| E marte, 30.01.2024, 07:59 PM |
POEZIA, STACIONI I PËRJETSHËM I KRIJUESIT
(Çaste
leximi letrar me vjershën "POEZIA” të Ismail Kadaresë, në 88-vjetorin e
lindjes)
Nga Prend BUZHALA
Ismail
KADARE:
POEZIA
Poezi,
Udhën gjer tek unë si e gjete?
Mamaja ime shqipen mire s’e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë
dhe presje,
Babai u end në rini në të tjera dete,
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit
tim
Të gurtë, të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trikatëshe
Nr.16.
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në
jetë,
Për shumë dëshira kam qenë citta
aperta,
Po prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e
natës,
Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
===============
I shkruar në kohë jo të lehta për rrethanat e krijimtarisë
letrare, teksti lirik "Poezia" i Ismail Kadaresë të shtyn të reflektosh
për shumëçka në këtë drejtim: të shkruash me një gjuhë qartësisht të
komunikueshme dhe brenda saj ta ngërthesh realitetin e kohës dhe simbolikën,
këtë arrijnë ta bëjnë vetëm krijuesit e mëdhenj të fjalës. Si e nis tekstin e
tij Kadare?
1.
E nis me një pyetje retorike lirike se si ndodh kërkimi
poetik: "Udhën gjer tek unë si e gjete?" Përse kjo pyetje? Si vetëdije
e aktit krijues, poezia si guximtare e kohës që e gjen një autor që i druhet
pushtetit që fjalën e konsideron rrezik? E, po, poezia është një shtegtim që ka
ndjekur rrugët e saj për të arritur te vetja, te poeti; poezia e gjen vetveten
te qenia njerëzore, ndryshe, ajo shuhet!
Aty janë edhe pjesëmarrës të tjerë, mamaja dhe babai, si
familje dhe si pjesëtarë të poezisë.
Pjesëtarë?
Gjithsesi: mamaja dhe babai kanë ndikuar në gjuhën dhe
letërsinë e tij, poeti përshkruan se nëpër çfarë rrugësh ka arritur ta gjejë shtegun e vet, në një atmosferë ku nëna
shkruan letra të ngjashme me ato të Aragonit, pa pikë dhe presje! Ndodh si një
ngjarje e jetës: përcjellja e babait te stacioni,; andej ngjarja tjetër ësh
ecja e poetit )si folës lirik) nëpër qytetin e tij të qetë.
Këtu, tiparet që e dallojnë qytetin e tij dhe natyrën e
tij, përdoren si përbërës për ta përshkruar një ndjesi të vërtetë dhe të qetë: përmendet
numri 16 dhe detaji i rrugës së kalldrëmit, detaje të vogla, por kanë një
domethënie simbolike, ani se jo krejtësisht e komunikueshme: se poezia nuk
është vetëm përshkrim i detajit dokumentues biografik, por edhe krijim i një realiteti
artistik.
Më tutje, poeti shfaq përplasjet e jetës dhe të
dashurisë. Poeti rrëfen me pak fjalë: ka dashur shumë gjëra dhe ka ndjerë shumë
emocione në jetë, por, së mbrami, ai i është kthyer poezisë si një stacion i
fundit. Ai përdor, me këtë rast, një krahasim me djalin që kthehet vonë në
shtëpi pas një nate të lodhshme, duke paraqitur veten si një udhëtar i
shqetësuar nga përvojat dhe aventurat e jetës.
Së fundmi, poeti përmend lidhjen e tij me poezinë si një
stacion i fundit, duke e kthyer atë në një veprimtari të qëndrueshme për të
gjetur kuptim dhe qetësi në jetën e tij.
Dhe, a thua, a e gjen qetësinë e kërkuar?
Në gjithë këtë "rrëfim" për veten dhe artin e
tij poetik, mu në hapësirat e konsumimit kaq të drejtpërdrejtë, ai sikur e fut
një karakter misterioz dhe simbolik, dhe i lë duar të lira lexuesit për shumë interpretime.
Këtë shumësi leximesh e ka vetëm poezia e mirë: nuk i mbyll asnjëherë shtigjet
për lexim e për prodhim kuptimesh të reja.
2.
