| E diele, 21.01.2024, 09:05 PM |
-Mësimet e Rugovës-
Njeriu
ynë në letërsi dhe në politikë
(Fjala
ime, në tetëmbëdhjetëvjetorin e kalimit në amshim të Ibrahim Rugovës, me
ç'rast, në zyret e LDK-së, promovuam librin "Pushteti dhe
intelektualët", në të cilin janë përfshirë intervistat e tij të fushës së
letërsisë.)
Nga
Ndue Ukaj
Ibrahim
Rugova, “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor
Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e
vdekjes së këtij filozofit dhe mendimtari të madh. Në të vërtetë, Rugova ishte
një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale, me vepra
përfaqësuese e identifikuese, dhe një trashëgimi politike, me rezultate të
papërsëritshme e monumentale.
Libri
“Pushteti dhe intelektualët", botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova” në
përvjetorin e tetëmbëdhjetë të kalimit të tij në amshim, që përfshinë të gjitha
intervistat e tij të fushës së letërsisë, të periudhës 1969-2005, e provon këtë, duke u bërë edhe dëshmi e zgjatimit
të jetës së tij intelektuale e krijuese, në kohën e sotme dhe në realitet e
reja të Kosovës.
Në
fushën e artit e dijeve humane, është thënë shpesh se asgjë nuk ndodh nëse
fillimisht nuk ëndërrojmë. Ky libër e shpalos ëndërrimtarin e madh, që kishte
ide të mëdha, ideale të larta dhe synime të qartë, fillimisht në fushën e
dijeve e të artit, e më vonë të politikës, prandaj libri ka vlerën e vet, sepse
na paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme, si lexues, studiues e nismëtar
të ideve letrare, kulturore e shoqërore.
Për
më tepër, përmes këtij libri, na dëshmohet edhe njëherë se Rugova ishte
intelektual me formim të mirëfilltë, i rryer në dijet letrare dhe me ndjeshmëri
të thella humane, dhe përmes tij mund kuptojmë më mirë, si u zhvillua poeti
Rugova dhe u bë kritik e mendimtar i madh, pastaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve, si u bë prijës
politik i pa përsëdytur.
Rugova,
parasegjithash ishte njeri me shpirt artistik, që besonte në anën e mirë të
njeriut e te kultura, si arma e vetme humane për t’ia ndalë hovin së keqes dhe
ishte i vetëdijshëm, siç thoshte një shkrimtar tjetër i madh, Ernest Koiliqi se
“nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër
veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e
kombit mbi udhën fatale të historisë.”
Dhe
letrari që besonte te idealet estetike, përftonte nga kjo botë e bukur dhe
vlerat më të dëshmuara universale, i
aplikonte, kur fliste për letërsi e shoqëri. Ai fliste për të mirën universale
e anët më pozitive të popullit të tij, dhe ishte i palëkundur në këtë besim:
ndaj kurrë nuk e ndoqi dhunën me dhunë, as dhëmb për dhëmb, por me opsionin e
mirësisë.
Dhe
si njohës i mirëfilltë i kulturës autoktone e civilizimit perëndimor, vepronte
në përkim me mësimet se “e vetmja gjë që nevojitet për të triumfuar e keqja
është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”; mendim ky që përshkon në thellësi
qytetërimin perëndimor, me të cilin Rugova e lidhte historinë, letërsinë dhe
orientimin politik të popullit të tij.
Në
fushën e letërsisë e të kulturës, ai qe kërkues i thellë i evidencave dhe
ngjarjeve më pozitive, që e karakterizojnë identitetin tonë, ndaj me përpjekje
të pareshtura zbuloi fenomenin Pjetër Bogdani, vepra e të cilit e magjepste,
për filozofinë e thellë dhe dijet shumëdimensionale që ngërthente, duke e
konsideruar “një universitet i kulturës sonë.”
Rugova
mësonte nga historia dhe si nxënës shembullor, mësimet e saj i kthente në
veprime të mira publike. Ai kërkonte vazhdimësinë, prandaj kërkonte, që kultura
dhe idetë tona kulturore të shprehin qëndrime
“kreative ndaj traditës dhe ekzistencës sonë historike-kulturore, se sa më
shumë dhe më mirë ta çmojmë këtë komponentë, edhe të tjerët do të na çmojnë e
pranojnë më shumë.”
