| E premte, 26.01.2024, 08:59 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
ASIM
LUZHA- “NËSE NUK MERREN MASA TË NGUTSHME, MUND T’U NDODHË NJË PLOJË E TMERRSHME
NË TËRSTENIK. PËR KËTË JANË NGARKUAR DY KOMANDANTË TË KORPUSIT TË KNOJ-IT,
PEJOVIÇ E TABAKOVIÇ...”
(1890-
e pushkatuan më 30 janar 1945)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Patrioti i madh Mulla Asim Efendi Luzha u lind në Gjakovë, më 1890. Asimi ishte djali i parë i atdhetarit e dijetarit të madh Myderriz
Murteza Efendi Luzhës, që në popull njihet me titujt : Haxhi Myderrizi, që
do të thotë se ishte Haxhi dhe Myderriz dhe nënës Xhemile (Abdyli) Luzha.
Asim Luzha vinte nga një familje e kamur qytetare, intelektuale, fetare dhe mbi
të gjitha familja e Asimit ishte atdhetare. Qysh si fëmijë babai e kishte
vërejtur se djali i madh i tij, Asimi ishte inteligjent, i urtë dhe i sjellshëm
me të gjithë. Pasi se në shtëpinë e tyre nuk mungonin librat ai filloi ti
shfletoj dhe interesohej se çfarë shkruante në to.
Asim Luzha mësimet fillestare i kreu në vendlindje - Gjakovë, pasi i
përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm, djalin e regjistron në gjimnazin e Shkupit.
Pasi e përfundoi shkollën e mesme, ai u kthye në Gjakovë dhe para babait dhe
shokëve të tij, iu vu çallma e hoxhës dhe që nga ajo kohë ai punoi për të mirën
e popullit të vet, kurrë pa i bë keq askujt. Edhe pse kishte përfunduar
shkollën në Shkup, ai nuk u ndal me kaq. Në Gjakovë regjistroi Medresenë e
Madhe. Pas kësaj do të emërohet Imam në disa fshatra të Gjakovës, si në
Skivjan, Cërmjan e Rastavicë. Pastaj caktohej imam edhe në fshatrat e Drenicës.
Me përfitimin e përvojës do të kthehet në Gjakovë, ku do të emërohet imam i
xhamisë se Islam Begut, në qendër të Gjakovës, ku do të shërbejë deri në fund
të jetës. Gjatë tërë këtyre viteve ai iu përkushtua bamirësisë, arsimimit,
humanitetit dhe atdhetarisë. Me të drejt popullata kudo që punonte e quanin
babai i fukarenjve. Edhe lekun e fundit e jepte për ti ndihmua të varfëritë.
Ishte i martuar me Qazime Roka - Luzha (1902 – 1970) –me të cilën pati 7 fëmijë: Qemajlin, Serveten, Murtezan, Zijanë, Sadeten, Besën dhe
Nezafeten.
Mulla
Asim Ef. Luzha, ka qenë njohës i disa gjuhëve orientale dhe pos shqipes fliste
e e shkruante edhe gjuhën serbishte. Ai ka kryer edhe Medresenë e Lartë të
Shkupit. Si teolog dhe patriot ishte inkuadruar në Organizatën e Xhemijetit dhe
ka kryer funksione dhe veprimtari të ndryshme atdhetare së bashku me Ferhat
Dragën, Aqif Blytën, Hasan ef. Dashin dhe shumë patriotë tjerë të Kosovës. Mulla
Asim Efendi Luzha ishte arsimdashës i pa kompromise si për djem ashtu edhe për
vajza. Ai luftonte me këmbëngulje që fëmijët të shkollohen, se vetëm të
shkolluar e të ditur do të jemi të rëndësishëm për atdheun, thoshte ai.
Angazhohej që të regjistronte sa më shumë fëmijë në shkollat fillore në qytet,
e dihej se në gjuhën shqipe nuk kishte shkolla, andaj i regjistronte në mejtepe
e në shkolla në gjuhën serbe. Bile në mejtep kishte formua edhe një klasë ku
shkonin edhe vajzat. Një sjellje e këtillë prej intelektuali dhe prej
atdhetari, serbomëdhenjve nuk iu shkonte
përshtati, andaj që herët filluan të bënin plane për ta likuiduar apo degraduar
në sytë e popullit që aq shumë e respektonte. Asimi ishte institucion në vete.
Njerëzit këshilloheshin me të, e ai asgjë nuk kursente për ta. Gëzonte
autoritet të pa kontestueshëm.
