| E merkure, 24.01.2024, 08:52 PM |
Atdhetari i pamposhtur Abas Kupi në një monografi
shkruar nga shqiptaro-amerikani Makensen Bungo dhe botuar nga “Gjonlekaj
Publishing”, New York, 2001
“Ç’prej momentit të parë që u sulmua toka e jonë e shenjtë prej armiqve
fashistë, ne kemi qenë ata që kemi bërë çmos për të shpëtue nderin
kombëtar dhe jemi përpjekur për bashkim të përgjithshëm dhe bashkëveprim me te
gjithë shqiptarët pa dallim rryme dhe ideologjie. Ne jemi përpjekur për bashkim
dhe vëllazërimin e shpirtrave, për të larguar luftën civile dhe për të siguruar
luftën e përbshkët, për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shenjtë.” – Abas Kupi, 22 tetor
1944
“Jeta
dhe veprimtaria e Abaz Kupit janë shembuj të ndritshëm të dashurisë, të
dedikimit, të sakrificës dhe të vetëmohimit në shërbim të Atdheut të lire. Për
ma se një gjysmë shekulli, ai asht dallue si luftar, si organizues dhe si
udhëheqës në përpjekje për të fitue lirinë dhe pavarësinë shtetërore, dhe po
ashtu për sigurimin dhe forcimin e kësaj qënie të lire shqiptare. Jeta e tij
asht e mbushun me përpjekje për këtë ideal ndaj Atdheut, qoftë kundër
ndërhymjeve të shtetëve fqinje për të pengue nga mbrenda konsilidimin filletar
të shtetit të ri shqiptar, qoftë kundër qëllimeve imperialiste të fuqive të
huaja, qoftë edhe kundër aaj shoqnie shqiptare e vetqujtun përparimtare, që
ishte ba vegël qorre e Ndërkombëtares Komuniste në shenjat ruse-serbe, ne
drejtim me robnue kombin shqiptare.” – Makesen
Bungo, shkrimutar, New York
Nga Klajd
Kapinova
Një jetëshkrim i veçantë mbi atdhedashësin e shquar Abas Kupi
Shumë rrallë dhe për më tepër vetëm në vitet
e demokracisë në Shqipëri, fatmirësisht është shkruar dhe folur me fakte
konkrete historike për veprimtarinë dhe jetën e madhe të nacionalistit të
shquar të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë, personalitetin e
paharruar Abas Kupin.
Aktiviteti dhe puna e tij e shumanshme në
dobi të nacionit tonë, është ende e panjohur sa dhe si duhet. Për më tepër,
gjatë sistemit të anatemimit dhe përbaltjes papushim të vlerave të pastra
kombëtare shqiptare nga komunizmi i zi dhe servilët apo beniaminët me emrin
absurd “studiues” komunistë, për shumë dekada, të cilët në unison hodhën vrerë
dhe baltë, duke nxinë dhe gënjyer non stop 24/7 dhe hapur mbi aktivitetin dhe
përkushtimin patriotik të nacionalistit Abas Kupi në vendlinje dhe këtu SHBA.
Kjo vepër e re letrare dhe historike si një
pronë e punës së palodhshme krijuese, hulumtuese dhe shkencore e studiuesit
skrupuloz Makesen Bungo, është e mirëpritur sot në qarqet e kulturës dhe
historiografisë mbarëshqiptare dhe në veçanti në diasporën tonë këtu në SHBA,
sikurse dhe në shtetin amë Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri, si fryt i një pune të
mirëfilltë shterruese shkencore dhe historike, me vlera të veçanta njohje në
llojin e vet.
Redaktori i kujdesshëm e i talentuar,
gazetari me përvojë i komunitetit tonë Dalip
Greca[1], është përkujdesur
njësoj sikurse shkrimtari i talentuar, autori i veprës në fjalë Makesen Bungo,
duke i dhuruar më sëfundi Atdheut dhe trojeve etnike shqiptare figurën e Abasit
në mënyrë originale, të gjallë dhe të pavdeshëm, në përjetësi.
Duke lexuar dhe rilexuar me shumë kujdes,
përmes përjetimit historik ndihesh sikur je pranë personalitetit të madh dhe të
shquar nacionalistit antikomunist të pamposhtur dhe sypatrembur Abas Kupit.
Stili dhe mënyra tërheqëse e të rrëfyerit,
janë gërshetuar me finesë me materialet dhe dokumentet e pasura origjinale
historike, janë një mjeshtëri e art në të shkruarit të autorit bashkëvuajtës
nga qyteti i Elbasanit, dissidenti Makesen Bungo.
Për të tillë burra të shquar të nacionit
shqiptarë, ka pasur dhe ka ende sot nevojë të edukohet, informohet dhe të
ripërtërihet në vlera tradicionale patriotike rinia postkomuniste dhe populli
ynë, i lodhur nga historiografia e shterpë komuniste dhe shërbëtorët e saj
sharlatanë, që përsëri edhe sot fatkeqsisht po vijojnë të zhgarravisin apo
shkruajnë në kllapi dhe vesh si në kohën e monizmit të diktatorit antishqiptar
Enver Hoxha (alias Dullës së Gjinokatrës).
