| E shtune, 27.01.2024, 08:57 PM |
EPIDEMIA DEMOSTENIANA E MUSA RAMADANIT
Nga
Timo Mërkuri
Qysh
në leximin e titullit “Epidemia e quajtur Demosteniana” e poetit të shquar
kosovar Musli Ramadani sjell në kujtesë
oratorin e famshëm të Greqisë
antike Demostenin, fjala e të cilit në Agora të Athinës disa herë i ka dhënë
drejtimin zhvillimit historik këtij qytet-shteti. Në informacion për lexuesin
sqarojmë se: Agora ishte një hapësirë në qendër të qytetit, që shërbente si
treg dhe në ditë të caktuara si një vend për biseda e debate politike, shfaqjen
e ideve, aty bëheshin dhe ceremonitë shtetërore, ishte vendi ku oratorët mbanin
fjalimet e mbronin pikpamjet e tyre apo
paraqitnin çështjet që preknin shoqërinë. Pra, Agora ishte qendra e jetës
politike dhe shoqërore në çdo qytet grek,
ndërkohë që në Romë fjalimet mbaheshin në Senat dhe vendimet shpalleshin
publikisht para ndërtesës së tij.
Demosteni
ishte një nga oratorët më të njohur të Athinës së lashtë, i lindur rreth vitit 384 p.e.s. dhe vdekur në
vitin 322 p.e.s. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Athinës dhe
në botën antike dhe u bë i njohur për aftësitë e tij të rralla oratorike dhe
pjesëmarrjen aktive në politikën e qytetit, ku spikatin disa momente në jetën e tij:
Në
fillimet e karrierës së tij politike, Demosteni luajti një rol kyç në politikën
e Athinës gjatë Luftës së Peloponezit (431-404 p.e.s.), një konflikt midis
Athinës dhe Spartës, ku u shfaq si një kundërshtar i fuqishëm i politikës së
Spartës dhe mbrojti politikat e demokracisë Athinase.
Në
historinë e oratorisë ka mbetur
famshëm "Fjalimi për
Harangin" i mbajtur në vitin 338 p.e.s. “Harangi” ishte një ritual i
rëndësishëm në jetën e Athinës së lashtë si një ceremoni nderimi për atletët e
ushtarët që kishin vdekur në betejat për të mbrojtur qytetin. Demosteni përdori
fjalimin për të nderuar trimërinë e heronjve të rënë në luftë dhe ajo që i dha
impuls këtij fjalimi, ishte fakti se ai u mbajt pas një beteje të humbur nga
Athinasit. Ai fitoi lavdi me “filipiket” e tij të vitit 351 p.e.s., një seri
fjalimesh kundër Filipit të II të Maqedonisë, i cili përpiqej ta pushtonte
Greqinë duke përdorur gjerësisht atë që më von do quhej “kolona e pestë”,
tradhëtinë brenda grekëve. "Përgjigja kundër Aiskhinesit" është një
tjetër fjalim mbajtur në vitin 330 p.e.s. ku akuzoi Aiskhinesin (një politikan
i kohës) për korrupsion dhe tradhëti në bashkëpunim me Fiilipin II të
Maqedonisë, duke e quajtur atë një kërcënim për shtetin. Duhet të shtojmë se
Demosteni veç lavdisë përjetoi dhe ndëshkime zyrtare, të dirigjuara nga
kundërshtarët e tij për shkak të pjesëmarrjes së suksesëshme në politikë e
qëndrimet e tij. Kështu: ai u dëbua (internua) nga Athina në vitin 323 p.e.s.
kur pas vdekje së Aleksandrit të Madh në vitin 323 p.e.s. u akuzua bazuar në
një shpifje për bashkëpunim me maqedonasit, pavarësisht se internimi vazhdoi
për pak kohë, pasi ai vdiq në vitin 322 p.e.s. Përjetoi gjoba financiare dhe
përpjekje për diskredititim publik, me qëllim njollosjen e figurës së tij
politike e morale, por si gjithmon përgjigjet e tij ishin jo vetëm brilante si
art, por edhe shpartalluese për shpifësit.
I-Pas
kësaj natyrshëm lind pyetja, ç’ne poeti Musli Ramadani përdor metaforën
“Demosteniana” dhe ca më tëpër si cilësim të një “Epidemie”?
