| E merkure, 17.01.2024, 08:57 PM |
Një postulat i Fan Nolit shprehur në metamorfozën “magjike” të Enver Hoxhës dhe Edi Ramës!
Nga
Enver Bytyçi
Fan
Noli ka thënë shumë postulate. Por njëri prej tyre është më domethënësi. Ai
shkruan se “Këtu (në Shqipëri) tradhtari bëhet brenda natës si me magji patriot
dhe patrioti shpallet tradhtar”! Duke e arsyetuar dhe analizuar në thelbin e
vet këtë fenomen, më shkoi mendja në dy shembuj nga qeverisja e pas Luftës së
Dytë Botërore në Shqipëri. Njëri ka të bëjë me metamorfozën e ish-diktatorit
shqiptar, Enver Hoxha, pas prishjes së Jugosllavisë me Stalinin dhe Bashkimin
Sovjetik. Dhe tjetra lidhet me një lloj metamorfoze të kujdesshme e më të
ngadaltë të Edi Ramës në marrëdhëniet e tij me të njëjtin aktor, Serbinë, pas
krisjes së marrëdhënieve të Aleksandër Vuçiq me faktorin euro-amerikan. Vini
re: Hoxha i prish me jugosllavët pas denoncimit të Stalinit kundër tyre! Rama
ka filluar të mbajë formalisht distancë me serbët pas ftohjes së marrëdhënieve
Perendim-Vuçiq!
A
ka një përqasje me atë që thoshte Fan Stilian Noli të sjelljes së këtyre dy
personazheve politike të Shqipërisë në dy kohë të ndryshme? Le të shpjegohemi:
Ish-
kryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes i
Shqipërisë i periudhës 1944-1948 ndërtoi një marrëdhënie vasaliteti me
Jugosllavinë dhe me Josip Broz Titon. Kjo marrëdhënie shkoi deri atje se
udhëheqësi komunist shqiptar të propozonte Titon si kryetar të Partisë
Komuniste Shqiptare, të nënshkruante marrëveshje skllavëruese me Beogradin e në
fund, në mars të vitit 1948 t’i kërkonte me shkrim liderit komunist jugosllav,
duke shtruar pyetjen se “kur do të kryhej procesi i bashkimit të Shqipërisë me
Jugosllavinë”. Pra se kur Shqipëria do të bëhej Republikë e 7-të e Federatës
Jugosllave të AVNOJ-it.
Më
28 qershor 1948 diktatori sovjetik, Josif Visarionoviç Stalin, dërgoi letrën e
ahstuquajtur të Informbyrosë së kampit socialist, në të cilën dënonte
udhëheqjen komuniste të Jugosllavisë për “tradhti ndaj marksizëm-leninizmit”
dhe me akuzën për “bashkëpunim me imperializmin”! Kjo letër u dërgua nga
Stalini në ditën serbe të Shën Vidovdanit, pra të Betejës së Fushë Kosovës dhe
atentatit serb kundër princit austro-hungarez të kurorës në Sarajevë, Franz
Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë. Qëllimi i diktatorit sovjetik ishte që të
nxiste serbët kundër Titos.
Enver
Hoxha e shfrytëzoi këtë letër dhe si me magji “hoqi dorë” nga tradhtia me
jugosllavët dhe u shfaq si “patriot i klasit të parë”! Për hir të së vërtetës,
shumica e shqiptarëve e besuan. Ai akuzoi Koçi Xoxen dhe bashkëpunltorët e tij
për tradhti në bashkëpunimin me Titon. Mjaftoi ky akt metamorfoze, që
shqiptarët jo vetëm ta besojnë, por edhe ta mëshirojnë diktatorin shqiptar, për
“rrezikun që ai paska përballuar”! Kjo metodë u përdor deri në muajt e fundit
të jetës së tij. Vrasje, krime, eleminim fizik i bashkëpunëtorëve më të ngushtë
të tij, nga Liri Belishova e deri te Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu. Një tipologji
metodike e “suksesshme” e tij për t’u heq si “shpëtimtar” i Shqipërisë dhe si
viktimë e “armikut të brendshëm”!
Si
për çudi, e njëjta tipologji politike u ndoq nga viti 2013 e deri më sot nga
kryeministri i sotëm, Edi Rama. Ai e nisi qeverisjen në mënyrë të ngjajshme si
ajo e diktatorit Hoxha. Më 1 prill 2013 nënshkroi në Shkodër në prani të
ish-presidentit serb, Boris Tadiq, marrëveshjen e koalicionit me LSI-në e Ilir
Metës. Dhe bashkëqeverisën katër vite së bashku. Ndërkaq politikën e
nënshtrimit ndaj Beogradit e vijoi në modelin e viteve 1941-1948.
Në
tetor 2013 u luajt në Beograd një ndeshje midis kombëtares së Shqipërisë dhe
kombëtares se Serbisë. Stadiumi i shndërrua në një arenë dueli politik. Qeveria
dhe mediet serbe e promovuan Olsi Ramën si nacionalistin shqiptar që ideoi dhe
organizoi ngritjen e dronit të Ballist Morinës mbi stadium. Për këtë shkak Rama
fërkonte duart në Tiranë. Po fitonte kapital politik nacionalist. Po bëhej jo
vetëm “patriot”, por “heroi i nacionalizmit”!