Më
këto koncepte, ai ishte modern, në kuptimin siç e mendonte modernitetin nobelisti
i madh Tomas S. Eliot, që thoshte se përgjigja konservatore kundrejt modernes
ishte përqafimi i modernes, por një përqafim me vetëdije kritike, duke mos u
shkëputë nga rrjedha dhe historia.
Këtë
lloj standardi, Rugova e propozonte edhe kur fliste për raportet mes pushtetit
dhe intelektualëve, i pa tunduar nga afshet revolucionare, cektësi, ai
këshillonte vlerat universale, me të cilat nuk bëhet kompromis:
“...intelektualët duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të
përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombe tjera, të mos nxisin të
keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëta e bën pushteti, siç na
mëson historia. Mësimi historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon
intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit
njerëzor.”
Këto
këshilla, ai i aplikoi kur u vu në aksion politik, asokohe kur politikan i
përgjegjshëm, ishte rrjedhojë e intelektualit të përgjegjshëm dhe të
ndërgjegjshëm për rolin dhe detyrat e tij në shoqëri.
Rugova,
në këto intervista flet qartë, i shpalos pikëpamjet e tij pa hezitim, vlerëson
rezultatet letrare të asokohshme, kërkon përherë ide kreative, ndryshime, por
ndryshme pozitive. Ai flet për brezninë e tij, karakteristikat tematike të
kohës dhe të individualiteteve të spikatura, nxit krijuesit e rinj, për më
shumë kërkime e gjakime estetike. Dhe kudo, tregon shpirtin e tolerancës, gjë
të cilën ua këshillon edhe kolegëve letrarë.
Është
interesant të përmendet fakti se, kur flet për natyrën tematike të letërsisë
sonë, ai këmbëngulte, që letërsia jonë të kishte njeriun tonë në qendër, gjë të
cilën e identifikonte si mungesë, edhe në poezi edhe në prozë.
Ky
qëndrim, tingëllon si një fishkëllim kritike, për kohën e tij, por edhe për
tonën, që letërsia të mos zhytet në ujëra të turbullta ideologjik, e të ngjyejë
lapsin me bojë të kuqe, për të krijuar njeriun e ri, të kuq, pa kujtesë e pa
histori.
Ai
thotë: “E meta e madhe e romanit tonë është se atij i mungon njeriu ynë.”
Ose:
“Në letërsinë tonë, këtu, fort pak ndihet prania e njeriut. Pra, të marrë frymë
njeriu ynë”, prandaj ai është kundër bredhacakëve, të cilëve, asnjë letërsi nuk
iu kushton rëndësi (çfarë janë te ne si “realistët”, “socialistët”,
“modernistët”, “popullorët”, etj., që i thyejnë dhëmbët për këto e s’e dinë se
ç’janë asnjëra).
Pra,
duke i lexuar këto intervista, lexuesi mund të thellohet në universin letrar e
kulturor të Rugovës, e duke hyrë në këtë univers, ai mëson për kulturën
shqiptare, prej ku mund të kuptojë më mirë letërsinë shqipe, atë më të vjetrën
dhe të renë, trendët e kohës, shkrimtarët e fenomenet e spikatura, dhe prej
aty, mund ta kuptojë më qartësisht profilin e vërtet të intelektualit Rugova,
të inkuadruar në politikë.
Lexuesi,
përmes këtyre intervistave, do ta kuptojë më mirë se Rugova nuk ishte letrar e
intelektual dosido, që sheston realitetin prej një rahatie krijuese, por me
guxim e argumente, çmitizon propagandën serbe, është kundër intelektualit
konformist, flet kundër padrejtësisë që i bëhet kulturës autoktone shqiptare,
dhe kërkon që letërsia, pra arti, të nxisë të mirën, t’i korrigjojë disa
sëmundje sociale, siç janë raportet e egra mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse,
letërsia, thotë ai “përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më
burimore, autoktone në raport me botën dhe njeriun.”