Vlen
të dimë se poezia “Epidenia e quajtur Demosteniana”është shkruar dhe përfshirë
në librin “Eugjenika e tri deteve”, botim i “Rilindjes” 1986 ndaj në këtë
kontekst kohor e historik duhet lexuar.
Koha
kur u shkrua kjo poezi ishte Kosova e vitit 1986, e cila e trazuar nga dhuna
serbe kishte nevojë për tribunë popullorë, kishte nevojë për oratorë trima, të
ditur e vizionarë. Kështu shpjegohet që, ndërsa
oratoria demosteniane është një brilant historik, një pasuri njerëzore,
poeti ironikisht shprehet për një “epidemi demosteniane”, pse shumë njerëz duke
e çmuar veten si një Demosten , flisnin shumë pa patur talent, dije e vision,
duke i kundërshtuar të gjithë dhe duke u bërë në këtë mënyrë një pengesë për
organizimin popullor. Kosova në atë kohë kishte nevojë të ngutëshme për një
orator dhe lider vizionar, të nivelit të Demostenit dhe jo për një mizëri
“oratorësh” mediokër, të vetvlerësuar si “demostenë”. Kritika e autorit është
ndaj kësaj "epidemie", duke sugjeruar se një prirje e tillë për të
folur dhe shkruar pa kuptim e ide të qarta, mund të çojë në humbje të vlerave
të vërteta të komunikimit, shprehjes së mendimeve dhe organizimit në një
qëndrim të përbashkët, si ai që realizonte Demosteni sa herë që Athina ishte në
rrezik. Ramadani sugjeron se është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes dëshirës
së thjeshtë për të folur dhe aftësisë reale për të shprehur veten në mënyrë që të
sjellë vlerë e kuptim për audiencën. Në këtë kuptim, poezia thekson nevojën për
një reflektim më të thellë dhe një qasje më të kujdesshme ndaj komunikimit tonë
në kohën moderne.
Nëse
shohim në kontekstin e sotëm, poezia "Epidemia Demosteniana" mund të
interpretohet si një kritikë ndaj kulturës së mediave sociale dhe të
internetit, ku njerëzit janë të shtyrë nga dëshira për të folur dhe shkruar,
duke përdorur platformat e tyre për të shprehur mendimet dhe qëndrimet e tyre
në mënyra që shpeshherë nuk janë të mirëformuluara ose të menduara thellë.
II-Poeti
Musa Ramadani sigurisht e ka njohur aktivitetin
oratorik të Demostenit dhe jo më kot poezinë e ka qasur te ky emër
historik , pavarësisht se duhet të themi se poezia "Epidemia e quajtur
Demosteniana" ka për qëllim të shprehë një kritikë ndaj shoqërisë kosovare
të kohës (1986) për humbjen e pozivitetit dhe vlerave në komunikimin e
shkëmbimin e ideve me interes të gjerë, duke folur e dalur si turmë. Kosovës i
duhej lideri, jo turma, asaj i duhej masa e mirëorga-nizuar dhe e drejtuar nga
ky lider, Itë cilin koha do e sillte së shpejti te tribune vizionar Ibrahim
Rugova.
Titulli
"Epidemia e quajtur Demosteniana", i referohet metaforikisht
epidemisë ku këtu nënkupton sëmundjen e pa aftësisë për të folur e shkruar me
ndikim e kuptimshmëri masive. Duke qenë se Demosteni, ishte një prej oratorëve
më të njohur të Greqisë së lashtë, i cili kishte një aftësi të madhe bindëse
dhe vision të qartë, qasja me emrin e tij për ca “fjalamanë”tingëllon si një
tis ironie hedhur mbi vargje.
