ndërkohë që shumica e vendeve të pushtuara, nisën të
dorëzojnë popullsitë hebreje te autoritetet gjermane, në Shqipëri ndodhi e
kundërta.. Shqiptarët i mbrojtën hebrejtë dhe i mbajtën edhe në familjet e
tyre. Në Shqipëri nuk pati ndjenja naziste apo struktura të mirëfillta të
partisë Naziste. Kishte individë progjermanë, por jo nazistë.
Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje,
mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se
sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë
djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin.
Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një
refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të
kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura,
Shqipëri. - Irene Grunbaum, e mbijetuar. Marrë në librin e saj autobiografik
“Shpëtimi përmes Ballkanit Në vitin 1940, Mauthausen-Gusen ishte bërë një nga
komplekset më të përqëndirmit në territoret e kontrolluara nga Gjermania
Naziste në Evropë. Këtë kamp Hitleri e shfrytëzonte për t’i dërguar armiqtë e
tij më të mëdhenj politik drejt vdekjes, ndaj nga nazistët quhej “mulliri i
kockave”.
Në vitet 1943-45 nazistët arrestuan në Shqipëri rreth 530
vetë. .Sipas të dhënave të kampit, figuron se aty kanë hyrë 427 shqiptarë, nga
të cilët mbijetuan vetëm 24 persona.
Midis tyre, ishin të dy stërgjyshërit e mi.
Ata ishin patriotë e kjo ishte arsyeja më e madhe e
shfarosjes së tyre.
Minua e dashur tregonte me dhimbje....
Ata erdhën tek porta e shtëpisë dhe thanë: " Duam Hysni
Toton." I ati, Rexhep Toto doli përpara edhe tha: Unë jam Hysni Toto.
Hysniu ishte biri i tij i vetëm e i shtrenjtë e nuk mund ta linte t'ia vriste
gjermani!
të gjithë shtangën, por Rexhepi hodhi një vështrim të
ashpër, përdrodhi mustaqet që i shkonin deri tek veshi e askush nuk bëri zë.
Qysh atë ditë nuk e pamë më,- përfundonte Minua, gjyshja ime. Por emri i tij
është në Mauthausen.
Xhaxhai im i dashur ka shkuar në Mauthausen. Aty ai ka parë
foton e Rexhepit, Mehmet Sulo Agalliu, Beqir Sulo Agalliu e patriotë të tjerë.
Mehmeti është stërgjyshi nga nëna.
Ndoshta fati e donte që stërgjyshërit e mi t'i digjte
gjermani, por ata mbetën heronj të vendit dhe figura të shquara, jo vetëm sepse
u dogjën e vranë, por sepse ishin patriotë dhe e donin Vlorën, Shqipërinë.
Tashmë janë në zemrat tona.
Një nacionalist i madh i kombit, por edhe dhëndri i Mehmet
Sulo Agalliut pasi ishte martuar me të bijën Liri Agalliu, ishte z. Kudret
Kokoshi, nacionalisti dhe juristi shqiptar, i cili shkollimin e kreu në Itali
botoi poezi patriotike e midis të tjerave poezinë Vjena. Në vitin 1944 nazistët
e arrestuan dhe dërguan në kampin e përqëndirmit të Mauthausen.
Kur mbaroi Lufta II Botërore komunistët jugosllavë e
dorëzuan tek komunistët shqiptarë e kështu në burgun e Burrelit.
Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në
Vlorë më 26 prill 1991.
Më datën 18 prill 2017, Presidenti Bujar Nishani e dekoron
me Urdhrin "Nderi i Kombit”.
Poezia 'Vjena'
VJENA
Kudret KOKOSHI
OH, kjo ësht' Vjena, që ëndërrova prore,
Vjena plot jetë e gaz, ku tingëlloi
e Straussit harmonia?
Jo, kjo s'ësht' Vjena e netëve gazmore,
Vjena e Schubert-it, që gjithnjë lëmoi
ëmbël ndjesit' è mia!
T'urrej dhe të mallkoj, fatal qytet
ku dergjen në mjerim turmat njerëzore,
ku s'ka më këngë e jetë
ti nuk je Vjena, por Xhehnemi vet
ku, skllevër, ne jetojm' një jet' mizore,
një jetë që s'ësht' jetë.
(Vjenë 1944 - në kampin e përqëndrimit)
Recitoi: Anila Toto
Bashkë me vlonjatë të tjerë, në Mat’hauzen iku babai i
Nestor Jonuzit (Piktor i Popullit) dhe babai Ilmi Banit (piktor i njohur,
kritik arti). Dikur unë kam bërë një vjershëz:
27 JANARI - DITA NDËRKOMBËTARE E
HOLOKAUSTIT
Nderim Dëshmorëve tanë!
kushtuar Rexhep Banit, babait të piktorit të paharruar
Ilmi Bani
Albert Habazaj për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit në
muzeun Kosova, Vlorë, 27.01.204
PËRSHPIRTJE PËR ËNDRRËN
Albert HABAZAJ
Shumë nuk u kthyen tok me ty.
Ata që u kthyen qenë me kokrra...
Dhe kur i thashë
Nënës Vlorë: - Mbahu!
Se bubullin rrufefa e
vërtetë
Një lot dinjitoz sa
një div më shkau
Për Rexhep Banin që shpëtoi jetë.
Njëzeteshtatë vjeç
iku ai
Dhe si kujtim na
la buzëqeshjen
Dhe u lartësua
flamur për liri
Dhe për liri e
shpërfilli dhe vdekjen.
Më dridhet vargu i
dhembshur i këngës
T’i shkruaj
apologjinë Rexhep Banit,
Se u tret si hi në
rrënjë të ëndrrës
Kur luftoi si
Davidi me Goliatin.
Un’ s’e pashë, se
fluturoi në Prishtinë
Atë pranverë të
dyzetekatrës;
Këndonte duke
rënkuar për lirinë
Dhe kur në ferr të
Mathauzenit e flakën.
Un’ s’e pashë, po
dritat e syve ia ndjeva:
Iu zbehën, nuk iu
fikën ato;
Mbi hirin e tij
buisi pranvera,
Çelën manushaqet e
ullinjtë ngado...
Holokausti është një kujtesë e hidhur, që nuk duhet lëshuar
në krahët e dobët të harrimit, por të jetë në krahët e fortë të kujtesë dhe
dritës së Paharrimit të përjetshëm për dëshmorët e Holokaustit.
Përgatiti: Albert
Habazaj
Kryetar
i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Vlorë, e diel, 28 Janar
2024
Prof. Spiro Çaushi në muzeun Kosova, Vlorë për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit