| E marte, 23.01.2024, 08:54 PM |
TE KOMPLEKSI MEMORIAL NË PREKAZ TE KOMANDANTI LEGJENDAR ADEM JASHARI
Nga
Zekerija Idrizi
I
dashur Gjergj Kastrioti Skënderbeu!
Një
ditë mora rrugën për të vizituar Prekazin e Drenicës legjendare. Rrugës
meditoja për gjitha betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
ballëpërballë me policinë, ushtrinë dhe forcat paramilitare serbo-çetnike.
Vecanërisht meditoja për virtytet e fisme kombëtare të patriotëve drenicakë, që
ndër shekuj e mbajtën ndezur prushin e shqiptarizmës dhe luftuan p8ër liri dhe
pavarësi, duke i mbrojtur pragjet e shtëpive, fshatrat, qytetet dhe, të
shprehem popullorçe, ërzin e namuzin (dinjitetin dhe nderin e familjes).
Sakaq
m'u parafytyruan në imagjinatë heroizmi dhe trimëria e luftëtarëve famëmëdhenjë
të kësaj nahije: Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Tahir, Nebih e Beqir Meha,
Shaqir Smaragda, Azem Bejta, Qerime Shotë Galica, Mehmet e Mursel Delia, Emin
Lati, Miftar Bajraktari, Bajram Zena, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Adem e
Hamzë Jashari e shumë martirë e heronjë të tjerë të atdheut.
Te
drenicasit, si dje ashtu edhe sot, ka dominuar dhe vazhdon të dominojë akoma
vetëdija dhe ndërgjegjja e lartë kombëtare për mbrojtjen e çështjes kombëtare.
Këta ishin simbol dhe shembëlltyrë e luftërave dhe sakrificave heroike për liri
dhe pavarësi. Gjithandej kësaj krahine shtrihen lapidaret dhe bustet e
heronjëve dhe martirëve drenicas.
Në
mesin e tyre, për nga zgjuarsia, urtësia, fisnikëria dhe burrëria e trimëria
luftarake shquhet Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
gjiganti dhe heroi i kombit Adem Jashari.
Duke
vënë në kujtesë burrërinë, sakrificat dhe heroizmin e drenicasve, në Kompleksin
Memorial "Adem Jashari", sakaq m'u paraqit para syve trupi gjigant i
Adem Jasharit. Nuk dija në jam në ëndërr apo në zhgjëndërr! Mori qëndrim
ushtarak dhe më përshëndeti shqipërisht:
-
"I dashur Zekerija, mirë se erdhe në Drenicën tonë legjendare!"
-
"Mirë se ju gjej o atdhetar i flaktë i shqiptarizmës dhe komandant i
UÇK-së!" - iu përgjigja unë me përzemërsi shqiptare.
-
"Më treguan ca mërgimtarë tanë se ju, si imam, në xhaminë e shqiptarëve të
Berlinit, në ditën festive të bajramit, ke udhëhequr liturgjinë mortore
(namazin e xhenazes) për shpirtin tim dhe ke qenë në ngushëllime te familja
ime, te banesa e vëllait tim Rifat në Mynhen të Gjermanisë. Njëkohësisht, ju e
shndërruat xhaminë në vatër atdhedashurie dhe aty mblodhët miliona marka për
logjistikën e UÇK-së...Ju lumtë!"
-
"Po i dashur komandant. Këtë, bashk me besimtarët shqiptarë, e bëra në
shenjë respekti e admirate për ty dhe u lutëm me devocion për shpirtin tënd
gjigant dhe të të gjithë familjarëve tu, o vigan e hero i kombit. Madje bëmë
përpjekje titanike për t'ju furnizuar me armë, me pushkë e barut".
-
"Faleminderit shumë vëlla ty dhe mërgatës së Berlinit! Zoti i pranoftë
lutjet tuaja dhe ju bekoftë me mirësitë e Tij pakufij!"