Kadare përdor trajtën e bashkëbisedimit me poezinë; ajo,
poezia, shndërrohet në personifikim të së kërkuarës, shndërrohet në figurë antropomorfike,
në qenie, në këtë rast, në qenie arti, me të cilën dialogon poeti. Trajta e
tillë, e bashkëbisedimit me poezinë e tij, është një shqyrtim e kërkim i thellë
i marrëdhënies së tij me krijimin letrar. Poezia është një medium për të
shprehur ndjesitë e tij, reflektimet dhe shqetësimet e tij. Po qe se ndalemi
për një çast dhe e shohim bashkëbiseduesen që hesht, poezinë; duket sikur ajo
qëndron si diçka e largët, e ftohët, e huaj, një forcë e rrezikshme që ndalon
aty te njeriu që dëshiron "ta gllabërojë", por aty për aty, dialogu papritmas
i ndërron rolet; poezia vjen e ndrojtur ("Trokite drojtur në shtëpinë
trikatëshe"). Tashmë asaj i drejtohet në veten e dytë, si të ishte një
vashë që e dashuron; ajo vjen me dridhma. Vjen aq e dashur dhe aq e afërt te
krijuesi i saj, nëpërmes shtegut të muzës poetike.
Me pyetjen e hapjes, "Udhën gjer tek unë si e
gjete?" poeti bën fjalë për rrugën e tij të gjatë dhe kërkimin aq këmbëngulës
e të dëshiruar. Pyetja duket sikur ka një mister brenda vetes, krijon një
atmosferë fshehtësie, për të zbuluar kuptimin e thellë të kërkimit poetik: në kontekstin
kohor dhe në atë universal, si muzë arti. Sa herë vetë poetët e shquar kanë
deklaruar se frymëzimi poetik është një mister. Atmosfera e tillë (e panjohur e
pyetjes), e fton lexuesin që edhe ai të reflektojë te kjo pyetje mbi kërkimin e
thellë për kuptimin dhe ndjenjat që i sjell arti poetik. Udhëtimi ("udha")
sugjeron shtegtimin e një qenieje, poezisë: "gjer tek unë si e
gjete?" Pyetja shtron një rrjet të gjerë asociacionesh për ta gjetur
të fshehtën, për t'i takuar thellësitë e botës dhe të jetës së poetit. E, pra,
hapja e tillë e menjëhershme, goditëse, lexuesin, por edhe poetin, sikur e bën menjëhershëm
qenie të pasigurt, krijuesi është një dyshues: ç ‘kërkon te unë që gjendem diku
në rrugë te stacioni apo te rruga nr. 16? Më tutje, ky asociacion zgjerohet,
lexuesi së bashku me poetin shpallin paktin e pajtimit me artin, ndjekin
marrëdhënie të mira me poezinë.
3.
Për pak poezia të shndërrohet në roman jete: përcjellja e
babait në stacion, i paraprirë nga një varg kujtese: "Babai u end në
rini net e tjera dete", përshkrimi qytetit si një vend i qetë, i gurtë
(kujto romanin "Kronikë në gur"), një stacion tjetër, si i trenit, ku
ia beh poezia, kudo që ti të gjendesh. Kësaj radhe, ky stacion është shtëpia
("Trokite drojtur/ në shtëpinë trekatëshe/ Nr. 16.").
Vargjet:
Babai u end në rini në të tjera dete,
Po ti erdhe
Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit
tim
Të gurtë, të qetë,
Trokite drojtur në shtëpinë trekatëshe
Nr. 16.