Poezia
nis ironikisht me një kujtesë historike, ku autori prezanton një kohë kur
njerëzit nuk e kishin aftësinë për të shkruar ose folur, dhe se për këtë arsye
do të shpallnin të çmendur një person që dinte të fliste dhe të shkruante,
sipas parimit që “në fshatin e budallenjve, çdo i ditur quhet budalla”:
”Njëherë, dikur , kaherë, kushedi se kur/ Kush dinte të shkruajë s'dinte të
flasë/E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë”duke krijuar një kontrast midis
një kohe të largët dhe situatës së vitit 1986 (shekulli XX) në Kosovë. Me këtë
metaforë, Ramadani kritikon mungesën e vlerësimit të aftësive të komunikimit
dhe shprehjes së mendimeve në shoqërinë e kohës në Kosovë duke nxjerrë në pah
realitetin ku njerëzit qenë të mbyllur në vetvete, nuk qenë të gatshëm të
dëgjojnë një lider e të komunikojnë me njëri-tjetrin, ndërsa koha kërkonte
oratorë dhe tribunë popullorë dhe pikërisht ky paralelizmi me fenomenin
“Demosteniana” që në vetvete është tepër e zhurrmëshme,vizionare madje edhe
publike, përmban ironinë.
Me
cilësimin ”Demosteniane”, qëllimi i poetit nuk është të thotë që të gjithë u
bënë si Demosteni, duke mbajtur fjalime të mrekullueshme, por të shprehë një
kritikë ndaj mungesës të shprehjes së mendimeve në mënyrë efektive. Përdorimi i
emrit të Demostenit është mënyrë
simbolike për të theksuar nivelin e lartë të aftësisë oratorike dhe vizionare,
aq shumë të vlerësuar në shoqërinë antike greke, që pretendonin oratorët
“fjalamanë” pse dihet që fjalimet e Demostenit ishin të mirëpritura dhe të
vlerësuara për aftësinë e tij për të bindur e për të udhëhequr publikun.
III-Vargjet
"Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja,
mosfrenimi apo nevoja" nuk është se shfaqin ndonjë interesim të vërtetë
mbi origjinën dhe shkakun e aftësisë së lartë të Demostenit për të folur dhe
për të udhëhequr në fjalime. "Përse Demosteni nisi të fliste?" është
një pyetje që tregon indirekt një talent të jashtëzakonshëm në aftësinë e tij
të retorikës, por që gjithsesi këtu vlen si një sfond në idenë poetike të
Ramadanit, gjë që shfaqet e shprehet te vargjet: "Kaluan ditë, vjet e
shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi", të
cilat reflektojnë mbi natyrën e shkurtër e vlerës së një personi në histori dhe
në kujtesën e shoqërisë.
Duke
lexuar vargjet "Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX / E gjithnjë
e më pak dëgjues më pak ithtarë" shfaqin një zhvillim historik në lidhje
me aftësinë e komunikimit oral, të cilat lidhen me masivitetin në zhvillimet e
shoqërisë, ndërsa me fjalët "E
gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë", autori sugjeron që në të
vërtetë, ndërsa ka më shumë njerëz që flasin dhe përpiqen të komunikojnë, ka më
pak njerëz që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe të ndjekin atë që tjetri ka për
të thënë, pse secili ka vlerësim më të lartë për veten.
Në
vargjet e fundit, "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania / Demostenët e
kohës i flasin njëri-tjetrit", poeti bën
vlerësimin për shoqërinë
bashkëkohore në Kosovë (dhe jo vetëm), ku sugjeron se ka një mungesë të
përgjegjshmërisë në të folur dhe në të dëgjuar ku. njerëzit janë kaq të
përfshirë në fjalët e tyre, saqë ata "mbyllin veshët" për të mos
dëgjuar çfarë tjetri ka për të thënë. Tashmë oratorët vetëquhen Demostenë, por
populli i quan fjalamanë, dhe vetë ky term tregon zhvlerësimin e fjalës që
flasin.
Në
fakt, përkufizimi i "Demostenëve të kohës" që flasin njëri-tjetrit
mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe më të gjera, ku një prej tyre
mund të jetë lidhur me ndryshimet në vlerat dhe idealet shoqërore në kohën tonë
në vitet 2000. Sipas këtij interpretimi, mund të thuhet që shpërthimi i
komunikimit të pavlerë midis njerëzve, për shembull, në formën e fjalëve të
zbrazëta ose që i dinë të gjithë dhe nuk shfaqin interes kur I shqipton tjetri,
mund të jetë rezultat i humbjes së vlerave e idealve të rëndësishme në shoqëri.
