| E enjte, 18.01.2024, 08:53 PM |
“MALLKIMI” I FORCËS SË MUJIT
(Varacion
satirik)
NGA
NDUE DEDAJ
Nëse
në asgjë që ka të bëjë me qytetarinë europiane nuk kemi diçka për t’u shënuar,
jemi ndërkohë kampionë të lëndimit të tjetrit, të dhunës gjithëfarëformshe, që
shpesh shkon deri në hakmarrje. Thuhet se kështu janë ballkanasit, gjaknxehtë,
që grindën për pak e pa shkak. Kjo sikur e zheh disi atë retorikën e epikën
heroike, sado që ajo më së shumti është e lidhur me qendresën ndaj krajlive të
huaja pushtuese e sunduese në viset ballkanike për shekuj e shekuj.
E
kemi “mallkim” forcën që nga Muji i kreshnikëve, që ishte “çoban lopësh” dhe i
tillë ka mbetur dhe sot që nuk është më kreshnik e nuk ka zana që t’i japin
“tamël gjiu”.
Rapsodia
e famshme thotë:
“A
don forcë, Mujo, me qindrue?
A
don luftë, Mujo, me luftue?
A
don gja, Mujo, a don mall?
A
don dije, Mujo, a don gjuhë?”
Edhe
pse zanat e pyesin “a don dije... a don gjuhë”, Muji lyp veç forcë me rrah
shokët, me ua kalue atyre, me i mund e me i koritë:
“Shpesh
po m’ngucin çobanija,
Shum
inad çobajt si më kanë,
Paj
me forcë me jau kalue un due”.
Ja
kështu përgjigjet Muji ynë legjendar, nuk don forcë me qendrue e as me luftue,
nuk don gja e as don mall, nuk don me qenë i ditur, as njeri i gjuhës e i
fjalës, i duhet veç forcë me “jau kalue” çobanëve të tjerë. Kot që qenkemi
mburrur me Mujin, që e kemi kthyer në mit, ai paskësh pasur vetëm “kultin” e
forcës, ani se në kohë duelesh kalorsiake apo barinjsh në male. Mbase kështu
duhet shpjeguar Muji në shkolla, që zanat kanë bërë “gabim” të madh që i kanë
dhënë forcë me u ndesh me shokët, se Muji e ka shpërdoruar dhuntinë e tyre gati
hyjnore, ai mbasi ka rrah shokët, ka kthyer e ka vënë dorë si harbut bash mbi
ato që i kanë dhënë forcë, zanat e malit..., përndryshe, ka dhunuar nënën,
gruan, motrën, gjithë graninë e këtij dheu. Është treguar cub e shkuar cubit ai
që ishte kreshniku i kreshnikëve, që mund të bënte gjithë ato trimëri e sojni
në Lugjet e Verdha e kudo tjetër, si vëllau i tij Gjergj Elez Alia, që e
përdori forcën për të shpëtuar nderin e së motrës dhe atdheun nga bajlozi i zi
që kishte dalë prej detit.
Nuk
duam asesi ta bëjmë “tokësor” Mujin, mbase mundja e shokëve ishte vetëm një
çast dobësie e tij, por si t’ia bëjmë me këta “Mujit” e sotëm të shekullit XXI
që kanë zbritur nga logu i bjeshkëve veriore e jugore e kanë hyrë në Kuvendin e
Shqipërisë si burra trima, që mund të luajnë me duar dhe me gratë deputete... e
poete!? Dy të tillë i pamë të mërkurën t’i hiqnin mikrofonin e t’i tresnin
dosjet nga tavolina drejtueses së komisionit parlamentar të Edukimit dhe
Medias, bash si Muji atëherë që nuk donte dije e gjuhë, por “grusht” me u rrah
me shokët...
Grushti
është simboli ynë i djeshëm në totalitarizëm dhe sot në demokraci. Edhe nëse në
kohën e sotme nuk është më nëpër logo, është në dhjetëra qendrime e fjalime të
liderëve politikë, është grusht dhe kur nuk duket, sespe kjo është psikologjia
e mbartur nga udhëheqësia shqiptare, që në jemi të epërmit. Njihni ndonjë akt
“rebelimi” të ndokujt nga ministrat, nën-ministrat apo kryebashkiakët ndaj
shefave të tyre më të mëdhenj në këto dhjetë vjet? Asnjë për be! Nëse kjo do të
kishte ndodhur, sot do të kishim më pak klientë nga radhët e qeverisë në SPAK,
që kurrë nuk kanë qenë kaq të shumtë. E thënë shqip, sot qeverisët më gjuhën e
forcës, të urdhërit të pakundërshtueshëm, bindjes së detyruar të vartësve ndaj
eprorëve, ani se veprimet shpesh bien në kundërshtim me ligjin.
E
si mund të ishte ndryshe në kohë moderne “mallkimi” i Mujit? E kemi prej tij
dhunën. Ajo është kryetema e përhershme e ditës dhe e natës, sepse gjatë njëzet
e katër orëve raportohen ngjarje të dhunshme, në rrugë, familje. Ne nuk bëjmë
dot pa lënduar të tjerët fizikisht e psikologjikisht. Në një tokë të fortish
asgjë nuk është normale, e qetë, e sigurtë. Përkundrazi është e frikshme. “Unë
të sfidoj” është një shprehje politikanësh, por dhe e ndonjë gazetarje. Çfarë
do të thotë unë të sfidoj? Që jam më i zoti se ti? Se e di iks gjë më mirë se
ti. Po ku është dëgjuar kjo ndonjëherë në njerëzit e mendjes? A nuk është më e
pakta bullizëm, bullizim i të tjerëve kjo lloj krenarie boshe? E kush e sfidoi
kë, në këtë Shqipërinë tonë. Me ndonjë të vërtetë që nuk e dinë të tjerët? Me
zbulimin e ndonjë “Uotërgejti” shqiptar?...
Ëh,
“sindroma” e Mujit, me i mund shokët me çdo kusht e me çdo mënyrë,
kundërshtarët politikë, ata brenda llojit, apo të profesionit!...
Ndjesë
i papërsëritshmi, legjendari Mujo që të “trazova” paksa aty në guvën ku fle
prej pesëqind vjetësh, po vetë e kishe lyp forcën atëhere, or mik!...