Duke depërtuar nëpër arteriet e kapitujve të veprës së re monografike, kushdo e kupton, se
je futur në vërtetësinë e ngjarjeve dhe fakteve origjinale historike, të ofruar
me kulturë dhe stil të ëmbel narrativ nga shkrimtari me përvoj Makesen Bungo,
duke na shpalosur shembullin pozitiv të
shërbestarit të nacionit dhe të Flamurit shqiptar, me të cilin ishte rritur e
mbrujtur personazhi i tij atdhetar, i cili shfaqet natyrshëm faqe pas faqe, përgjatë jetëshkrimit të
personalitetit zëmadh Abas Kupit.
Abasi, ishte dhe mbeti deri sa kaloi në
amshim një fytyrë e ndritshme e dashurisë, sakrificës, përkushtimit ndaj
nacionit dhe Atdheut të tij të dashur për shumë dekada. Ai sakrifikoi një jetë
të tërë, në shërbim të vazhdueshëm të vatrave patriotike martire shqiptare.
Sikurse e shohim vazhdimisht në ditët tona,
shumë studiues dhe shkrimtarë të moshave të ndryshme, me ose pavetëdije shpesh
bijnë në përsëritje në stil dhe në mënyrën se si e ndërtojnë monografinë e tyre
shkencore dhe historike, duke sakrifikuar fatkeqsisht kështu gjithë atë
material të pasur, që kanë vjelur apo akumuluar ndër vite, dhe duke mos arritur
fatkeqsisht në fund të realizojnë qëllimin e tyre të mirë.
Por, kësaj radhe sikurse shihet shumë kjartë,
në këtë monografi kemi tërësisht një paraqitje të veçantë dhe dinjitoze të
veprës jetëshkrimore nga studiuesi dhe letrari ynë i palodhur Makesen Bungo dhe redaktori i
kujdesshëm i veprës në fjalë gazetari shqiptaro amerikan Dalip Greca.
Pesë dekadat e jetës e aktivitetit patriotik
të personazhit kryesor Abas Kupi, esencialisht lexohen këndshëm dhe rrjedhshëm,
duke e dalluar apo lartësuar me të drejtë Abasin shumë mirë si luftëtar trim
dhe të pamposhtur, atdhetarë dhe përkushtues të flaktë, organizues dhe
udhëheqës të aftë dhe largpamës, në përpjekje
e tij të reja dhe të pashtershme, për të fituar lirinë dhe pavarësinë
shtetërore njëherazi nga pushtuesit nazi-gjermanë dhe nazi-komunistë dhe për
forcimin dhe sigurimin e qënësisë së lirë të mbarëshqiptarëve në trojet etnike
asokohe.
Kontributi i shquar i Abas Kupit, është i
mbushur gjithnjë me përpjekje për këtë ideal dhe si një rrymë atdhedashurie të
pashuar dhe sublime, që e pëshkon tërësisht monografinë në fjalë, përkushtuar
me dashuri, theks shkencor dhe nota të ndezura narrative tërheqëse letrare nga
vetë autori i veprës historike, ish i denuari e i përndjekuri politik nga
regjimi totalitar komunist, shkrimtari i shquar dissident Makesen Bungo.
Me interes, përgjatë faqeve të bukura të
veprës, lexuesi mund të kundroj aspektet e rëndësishme të aktivitetit të dendur
dhe cilësor të patriotit Abas Kupi në dobi të Atdheut, qoftë kundër ndërhyrjeve
të shteteve fqinjë për të penguar nga brenda konsolidimin fillestar të shtetit
të ri shqiptar, ashtu edhe kundër qëllimeve asokohe pushtuese të shtetëve
shoviniste dhe megallomane.
Personazhi kryesor i veprës së re Kupi,
natyrshëm është shquar për krijimin e një shoqërie bashkëkohore shqiptare
përparimtare europerëndimore, duke iu larguar dhe dënuar gjithnjë e më shumë
rrymat politike bolshevike dhe marksiste lindore europiane, që si sëmundje
kancerogjene kishin depërtuar dhe fatkeqsisht kishin prekur keq trungun
(trupin) shqiptar, individët dhe një pjesë të shoqërisë së pashkolluar dhe
varfanjake shqiptare, si pasoj e
importimit të shpejtë të ideologjisë boshe ortodokse marksiste,
leniniste të Rusisë, përqafuar
fatkeqsisht nga leninisti i pandreçshëm apo peshkopi i kuq, enveristi
Fan Stilian Noli dhe komunisti stalinist dhe fanatik Ali Kelmendi asokohe.
Nëse ndonjë shqiptar nuk e di apo nuk ka
pasur shansin dhe fatin të mësoj punën e madhe patriotike, që ka bërë biri i
denjë i tokës së Arbërit nacionalisti Abas Kupi, tashmë sot ka mundësi që të
ketë në dorë një vepër serioze monografike (e cila fatmirësisht ndodhet online në Amazon), me të gjitha të
vërtetat e historisë të përshkruara thjeshtë nga shkrimtari ynë Bungo.