paraqesin një çast imazhi jetësor, një pamje të ngjarjeve
dhe ndjenjave të ndryshme. "Babai u end ne rini net e tjera dete",
frazë që përcakton një ngjarje të rëndësishme nga jeta e poetit. Babai ka
përfunduar në det gjatë rinisë, meqë vargu ngjall, me këtë shqiptim, imazhe dhe
ndjenja të forta të ndarjes dhe largimit. Mbase, është një çast i rëndësishëm
dhe i transformueshëm në jetën e poetit. Tek vargjet tjera: "Po ti
erdhe/ Duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit tim/ Të gurtë, të qetë"-
poeti fokusohet te një "ngjarje" tjetër": cila është ajo ecje
kaq e bukur? Është një zhurmë hapash që ndjell nostalgji e përjetim: a janë të ndonjë
person të dashur, të së dashurës, apo të dikujt tjetër, që është i rëndësishëm,
- që vjen duke ecur nëpër kalldrëmin e qytetit, me gurët e qetë: Qetësia
sugjeron një atmosferë pa shqetësime dhe, gjithsesi, një moment të bukur, pa
telashe. Folësi lirik na e zbulon se kush qenka: "Trokite drojtur në shtëpinë
trekatëshe / Nr. 16, Poezi” Numri i shtëpisë gjithsesi që përfaqëson jo
vetëm vendndodhjen, si stacion jete, po edhe një element emocional, kaq të ndjeshëm
për poetin; aty ia beh poezia, diku në vetminë e tij krijuese. Në kënaqësinë
krijuese, natën vonë.
4.
Janë ato reminishenca lirike që thurin asociacione me
romanet e tij përplot biografema letrare. Qyteti dhe stacioni,- mund t'i
lexojmë si simbole të qëndrueshmërisë (të të paluhatshmes), sigurisë dhe destinimit
a pikësynimit të fundit.
Vijnë vargjet:
Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur në
jetë,
Për shumë dëshira kam qenë citta aperta,
që sugjerojnë kontradiktat e jetës dhe dashurisë e të
procesit të kundërt (çdashur), duke
rrëfyer për emocionet e forta dhe aventurat e jetës. Megjithatë, ai zbulon se
pavarësisht shpërthimeve të ndryshme, gjithmonë kthehet tek poezia si një formë
e qetësimit dhe gjetjes së qetësisë, pas këtyre andrallave:
Po prapë
Si ai djali që kthehet vonë në shtëpi,
I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e
natës,
Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri
Pas çdo amatori, jam kthyer tek ti.
na thuret pamja e Kthimi dhe Përcaktimi
i poezisë si Stacion i Fundit, duke u identifikuar plotësisht me poezinë:
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
"Shumë gjëra kam dashur dhe çdashur ne jetë":
thekson atë gamë të gjërave që ka dashur dhe çdashur në jetë, përshkruan një
përvojë të pasur dhe të ndërliqshme, e cila përfshin emocione të ndryshme dhe
kërkesa të ndryshme. "Për shumë dëshira/ kam qenë citta aperta":
Fjala "citta aperta" është një referencë ndaj një qyteti të
hapur, një vendi ku mund të ndodhin shumë gjëra dhe ku ndjenjat dhe dëshirat
janë të lira për t'u shprehur. Le ta lexojmë këtë varg si një dëshirë për të
qëmtuar, gëzuar e trajtuar jetën në të gjitha format e saj. "Si ai
djali që kthehet vonë në shtëpi,/ I lodhur dhe i shqyer nga bredhjet e
natës", na vjen me krahasimin e një pamjeje të njohur: është ai i një
djali që kthehet vonë nga aventurat e natës, i lodhur dhe i sfilitur. Ky
personazh përfaqëson një përvojë të përgjithshme njerëzore të lodhjes dhe
ndjenjës së humbjes. Mbase, edhe të kënaqësisë "nga aventurat".
"Ashtu edhe unë, i lodhur përsëri/ Pas çdo amatori, jam kthyer tek
ti", - është ndeshja me vetveten, me përpjekjet për të shpjeguar,
kërkuar dhe përjetuar shumë gjëra; gjithnjë kthehet TE NJË PIKË STACIONI aq e
njohur: te POEZIA. "Ti" i referohet poezisë vetë, si qenie nga e cila
nuk shqitet, si bashkëbiseduese, si një mënyrë e poetit për të gjetur
qëndrueshmëri, siguri dhe kuptim te krijimi i tij letrar. Fraza poetike "Stacioni
im i fundit” interpretohet si një vend i qëndrueshëm, një ndalim a
pikësynim përfundimtar, destinim i fundit: është mënyrë e përsosur për ta
gjetur qetësinë dhe kuptimin e vërtetë të jetës vetjake.
Poetizohet një rrugëtim i thellë emocional dhe
intelektual i poetit me krijimin e tij; se si poezia është bërë një pjesë e
pashmangshme e jetës dhe identitetit të tij si njeri dhe si krijues.