-
"Paçi bekimin dhe uratën e Perëndisë i dashur Komandant!"
-
"A m i n!"
Pas
përfundimit të bisedës, u ngashëreva në lotë, qava pandërprerë. Qau e tërë
Drenica dhe e tërë shqiptaria. Qau toka, qiejt, yjet dhe i mbarë universi. Qanë
edhe shtazët dhe shpezët, flora dhe fauna për shpirtin gjigant të këtij
Komandanti legjendar...
Me
të shtrënguar duart me të, sakaq "u zgjova", erdha në vete dhe e pash
vetveten përballë fshatit Prekaz. Aty, në të hyrë të fshatit, shtriheshin
varret e dëshmorëve të kombit. Mes tyre edhe varret e 22 pjesëtarëve të
familjes Jashari. Që të gjithë të vrarë e të masakruar në luftën
shqiptaro-serbe në vitet 1998/99 në Kosovë. Një dëshmi kjo e luftës sonë
titanike kundër regjimit, policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare
serbo-jugosllave. Njëkohësisht edhe dëshmi e autoktonësisë sonë
iliro-dardano-arbërore në Gadishullin Ilirik.
Në
vitin e parë të Pranverës shqiptare, kur më 13 maj 1981, Tahir dhe Nebih Meha
luftuan trimërisht kundër njësive speciale jugosllave. Në këtë kohë në skenë
nis të dalë familja Jashari, Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën dhe Ademin, të
cilët mbi varret e dëshmorëve, Tahir e Nebih Meha, betohen se do të vazhdojnë
luftën për çlirimin e bashkimin e kombit. Gjenealogjia e familjes Jashari është
e vjetër Prekazi i Poshtëm përbëhet prej katër lagjeve: lagjja Jasharaj, Kodra,
Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve:
Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët
janë të ardhur më vonë në Prekaz. Jashari ka pasur tre djem, ndërsa familja e
Adem Jasharit, rrjedh prej djalit të tretë të Jasharit, Muratit, prej të cilit
pastaj janë krijuar brezat e tjerë të familjes tonë: Fazliu, Murati, Shabani.
Shabani (Murat) Jashari, ishte martuar me Zahiden, dhe i kanë lindur tre djem:
Rifati, Hamza dhe Ademi. Kështu, trungu i familjes Jashari vazhdon të zgjerohet
dhe të shtohet dita ditës duke u ripërtërirë breza të tërë.
Mirëpo,
Shaban Jashari dashurinë për komb e atdhe e kishte shfaqur që në vitet 50 të
shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze, më publike e familjes Jashari
që do të marr dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me
forcat policore serbe. Në mëngjesin e 30 dhjetorit, forca të mëdha policore
serbe ia kishin mësy Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e
tij të armatosur. Në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo e familjes
Jashari, për Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur nuk ishte
rastësi, ishte ngjarje e pritur, e përgatitur, e planifikuar dhe e realizuar
suksesshëm.
Adem
Jashari vite më parë ishte i organizuar në Lëvizjen Kombëtare për Republikën e
Kosovës. Në fillim të viteve ’90, i kishte mbaruar përgatitjet ushtarake në
Shqipëri me qëllim formimin e Ushtrisë së Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e
Kosovës dhe viseve tjera me Shqipërinë. Këtij qëllimi Adem Jashari dhe familja
e tij do t’i qëndrojnë besnik e konsekuent deri në rënien e tyre të lavdishme
me 5, 6 e 7 mars 1998. Për këtë qëllim të lartë njerëzor, politik e kombëtar
Adem Jashari e kishte bekimin e prindërve, mbështetjen e vëllezërve dhe
miratimin e tërë familjes Jashari. Këtë gatishmëri, këtë guxim e qëllim nuk e
kishin për hir të interesit të ngushtë familjar, apo ndonjë interes tjetër
meskin, sepse ishin të vetëdijshëm se gjithçka që po bënin, po e bënin për
interesin e kombit e të atdheut. Familja Jashari, ishte e vetëdijshme për
shkallën e rrezikshmërisë, por me ndërgjegje të lartë dhe e bindur se pa luftë,
pa gjak e flijime të dhimbshme nuk ka e nuk mund të kishte lirim dhe bashkim
kombëtar, hyri në veprime luftarake e vetëmohuese, për të bërë kthesë historike
në Lëvizjen tonë kombëtare. Këtë gatishmëri e guxim të ndërgjegjshëm familja
Jashari e tregoj disa herë, më 30 dhjetor të vitit 1991, më 22 janar 1998, dhe
së fundi në marsin e lavdisë e të krenarisë kombëtare, në marsin e mobilizimit
e të masivizimit të shqiptarëve për luftën çlirimtare.