Sikurse shihet kjartë edhe në veprën shkrimore që kemi në dorë sot,
shohim se ajo në brendsi është edhe historia e jetës së tij brenda popullit
shqiptarë në vendlindje, sikurse edhe këtu në diasporën e SHBA-së, pranë
familjes së tij, dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, ku nacionalisti Abas Kupi
kaloi një pjesë shumë të mirë të jetës së tij tepër aktive, me përmbajtje të
theksuar nacionaliste, deri sa kaloi në amshim apo jetën e pasosun, sikurse
thoshte vazhdimisht, në shenj nderimi dhe respekti (për mikun e vet të ngushtë Abas Kupin), personaliti ynë brilant,
kleriku dhe patrioti i shquar i komunitetit shqiptaro amerikanë, antikomunisti
i përbetuar, Themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA mons. dr.
Zef Oroshi (1912-1989).[2]
Duke parë me kujdes përmbatjen e pasur të
veprës monografike kushtuar Abas Kupit, shohim se ajo është e ndarë në 10
kapituj, të cilat vijnë dora-dorës me një lidhje dhe vijimsi të plotë organike,
duke konturuar plotësisht dhe natyrshëm figurën e madhe të nacionalistit të
shquar mbarëshqiptar.
Jetëshkrimi në fjalë, fillon me pjesët
interesante historike, si:
“Rinia” (Pjesa e Parë);
“Në rrjedhat e jetës” (Pjesa e dytë: Hakmarrja, Unë pyes vetëm për Shqipërinë,
Në Koplik, Takimi me Ahmet Zogun, Lufta e Krujës, Kyengritja e Elez Isufit);
“Oficeri i xhandarmarisë” (Pjesa e tretë:
Abas Kupi afrohet me Ahmet Zogun, Oficeri
i xhandarmarisë, 7 Prilli);
“Kthimi në Atdhe” (Pjesa e katërt: Në megrim, Në Shqipëri, Komandanti);
“Nga Peza në Mukje” (Pjesa e pestë: Në Konferencën e Pezës, Në Labinot, Në
Mukje, Ne Qafë Shtamë);
“Pushtimi nazist” (Pjesa e gjashtë: Shqipëria rënkon nën pushtimin nazist,
Mirt’hat Frashëri dhe Abas Kupi, Si u hodh në erë Ura e Gjoles!? Me oficerët
anglezë, Çeta e Rinisë);
“Vëllavrasja” (Pjesa e shtatë: Në themelimin e organizatës
kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”, Takimi i fundit, Në kërkim të bashkimit
kombëtar, Drejt Burrelit, nëna e Malësisë, Balli dhe Legaliteti në marrëveshjen
e përbashkët, Përpjekja e fundit, Largimi);
“Jeta e kampeve” (Pjesa e tetë: Nga Brindizi në Egjipt, Komiteti Kombë tar “Shqiperia e
Lirë”);
“Në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës” (Pjesa e nëntë: Në New York, Nëpër Kongrese, Pleqëria, Nën peshën e kujtimeve për
Shqipërinë, Vdekja, Shtypi për vdekjen e Abas Kupit);
“Vlerësimi” (Pjesa e dhjetë: Shqipëria Etnike dhe Abas Kupi, Persekutimi, Vlerësimi);
“Heronjtë nuk vdesin” (Pjesa e
njëmbëdhjetë: Kangë për Abaz Kupin,
Bajram Curri në Tiranë, Abaz Kupi trim drague, Ditën e hane tuj dalë drita,
Hajde-hajde o Abaz Kupi!, Vargje për Abas Kupin, Lulja e harresës, Shtatë
prill, kujtim i zi, Shtatë prill 1939, Bazit të Canës, Abaz Kupi, Opinione,
Abaz Kupi, një nga shtyllat e mbrojtjes kombëtare, heroi i 7 prillit);
“Përmbajtja”
dhe një “Resume” në shkruar gjuhën
angleze (Abaz Kupi: The unknown life of
The hero of anti-fascist resistance).
Në këtë rast, shohim se përkthimi në anglisht
i esencës së vepres se re, është bërë fatmirësisht në mënyrë shumë korrekte dhe
të saktë, ku fatmirësisht shqiptaro amerikanët e rinj këtu dhe vetë gazetarët e
studiuesit albanologë amerikanë, kanë se çfarë të mësojnë nga historia e
vërtetë dhe e lavdishme e nacionalistit brilant të kombit shqiptar Abas Kupi.
Dhe me këtë vepër, ish i pëndjekuri politik
shkrimtari dissident Makesen Bungo nderoi vetën dhe personazhin e tij, duke
qëndruar burrërisht dhe stoik në qëndrimet e tij antikomuniste dhe mbrojtur me
dinjitet dhe vërtetësi ish bashkëvuajtësin e kohës së tij nacionalistin e paharruar
dje dhe sot Abaz Kupin.
Shkrimtari Bungo, në këtë mënyrë vendosi një gur më shumë të çmuar në
xherdanin e artë të fytyrave të ndritura të atdhedashurisë së kombit tonë
martir ndër shekuj.
