| E hene, 29.01.2024, 08:37 PM |
Spiuni i birucave, burgjeve dhe kampeve
Nga
Kastriot Dervishi
Në
kampet dhe burgjet e komunizmit ka pasur bashkëpunëtorë të Sigurimit të
Shtetit. Shumica e tyre pa ndonjë aktivitet, por një pakicë (ordinerë dhe
politikë), kanë qenë me goxha aktivitet. Në pjesën më të madhe ata vinin nga
radhët e komunistëve të përjashtuar nga partia. Këta shquheshin për zellin e
madh sepse nuk dinin ku kishin gabuar përpara partisë dhe donin patjetër të
lanin gabimet e padukshme. Sidomos ushtarakët dhe funksionarët ishin kategori
që binin shpejt në rekrutim. Një histori të pabesueshme ka një person me arsim
juridik. Ishte kryetar Komiteti Ekzekutiv, anëtar i PPSH-së, kur në vitin 1973
u ul nga funksioni deri sa u bë nëndrejtor fabrike. I gjetur në këtë pozitë, u
orvat të arratisej, por në 27.9.1973 u kap nga dy fshatarë të Rrethit të
Përmetit, kur ishte 2 kilometra larg kufirit. Gjykata Popullore Vlorë e dënoi
me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Pranoi bashkëpunimin me
organet e Sigurimit, duke u regjistruar agjent me dy pseudonime: “Shushica” në
Vlorë dhe “Qelqi” në Fier. U përdor gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit,
në biruca dhe në kampe. Aktiviteti i tij spikati në Repartin nr.309 Ballsh dhe
Repartin nr.303 Spaç. E mbylli pikërisht aty ku e nisi në Vlorë, kur e nisën
nga Spaçi për kombinacion agjenturor, por nuk mundi të jetojë sepse vdiq
papritmas më 20.10.1985. Vuajti gjithsej 12 vjet e 23 ditë heqje lirie, e cila
i korrespondoi një shume financiare të cilën e morën pasardhësit e tij.
Bashkëpunëtorët e burgosur me aktivitet të këtij niveli, nuk duheshin
dëmshpërblyer (mendimi im).