Mbas
një muaji, nëntor 2013, Rama shkoi për vizitë zyrtare në Beograd. Edhe kjo
vizitë u propagandua si vazhdim i vizitës së fundit të një kryeministri
shqiptar, asaj të Enver Hoxhës në vitin 1946. Bisedoi me kryeministrin Vuçiq
për dy orë kokë më kokë. Ndërsa kur doli në konferencë shtypi kërkoi që Serbia
ta njohë shtetin e Kosovës. Kryeministri serb thirri publikisht “Provokacija,
provokacija”! Ndërkaq një gazetar i afërt me Ramën e mori këtë dhe e bëri logo
të emisionit të tij televiziv. Për këtë shërbim Rama atë e dërgoi ambasador të
Shqipërisë në Zvicër. Te shumë shqiptarë e sidomos në Kosovë kjo deklaratë e
Edi Ramës në Beograd u prit me duartrokitje e brohoritje. “Rama u bë papritmas
patriot i madh”, “më i madhi ndër të gjithë kryeministrat e mëparshëm”! “Më i
madh edhe se Ismail Qemali”! Priti madje që njerëzit të mblidheshin në sheshe
dhe të thërrisnin "Rama është babai i kombit"!
Por
çfarë ndodhi më pas?! Kur Rama mendoi se mori përfundimisht medaljen e
patriotit u rikthye në origjinë. Në origjinën e vet si individ, por edhe në
origjinën e të parëve të tij. Ata që e njohin mendësinë e Edi Ramës e thanë që
ditën e dytë të vizitës së tij në Beograd, se gjithçka qe inskenuar qëllimisht
pët t’i dhënë njëri-tjetrit (Rama dhe Vuçiq) kredite nacionaliste në vendet e
tyre. Unë pata shkruar dhe pata thënë se ky akt është pjesë e një skenari që do
t’i kthehet në bumerang Kosovës. Fatkeqësisht ndodhi ajo që prisja.
Por
nuk vazhdoi gjatë “patriotizmi” i Ramës. Fillimisht nisi retorika e
marrëdhënieve të mira midis Tiranës zyrtare dhe Serbisë. Këto marrëdhënie të
mira u motivuan “për nevojën për paqe në rajon”! U tha se fqinjësia e mirë (pa
qenë fqinjë) më Serbinë garanton jo vetëm paqen në Ballkan, por edhe
normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Skeptikët, ku bëj pjesë
edhe unë, reaguan.
Megjithatë
Edi Rama nuk u ndal. Fillimsht përkrahu idenë e Vuçiq për ta krijuar
Jugosllavinë e Re, me projekt si republikë të saj edhe Shqipërinë. Por Vuçiq-it
kjo iu duk pak. Pa se me Ramën mund të zbatonte projekte më të mira! Në nëntor
2016 ai i propozoi kryeministrit të Shqipërisë idenë e “shkëmbimit të
territoreve midis Serbisë dhe Kosovës”, në fakt të ndarjes së shtetit më të ri
në Europë. Kësaj radhe në Nish. Prej aty shkuan në Beograd dhe promovuan librin
e kryeministrit shqiptar të titulluar “Kurbani”, të përkthyer në gjuhën serbe.
Nuk u mor vesh kush e botoi dhe kush ishte përkthyesi. Por serbët u shërbyen me
një libër që predikon përçarjen e shqiptarëve. Ky ishte qëllimi i përkthimit
dhe botimit.
Enver
Hoxhaj dhe Hashim Thaçi u thartuan. Thanë se “nuk pranojmë paternalizëm nga
qeveria e Tiranës për çeshtjen e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”! Por nuk
vonoi shumë dhe pas dy muajsh, diku nga shkurti 2017, këshilltari i Thaçit,
Bekim Çollaku, njoftoi publikun që të bëhej gati për “kompromis të dhimbshëm”!
Pas kësaj u bë e njohur se Thaçi kishte rënë dakord t’ia jepte Serbisë veriun e
Kosovës. Reaguan forca të shumta politike e jo politike në Kosovë e në
Shqipëri. Sali Berisha ishte në pararojë të kundërshtimit të këtij projekti të
Serbisë së Madhe.
Debati
u zhvillua i ashpër. Rama kaloi ylberin e “patriotit” dhe u bë “tradhtar”. Në
këtë rol mori në Berlin hartën e dy shteteve, Serbisë e Kosovës, dhe në
prezencë të Merkelit e Macronit tregonte me gisht bashkë me Thaçin e Vuçiq-in
se cilat do të ishin territoret që do t’i jepeshin Serbisë.
Kur
ky projekt dështoi, Rama vazhdoi “tradhtinë” e tij me akordin midis tij, Vuçiq
dhe Zaev për të krijuar Minishengenin e tranfsormuar më vonë në Open Balkan.
