| E hene, 22.01.2024, 08:59 PM |
QEVERITARË, KRIJONI PUNËN!
(Që
të mos ikin shqiptarët)
NGA
NDUE DEDAJ
Kaloi
një vit, 2023-i, që rrumbullakosi plot dhjetë vjet të socialistëve në pushtet,
me të njëjtin kryeministër. Janë bërë pallate, rrugë, sheshe, tunele. Janë
zgjatur kullat mbi Tiranë si “xhirafa”. Doemos që janë bërë punë publike, siç
janë vonuar apo kanë mbetur përgjysmë disa të tjera. Por një gjë nuk është bërë
tash tridhjetë vjet, puna! Prandaj dhe ikin njerëzit përditë, pa e kthyer kryet
mbrapa, jo se nuk e duan me shpirt këtë vend. Po krijohet një Shqipëri që nuk
ofron punësim dhe jetesë normale. Nuk po e kupton këtë në radhë të parë
qeveria, por as sipërmarrjet e mëdha ekonomike, të cilat nesër (në mos që sot)
do të mbetën pa punëtorë. Pa medyshje që qeveria ka peshën kryesore sa i përket
krijimit të mundësive për punësim, pasi ajo i bën politikat e zhvillimit të
vendit, por në njëfarë mënyrë duhet të gjithë të japin ndihmesën e tyre në
krijimin e punës për vete dhe për të tjerët. Doemos dhe opozita, e cila, e
kapërthyer në konfliktin “jetik” mes klanesh, nuk mund të luajë rolin e saj në
këtë mes.
Pse
themi, pikë së pari qeveria? Më e pakta ajo nuk ushtron kurrëfarë autoriteti
ligjor që sipërmarrjet e ndryshme ekonomike të investojnë për perspektivën,
përfshi dhe infrastrukturën e objekteve ku punojnë me kontrata disavjeçare, si
miniera, fabrika, hidrocentrale etj. Duke mos u bërë kjo, kur ata largohen,
pasi të jenë majmur, lënë pas një shkretëtirë “mesjetare”. Si mund të lejohet
që një kompani e huaj që ndërton HEC t’ua zgjasë rrugën banorëve të zonës me
disa kilometra, për më tepër duke ndërtuar në vend të së mëparshmes një rrugë
më të pasigurtë?! Mirëqenia e komunitetit është kushti i parë në investime të
tilla. Dhe kur banorët shohin se janë të pafuqishëm ndaj zaptimit që i bëjnë
pasurisë së tyre sipërmarrësit e ndryshëm me bekimin (nën-dorën) e qeverisë,
krisin e ikin. Shqiptarët e kuptojnë se oligarkët e politikës dhe të ekonomisë
po ndërtojnë një Shqipëri për mirëqenien e tyre dhe aspak atë të popullit, siç
trumbetohet në fushata. Nëse do të ishte kjo e fundit, publiku do të dëgjohej
se çfarë është e mirë për të, por të ashtuquajturat dëgjesa publike janë
thjeshtë farsa hipokrizie, për të qenë në rregull me demokracinë formale, meqë
na mbikëqyr BE për ato detyrat e shtëpiës etj.
Njerëzit
janë të ndjeshëm ndaj hapave konkretë. Kohët e fundit qeveria ka miratuar kredi
lehtësuese për treqind mjekë, policë e ushtarakë. Ndërkohë që vendit po i ikin
ndërtuesit etj., apo nuk është nevoja për inxhinierë dhe arkitektë, pasi këta
të fundit i marrim hua nga jashtë, sa herë të na duhet të projektojmë objektet
tona?! Doemos dhe studiot e huaja, por jo vetëm ato. Gjithsesi, po ta kishte
bërë këtë lehtësim qeveria me kohë, me nga treqind specialistë çdo vit, të
larguarit do të kishin qenë më të paktë. Vërshimi i turistëve verën që shkoi
dëshmoi se puna është e mundur, nëse harmonizohen të gjithë faktorët dhe
aktorët. E prapë, qeveria dhe këtu është e para sot për sot, sa të krijohet
infrastruktura e duhur e bregdetit. Turistët nuk duan vetëm detin, ata po aq
duan dhe malet shqiptare. Po a jemi të gatshëm ne të presim turistë dhe në
male? As deri në Ulëz rruga nuk është e sigurtë teknikisht. Nëse do të ishin
bërë ato njëqind fshatrat që pati premtuar qeveria, me siguri që atje do të
ishin punësuar njerëz. Le pastaj sikur ato njëqind të bëheshin treqind, do të
ishte krijuar një bazë e mirë për më tej. Ta provojnë qeveriratët e bujqësisë e
blegtorisë të ngjitën ne male te barinjtë, me ndonjë paketë lehtësuese për
biznesin e tyre dhe do të shohin se tufat e të imtave dhe familjet blegtorale
do të dy e trefishoheshin. Por kjo duket një utopi. Zyrtarët tanë nuk dalin më
në male, atje ku është puna e padukshme, puna që pret, puna që mund të jetë.