Ajo
që e shquan Rugovën dhe e dallon prej të tjerëve është fakti se ligjërimi i
tij, letrar e shoqëror, pra estetik e politik, është ligjërim i një shqiptari e
europiani të vërtetë e të palëkundur në përcaktimet e tij kulturore e
identitare, që u gëzohet të mirave, por edhe nuk heziton të vë gishtin tek të
metat, dhe sa herë përmend të metat, nuk bie në kurthin e tyre, siç mund të
bëjnë ata që tundohen nga oreksi ideologjik, që shton afshin revolucionar dhe
ia humb njeriut arsyen.
Rugova,
më shumë është vlerësues se sa kritikues, kjo ishte filozofia e tij, ndaj ai
kërkonte thellësitë historike të mendimit letrar shqiptar, te Barleti e
Bogdani, pastaj te themeluesi i kritikës, Faik Konica e breznia e tij, gjithnjë
në funksion të ngulmimit për gjetjen e vazhdimësisë si një parakusht për
ripërtëritje të frytshme kulturore.
Duke
kritikuar të metat e letërsisë, ai mendon se “nuk është koha e tejçmimit të
talentit. Është koha e punës.” Dhe më tej, kur flet kundër epigonizmit në
letërsi, thotë se ai nuk sjell kreativitet dhe nuk thotë asgjë, kurse poetët i
këshillon të “lëshohen, me vetëdije, në aventurat krijuese, e të mos rrudhen
para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën.” Më tej, ai
kritikon ashpër egocentrizmit, shkaqet e së cilit sipas tij, lidhen me një
elemente sociopatik, kurse “në planin individual, si element psikopatik, të
atyre autorëve që duan dhe që realizmin e vet e shohin në shembjen e tjetrit.”
Në
rrafshin kombëtar, Rugova promovonte një komunikimi sa më të hapur dhe pa
komplekse, letërsinë tonë e konsideronte një dhe unike, prandaj përmende një
fakt interesat, tek fliste për rrjedhat letrare të asokohshme dhe
karakteristikat më të dallueshme:
“Do
veçuar”, thotë ai “edhe novelën e
Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, të cilën këto ditë një kritik i “Le Mondit” të
Parisit e quajti kryevepër dhe siç bëri edhe disa herë kritika frënge, autorin
ua rekomandoi akademikëve të Nobelit, si njëri ndër shkrimtarët e sotëm më të
mirë të Europës.”
Rugova
ishte i vetëdijshëm se përmes refuzimit estetik, letërsia ndikon në vetëdijen
kulturor të kohës, e kjo në vetëdijen dhe aksionin politik. Ky mendim, formoi
binomin e punës së tij: kulturë e politikë. Mbi këtë binom, ai shkroi ungjillin
politik të shqiptarëve, testamentin e dashurinë së pafund për njeriun tonë.
“Më
pëlqen shumë që të krijoj miqësi, ndryshe nga të tjerët këtu në Ballkan, që
vetëm akuzojnë”, thoshte Rugova. Ç’mësim i bukur e dritëdhënës! Ashtu siç është
udhërrëfyese vepra e tij, fragmente të së cilës na shpalosën në këto
intervista, të cilat na mundësojnë, të shohim më shumë, më qartë e të largohemi
nga mjegulla mendore, që të mund të ecim me vetëdije përpara.
Breznia
jonë e ka për detyrë, morale dhe intelektuale, që ta kultivojë kujtsën e
Rugovës dhe veprën e tij klasike, siç po bën Fondacioni "Ibrahim
Rugova" dhe Kujtim Shala; ta aktualizojë atë sa më shpesh, që ta bëjë
pjesë të tryezës së përditshme, të flasë për të, sepse kjo është për të mirën e
shëndetit tonë, për të gjithë ata që kanë uri për ide të bukura, humane e
progres njerëzor; po, mësimet e Rugovës meritojnë të bëhen shujtë e jetës sonë
kulturore e politike, sepse kanë vlera ushqyese, për të përmirësuar shëndetin
tonë dhe për t’na dëftuar udhën më të bukur kah e ardhmja.
Prishtinë, 21 janar 2024