Thelloi aq shumë marrëdhëniet e tij me Beogradin, sa në çdo rast, madje edhe në
samitet ndërkombëtare, kritikonte Prishtinën dhe Albin Kurtin dhe e bëri
Kosovën fajtore për diversionet serbe kundër Kosovës. Aq shumë u ngjiz me
presidentin e Serbisë, sa kur fliste Rama nuk dallohej nëse po fliste
kryeministri i Shqipërisë, apo presidenti i Serbisë, gjithnjë në mbrojtje të
Serbisë. “Tradhtia” vijoi me entusiazëm. Shkoi deri atje sa zoti Rama t’i
akuzonte kundërshtarët e projektit të tij me Vuçiq të ndarjes së Kosovës e të
Open Balkan, si “tradhtarë” dhe veten ta quajë “mesia kumbarë” midis
shqiptarëve dhe serbëve e madje edhe midis Beogradit nga njëra anë dhe
Brukselit e Uashingtonit nga ana tjetër.
“Ne
tradhtarët” u ndjemë keq, sepse po na akuzonte për të tillë një person që mori
në mbrojtje Serbinë dhe presidentin e saj kur ai përgatiste plane për akte
terroriste në Kosovë dhe vazhdonte aleancën e ngushtë me Rusinë. Po na akuzonte
ai që quhet kryeministër i Shqipërisë. Ndërkohë do të ndjehemi akoma më keq,
kur Edi Rama të bëjë metamorfozën tjetër, por jo edhe të fundit.
Tani
që Perendimi po sheh se Aleksandër Vuçiq është problemi dhe zjarrvënësi i
Kosovës dhe Ballkanit, Rama ka nisur të distancohet me të. Natyrisht jo
menjëhershëm siç Enver Hoxha u distancua nga Tito. Rama po largohet me shumë
kujdes. Përmend Reçakun, por nuk ia mban të bëjë përgjegjës për të as
Milosheviçin, jo më ministrin e kasapit të Ballkanit, Aleksandër Vuçiq-in!
Përmend nevojën për pajtim dhe kritikon Beogradin pse mbajti zi për
terroristët, por nuk pranon të hartojë dhe miratojë një rezolutë në parlament
për genocidin serb në Kosovë! Thotë se ngjarja në Banjskë ishte akt kriminal,
por nuk do të pranojë se ishte edhe akt terrorist. Rama vazhdon të bëjë
shërbime më të kamufluara për Beogradin, siç ishte rasti i projektit të
Asosacionit, të cilin pa u konsultuar me autoritetet e Prishtinës ia dërgoi
kancelarit Scholz dhe presidentit Macron.
Në
fakt as Enver Hoxha nuk qe distancuar plotësisht nga Jugosllavia e Titos.
Shërbimet sekrete të të dy vendeve bashkëpunuan deri në fund. Të njëjtën gjë
bën edhe sërbimi sekret i Edi Ramës me atë të Aleksandër Vulin. Tregtia midis
Shqipërisë e jugosllavisë vazhdoi pandërprerje. Kjo po ndodh masivisht me Edi
Ramën. Pas ngjarjeve të Pragës në gusht 1968 Enver Hoxha bëri thirrje për
aleancë ushtarake me Jugosllavinë, si preteks se ndoshta sulmon Bashkimi
Sovjetik. Ndërsa Rama nuk ka heq dorë ende nga aleanca politike me Beogradin!
Ngjashmëritë dhe përdorimi i të njëjtave metoda janë karakteristika themelore
midis Enver Hoxhës dhe Edi Ramës.
Poblikisht
edhe Enver Hoxha hidhte akuza dhe kritika kundër Jugosllavisë. Sidomos pas
vdekjes së Titos. Fjalimi i tij në Kongesin e 8-të të PPSH-së shihet prej
enveristëve si “patriotizëm i pastër” i ish-diktatorit shqiptar. Por ama as
atij nuk ia mbajti të mbajë fjalime të tilla sa kohë ishte gjallë
bashkëpunëtori i tij i viteve 1940, Josip Tito. Edi Rama ka filluar të bëjë
deklarata “patriotizmi” dhe mund ta thellojë këtë retorikë në kërkim të rolit
të “patriotit”! Ai e di se ne shqiptarët kemi një kujtesë vetëvrasëse dhe
mbajmë mend vetëm fundin e filmit. Pra do të shënojmë në memorie retorikën
“patriotike” të “patriotit të madh”, Edi Rama! Kjo do ta motivojë atë që të
“bëhet patriot”, si me magji e brenda natës! Mos u çuditni kur ne të tjerëve të
na shpallë “tradhtarë”! Por ama sa kohë të jetë në jetë Aleksandër Vuçiq, ai do
ta ruajë vijën e kuqe! Sepse presidenti serb është dëshmitar i keq për
kryeministrin e Shqipërisë!
Ky
është një nga shembujt më të spikatur të asaj çfarë na ka lënë si trashëgimi
Fan Noli. Mesa duket kjo është arsyeja pse Rama kur ishte në opozitë shfaqej si
fanolist i thekur, ndërsa gjatë qeverisjes së tij gati 11 vjeçare, thuajse nuk
e ka përmend asnjëherë atë!