Më
30 dhjetor 1991, qëndresa në familjen e Shaban Jasharit, nga formacioni i
armatosur i Adem Jasharit, në historinë më të re të Kosovës paralajmëroi
fuqishëm daljen në skenë të organizimit më të lartë kombëtar, politik e
ushtarak për çlirimin dhe bashkimin e kombit tonë. Të gjitha formacionet e
armatosura e çlirimtare të formuara më vonë në hapësirat tona kombëtare, do ta
pinë ujin e frymëzimit në këtë gurrë të pashtershme shqiptare, e cila do të
shërbejë në çdo kohë për edukimin e liridashësve dhe të atdhedashësve të çdo
brezi. Në familjen Jashari po niset një fillim i ri dhe i vështirë për të
gjithë në Kosovë. Atë ditë do të maltretohej e gjithë familja dhe lagja e
Jasharëve. Maltretimi, përbuzja dhe nëpërkëmbja e shqiptarëve po shtrihej
gjithandej Kosovës. Të pakt ishin ata që nuk donin ta shihnin e ta ndjenin
poshtërimin e përditshëm që u bëhej shqiptarëve. Nga 30 dhjetori i vitit 1991
lagjen e Jasharëve, e veçanërisht familja e Shaban Jasharit vazhdimisht është
vëzhguar nga forcat policore dhe ushtarake të armikut, por Jasharët vazhdonin
të jetonin me krenari në shtëpitë e tyre, në pronën e tyre, në Kosovën e tyre.
Gjatë gjithë kësaj kohe, me ndonjë mungesë të shkurtër, familjes Jashari dhe
Prekazit i bënte roje vigjilente formacioni i armatosur i Adem Jasharit. Në
Prekaz asgjë nuk po zhvillohej spontanisht apo rastësisht. Familja Jashari
vazhdonte jetën nën shtetrrethim të plotë, por e bindur në fitore.
Një
ngjarje tjetër e rëndësishme në historinë e familjes Jashari që tregoi vitalitetin
e mobilizimit luftarak të kësaj familje të madhe shqiptare, është ai i 22
janarit të vitit 1998. Atë ditë ndodhi sulmi i diversantëve serbë mbi këtë
familje liridashëse, me synimin kryesor zhdukjen e familjes dhe të rezistencës
së shqiptarëve për liri. Siç kanë treguar ata që e kanë përjetuar, sulmi ishte
i rrufeshëm por edhe përgjigjja ishte e rrufeshme. Sulmi i diversantëve serbë,
familjen Jashari nuk e gjeti të befasuar, përkundrazi mobilizimi ishte i
shpejt, i guximshëm dhe mjaft profesional. Ky mobilizim i familjes Jashari
është një vlerë shtesë e kësaj familje atdhetare me përgatitje të lartë
ushtarake. Një sulm i tillë, diversant dhe i befasishëm do ta gjente në befasi
edhe një garnizon ushtarësh profesionistë, por jo familjen Jashari. Diversantët
e gjetur në befasi ikin tinëzisht e më “bisht nën shalë”. Kurse, nga Jasharët
mbeten dy vajza të plagosura. Ky sulm ishte një paralajmërim tjetër serioz se
Serbia po përgatitej për të ushtruar dhunë në çdo familje shqiptare dhe për t’i
luftuar shqiptarët kudo në Kosovë. Drenica dhe tërë Kosova ishin vënë nën
rrethim të hekurt. Politika shqiptare në Prishtinë vazhdonte të ishte vetëm në
vëzhgim pasiv. Rreziku për luftë, për masakra e dhunë serbe ishte kudo.