Problemi
është kompleks, ekonomik, social dhe psikologjik. Mendësia e punësimit në shtet
është ende dominuese, pasi shteti shihet si një “ndërmarrje” e madhe ku mund të
punësohet kushdo, ndërkohë që askund në botën e qytetëruar administrata publike
nuk krijohet me punësim të papunësh e militantësh politikë, por me konkurim për
vendin e punës apo pozicionet drejtuese. Në një bashki, brenda tre muajsh, u
depozituan mbi treqind kërkesa për t’u punësuar sanitare? Duket sikur gjithë
gratë e papuna të qytetit duan të punojnë pastruese në shkolla, konvikte,
koshpte, çerdhe. Kur bashkia u mundësoi punësim në sektorin privat një pjese të
tyre, askush nuk shkoi!? Kuptohet, në këtë rast, punësimi kërkohet thjeshtë për
të pasur një rrogë shteti “qyl” dhe jo për të punuar.
Gjithmonë
ka pasur ministri të punës apo agjensi kombëtare të punësimit, zyra lokale dhe
drejtori rajonale të punës, që merren me politikat e punësimit, që nuk
“punësonjë” askënd, thjeshtë prodhojnë shkresa, statistika, burokraci. Çdo fund
viti nga qeveria publikohen përqindje punësimi, ku asnjëherë nuk mungon fjalia:
“Shënohet rritje krahasur me një vit më parë”. E kush mund ta besojë këtë, kur
njerëzit largohen dita-ditës për jashtë vendit, atje ku gjen punë pa qenë
nevoja e të ashtuquajturave “zyra pune” që vegjetojnë!? Na ka mbetur kjo
sëmundja e krahasimeve që nga regjimi i kaluar, ku çdo pesëvjeçar ishim më
“lart” se ai pararadhës, megjithëse ekonomia kishte hyrë në krizën e
pakthyeshme të rënies së sitemit, që nuk ishte sistem. Pra, kjo punë e shifrave
kinse me rritje është thjeshtë demagogji për vota dhe asgjë tjetër...
Mund
të jenë bërë reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi etj., po kurrëfarë reforme
qeveria nuk ka bërë në administratën publike, që në rastin e punësimit, zyrat
përkatëse të jenë lehtësuese dhe udhërrëfyese të të rinjve drejt punësimit dhe
karrierës. Ka gjasë që në vend të tyre të jenë ngritur disa “agjensi” që i
nxisin ata drejt emigrimit e punësimit të paligjshëm në Angli etj. Ana tjetër e
problemit është se nuk ka punëtorë dhe punonjës të kualifikuar, ku duket se kjo
gjë ka mbetur vetëm në rrafshin e shkollave të mesme profesionale, që gjithsesi
janë një arritje bashkëkohore, ashtu siç kanë qenë dhe në të kaluarën. Nuk ka
kamerierë, kuzhinierë, hotelierë, menaxhues turistikë, pasi nuk ka politika e
strategji për kualifikimin e punonjësve. Disa trajnime që bëjnë organizatat e
huaja nuk e zgjidhin problemin. Kërkohet hidraulik dhe jo punëtor i thjeshtë
komunaleje kur prishen tubat e ujit në shtëpi, kurse në administratën e shtetit
mund të fillohet punë pa kurrëfarë kualifikimi e specializimi përtej diplomës.
Ndodh kështu që nga viti i largët 1944...
Post
scriptum. Do të ishte e mirë që dy-tre rreshtat e fundit të përmbanin një si
mesazh pozitiv për lexuesin, që të ndihej sadopak shpresa se diçka mund të
levizë për mirë në këtë drejtim këtë vit. Qëllimisht titullin e shkrimit e
formuluam në formë thirrjeje për qeverinë, edhe pse besimi është i vakët...