Ndoshta, do të ishte me rëndësi, që të vihet
në dukje, se autori Makesen Bungo për hartimin e kësaj vepre, ka mbledhur me
durim dhe qëllimin fisnik si një bletë punëtore shumë të dhëna gojore të
bashkëkohësve kujtime dhe dokumente të ndryshme nga zotërinjtë: Petrit Kupi, Enver Shaskaj, Fuat Myftija,
Ndrecë Gjergji, Bradhok Ndreu, Atdhe Dungu, Nderim Kupi dhe sidomos Ramiz Dani, i cili, autori
thekson se është edhe nismëtari për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, duke e
ndihmuar shumë autorin për hartimin e plotë të kësaj monografie serioze
shkencore dhe historike.
Autori, në shenjë mirënjohje dhe respekti
falënderon të gjithë, miqtë dhe dashmirësit, bashkëluftëtarit e patriotit të
madh Abas Kuqit, mbasi pa kontributin e tyre kjo vepër do të ishte e mangët dhe
e pamundur që të botohej e plotë.
Për hartimin e veprës, sikurse shihet kjartë,
është dlirë dhe hulumtuar me kujdes një literaturë e pasur dhe e larmishme në
diasporë dhe nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, libra, dorëshkrime,
shtypi i kohës, si dhe koleksionet e gazetave dhe revistave të përkohshme në
vendlindje dhe diasporë, si: "Atdheu",
"Balli i Kombit", "Bota sot", "Dielli",
"Illyria", etj., në botuar Shqipëri, Kosovë e gjetkë.
Vepra e re narrative luksoze, ka në ballinë
portretin e patriotit dhe personalitetit të shquar në jetën politike dhe
shoqërore në diasporë dhe vendlindje të Abas Kupit dhe është botuar me
përkujdesin e veçantë nga Shtëpia e njohur Botuese shqiptaro amerikane “Gjonlekaj Publishing” në New York të
SHBA-së, në vitin 2001.
Kush është nacionalisti atdhedashes Abas
Kupi?[3]
Duke respektuar të gjitha të drejtat e
autorit të monografisë studiuesit dhe letrarit Makesen Bungo, nuk dua të
shkruaj mbi të rejat historike, që zbardhen në vepër për herë të parë nga
autori, por në mënyrë telegrafike dua të përshkruaj truallin, se ku punoi për
50 vjet me radhë intelektuali dhe personaliteti i spikatur Abas Kupi dhe vetë
shkrimtari ynë dissident Makesen Bungo, brenda tutelës së hekurt të juntës
ushtarake, të fashistëve të kuq, ku ishte mbërthyer fatkeqsisht për 50 vjet
Shqipëria ateisto-komuniste, ku jeta e përditshme ishte kthyer në një ferr të
vërtetë, ku të gjithë shqiptarët ishin të mjerë dhe burgosur asokohe.
Autori Bungo, me të drejtë e fillon monografinë e tij me
kapedanët, që kanë pasur dhe kanë shtete e tjera të botës, princër, mbretër,
perandorë, presidentë, apo personalitete të tjera të shquara të fushave të
ndryshme, që me të drejtë vazhdimisht janë respektuar nga popujt e tyre gjatë
shekujve.
Ndryshe ndodhi e po ndodh shpesh në vendin më
të çuditshëm në botë, që ka emrin e bukur Albania
dhe albanët fatmirësisht, që jetojnë në trojet e tyre etnike, mbasi kështu na
njeh historikisht deri më sot bota.
Afërsisht 200 faqet esenciale të monografisë, natyrshëm shoqërohen me shumë foto origjinale të kohës bardh e zi, të
cilat hijeshojnë dhe e rrisin edhe më shumë seriozitetin, dinjitetin dhe
vërtetësinë e veprës në fjalë.
Ky prijës i lirisë shqiptare, radhitet sipas
autorit të monografisë me të drejtë përkrah: Mic Sokolit dhe Azem Galicës, Spiro Bellkamenit dhe Shaban Polluzhës,
Isa Boletinit dhe Selam Salarisë, Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, Dedë Gjon
Lulit dhe Bajram Currit, Idriz Seferit e Sef Kosharja, për të ardhur sipas
mendimit tim tek mijëra e mijëra Adem
Jasharë të UÇK-së në Kosovë që luftuan kundër makinës shfarosëse serbe, në
trojet etnike shqiptare, detyrë të cilën e kishte në zemër vazhdimisht edhe
Abas Kupi.
Shpesh sikurse dihet nga nëna histori, krahina e Krujës, ka qenë vendi i heronjve
të vërtetë dhe mbi të gjitha kryetrimi i Arbërisë ose Ati i Kombit tonë Gjergj
Gjon Kastriotit, që për 25 vjet me radhë bëri që të dridhet Evropa e përgjumur,
për qëndresën e tij stoike, kundër Perandorisë Xhihadiste Islame Otomane të
"pathyeshme" ose turke asokohe, që kishte pushtuar dhe shkatërruar mizorisht deri në temel vendin dhe
popullin tonë dhe pas vdekjes së Heroit Nacional Skanderbegut… pushtuesi mizor
islam otoman, u hakmarr barbarisht ndaj rezistencës 25-vjeçare arbërore dhe e
mbajti vendin dhe popullin tonë martir
në morsën shkatërrimtare për 500 vjet me
radhë...