Ngjarjet që rrjedhin në vazhdim do ta vërtetojnë këtë.
Pak
më shumë se një muaj, pas sulmit diversant serb mbi familjen Jashari, më saktë
më 28 shkurt e 1 mars 1998 ndodhi sulmi dhe masakra serbe në Qirez dhe në
Likoshan të Drenicës. Gjatë këtij sulmi brenda dy dite u vranë 24 veta,
kryesisht njerëz të paarmatosur e civil. Humbje patën shumë familje të këtyre
fshatrave, por fatkeqësia më së rëndi goditi familjen Ahmeti nga Likoshani dhe
atë Sejdiu nga Qirezi. Me këto sulme, Serbia po godiste bërthamën e shoqërisë
shqiptare – familjen. Pas masakrës së Qirezit e të Likoshanit, makineria
policore dhe ushtarake serbe do të sulmoj Jasharët e Prekazit, me qëllim
likuidimin e familjes Jashari, likuidimin e bërthamës së UÇK-së dhe komandantit
të saj Adem Jashari. Armiku synonte që pas kësaj në Kosovë të sundonte frika
nga dhuna, terrori e masakrat serbe dhe kështu të shuheshin përpjekjet e
shqiptarëve për liri e shtet kombëtar.
Më
5, 6 e 7 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë, me forca të mëdha
policore dhe ushtarake sulmohet nga shteti i Serbisë. Kaq seriozisht e kishte
marrë Serbia luftën me Jasharët legjendar. Serbia në Kosovë ka vrarë, ka
masakruar, përgjysmuar e shuar shumë familje shqiptare, pse ishin shqiptare,
pse Serbia kërkonte dëbimin dhe shfarosjen e tyre dhe planifikonte përjetësimin
e sundimit serb mbi Kosovën. Sulmi mbi familjen Jashari, nuk u bë vetëm pse
ishte shqiptare, por pse pjesëtarët e saj ishin luftëtarë, pse ishin bërthama e
UÇK-së, pse ishin shembulli i familjes liridashëse, pse Serbisë i kishin
shkaktuar humbje dhe kërkonte të hakmerrej mbi një familje për të përhapur
tmerr e frikë në çdo vatër shqiptare. Sulmi në familjen Jashari nuk kishte
vetëm qëllimin e zhdukjes së një familje shqiptare dhe vrasjen e komandantit të
UÇK-së, por qëllim kryesor kishte vrasjen e guximit të shqiptarëve për të
luftuar për çlirim e bashkim kombëtar. Edhe në sulmin e marsit si në sulmet
tjera familja Jashari nuk u kap në befasi. Sulmit iu përgjigjën përsëri nga
“shtatë deri në shtatëdhjetë”, një traditë e vjetër kjo shqiptare. Asnjë anëtar
i familjes Jashari nuk është viktimë, të gjithë janë kapedanë dhe heronj:
Luftëtari i fundit i rënë, i njëzet, nga familja Jashari, sipas të dhënave
ishte Kushtrim Adem Jashari i moshës 13 – 14 vjeçare. E tillë ishte shkolla e
edukimit atdhetar në familjen Jashari të Prekazit të Drenicës. Një shkollë që
do të mbahet mend brez pas brezi dhe përjetësisht.