5.
Le të hidhemi edhe nëpër vargjet tjera:
Mamaja ime shqipen mire s’e di,
Letrat si Aragoni i shkruan, pa pike
dhe presje,
Këto dy vargje nga vjersha "Poezi" e Ismail
Kadaresë, përshkruajnë një pjesë të rëndësishme të marrëdhënies së poetit me
gjuhën dhe artin e shkrimit.
Cilët janë këta përbërës thelbësorë të këtij komunikimi?
A mos është një disonancë, një mungesë harmonie, mes origjinës
së tij dhe mamasë që gjoja "nuk e njeh shqipen mirë"? Jo, këtu
mbillet një tjetër liri e asociacionit, kur përmendet poetika e Lui Sragonit
("Letrat si Aragoni i shkruan, pa pikë dhe presje"). Interpunkisoni i
bardhë (poezitë pa shenja pikësimi) aso kohe në Shqipërinë e regjimit në fuqi, konsideroheshin
si veprim e ndikim i nartit dekadent. "Dekadente” dhe analfabete të jetë
mëma?! Poeti e lë të ngurosur lexuesin: Louis Aragon ishte një poet, romancier
dhe eseist francez i shquar, një figurë e rëndësishme në lëvizjen surrealiste
dhe tek më vonë u lidh me Partinë Komuniste Franceze. Aragon ishte një nga
themeluesit e lëvizjes surrealiste së bashku me André Breton dhe Philippe
Soupault. Surrealizmi ishte një lëvizje artistike dhe letrare që u shfaq në
fillim të shekullit të 20-të, duke u përqendruar në shprehjen e ndërthurjes së vetëdijes
me ndërdijen, si dhe për lirinë e imagjinatës. LIRI E IMAGJINATËS! Kjo liri kaq
e kufizuar aso kohe në Shqipëri! Po porse Kadare përmend Aragonin e jo, bie fjala,
poetët tjerë surrealistë? Mbase, për faktin që të gjente "një
kompromis" për artin e imagjinatës: afrohen dy figura, aq të dashura,
Aragoni e mamaja! Aragoni (le të jetë një figurë ku romanet e tij lexoheshin në
Shqipëri). Një qortim krejtësisht i butë, i pasherr, ndaj mamasë që shkruan
"keq" (por aty mamaja, sigurisht, mbjell shpirtin e pafund të
dashurisë, le ta kujtojmë romanin "Kukulla" dhe romanet tjerë).
Aragon ishte nga pak aventurier (le t'i kujtojmë aventurat e tilla që Kadare i
përshkruan më vonë, nga takimet e tij në Moskë e gjetiu me vajza, si Aragon me
poeten surrealiste Elsa Triolet). Të jetë edhe Kadare "një dekadent"
si Aragon?! "Afrimi" dhe "kritika" për krijimet "pa
pikë e presje" e thonë të njëjtën gjë: nderimin për qenien më të dashur, mamanë...
që reflekton një ndjenjë të veçantë të lidhjes me gjuhën dhe trashëgiminë
kulturore, edhe pse ka kundërshtime, pengesa e komplikime në këtë lidhje;
nderim edhe për IMAGJINATËN KRIJUESE që lakmohet e ndërlidhet që tërthorazi me
identifikimin e emrit të Aragonit! Por, meqë Aragon është sinonim i kohës së
tij, pa pikë e presje, për ta spastruar artin e tij si autor i stilit të
thjeshtë dhe të pastër, drejtpërdrejt, pa ndërlikime e pa formalitete, atëherë
këtë nivel komunikimi e ruan habitshëm edhe Kadare! Veçse jo "pa shenja
pikësimi" (ç'formalitet për artin, uh!), për të mos u quajtur dekadent.
Të paktën, këtë gjë na e siguron liria e leximit, pasi
vetë poezia është një imagjinatë krijuese.
6.
Dhe ti,
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
Stacioni im i fundit,
Poezi.
Këto dy vargje nga poezia e Ismail Kadaresë shfaqen si
një përmbyllje e ndjeshme dhe simbolike e rrugëtimit të poetit me poezinë.