Saktësisht 132 vjet më parë lindi Abaz Kupi në Krujë, në një ditë të nxehtë gushti, më 6 gusht 1892. Autori Bungo, është
futur në thellësi të origjinës së Kupëve, duke theksuar se ata nuk janë vendas,
por të ardhur në Krujë (Kurbin).
Biografi dora-dorës, ka pëshkruar me hollësi
gjithçka që ka hulumtuar, lexuar, mësuar dhe dëgjuar nga bashkëkohësit apo
shtypi periodik në diasporë dhe pas 1991 në Shqipëri mbi Kupët dhe birin e tyre
të denjë Abas Kupi.
Vepra e mirëseardhur, vjen në një kohë dhe
situatë kur në Shqipëri po shkruhet shumë për “historitë” me përralla të
“lavdishme” të diktatorëve shqiptarë, në gazetat dhe revistat e majta
globaliste, duke privuar shqiptarët për të parë edhe anën tjetër të medaljes, se
kush kanë qenë dhe mbetën historikisht bijtë më të denjë të popullit shqiptar.
Sot, fatkeqsisht harxhohen me mijëra ton
letra, bojë dhe dollarë, propaganda 24/7 non stop, për t’i mbushur mendjen
shqiptarëve naiv, se diktatori antishqiptar gjinokastrit (kujtojmë vitin e
mbrapsh 1998, kur nga një anketë e gazetës “Koha Jonë” (Tyne) humanistja Nënë
Tereza dhe kryetrimi shtetit arbëror Gjergj Gjon Kastrioti (Skanderbegu), në
menyrë idiote, absurde dhe fyese u radhitën pas Enver Hoxhës, Mehmet Shehut,
etj.
Për më tepër, në kapitujt e “Historisë së Shqipërisë”, (Tiranë,
2002) nuk përmendet Abas Kupi, ose nëse rastësisht citohet ky personalitet dhe
më shumë trajtohet sipas syzeve negative të sistemit dhe propagandës
diskriminuese të Enver Hoxhës, mbasi ata që po e rishkruajnë “historinë” janë
të njëjtit persona, që kanë zënë vendet kyçe në departamentet apo insitutet e
historisë, fondacione, ministri dhe departamentet e “kulturës” propagandistike
neo-komuniste.
Për të qenë realisht i saktë, është më mirë
t’u thuhet brezit të ri sot, se ato kurrë dhe asnjëherë nuk do t’a mësojnë
realisht historinë e Shqipërisë, të saktë dhe me pa-anshmëri sot po nga ato
punonjës (mercenarë) me rrënjë të ideologjisë së dikurshme komuniste dhe sot
neo-komuniste, mbasi ato ende fatkeqsisht vegjetojnë me pushtet politik kudo si
“studiues” dhe “historishkrues” servil dhe dritëshkurtër.
Po të lexosh me kujdes "veprat" e diktatorit Enver Hoxha, del
se Abas Kupi është i paraqitur me epitetet më negative, si: një legalist tradhëtar,
reaksionar, armik i popullit, agjent i CIA-s, KGB-së, UDB-së, Vatikanit,
Serbisë, Greqisë e shumë epitete të tjera, që për çudi dhe fatkeqsisht kanë zënë rrënjë të thellë edhe në mendjet e
hartuesve të teksteve për shkollat e mesme dhe ciklin e leksioneve propagandistike
të majta globaliste shterpe, në universitete apo kolegje në vendlindje.
Vepra “Abaz
Kupi” (New York, 2001), shkruar
me fakte dhe argumenta nga studiuesi dhe letrari dissident Makesen Bungo, është
një vepër e mirëseardhur për qarqet atdhetare dhe nacionaliste mbarëshqiptare
dhe mbaratdhetare, që e kanë kujtuar gjithnjë në heshtje, gjatë kohës së
diktaturës… dhe pas vitit 1991 me shkrime e libra (të integruar me personazhe të tjera të personaliteteve të anatemuar
shqiptarë), kumtesa dhe përvjetore në shenjë respekti dhe mirënjohje, për
misionin e tij të madh, në përkushtim të Atdheut të dashur dhe të shqiptaro
amerikanëve këtu në SHBA, ku ai përkujtohet vazhdimisht çdo vit nga legalistët
në ditëlindjen e tij.
Pak fjalë për autorin Makesen Bungo dhe redaktorin
Dalip Greca
Dy autorë të ndryshëm Makesen Bungo dhe
redaktori i talentuar dhe gazetar i njohur Dalip Greca, kanë bashkuar energjitë
e tyre, talentin dhe dhuruar kohën për të nxjerrë në dritë një vepër shkrimore
me të gjithë elementet bashkëkohorë që përmban hartimi i një monografie.