Mund
të përfundojmë me plotë të drejtë se Familja Jashari ka rol të veçantë e të
papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë të
përbotshme, për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka
rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin e UÇK-së, ka rolin e
pashembullt për mobilizimin e masivizimin e popullit në luftën çlirimtare, për
mbështetjen e kësaj lufte nga faktori ndërkombëtar si dhe ka merita të
pakrahasueshme për lirinë, dhe mbarësinë kombëtare, për Republikën e Kosovës
shtet të pavarur, sovran e demokratik. Familjet e tilla nderojnë secilin komb,
por jo të gjitha kombet kanë madhështi të tilla.
Në
çdo përvjetor, Jasharët që mbijetuan, Jasharët e ripërtërirë, në fytyrat e tyre
nuk kanë ngrysje, lot e zhgënjim; në çdo fytyrë të Jasharëve sheh dashuri,
bujari krenari për fitoren e arritur kombëtare. Edhe në këtë rrafsh, edhe në
Kosovën e re Jasharët dëshmojnë dhe rrezatojnë veçantinë e tyre familjare të
trashëguar, që është për tu lakmuar nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Pas
rënjes heroikisht në altarin e lirisë të komandantit Adem Jashari, të gjitha
frontet luftarake të Kosovës u mbushën me plot Adem Jashara të tjerë, të cilën
e vazhduan luftën titanike kundër forcave barbare sllavo-shkinore.
Të
merremi, sot çdo luftëtar i kauzës sonë kombëtare është një Adem Jashar
potencial në shoqërinë shqiptare. Çdo grua dhe nënë që lind, përkund në djep,
rritë, edukon dhe arsimon fëmijët e saj është një Nënë Zahide heroinë. Çdo
nxënëse e shkëlqyeshme dhe e vyeshme, çdo studente dhe hulumtuese shkencore,
filozofike dhe letrare është një trashëgimtare e denjë e saj...
Përfundimisht,
Komandanti legjendar Adem Jashari mbetet figura më heroike dhe më emblematike
në historinë shqiptare, i cili do të përkujtohet me respekt dhe pietet të lartë
ndër breza e shekuj në shqiptari.
Për
jetën dhe veprën e tij kolosale janë shkruar e botuar mijëra kumtesa e
ligjërime historike, janë botuar dhjetëra libra me vlerë dhe peshë historike,
janë organizuar dhjetëra simpoziume, seminare e tribuna të ndryshme, si dhe
janë organizuar qindra tubime komemorative në nderim të jetës dhe veprimtarisë
së tij madhore kombëtare.
Kosovës
i është hijeshuar peizazhi me Sheshin Adem Jashari në qendër të kryeqytetit të
saj dhe me emrin Adem Jashari të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Gjithandej qyteteve të mëdha të Kosovës janë ngritur bustet e këtij komandanti
e heroi legjendar, emri i të cilit është ngulitur e vulosur me germa të arta në
mendjet dhe zemrat e gjithë shqiptarëve të devotshëm anekënd trojeve tona
etnike dhe te mërgata jonë shqiptare ....
P.S.
Në të dalë nga fshati Prekaz, u luta përunjësisht dhe me devocion shpirtëror
për shpirtërat e këtyre heronjëve e martirëve të kombit dhe atdheut dhe u
betova përpara tyre se do ta çojmë në vend emanetin e tyre sa sublim aq edhe të
shenjtë kombëtar deri në ribashkimin e gjitha trojeve tona shqiptare nën
ombrellën e Shqiptarisë Etnike-Natyrale...
-
"I dashur Kryehero, Gjergj Kastrioti Skënderbe, dashtë Zoti të mbushen
trojet tona me viganë e heronjë si legjendari Adem Jashari!"
-
"Amen! Ashtu qoftë, i dashur vëlla Zekerija!"
LAVDI
PËRJETËSISHT FAMILJES JASHARI!
LAVDI
HERONJËVE TË KOMBIT: SHABAN, HAMZË DHE ADEM JASHARI!
Me
respekt të thellë, idealisht dhe shqiptarisht:
Zekerija Idrizi - Pjesë
nga dorëshkrimi im "Letër Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
Berlin/Shkup
https://www.facebook.com/zekerija.idrizi.31