Nëse shoqëria humbet fokusin nga ideja e përparimit intelektual, moral dhe
kulturor dhe zëvendësohet me një kulturë të materializmit dhe hedonizmit, kjo
mund të sjellë përqendrim më të madh në komunikim të pavlerë dhe të zbrazët,
siç shpreh poeti. Në këtë kontekst, shprehja "Demostenët e kohës i flasin
njëri-tjetrit" mund të përfaqësojë një humbje të lidhjes me vlerat
tradicionale dhe një fokus të shumëtrishtuar në aspektet e tjera të jetës, siç
janë konsumi dhe argëtimi, në vend të shkëmbimit të ideve dhe vlerave të rëndësishme
shoqërore. Pra, ndryshimet në shoqëri dhe në vlerat shoqërore mund të lidhen me
këtë interpretim të vargut, në mënyrë që ajo që dikur ishte një qasje e
respektuar dhe e nderuar për komunikim e shkëmbim të ideve të rëndësishme, tani
mund të jetë zëvendësuar me një formë të pavlerë e të përgjithshëm psh
internetit, e cila reflekton një humbje të theksuar të vlerave dhe idealeve në
shoqërinë bashkëkohore.
IV-Në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" të Musa Ramadanit, figura
artistike përdoren për të shkëmbyer mesazhet dhe për të krijuar një përshtypje
të thellë te lexuesit. Kështu:
Vetë
titulli, "Epidemia e quajtur Demosteniana" është një metaforë e
fuqishme që shpreh përhapjen e “sëmundjes” “Demosteniana”. Në poezi,
"Demostenët e kohës" përfaqësojnë individët që flasin pa klas dhe pa
seriozite, ku kjo metaforë shfaq përkthimin e “sëmundjes” në kontekstin aktual.
Emri
"Demosteni" në kontekstin e përdorimit simbolizon aftësinë e shkëlqyer të
komunikimit dhe retorikës orale. Vargjet: "Demosteniana u shumëzua deri në
shekullin XX/E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë"përdorin
simbolizmin për të shprehur rënien graduale të vlerës së komunikimit efektiv
dhe mungesën e interesimit për të dëgjuar e për të ndjekur ata që hamendësojnë
se janë oratorë të mëdhenj. "Demosteniana" është metafora e mungesës
së kësaj aftësie, ndërsa "e gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë"
shfaq rënien e interesimit për të dëgjuar dhe për të ndjekur ata që kanë maninë
për të folur, kuptimi i të cilës duket më qartë te imazhi: "Njerëzia
mbyllin veshët nga fjalamania", i cili vizualizon një shoqëri që është
mbyllur ndaj masivitetit të “oratorisë”, pse ajo është zvendësuar nga një lumë
fjalësh pa grykëderdhje.
Interesant
është përdorimi mjeshtëror i aliteracionit për të përforcuar ritmin dhe
ndikimin e fjalëve, ku në këtë poezi, ai është i shpeshtë dhe ndihmon në
krijimin e një udhëtimi poetik, psh , në vargun "Njëherë, dikur, kaherë,
kushedi se kur", aliteracioni me "k" dhe "dh" ndihmon
në përfshirjen e lexuesit në një atmosferë misterioze dhe reflektuese.
Po
kështu dhe repetimi i disa fjalëve ose frazave përdoret për të theksuar një ide
apo një ndjenjë ,ku në këtë poezi, përdorimi i rregullt i frazave të njëjta në
vargje të ndryshme përforcon mesazhin dhe thelbin e poezisë. Psh, fraza
"Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte
të shkruajë" përsëritet në poezinë për të theksuar përsëritjen e një
gjendjeje ose të një ideje.
Eleganca
e përdorimit të kontrastit për të shfaqur ndryshimet dhe theksuar dallimet mes
një kohe dhe një tjetër, (këtu kontrasti midis kohës së Demostenit e kohës
moderne) jep peshën e ndryshimit të madh në mënyrën sesi komunikimi është
perceptuar dhe praktikuar nëpër shekuj.Kjo është e dukëshme në vargun
"Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte
të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë", përdorimi i
kontrastit midis një kohe kur njerëzit ishin të specializuar në një formë të
komunikimit apo dijesh (ose edhe të munguar të saj) dhe situatës së shoqërisë
së kohës përfaqëson një aspekt fin të kësaj figure artistike.
