| E diele, 21.01.2024, 08:59 PM |
DRAMA E ETËRVE DHE NJË LETËR PRESIDENTIT AMERIKAN…
-
Po ai triptik në 104 vjetorin e Kongresit të Lushnjës –
Nga
Visar Zhiti
Kongresi
i Lushnjës është një dramë e madhe në skenën e Shqipërisë, një triumf kombëtar,
ndërkaq dhe për këtë ka një dramë tjetër, të shkruar po në Lushnjë, që mbart
atë frymë e kohë dhe atë udhëkryq në historinë së re, ku shqiptarët ditën të
ecnin.
1- KUVENDI SHPËTIMTAR
Nisi
në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria
otomane… Në Lushnjën e vogël u mblodh një kuvend mbarëkombëtar, u arrit
“Pavarësia e dytë”, pra, ruajtja e atdheut nga një copëzim tjetër fatal e
përfundimtar, bë histori kombëtare, që të vazhdonte historia e Shqipërisë.
Gjëndja,
kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikisht e rëndë, plot me rreziqe,
përçarje dhe varfëri, e paqartë brenda; kurse jashtë, rrëmujë ndërballkanike,
ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënimet
shtoheshin për ta zhbërë Shqipërinë…
Ndërgjegjia
e kombit dha kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të
vetëcaktuar, se nuk kishte kohë, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundëte
nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë
në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorinë otomane apo
kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që
kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në
Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati
sa qerret, me kuaj, në këmbë, me flatra, me ëndrra, kaptonin male, çanin borën
dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës ballkanike, nëpër shtigjet ku mund të
gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.
Qeveria
heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. “Të mblidhemi në
Lushnjë!” ishte thirrja. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë?
Si u përcoll lajmi në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin postat,
çentralet, trenat, institucionet, universitetet, kuvendi, shteti vetë? Si shkoi
lajmi nëpër erë, fushëtirave dhe kaptoi luginat e malet si në balada, me
ç’lajmëtarë?
Dh
era dëshmori i parë, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet.
Teksa i priste një lodhje tjetër madhështore, duhej kapërcyer. Urdhër i
historisë. S’i caktoi kush delegatë, veçse ndjenë thirrjen e brendshme, vinte
nga shekujt, nga thellësitë e katakombeve të Kombit, të ndërgjegjeve dhe
përgjegjësive. Pa vota dhe emërime, pa e blerë besimin, vazhdo b:emat e nisura,
përkushtimin, pasionin, atdhedashurinë...
U
mblodhën si “oligarki morale”, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke
lënë nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç po buçiste kjo këngë atëhere.
U
mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar,
atë të Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se
ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye,
halli i Shqipërisë dhe duhej të vepronin menjëherë, me qendresë e guxim, me
diplomacy e mençuri, edhe me luftë, duheshin bërë sërish gati.
A
kemi që na duan të mirën? Nga shtetet në Europë e më përtej? Duheshin
përcaktuar aleatët përreth e deri përtej oqeanit, ku të ishin, pra ata që do të
mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve ishte shkulur… Po
të mbahej dhe të mbrohej ajo që kishte mbetur mëma Shqipëri.
Ku
t’i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej
gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë
dhe në Rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andantët grekë…
Në
10 ditët e punimeve të tij, Kongresi i Lushnjës çuditërisht ishte fare i qartë
dhe i vendoaur: ribëri shtetin shqiptar, Qeverinë dhe Kryeministrin,
Institucionet dhe detyrat,ideale u bënë program dhe veprim. U caktua
kryeqyteti: Tirana. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ai
kushtrim që vinte nga legjendat dhe fushëbetejat, nga kullat e varret, nga
pragjet e brigjet, frynte e ardhmja…
Dhe
duket se ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrijnë në
ditët tona, ndërsa parlamentit dhe qeverive të tanishme u del si detyrë jo
vetëm që t’i njohin dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por si përvojë
e mësime, frymë e frymëzime.
Ta
kthejmë Shtëpinë e madhe të Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizmit, ku
të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja…
2- LETËR NGA LUSHNJA NË
WASHINTON
Duket
e çuditëshme! Si fantazi. Po ja që ndodhi… Kryetari i Katundarisë së Lushnjës,
kështu quhej ajo pozitë, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920,
dërgon një letër. Nga ku? Nga balta e halleve, nga Ballkani, nga vendi më i
vogël, që po vuante më shumë, s’e linin të ishte vend, nga Lushnja buz:e
kënetës. Dhe ku donin ta çonin letrën? Në Washington. Në Washington, po kujt?
