| E diele, 21.01.2024, 08:50 PM |
I PAHARRUARI DR. NDUE ZEF TOMA
NGA
NDUE DEDAJ
Gjithmonë
në shenimet dhe postimet e mia do të ketë vend për kujtesën njerëzore të miqve,
dashamirëve, të njohurve, atyre që kanë lënë një gjurmë tek ti në kohë. Njëri
nga këta është dhe profesor Ndue Zef Toma, studiues i njohur i letërsisë, ndarë
nga jeta në moshën 82-vjeçare në vitin 2017. Edhe pse rronte në mes të
kryeqytetit dhe punonte në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, emrin e kishte
mbajtur të “gjatë” si të parët e tij që kishin rënë nga malet e epra në bregun
e detit, diku kah Velipoja.
Ishte
viti 1987, kur shefi i Katedrës së Letërsisë të UT, profesor Nasho Jorgaqi më
thotë: për temën tënde pasuniversitare, oponent do të jem unë, kurse
udhëheqësin mund ta zgjedhësh vetë, mes (përmendi emrin e një studiuesi të
njohur të letërsisë) dhe Ndue Zef Tomës. Do të zgjedh këtë të dytin, thashë,
meqë kemi të dy një emër dhe ashtu u bë.
U
takuam me profesor Nduen, folëm rreth strukturës së temës (vështrim mbi prozën
e shkurtër të Zija Çelës), i urtë, i sjellshëm, i fisëm, që i kishte hije ndeja
dhe fjala. Përherë i qeshur e shpirtbardhë. Nga mesi i viteve ‘70, kur qe pak
kohë sekretar i kolegjumit të gazetës “Drita” i pati botuar një cikël me poezi
(për më tepër, me ilustrim grafik) bashkëstudentit të tij, poetit mirditor P.
C. Lleshi, që nuk i botonin, jo se poezitë e tij nuk kishin vlera artistike.
Nuk
jam i sigurtë, nëse më kishte thënë se origjina e tij ishte nga Spaçi apo
ndonjë vend tjetër.
U
takuam në Rrëshen me profesor Nduen, nga fillimi i viteve ’90, ku kishte ardhur
për të mbajtur një kumtesë mbi poezinë e Prend Doçit në një sesion jubilar.
Vazhdonte të mbetej “udhëheqësi” im, me këshillat e tij të vyera sa i përket
letërsisë dhe shkrimeve kritike rreth saj.
Ndjeva
kënaqësi kur e pashë të përfshirë në grupin e studiuesve për përgatitjen për
botim të veprës së Gjergj Fishtës nga shtëpia botuese me emrin e poetit
kombëtar në Lezhë.
Nuk
kisha dëgjuar për të prej do kohësh. Profesori paskësh ndërruar jetë 7 vite më
parë, siç mora vesh nga një shkrim i Fritz Radovanit. Ishte shuar një njeri i
pabujë, që në vitet ’60 qe marrë me poezinë shqiptare bashkëkohore, vështrimin
“midis traditës dhe novatorizmit”.
I
paharruar profesori adash.