V-Poezia
"Epidemia e quajtur Demosteniana" e poetit Ramadani reflekton një
portret të kohës e situatës shoqërore në Kosovën e viteve 1980, duke u fokusuar
në aspektin psikologjik të shoqërisë së asaj kohe, duke shfaqur poetikisht disa
aspekte psikologjikë që identifikohen në analizën e poezisë në kontekstin e
kohës dhe vendit:
Poeti
shpreh një ndjenjë të frustrimit dhe zhgënjimit ndaj situatës politike dhe
shoqërore në Kosovë. Në kohën e viteve 1986, Kosova përjetonte një sërë sfidash
politike, duke përfshirë mospajtimin me pushtetin qendror, diskriminimin etnik
dhe kërkesat për pavarësi. Kjo ndjesi e zhgënjimit dhe frustrimit shfaqet
nëpërmjet ironizimit të pretendimeve të një sërë individësh për pasjen e
aftësive të një lideri të madh si Demosteni dhe shprehet te vargjet:”Nuk dihet
se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo
nevoja".
Në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", pothuajse shpaloset një
ndjenjë e mungesës së liderëve të vërtetë dhe të fuqishëm në shoqëri. Njerëzit
janë të shqetësuar për mungesën e njerëzve që mund të udhëheqin dhe të
frymëzojnë në një kohë të vështirë. Kjo mungesë e liderëve të fuqishëm shkakton
një ndjesi të përgjithshme të pasigurisë dhe mosbesimit në të ardhmen. :“
Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk
sesi humbi",.
Poezia
shpreh dëshirën për ndryshim e përparim në shoqëri. Në kohën e viteve 1986,
shumë njerëz kërkonin ndryshime politike e shoqërore për të përmbushur
aspiratat e tyre. Poezia shprehë një dëshirë për një lidership më të mirë dhe
më të fuqishëm,një “Demosten” kosovar i cili mund të sjellë ndryshime pozitive
në shoqëri dhe jo një tufë “virusesh” fjalamanë.
Në
një kohë të vështirë politike dhe shoqërore, ndër njerëzit mund të ketë një
ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkrahjes reciproke. Kjo mund të shfaqet
nën ndjenjën e përjetuar se të gjithë janë në të njëjtën anije dhe përballen me
sfida të përbashkëta. Në këtë kontekst, poezia mund të shprehë nevojën për
unitet dhe bashkëpunim për të përballuar sfidat kolektive, madje edhe duke
ironizuar disa dukuri negative. Pasazhi: "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi
se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë
s'dinte të shkruajë" përfaqëson një lloj humori dhe mospërputhjeje në
shoqëri e mund të interpretohet si një
thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke, duke treguar se në kohën e
vështirë, njerëzit mund të kenë nevojë për të mbështetur njëri-tjetrin
pavarësisht mungesës së aftësive të tyre. Kjo përshtatet me ideën e
solidaritetit dhe bashkë-punimit nëpërmjet sfidave të përbashkëta.
Në
përgjithësi, aspekti psikologjik i poezisë "Epidemia e quajtur
Demosteniana" ndihmon të shpalosë ndjenjat dhe emocionet e njerëzve në një
kohë të caktuar dhe situatën shoqërore në Kosovë. Duke e kuptuar këtë kontekst,
mund të shohim se poezia reflekton një ndjenjë të përgjithshme të mosbesimit e
nevojën për ndryshim në shoqëri. Këto aspekte psikologjike të shprehura në
poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" e bëjnë atë një shprehje të
thellë e ndjenjave dhe emocioneve të shoqërisë në kohën e saj. Në një periudhë
të vështirë dhe të pasigurt, poezia mund të ofrojë një mënyrë për t'i shprehur
dhe për t'u identifikuar me ndjenjat kolektive dhe përvojat.
Këto
aspekte e bëjnë poezinë e Musli Ramadanit jo vetëm të arirë artistikisht por
dhe të plotësuar psikologjikisht, duke e prurë si një poezi të realizuar në
mënyrë mjeshtërore nga një poet i madh, duke e prezantuar si një ftesë për
zgjidhje të lidershipit, zgjidhje që e solli koha në vitin 1989 .
Sarandë, më 27 janar
2024