Presidentit të SHBA-së, Wilsonit. E habitshme! Sa e bukur! Sa largpamëse! Të
thuash aventurë? Lushnja përzgjedh shpëtimtarin, aleatin e Shqipërisë. Si e
gjetën? Ç’letër të mrekullueshme e të qartë që bënë, të sinqertë, me fjalë të
zgjedhura, të shkoqitura mirë, ndjeshëm, pa ato stërhollimet kancelareske e
dinake, të urtë, me dije… sa vizionare për të ardhmen!
Gjyshërit
tanë do jenë mbledhur rreth atij që po bënte letrën. Me çfarë shkruante, me
pëndë pate? Lushnja kishte pata plot, të bardha si ogur. A kishte makinë
shkrimi? “Frëngu” e kishte shpikur. Cili ishte që i thoshte fjalët i pari, me
zë? Të tjerët ndërhynin: shto këtë, këtë hiqe, po si t’i drejtoheshin
Presidentit? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e lale, se ish më i madhi
i botës ai, rej, opo qy ë”, etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës, njohje të
Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve cmirzeza të copëtimit të
mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…
Letra
është e shkruar shqip, sigurisht, po kush e përktheu në anglisht? Gjendet në
Arkivin e Shtetit, e transkriptuar më pas, mbase, E shkurtër si porositë në
luftë. E vetëdijshme. Historike dhe me histori brenda. Q:e thërriste të
ardhmen.
Duhet
bërë e njohur kjo letër sa më shumë. Meriton vëmendjen e mëtejshme të
studiuesve, të konferencave, të parlamentit, të lidershopit, të politikës
kombëtare në përgjithësi dhe të kuptojë aty të
të sintetizuara strategjinë dhe
taktikat në veprim… Orientimi i drejtë i
shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si Yll Polar. Ndjesia e fuqishme
e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe
Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos na copërluar edhe më.
Ndjehen thikat…
Ja,
teksti i plotë i letrës, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim. Me një shqipe të
qarta si e njësuar me të folursës e përbashkët. Shëmbullore si letër!
Shkëlqesisë së Tij
Wilson, kryetar t’Amerikes
i Shteteve të Bashkuem
Vashington.
Shqiptarët
që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet
fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna
përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e
atdheut tyne.
I
nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu
vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me
vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet
1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa
arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej
nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju
lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së
Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920
Letra e Lushnjes për
Presidentin e SHBA
Po
si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Kujt ia dhanë, nga ç’shtet
ai nisën apo besonin se dorazi do të ishte më mirë?
Po
ç’donte të thoshte ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i
Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes
e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe
ç’engjëll mbrojtës që po i printe?
Le
të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet:
“…në
fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin
britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia
do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta
qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje.
Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta
arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në
gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha
vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.”
Ai
prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate
italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë,
përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara,
shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit:
“Shpëtimi
i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të
Bashkuara.”
Në
Tiranë, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e
demokratizimit, u ngrit shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha
emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por
po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si
memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në
Muzeun Kombëtar në Tiranë, në Parlamentin Shqiptar. Në kujtes:e, në ndërgjegje.
Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.
3- DRAMA ME FRYMËN KONGRESIT
Dramturgu
dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjes
“Të
mblidhemi në Lushnjë” u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në
Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot, kur
do të festohej 50 vjetori i Kongresit dhe donin një dramë që ta vinin në skenë…
Të
tre aktete e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të
trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Xha Bami i Haxhiajve, Bajrami korrier i
Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, me
figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu
që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha,
kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të huaja aty, ushtarë e
oficerë italianë, ndokush filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet
mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një
magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në
Tiranë, për të shkuar në ardhmëri...
Drama
“Të mblidhemi në Lushnje” u botua vonë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë
së vendit dhe u ribotua me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës nga
editori “Uegen”, shoqëruar me një studim nga botuesi, historiani Xhevair
Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjës nxënësit e vunë në skenë dramën dhe priten
skena të tjera të mëdha.