Poezia dhe stacioni gjenden në të njëjtin rrugëtim: qëllimi, destinimi dhe
shtegtimi deri te pritja. Stacioni, si një pikë përfundimtare, paraqet atë çast
sigurie e stabilizimi, një ndalesë ku poeti e ndjen se ka arritur aty te
qëllimi përfundimtar. Ky "stacion i fundit" shqiptohet me të vetmen
fjalë që përbën vargun e fundit. E rikonfirmon qëndrimin e poetit dhe përqendrimin
e tij. Poezia përmendet si pika përfundimtare e këtij rrugëtim-qëllimi. Një
jetë përpjekjesh aventurash krijuese, sakrificash pa fund për hir të artit. E
vetmja fjalë, në fund, shënjon edhe rëndësinë esenciale në jetën e tij. Poezia
është e vendosur si një destinacion i përfundimtar dhe mjet, përmes të cilit
poeti shpreh dhe gjen kuptim në botën dhe përvojën e tij. Gjen kënaqësinë
estetike. E, aso kohe, përmendeshin tradhtitë tjera, por poeti ka tjetër drojë:
Pa më mbajtur mëri për tradhtinë,
Më ke përkëdhelur flokët me ëmbëlsi,
janë fraza që shprehin ankthin ose frikën krijuese, në
mos poeti ka tradhtuar apo ka ndryshuar rrugën e tij krijuese! Poeti gjendet
para ndërgjegjes së tij krijuese! Përdorimi i fjalës "mëri" sugjeron
sikur të gjendej para një gjykate që vlerëson poezinë. Poezia paraqitet si një
fuqi që mund të ngrohë dhe të kujdeset për krijuesin e saj dhe, gjithsesi, edhe
të të qortojë! Përdorimi i imazhit të përkëdheljes dhe të ëmbëlsisë, lidhet me
një ndjenjë të kënaqësisë artistike dhe kujdesit. Gërshetimi i këtyre dy
vargjeve, shfaq një marrëdhënie të ndërliqshme dhe të ndjeshme mes poetit dhe
poezisë së tij. Në këtë kontekst, poezia është një forcë që shpërfaqet si
shpresa dhe mbështetja e tij, por edhe si një fuqi që kërkohet të kontrollojë
dhe vlerësojë krijuesin e saj.
7.
Më në fund, le ta lexojmë këtë poezi edhe si një biografi
lirike. Mund të interpretohen edhe si biografema lirike, duke iu referuar jetës
dhe rrugëtimit të poetit. Në këtë poezi, dallohen disa elementë që lidhen me jetën
e Kadaresë..., që u theksuan më lart.
"Udhën gjer tek uni si e
gjete?":
"Mamaja ime shqipen mire s’e
di"
"Babai u end ne rini net e tjera
dete"
"Stacioni i fundit" interpretohet si një
lidhje e thellë dhe e pashpallur mes krijuesit dhe krijimit të tij letrar.
Përdorimi i kësaj fraze përshkruan një çast shpirtëror apo një zbulesë a
epifani biblike, ku poeti takon burimin e frymëzimit për krijimtarinë e tij. Ky
çast metaforik është tejet shpirtëror, ka një ndikim të thellë në krijimtari.
Përmendja e prindërve lidhet me një ndjenjë nostalgjie ose kujtimi. Autori kujton
momente nga fëmijëria e tij dhe përshkruan marrëdhënien e tij me prindërit
nëpërmjet poezisë. Këto momente sjellin frymëzim për krijimin e poezisë.
Ligjërimi poetik ka një stil të drejtpërdrejtë, me fjalë
të qarta dhe komunikim të hapur. Fjala e qartë (dhe mnyra e qlndrimit jetësor, cita
aperta), si dhe përdorimi i figurave të pandërlikuara, e lejojnë lexuesin ta
kuptojë mesazhin e poetit pa nevojë për interpretime të thelluara. Kjo qasje ka
një ndikim të drejtpërdrejtë dhe transparent në komunikimin e ideve dhe
emocioneve. Në vend që të përdorë simbolizmin e ngatërruar, poeti shpreh
mendimet dhe ndjenjat në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.
"Stacioni im i fundit, / Poezi".
Poezia shpallet si qëllimi i fundit i poetit. Sot e
përgjithmonshëm.
(28 janar 2024)