Ndonëse larg shtetit amë Shqipërisë autori
Bungo dhe redaktori Greca, janë përpjekur
me korrektësi të shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe, ç’ka nuk ngjet shpesh në
shumë libra që vijnë nga diaspora në vendlindjedhe për më tepër nga SHBA, që
ndër shekuj bluan kultura dhe gjuhë të popujve nga vijnë dhe vendosen
emigrantët.
Me sa duket, përvoja e pasur dhe talenti në
të shkruar, pa përsëritje dhe fjalë të huaja (huazime) të pakuptueshme, kanë
bërë që vepra kushtuar nacionalistit të
flaktë Abaz Kupit të radhitet me dinjitet në fondin e artë të librave
monografikë si të veçantë në llojin e tyre.
Puna voluminoze dhe përkushtimi atdhetar i
autorit Bungo dhe redaktorit të kujdesshëm e të pasionuar Greca, ka bërë, që
tashmë lexuesit shqiptarë të kenë në dorë një vepër origjinale, të cilën me
vështirësi ose aspak s’do t’a kishin bërë një departament historie në
Universitetin e Tiranës apo departamentet shkencore të Akademisë së Shkencave,
që më shumë sot fatkeqsisht merren me promovimin e librave të diktatorëve
komunistë, sesa të nacionalistëve e atdhetarëve të vërtetë etnik shqiptarë.
Shpirti dhe dashuria, për të kryer këtë shërbim
ngaj popullit shqiptar dhe miqve, kanë bërë ka bërë që autori Makesen Bungo dhe redaktori i
monografisë gazetari dhe redaktori i palodhur Dalip Greca të mirëpriten në Shkodër, Tiranë, Krujë dhe Kosovë,
për këtë vepër cilësore dhe luksoze, që i kanë ofruar lexuesit dhe studiuesve
të rinj shqiptarë.
Një fjalë e urtë franceze thotë: “Lavdia e tij (në rastin tonë personalitetit
Abaz Kupi) s’ka nevojë për asgjë (mbasi flet vetë vepra e tij) e jona (autorit
e redaktorit) ka nevojë për Të”.
Kush është dissidenti Makesen Bungo (1926-2018)
Makeseni, lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan, ku aty
ai kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe Institutin e Lartë Pedagogjik,
Fakultetin Gjuhë-Letërsi.[4]
Ai u arrestua në vitin 1946 dhe më 12
tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për “krime kundër shtetit” dhe e dënoi me 5
vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe
konfiskimin e pasurisë.[5]
Dissidenti
Makensen Bungo, në qelitë e frohta të
burgut provoi shtazërinë komuniste… nga torturat e egra të hetuesisë së
diktaturës komuniste dhe pa shpesh vdekjen me sy si në Kënetën e Maliqit, në
kampin famkeq të Vloçishtit etj.
Akuza e fabrikuar ishte “Agjitacion e propogandë”, e konsideruar si krim kundër shtetit! Dhe
pse? Eshtë e habitshme, por duhet thënë hapur… Sipas kujtime të bashkëkohsve të
tij, thuhet se asokohe Makeseni kishte thënë në biseda të lira mes miqëve, se Kosova është e robëruar…
Për këtë arsye, gjatë kohës së diktaturës së
mërhumit gjinokastrit, Makeseni nuk u lejua që të botoj asnjëher dorëshkrimet e
tij. Ai nuk ishte asnjëherë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve Komunistë të
Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Enver Hoxha, Ismail Kadare, Dritëro Agolli
etj.
Dissidenti Makensen Bungos edhe kur ia dhanë
të drejtën e mësimdhënies, sipas diplomimit e dërguan në zona të thella, në
fshatra humbura (të lënë mbas dore me qëllim nga
regjimi komunist) të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Dhe më 26
shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan
urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij familjare, të luajtshme dhe të
paluajtshme.
Makesen Bungo, sikurse
mësojmë nga burimet historike të kohës, është bashkëvuajtës i shkrimtarit Et’hem
Haxhiademi, në burgun vdekjeprurës dhe famkeq për krime mosturioze të
Burrelit.[6]
Antikomunisti
i pamposhtur Makesen Bungo, u lirua nga qelia e burgut në vitin
1950. Asokohe pasi doli nga burgu, Mekeseni punoi si mësues në disa zona të
thella malore, ku nuk dëshironte të shkonte asnjë mësues tjetër nga qyteti apo Tirana...
Disidenti
Makesen njeri brilant në shpirt
dhe fjalë embël
Unë e kam pasur mik dhe flisnim shpesh për shumë libra dhe
persekutimin e Klerit Katolik Shqiptar 1944-1990, të cilët ai disa prej tyre i ka
njohur nga afër në burgjet e rregjimit komunist.
Zëri i tij si i një shenjti në telefon, si gjithnjë vinte i shtruar dhe i qetë. Ai
fliste me fakte dhe gezohej në shpirt kur
botohej ndonjë libër dhe jetëshkrim për figurat e shquara të dissidencës shqiptare, që ishin përbaltur pa të drejtë gjatë kohës zezë të nazi-komunizmit dhe vazhdonin të injoroheshin me heshtje deri sot nga neo-komunistët në pushtet…
Makeseni
ishte gjithnjë i pari, që me uronte në telefon për festat fetare të Krishtlindjes, Pashkën, Vitin e Ri dhe Ditën e Flamurit. Ai më dhuoi me autograph të gjithë librat e tij dhe biografinë e jetës së tij.
