| E merkure, 24.01.2024, 08:57 PM |
TRE PARADOKSE NË TREQIND…
NGA
NDUE DEDAJ
1
Ndodh
një vrasje dhe nëpër ekrane shëtit fotografia e killerit dhe jo e viktimës.
Njerëzit njohin aq mirë portretet e trafikantëve, vrasësëve, qeveritarëve të
korruptuar, të kërkuarve nga drejtësia dhe interpoli etj. dhe jo të
prokurorëve, gjykatësve, policëve etj. që përballen me krimin. Nga ana tjetër,
njohin aq mirë fytyrat e qeveritarëve, politikanëve, personazheve të showbizit
dhe jo të mjekëve të shquar të vendit që
shpëtojnë përditë jetë njerëzish (vetëm në kohën e pandemisë po), të
shkrimtarëve, artistëve, akademikëve etj. Nëse këta ta fundit “duan” të bëhen
të njohur në publik, duhet të venë në debatet televizive!? Duhet të vdesin
protagonistët e gjallë, që të dalin fotografitë e tyre pas vdekjes!? Vetëm tani
shqiptarët po njihen me fotografitë e deputetëve të vrarë nga regjimi më 1947,
apo të Bernardin Palajt, Trifon Xhaxhikës, Havzi Nelës, Bilal Xhaferit etj.
2
Sa
herë që shohim në televizione konferencat e shtypit të stërzgjatura e të
mërzitshme, na kujtohet leximi i gazetës në brigadën kooperativiste, ku ata as
që e kishin mendjen se çfarë thoshte gazeta, por thjeshtë bënin sikur dëgjonin.
Si arsimtar i ri, aty nga fillimi i viteve ’80, të vetmen herë që lexova “Zërin
e Popullit” në brigadën e arave në Simon, në lagjen e tejshme të Shpërdhazës,
te Përbibajt, komentova një artikull që i kushtohej Viktor Hygoit.
Kooperativistët mbase për herë të parë u bënë të vëmendshëm ndaj një rituali të
tillë propagandistik, ngaqë qe diçka ndryshe... Konferencat e shtypit bëhen
qëllimisht për të mos thënë asgjë, për të shpërndarë tymtajë tek mbështetësit.
Vetë ata që i bëjnë nuk i marrin seriozisht. Elektorati nga liderët tanë shihet
si një kooperativë, që duhet “mjelur” njëherë në katër vjet. Dhe ajo e shton
qumështin më “tagjinë” (propagandën) e Partisë. Harroje se elektoratit të sotëm
zëdhënësit mund t’i flasin për ndokënd tjetër, si bie fjala, Bill Klinton, Zhak
Shirak, Angela Merkel, veç liderit të vet historik... “apostolik” (falmë o Zot
për këtë fjalë, edhe pse në thonjëza!)
3
Tregonte
një zonjë në Tiranë. “Isha ulur për të pirë kafen e mëngjesit, bashkë me
vogëlushën time që kishte marrë një bombon. Kur afrohet te tavolina një djalë
adoleshent me tabelën “Më shpëtoni jetën”. I dhashë lekët e kafesë dhe ai
vazhdoi në tavolinat e tjera. Secili i jepte sipas mundësisë. Pa e mbaruar
kafen ne bamirësit e tij të mashtruar, ai flaku tabelën “rrezik vdekje” në një
anë dhe u shtrua në një tavolinë mbushur plot me ëmbëlsira. Hëngri aq shumë sa
filloi t’i dhembë barku...” Nesër, kur të mbetet prapë pa lekë në xhep, do të
hyjë në “rol” në ndonjë tjetër lagje të kryeqytetit, duke mbledhur “taksën” e
humanizmit të njerëzve që besojnë. Të ishte vetëm një rast, as që do të kishim
zënë në gojë. Por këtë lloj lypje “moderne” e bëjnë dhe të tjerë, mundësisht
dhe femra, për më tepër duke u shtirur si të shoqatave që kinse mbledhin ndihma
për të sëmurët. Shkojnë ashtu dyshe dhe në qytete të tjera. Si ta kuptosh dhe
besosh, kur vërtet dikush i sëmurë e ka të nevojshëm këtë lloj rituali?...