Mulla Asim Efendi Luzha, ishte hoxhë i devotshëm, nuk
e donte politikën, dhe nuk donte të merrej me të, por kohë të vështira ishin
atëherë edhe pse hoxha nuk donte të merrej me politik, ajo deshi të merrej me
të. Fillimisht ishte anëtar i Organizatës “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dega në
Gjakovë, që ishte degë e Komitetit të Kosovës me seli në Shkodër dhe ku bënin
pjesë atdhetarët e njohur: Ibrahim Jakup Çaushi – Gjakova, Sali Morina, Ferid
Imami, Nimon Ferizi, Baba Qazim Bakalli, Ibrahim Fehmiu, Murat Gjakova dhe disa
qytetarë të tjerë të këtij vendi. Kjo degë me seli në Gjakovë gëzonte
përkrahjen nga qytetarët e Gjakovës dhe të rrethinës së të gjitha feve dhe
sekteve fetare islame të këtij mjedisi. Gjithashtu dega shtrinte veprimtarinë e
saj në të gjitha fushat e jetës qytetare duke përfshirë edhe angazhimin e
drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit. Njëherë ishte organizata bazë e mbledhjes
së ndihmave nga qytetarët e Kosovës për jetën dhe aktivitetin e Komitetit të
Kosovës me seli në Shkodër.
Së
bashku me babain e tij, Murtezanë, Asimi punoi pareshtur për të forcuar
atdhedashurinë te besimtarët. Të dy, babë e bir, u gjendën pranë
bashkëqytetarëve shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, në tubime
popullore. Ata bënin thirrje për qëndresë ndaj pushtuesve, të përballonin gjendjen e rëndë në ato vite
të luftërave grabitqare dhe të mos i lëshonin tokat e veta për t’u shpërngulur
në Turqi se shpërnguljet i donte armiku serbë dhe ne nuk duhet ti lëmë ato iu
thoshin ata. Serbomëdhenjtë e kishin vu në shënjestër Mulla Asimin. E
përcillnin në çdo veprimtari dhe në çdo aktivitet. Më 1913, posa i kishte
mbushur 24 vjet e burgosin dhe e internojnë në Nikshiq të Malit të Zi, ku
qëndroi deri kur u pushtua Mali i Zi nga Austro Hungaria.
Populli kishte nevojë për njerëz të dijshëm, të
ndershëm dhe të guximshëm. E këto virtyte që të gjitha i kishte me bollëk Mulla
Asim Efendi Luzha. Duke e vlerësuar Asim Luzhën si patriot të shquar, të lidhur
ngushtë me popullin dhe duke e vlerësuar si luftëtar për progresin e
shqiptarëve, populli i Drenicës në vitin 1938 e zgjodhi deputet në Parlamentin
e ish Jugosllavisë. Këtë besim të madh Asim Luzha e përligji me fjalën e veprën
e tij në organet ligjvënëse të Jugosllavisë. Ai kërkoi me zgjuarsi e
këmbëngulje që organet përkatëse të merrnin masa për të përmirësuar gjendjen
ekonomike e sociale të shqiptarëve, për t’u dhënë atyre ligjërisht e faktikisht
të drejtat që u takonin, sikur popujve të tjerë të shtetit. Gjatë Luftës së
Dytë Botërore ai shkoi shumë herë në Drenicë. Atje njihet me hallet e
shqetësimet e shumta, që sillte lufta, e përpiqej t’ua lehtësonte sado pak ato. Drenica kishte një të kaluar të lavdishme historike, që nga kohërat më
të hershme. Popullsia e kësaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive
kundër pushtuesve të huaj, gjatë historisë kishte dhënë një kontribut të
veçantë, në historinë e popullit shqiptarë. Në Drenicë lindën e u zhvilluan
lëvizje, ngjarje e luftëra të karakterit çlirimtar, nën udhëheqjen e
personaliteteve e figurave të ndritura të kësaj treve. E tillë është edhe Lufta
e dimrit të vitit 1945, pjesë përbërëse e historisë kombëtare që kërkon një
trajtim të veçantë. Edhe pse gjatë LDB-së, shqiptarët ishin të okupuar,
megjithatë Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe gëzonin të drejtat
elementare të një kombi.
Drenica shquhej prej shekujsh për frymën patriotike e përparimtare. Kjo
frymë shihej me shqetësim nga të gjitha forcat ushtarake e civile të çdo rryme
politike në Jugosllavi. Ndaj ndiqej çdo figurë atdhetare e çdo lëvizje me
ndjenja shqiptare. Asimi u bashkua shpirtërisht me zgjedhësit e vet në këtë
trevë, ndaj edhe survejohej nga forca shtetërore e jo shtetërore, sidomos nga
ato serbe – çetnike - partizane. Gjatë LNÇ-së, ai iu bashkua kësaj lëvizjeje.