Si
një vazhdim plot emocion, po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i
tretë dhe i fundit.
Në
Kongres:
(Salla
me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një
flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail
Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut
dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë
shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…
Lushnjarë
e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj.,
si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.
Zëra:
–
…kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…
–
E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…
–
…nuk kanë mbrritë të gjithë…
–
…ku ishit mbrëmë?
–
Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me
pushkë jashtë shtépisé…
–
…kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?
–
Francezët për grekërit…
–
Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…
–
… sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,
–
…atë ditë kur u ngrit flamuri…
–
A fillojmë, burra? Koha nuk pret…
–
I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur
i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…
(Të
gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së
vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë
gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke
krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…
-Përfaqësuesi
i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…
Përfaqësuesi
i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj
mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar,
lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim
një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej…
(emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…
Ia
jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit
otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë,
Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!
Elbasan
Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e
qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i
gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata
që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta),
luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës
me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju
falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do
të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që
të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave.
Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj,
jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të
Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat,
se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun
tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të
bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam
kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të
ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të
gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para
gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…
Të
gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…
Pas
përfundimit të Kongresit të Lushnjes
Kryetar
(i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të
ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin
Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të
posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…
Delegati
i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!
Zëra
– Me shka, me çfarë?
Delegati
i Matit – Me armën e diplomacisë, me
diplomacinë e armëve.
Delegati
i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që
kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që
nuk bën për sot. (Duartrokitje)
Kryetari
– Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke
përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.
Kjo
bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës,
Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë
e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon):
Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit
të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë
dhe tërësinë e saj tokësore…
Ndizen
drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon
punën…
Sheh
Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është
realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj,
kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër,
qeveri e re!
Rojet
e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)
Nënkryetari
– Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe
Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
Plaku
i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu
m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët
dardharit siç e përdorin nga Korça…
Përfaqësuesi
i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….
Vrenozi
– Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
Delegati
IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e
perandorë.
Kryetari
– Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
Delegati
II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika,
republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra:
republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të
kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.
Delegati
I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu
nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.
Delegati
II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)
Kryetari
– S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh
nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka
kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në
kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u
caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si
sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si
profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje
me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i
tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…
Delegati
II- Ai të vijë sa më shpejt.
Ministër
i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po,
po…
Ministër
i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…
Ministër
i Arsimit z. Sotir Peci…
Ministër
i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër
Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…
Votohen.
Duartrokitje…
Kryetari
– Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe
Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin
me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të
bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët
ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
Sekretari
– (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare
e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe
shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të
atdheut të shenjtë!”
Të
zgjedhurit – (Një zëri) Betohemi!
Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
Një
zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më
vonë…
Një
zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.
Kryetari
– Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
Sekretari
– Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me
grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.
Shpërndan
flamujt e vegjël.
Njëri
nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…
Zëra
të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju
shpërndajmë me forcë…
Jehona
e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht:
ndalni… të rrethuar…
Ministëri
i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet
i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju
them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam
armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju
përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të
marrshojmë drejt Tiranës!
Një
zë i ashpër – Kush jeni ju?
Ministër
i Punëve të Mbrendshme – Ministri i
Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
Zëri
– Mos lëvizni.
Ministër
i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të
Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara
me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.
*
* *
Kështu
mbyllet kjo dramë dhe duket sikur zhurmat e shqetësuara të kohës, ushtrive,
rrethimeve, ato hingëllima kuajsh të ngjarjeve vazhdojnë mitike dhe ndryshe, në
kohë të tjera, pa ata kalorësa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat
ngjajnë si të shndërruara në trokitje në dyert e Europës.
Kongresi
lavdimadh na thërret vazhdimisht t’i rikthehemi atij betimi si para “Mbledhjes
së shenjtë të Kombit” për të qenë si pjesë e natyrshme e saj, e familjes
Europiane, ndërkaq si me atë misterin që ndihet në frymën e dramës së atij
Kuvendi, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht e më fuqishëm ai zëri i mbrojtjes
dhe nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA.
Duke
u shtuar dhe Republika e Kosovës, duke u bërë dy shtete shqiptare në Ballkan,
së bashku me të gjithë shqiptarë kudo në trojet e tyre dhe në diaporë nëpë
botë, të shkojmë drejt ardhmërisë. Me vepra dhe art!