Falë punës së tij
të palodhshme në fushën e letrave shqipe, ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e
palodhur për shtypin e diasporës sonë këtu due shkruar në gazetat e perskohshme
të komunitetit tone, si: “Illyria”,
“Bota Sot”, ”Dielli”, “Jeta Katolike”
etj., ku kontribuoi vazhdimisht me studime, artikuj, poezi etj. Shkrrmtari
Bungo, ishte antar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, themeluar në
vitin 2001 në New York…
Me vetërënien apo vetëdegradimin e regjimit
të dekompozuar komunist shqiptar,
shkrimtari dissident Bungo shfaqi talentin e tij, të fshehur në dessidencë, ku
filloi të botoi disa vepra, si:
“Këneta e vdekje”
(Roman, 1996). Kjo vepër e suksesshme u ribotua edhe 5 herë të
tjera në vitin 2009 dhe fatmirësisht u
botua edhe në gjuhën e bukur angleze)
“Abaz Kupi”
(Monografi, New York, 2001);
“Nëna kosovare”
(Poemë, 2003);
“Gruaja me të zeza”
(Tregime, 2008);
“Rrugëtim me
psherëtima” (Roman, 2009);
“Varret” Poemë;
Albumi
“Mesazh”, kushtuar Musine Kokalari” (Monografi)
Ka
lënë në dorëshkrim vëllimin me tregime “Nga mesi i errësirës”.
“Ky
vend ka zot”, dramë.
Mons. dr. Zef Oroshi
(1912-1989), si mik i ngushtë bën Lutje shpirterore tek varri i nacionalistit
të flaktë Abaz Kupit
Shkrimtari dhe studiuesi
bashkëkohor shqiptaro amerikan Tomë
Mrijaj, në librin e tij monografik kushtuar prelatit të komunitetit katolik
shqiptaro amerikanë, me titull: “Monsinjor
dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), botuar në New
York 2009,[7]
për herë të parë zbadh një ngjarje shumë të rëndsishsme historike, në
lidhje mes nacionalistit Abaz Kupi dhe mikut të tij të ngushte mons. dr. Zef
Oroshit, të cilën po ofroj ngjarjen origjinale, të peshkruar me shumë kujdes
nga vetë publicisti Mrijaj:
“Isha duke udhëtuar me makinë drejt aeroportit J.F.K. Për fatbardhësi,
nuk kishte trafik makinash gjatë rrugës. Porsa mbrritëm pranë varrezave në
Forest Hills, Queens New York, mons dr. Zef Oroshi më tha, që të kthehemi tek
varri i General Abaz Kupit. Duke qenë dakort me mendimin e tij, ngadalë iu
afruam banesës së amshimit. Mons Oroshi, shumë i emocionuar tha fjalët: “Miku im Abaz! E kreva amanetin tand dyfish.” Mbasi tha disa uratë për shpirtin e tij,
vendosëm disa lule të freskëta dhe më pas ne morëm rrugën e kthimit në shtëpi.
Gjatë vazhdimit të udhëtimit, e pyeta
imzot dr. Zef Oroshin, se cili ishte ai amaneti i dyfishtë, që u shprehe para
varrit të nacionalistit të madh Abaz Kupit? Ai mbas një heshtje të shkurtë,
drejtoi sytë nga unë e i përqëndruar thellë në historitë e së kaluarës, shtoi:
“General Abaz Kupi, para se të kalonte në amshim, ma kishte
lanë të shkrueme amanetin e çekun me nji shumë të caktueme, për t'i thanë meshë
për nji vit.
Nji ditë, më kishte dalë nga kujtesa e
nuk isha i sigurt, se a i kam çue të gjithë meshët sipas rradhës. Dhe kështu e
vijova nji vit tjetër sërisht me ma shumë kujdes, që të mos e kaloi ndonji ditë
pa thanë meshë për shpirtin e nacionalistit të shquem General Abas Kupit.
Për këtë erdha sot, me kujtue mikun
tem të paharruem, për t'i thanë, se ia kreva amanetin dyfish, duke thanë meshë
2 vjet me rradhë.
Ky burrë i madh i popullit shqiptar,
që shkriu gjithçka për Atdheun tonë meritonte ma shumë respekt. Edhe sikurse ai
të mos ma lente këtë amanet, që nuk e tretë as dheu, unë isha përgatit të
veproj, sikurse kam veprue deri tashti në kujtim të shpirtit të tij të
pavdekshëm. Pushoftë në Paqe!". Kështu gjatë gjithë rrugës dhe sa herë
që binte fjala për General Abaz Kupin, ai shfletonte nga kujtesa shumë kujtime
të bukura për mikun e tij të shtrenjtë nacionalist Abaz Kupin.”