Shtëpia e tij ishte qerthe për të gjithë njerëzit përparimtar
të cilët e donin Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë. Për angazhimin e tij në
LNÇ-së, ndikim të madh pati Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar
1944), dhe Rezoluta e saj e cila thoshte se Kosova pas lufte do ti
bashkëngjitet Shqipërisë.
Në fund të vitit 1944 dhuna e terrori i ushtruar
në Drenicë nga pushteti ushtarak serb koinçidoi me masakrat më çnjerëzore.
Njerëzit humbnin natën pa marrë vesh kush, vriteshin në masë dhe i masakronin
me sëpata në mënyrë që popullsia e vendit t’i shihte viktimat pa hundë, pa
veshë, me sy të nxjerrë e të lidhur me tela nga 6 – 7 e më tepër sish, duke
bërë kështu një terror mbi ta, për të vetmin faj që ishin shqiptarë. Ishin
komandat e vendit të porsaformuara, ato të cilat ftonin njerëzit kinse për
bisedime dhe menjëherë ata futeshin në burgje që ishin adaptuar për atë qëllim.
Në fakt ato nuk ishin burgje, por kasaphane. Masakrat, internimet, terrori,
burgosjet individuale e kolektive, dhunimet e gjenocidi i ushtruar
mbështeteshin në urdhëresën e Shtabit Kryesor të Serbisë, i cili më 2 dhjetor
1944 kishte dhënë urdhër për spastrimin e Drenicës dhe viseve përreth saj nga
“bandat shqiptare” dhe nga “njësitet e armatosura prej tradhtarëve shqiptarë” Kjo
nuk zgjati shumë, sepse menjëherë, pas luftës, filloi një tjetër zullum.
Zullumi filloi në Drenicë, me fillimin e vitit 1945, kudo vrasje, pushkatime,
masakrime nga forcat armike, nga brigadat partizane-çetnike.
Duke e vërejtur zemërimin e madh të popullit të
Drenicës, në krye me Shaban Polluzhën, forcat partizane-çetnike, përmes Fadil
Hoxhës, kërkuan bisedime. Bisedimet filluan, me Ymer Pulën e Ismet Shaqirin,
por sa filluan ato dështuan ! Atëherë, sërish, kërkuan bisedime, që ishin
vetëm kurthe, mashtrime. E kërkuan me telegram urgjent nga Prishtina
ish-deputetin e Drenicës, Mulla Asim Efendi Luzhën, i cili ishte hoxhë në
Xhaminë e "Islam Begut" në Gjakovë.
Mulla Asim Efendi Luzhën, para se të nisej për në
Prishtinë, disa hoxhallarë gjakovarë, që ishin anti-komunistë, atdhetarë, si
Hafiz Ymer Guta e Hasan Efendi Dashi e këshilluan Asim Efendinë të mos shkonte
në Prishtinë, por ai, meqë e donte Drenicën, nuk i dëgjoi.
Kur arriti në Prishtinë, në Shtabin Operativ, i thanë
se bisedimet me përfaqësuesit e Drenicës do të mbahen në katundin Tërstenik.
Mulla Asim Efendi Luzha, i shoqëruar nga miku i tij Rifat Berisha nisën për
Drenicë. Rifati e këshillon Mulla Asim Luzhën që mos të shkoi në Tërstnik se
atje është shumë rrezik. Në rrugë e sipër ata ndahen, dhe Mulla Asimi vazhdon
rrugën për ku ishte nisur.
Në Tërstenik,
hoxhën e priti një gjendje kaotike. Ai ishte i shqetësuar dhe tepër i
pakënaqur me trajtimin e popullatës që bënin partizanët ndaj tyre. Ai kishte
shkua për ti bindur fshataret që të lidhin një marrëveshje që të dorëzohen dhe ti
dorëzonin armët dhe më vonë nuk do iu ndodhë asgjë. Mulla Asim Ef. Luzha ishte
njeri i fjalës dhe do ishte shumë i lumtur që të arrinte këtë marrëveshje dhe
të shpëtonte popullatën nga masakrat e sigurta. Por nuk ishin të kënaqur çetniket
e konvertuar në partizan. Ata kishin tjera plane dhe gjithsesi donin të
shfarosnin popullatën në atë zonë. Ardhja e Mulla Asim Ef. Luzhës iu prishte
planet. Shumë dëshmitar të këtij takimi dëshmojnë se hoxha kishte kundërshtua qëndrimet e tyre dhe ishte tejet
i nervozuar. Nuk donte të humbët asnjë fshatar që kishin ardhur aty vetëm e
vetëm se kishin besim te deputeti i tyre, te hoxha i tyre, i cili shumë herë i
kishte këshillua e mësua se si duhet vatani. Partizanet ishin të vetëdijshëm se
ardhja e hoxhës po iu prishte hesapet. E sidomos kjo e pengonte tej mase Petar
Brajeviqin e Zyfer Musiqin, pro çetnik të përbetuar.