[1]
Dalip
Rexhep Greca (1950-2022). Mësimet bazë i mori në
vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1969 në Gjimnazin Abas
Shehu në Tepelenë. Ai studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Institutin e
Lartë Pedagogjik Shkodër në vitet 1969-1971 dhe në vitet 1971-1974 kreu shërbimin
ushtarak të detyruar në Marinë. Në vitin e fundit të shërbimit ushtarak Dalipi
nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori
Filologji pranë Departamentit Gjuhë Letërsi, të cilat i përfundoi në vitin
1976. Si mësues gjuhë letërsie punoi në arsim deri në gusht të vitit 1983, kohë
kur filloi punën si gazetar (redaktor) për kulturën dhe sportin në gazetën
lokale lushnjare “Shkëndija” deri në vitin 1990. Në korrik të vitit 1999
emigroi në SHBA dhe për 10 vjet (1999-2009) punoi si redaktor i gjuhës shqipe
pranë gazetës shqiptaro amerikane Illyria. Asokohe ai paralelisht nisi dhe
përfundoi studimet 2-vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York. Në
gusht të vitit 2009 dhe deri sa mbylli sytë në vitin 2022, ai filloi drejtimin
e gazetës tjetër shqiptaro amerikane Dielli (1909), në New York, organ i
Federatës Panshqiptare Vatra (1912).
[2] Tomë Mrijaj, “Monsinjor dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, U.S.A., 2009, f. 128-130.
[3] Abaz
Kupi (1892-1976) i njohur dhe si Bazi i Canës (Abazi i
Hasanit, në të folmen e vendlindjes) ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes
kombëtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me zbarkimin e italianëve në Durrës
me 7 prill 1939 mbajti qëndresë për 36 orë. Abazi lindi në lagjen Varosh të
Krujës, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Bashkëpunon me Esat
pashë Toptanin në nëntor-dhjetor të 1914, kur bashkë me parinë e Krujës
vendosin t'i bien Lëvizjes së Shqipërisë së mesme. Me formimin e qeverisë
kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë
në Luftën e Koplikut. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, Bajram Currit
dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922. Gjatë vitit 1924 qendroi neutral, kapiteni Prenk Pervizi e afroi me Zogun, i
cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si komandant i xhandarmerisë në Krujë me
gradën e kapitenit, që zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje. Më vonë u
gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934. Në ditët e agresionit fashist
italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit
ushtarak te Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi në një ikonë. Me pushtimin e
Shqipërisë u largua në Stamboll, Turqi. Në qershor të vitit 1939 familja e tij,
përbërë nga tre djemtë Petriti, Rrustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe
motrat, u internua në Himarë. Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftën e Dytë
Botnore, po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Bazi kalon
nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon
kolonelin Stirling dhe kolonel Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së
SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës
me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd. Punët përgatitore për organizimin
e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë
Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga
gjermanët. Formohet Fronti i Bashkuar i Rezistencës së bashku me Gani Kryeziun,
Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin dhe Muharrem Bajraktarin. Kthehet në Shqipër
me ndihmën e Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë
me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij. Ai ishte një ndër
organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16
shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera përdoreshin nga
komunistët për të tërhequr masat bashkë me emrin e bujshëm "Fronti
Nacional-Çlirimtar". Më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në
shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të
Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës "Balli
Kombëtar". Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët
të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur
në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional
Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë
organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një
betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që
Marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën
e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda:
150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve edhe koloneli
A.P. Skampa. Kur Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën
e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviq dhe
Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të
Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që
mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH
urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të
nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e
Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të
manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë. Në pranverën e 1944, përveç oficerëve
Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për
shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt
gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë
pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të
Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s'u kuptua
veprimtaria e Bazit. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nepërmjet një barke
të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin
dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me
oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një
anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Familjen e la
në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e
familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më
pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në
emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas
u aktivizua në komitetin "Shqipëria e Lirë" me president Mit'hat bej
Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua
president i Juntës ushtarake, nën projektin "Valuable", organizëm
kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit
komunist në Shqipëri. Më 1968 zhvendoset
drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq më 9 janar 1976 në ShBA, New York, trupi i
tij prehet në Kew Gardens Cemitery në Queens. Me qendresën e Bazit në
Durrës kundër pushtimit italian, familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u
mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata
janë mbajtur në një burg të Brindisit, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan
në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë,
banuan pranë të afërmit, Sejfulla Merlikës. (Patrice Najbor, Histoire de
l'Albanie et de sa maison royale (5 volumes), JePublie, Paris, 2008, (ISBN
978-2-9532382-0-4). (Patrice Najbor, la dynastye des Zogu, Textes &
Prétextes, Paris, 2002).
[4]
Portali “Historia
Shqiptare”, Krimet e komunizmit.
[5]
Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit
komunit – VËLLIMI I.
[6] Gazeta Zyrtare, nr. 28, 29 mars 1947, f. 8; AISKK,
F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 228.
[7]
Tomë Mrijaj, “Monsinjor dr. Zef Oroshi - Një jetë e
shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim),
New York, U.S.A., 2009, f. 128-130.