Pas
kësaj që gjeti dhe pa në Tërstenik,
Mulla Asim Ef. Luzha i shkruante Fadil Hoxhës një letër, në janar të vitit 1945,
në të cilën thuhej se: “Nëse nuk merren
masa të ngutshme, shumë fshatarëve të ngujuar në kullën e Halil Mulës në
Terstenik, mund t’u ndodhë një plojë e tmerrshme. Për këtë janë ngarkuar dy
komandantë të korpusit të KNOJ-it, Pejoviç e Tabakoviç, nga një brigadë
malazeze”. (Këtë letër Asim Luzha ja jep korrierit Sheremet Koci, me qëllim
që t’ia dorëzojë në dorë vetëm Fadil Hoxhës – Komandant i UNÇ-së të Kosovës,
sepse Ai e kishte dërguar me mision pajtimi në Drenicë, por atë letër Fadil
Hoxha kurrë nuk e mori).
Për likuidimin e hoxhës ka shumë variante. Më 30 janar,
1945, Asim Luzha edhe vetë u përballë me këta ushtarakë, me të cilët debatoi
gjatë duke i mbrojtur shqiptarët, të cilët kishin dalë nga ngujimi dhe i kishin
dorëzuar armët, sipas një marrëveshjeje të lidhur se nuk do të kishin pasoja,
pasi ata nuk kishin bërë krime. Qëndrimi burrëror, duke i mbrojtur të
dorëzuarit, i bëri komandantët serbë që më parë të vrisnin vetë Asimin, pastaj
t’i masakronin e t’i zhduknin fizikisht burrat, të cilët ndodheshin të
mashtruar e të rrethuar me ushtarë në fshatin Trestenik. Kur po dilte nga
Shtabi i komandës, në orën 21, roja që e shoqëronte i kishte futur një bombë në
xhep dhe pas disa sekondash, ajo shpërthen dhe e lë të vdekur. Në të njëjtën
kohë, roja që ndodhej aty afër i fshehur e i mbrojtur, e godet me automatik pas
koke, ky edhe ishte versioni i parë.
Versioni
i dytë ishte ai i Shtabit të UNÇ-së, se: “Hoxha ka dashur ta hedhë bombën në
shtab dhe ajo i eksplodon në xhep dhe e vret atë. Ndërsa versioni i fundit, dhe
si duket që është edhe më i sakti, e dëshmon edhe obduksioni që e bënë organet
e pushtetit me kërkesën e vëllait të Mulla Asim Ef. Luzhës - Qamil Luzha, del
se me 30 janar, 1945, ora 21 e natës. Asim Luzha do
vritej pas shpine me ca plumba automatiku. Atë e varrosin në varrezat e
Tërstenikut, për ta zhvarrosur me kërkesë të vëllait
Qamil Luzhës. Familja vonë mori vesh për vrasjen e Mulla Asimit, lajmin e
trisht e kishte dhënë në besim atdhetari - Majori Banush Sedllari, i cili pas
një viti edha ai likuidihet nga forcat komuniste.
Pas
këtij atentati ushtria pushkaton të 60 burrat e dorëzuar dhe 18 të rinj nga
Gjilani, të cilët atë natë u ndodhën si mysafirë në lagjen e Spahive të këtij
fshati, e që kishin ardhur t’i bashkohen Aradhes së Shaban Polluzhës. Kjo ishte njëra nga tragjeditë më të mëdha të
vitit 1945. Vetëm në Drenicë u torturuan, u masakruan e u vranë 30 mijë burra,
gra e fëmijë.
Mulla Asim Efendi Luzha u zhvarros edhe një herë, për
tu varrosur në Gjakovë, Ai u varros me nderime të mëdha nga qytetaret e
Gjakovës dhe të atyre që erdhën kastile nga qendra të tjera të Kosovës e më
gjerë, vetëm e vetëm që ti bënin nderimet e fundit heroi të tyre. Mulla Asim
Efendi Luzha u varros afër Urës së Tabakëve, në varrezat e Tyrbes së Tahir Efendisë.
Jeta
dhe vepra prej humanisti e atdhetari Asim Luzhës ishte model i njeriut, i cili
ia kushtoi gjithçka që kishte popullit të tij. Ndërsa shkrimtari i madh
gjakovar Rexhep Hoxha, në pllakën e varrit të tij, ka shkruar këto vargje sa
prekëse aq edhe domethanëse: “O udhëtar! Asim Luzha këtu varrin e ka / për
lirinë e popullit në Drenicë asht vra”.